back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

A ishin komunistat “vllaznit tanë”? Po, por ata i vranë vëllezërit e tyre! nga Aleks Kapllaj

Gazeta

 Aleks Martin Kapllaj
Aleks Martin Kapllaj

A ishin komunistat “vllaznit tanë”?

Po, por ata i vranë vëllezërit e tyre!

nga Aleks Kapllaj

Kur filozofi Padër Anton Harapi i tha Xhafer Devës se “edhe komunistat janë vllaznit tanë”, ai u niste nga udhëzimet e Krishtit se të gjithë popujt janë vëllezër dhe duhet të duan njëri-tjetrin si forma e vetme e shpëtimit të njerëzimit nga konfliktet e përjetshme dhe se jeta është e shenjtë e, askush nuk ka të drejtë me ia marrë askujt.
Sidomos, kjo vlente për popullin shqiptar, që nuk mund të pranonte ndarjen dhe vrasjen me njëri-tjetrin, në emër të ideologjive të importuara nga lindja e largët e revolucionit të tetorit të 1917, apo e imponuar nga pushtuesit e huaj nazi-fashistë e pikërisht në momentin historik që kërkohej bashkimi kombëtar shpirtëror e tokësor.
Filozofi Harapi ishte gabuar se pikërisht ata që i konsideronte vëllezër, dy vjet më vonë më 20 shkurt të 1946, do ta varnin në litar në breg të Lanës, në emër të asaj ideologjie vëllavrasëse sllavo komuniste, që kishte marrë pushtetin në Shqipëri, ku vëllai sakrifikohej në emër të Internacionales komuniste.
Por fretnit Padër Klement Miraj dhe Padër Mëhill Miraj, do të deklaronin dhe punonin me bindje se komunizmi ishte një kërcënim dhe një e keqe e madhe për Shqipërinë, që historia u dha të drejtë plotësisht, që nëse “ne i konsiderojmë komunistët vëllezër, ata, komunistët, për ideal të partisë janë gati të vrasin vëllain, mikun, shokun dhe komunistin rebel”, dhe për idetë e tyre, Mirajt do të persekutoheshin gjithë jetën deri në ditët e fundit.
Para pak ditësh doli nga shtypi libri “Dy Fretnit Martirë”, botim i shtëpisë botuese “Botimet Fishta”, me autor Loro Gjeçi, i përgatitur për botim, plotësuar me dokumente të reja, që nuk ishin përfshirë më parë në libër, nga publicisti Gjovalin Gjeloshi, dhe me kontributin e gjetjes së fakteve jetike për fretnit Miraj, nipi i tyre dhe babai i jonë, Martin Vat Kapllaj.
Regjimi sllavo komunist i Enver Hoxhës, kishte si qëllim përndjekjen, arrestimin dhe eliminimin e Klerit katolik por edhe të besimeve të tjera fetare dhe për këtë arsye i goditi të gjithë, duke i pushkatuar, burgosur e persekutuar pa përjashtuar dhe falur asnjë prej tyre. Është shkruar dhe ka për t’u shkruar akoma për krimet kundër përfaqësuesve të besimit katolik, e kohët e fundit një vepër me vlerë historike, është edhe libri i studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi, “Gjenocidi komunist ndaj Klerit katolik shqiptar” që pasqyron detajet e këtij gjenocidi kundër të gjithë martirëve dhe viktimave të klerit katolik, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm.
Për fretnit Miraj kanë shkruar edhe të tjerë, sidomos Padër Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno vetëm me tregue”, por libri biografik i Loro Gjeçit është një studim me fakte historike biografike dhe dokumenta, që tregojnë figurat e dy atdhetarëve dhe kontributin e tyre në kulturën, folklorin, arsimin dhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare të kërcënuar nga fqinjët shovinistë sllav dhe aktivistë të parë kundër pushtuesve osmanë.
Familja e “Mirajve e lagjes “Koder Mullini”, të Lezhës, që u ulë para 150-200 vjetësh nga Selca e Kelmendit, i ka dhënë kombit shqiptar dy figura të mëdha të françeskanëve dhe tri murgesha stigmatine. Përveç Patër Klement Miraj, Patër Mëhill Miraj dhe murgeshave Terezina Miraj, Mira Miraj dhe Tone Miraj, nga trungu familjar i Mirajve pat qenë shugurue frat dhe Fabjan Miraj, i cili më 1940 mbaroi maturën si xhakon në Liceun “Illyricum””, shkruan Gjeçi në librin e tij. Familja Miraj, ishte familja që lindi më shumë priftërinj dhe murgesha në të gjithë Shqipërinë.
“Prej kohësh kam pas dëshirë të shkruaj për Patër Klement Mirajn, (gjuhëtar, publicist, njohës i gjermanishtes, latinishtes, italishtes, sllavishtes dhe frëngjishtes), për këtë frat të madh të kombit shqiptar, shok, mik e bashkëpunëtor i At Gjergj Fishtës, Patër Anton Harapit, Pater Danjel Dajanit, Pater Marin Sirdanit, Pater Ambroz Marlaskajt, Pater Gjon Shllakut, At Shtjefën Gjeçovit, P. Vinçens Prenushit, P. Pashko Bardhi, P. Tomë Bicajt, P.Leon Kabashit, P. Martin Gjokës, P. Donat Kurtit, P. Bonë Gjeçajt, P. Çiprian Nikës, P. Rrok Vatës, P. Serafin Kodës, P. Konrad Gjolajt etj”, shkruan Gjeçaj në biografinë e Mirajve.
.
Kleri Katolik - pjesa me e madhe e të cilit u masakrua nga Komunizmi
Kleri Katolik – pjesa me e madhe e të cilit u masakrua nga Komunizmi
Patër Klementin e përpinë rrufetë e diktaturës komuniste që herët. E dënuan me burg politik dhe e kallën në qelitë e Burrelit për të mos dalë më kurrë nga ai ferr i vërtetë. Ndërroi jetë nën tortura mbas disa vitesh burg, në vitin 1957, të cilit nuk i dihet as varri.
Patër Klementi dhe Patër Mëhill Miraj u diplomuan në universitetet katolike më në zë të Europës, në Grac të Austrisë dhe në Romë. Patër Mëhilli u laurua për teologji dhe matematikë dhe punoi si profesor matematike e fizike në gjimnazin “Illyricum” të fretërve në Shkodër, me drejtor At Gjergj Fishtën dhe pedagogë të tjerë Padër Agostin Ashiku, P. Paulin Margjokaj, P. Ferdinand Pali, P. Jakob Marlekaj, P. David Pici, P. Lekë Luli, P. Viktor Volaj, P. Gaspër Suma, P. Filip Mazrekaj, P. Aleks Baqli, P. Daniel Gjergji, P. Robert Ashta, P. Gegë Lumaj, P. Konrad Gjolaj, P. Simon Rrota, P. Zef Harapi, P. Terenc Toçi etj.
Libri “Dy Fretnit Martirë” tregon për jetën, aktivitetin fetar dhe atdhetar të dy klerikëve që dedikuan jetën në shërbim të besimtarëve dhe shqiptareve pa dallim feje. Në proceset gjyqësore ata nuk e mohuan kurrë veprimtarinë e tyre antikomuniste, pa marrë parasysh pasojat e këtij qëndrimi, përherë me bindjen se mposhtja e kësaj ideologjie ishte për të mirën e popullit shqiptar. Gjyqet politike me akuzat e bashkëpunimit me pushtuesit e huaj, ishte një farsë e vërtetë.
Padër Kelment Miraj, përveç akuzave në “bashkëpunim” me gjermanët, vetëm se ishte përkthyes i tyre, dhe me dëshmitar partizanin që e shpëtoi nga pushkatimi i sigurt, u akuzua se kishte patur lidhje dhe korrespondencë me gjermanët, për letërkëmbime që kishte me antinazistë dhe antihitlerian, gjë që e tregon edhe letra e një mikut të tij në vitin 1932, kur nuk kishte lindur akoma nazizmi. Në letrën e mikut gjerman Dr. Stefan von Bogdandy, ai i shkruan për jetën e tij private dhe i tregon ndër të tjera: “Tani sapo dëgjuam në radio rezultatet e sotme të zgjedhjes së presidentit të Raihut…. megjithëse nacional-socialistat kanë një current të fortë, ata nuk mund ta mposhtin Hindenburgun. Ne na bëhet shumë qejfi, sepse ne nderojmë më shumë personalitetin e tij historik se sa Hitlerin. Gjithashtu, Hindenburgu asht edhe kumbar i djalit tonë…”.
Nuk lehtësohet “akuza e bashkëpunimit” edhe pse letra mban datën 10 prill 1932 dhe as, se miku gjerman i Pater Klementit, ishte kundër Hitlerit në fushatën e zgjedhjeve të atij viti.
Lëvizja e Postribës dhe e Rranzave të Shkodrës më 9 shtator 1946, u bë shkaku kryesor i terrorit të kuq komunist në Shkodër dhe krahinat e saj. Në plan të parë të këtij terrori u vu përsëri kleri katolik shqiptar.
Patër Mëhill Miraj u arrestua në Kishën e Shën Gjon Kapistranit të Kuvendit Françeskan të Nikaj-Merturit më 15 dhjetor 1946. Hetuesia dhe gjyqi i Patër Mëhill Mirajt dhe grupit u ba në Shkodër. Grupi përbëhej nga 16 të burgosur politik. Ata të gjithë ishin klerikë katolikë dhe vetëm njëri ishte civil. Ata ishin: Imzot Frano Gjini, Patër Mati Prenushi, Imzot Nikoll Deda, Dom Tom Laca, Dom Ndoc Sahatçia, Patër Mëhill Miraj, Don Nikoll Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra. Zef Pllumi, Patër Donat Kurti, Dom Anton Muzaj, Patër Çiprian Nika, Patër Gjon Karma, Fra. Ndue Vila dhe Zef Haxhia. Gjyqi filloi me 26 dhjetor 1947 në ish redaksinë “Hylli i Dritës” i drejtuar nga Gjykata e Zonës Ushtarake të Qarkut Shkodër
At Zef Pllumi, në librin “Rrno vetëm për me tregue” ka shkruar se, në aktakuzën prej 14 pikash, të cilat pak a shumë kanë këtë përmbajtje me formulim të njëjtë për 10 persona: Imzot Frano Gjinin, Imzot Nikoll Dedën, At Mati Prendushin, Dom Tom Lacën, Dom Ndoc Sahatçinë, Patër Mëhill Mirajn, Dom Nikoll Shelqetin, Dom Mark Hasin, Fra, Zef Pllumin dhe Zef Haxhinë.
-Të gjithë këta janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botëror gjatë gjithë historisë.
-Se i kanë shërbye skllavopronarëve e të gjithë monarkive gjatë shekujve.
-Se kanë shkaktue shumë lufta fetare, kryqëzatat anti- islamike, por kanë përgatitë edhe Natën e Shën Bartolemeut në Francë.
-Se kanë pengue shkenctarët, tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon.
-Se kanë bashkëpunue aktivisht me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve.
-Se kanë bashkëpunue me perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar.
-Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Austro-Hungareze dhe kanë përgatitë ardhjen e saj.
-Se kanë përgatitë ardhjen e fashizmit.                            
Akuza ishte një farsë e diktaturës. Patër Mëhilli e priti me zemëratë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Si klerik dhe pedagog ai përcolli frymën kombëtare dhe dashurinë për atdheun. Ai qëndroi gjithëherë besnik idealeve të larta të lirisë. Këtë e dëshmon më së miri At Zef Pllumi, i cili shkruan: “Na priti (At Fishta, shënimi im L. Gj.) me karamele e me kumel. At Mëhill Miraj u çue e i tha: -“Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxënësit e tuej. Unë po shpreh mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe të vllaznëve tuej: aq sa na ka ra mirë emnimi yt si Akademik, aq na ka ra keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue sesi duhet ta duem Shqipninë e si duhet të jemi atdhetarë. E gjithë Shqipnija, ashtu dhe fashistat italianë, e dinë mirë se ti ishe kundër këtyne”.
Ndërsa At Mëhilli fliste ngadalë e me za të randë, Fishta kishte përkulë kryet si për me mbajtë vesh ma mirë.
Ma poshtë vazhdoi: “Bashkërisht kemi vendos me ta ba këtë propozim: Njashtu si ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të qe dërgue prej autoriteteve italiane, tue thanë: “Nuk asht dekoratë për mue”, po njashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e Akademikut.
Kaq dimë e kaq të thomi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgja për të keq, se ti je ndera jonë”.
Në librin “Dy Fretnit Martirë”, del qartë veprimtaria e fretnëve Miraj për “Fe e Atdhe” në shumë fshatra e qytete të Shqipërisë, në Rubik, Pllanë të Lezhës, Zhejë dhe Kisha e Shna Noit të Laçit, Bizë të Durrësit, në Rugovë të Pejës e në Nikaj Mertur, që u dënuan vetëm se punuan kundër instalimit të pushtetit sllavo-komunist antishqiptar, dhe aspironin në një demokraci pluraliste dhe punuan për këtë Shqipëri, deri ditën e fundit pa e mohuar këtë qëllim dhe përkushtim, të vetëdijshëm se rrezikonin jetë.
.
Marre nga gazeta Mapo, 22 shkurt 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.