back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“A ka ardhë koha që Kadare t’jetë President i shqiptarve?” nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

“A ka ardhë koha

që Kadare të jetë President i Shqiptarëve?”

esse Jozef Radi 2007

Në fund të qershor të vitit 2007,
ishte zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë.
Në vorbullën e përzgjedhjes së figurave dhe diskutimit të tyre,
me njifarë drojtjeje u futa edhe unë përmes shkrimit të mëposhtëm
duke e provokuar opinionin permes nji figure mjaft të njohur.
Shkrimi u mirëprit prej lexuesve (pata nji letërkëmbim të pafundmë)
po edhe mediave (e botuan të paktën pesë gazeta)
po njiherësh ai hapi edhe diskutime të shumta…
Kjo tashmë është diçka e arkivuar dhe pothuaj e harruar…
Duke e konsideruar si nji nga shkrimet e mia më të mira,
po e rifus në sit si dëshmi e angazhimeve të mia të vazhdueshme;
njiherësh shtoj se ky shkrim më dha edhe kënaqësinë e nji letërkëmbimi të veçantë
me nji intelektual që e kisha parë pothuaj përditë në rininë e hershme,
po që kurrë s’kisha shkëmbyer ndonji përshëndetje apo bisedë me të…
zotin Mërgim Korçën, te birin e intelektualit patriot Xhevat Korça…
ky letërkimbim mbetet nga ato kënaqsitë e veçanta te mia…
Letërkëmbimin po e bëj pjesë të këtij shkrimi…
jo thjesht si pjesë e opinioneve të asaj kohe
po edhe si një shembull i pozitiv komunikimi po edhe i shkëmbimit të ideve…

***
Emri i presidentit të rradhës, ka kohë që i trazon mendjet e lodhura të shqiptarëve, që i mbush bisedat e tyre, që u fanepset nëpër filxhanët e kafeve turke, që përhumbet nëpër fjollat e tymit, tashmë jashtë lokaleve, po më së shumti turbullon dhe topit mendjet e handakosura të politikës shqiptare, që mamurrshëm ky emër ende s’u thotë asgjë konkrete. Enigma tashmë jeton ditë të numëruara, por askush gjer sot s’mund të gjejë ndonjë emër mes emrave që shfaqen e fshihen pas gishtit, që të jetë fillimisht i pranueshëm e më pas i besueshëm, një emër që t’u prijë evenimenteve të pritshme, për t’i ngjitur shqiptarët së paku drejt asaj krenarie deklarative, që aq zhurmshëm mbush sheshet, gazetat, kafenetë, por që së fundmi na katandis në të qenit të fundit në gjithçka e të gjithçkafje.
Emri i presidentit të kësaj rradhe nuk besoj se mund të jetë i shkëputur nga vazhdimësia e shtatëmbëdhjetë viteve të shkuara… Loja tashmë ka kohë që vërtitet heshtaz e nën zë, ndërsa unë mbetem i bindur se pjesa më e madhe e emrave të hedhur në treg, janë emra borxh: thjesht për konsum, mbasi asnjëri prej tyre nuk të çon te zgjidhja, kështu që enigma mbetet pezull… Kushdo që me vetëdije e ka dhënë emrin për konsum, është i shpëtuar… nuk janë të shpëtuar vetëm ata që ende s’e kanë kuptuar lojën e rradhës, e që ende pas emrit e tyre shohin presidentin e zgjedhur. Të gjithë kanë të drejtë ta ëndërrojnë një lartësi të tillë pushteti; të padrejta janë vetëm ëndrrat që vazhdojnë të shihen syhapur.
Si ndjekës i kahershëm i gjithë lëvizjeve të politikës shqiptare, dhe si një dyshues “par excellence” i gjithçkaje të dukshme që ndodh sakohë këndej rreth e rrotull, kërkoj t’i bashkangjitem fantapolitikës së zgjedhjes së presidentit shqiptar, me shpresën së në fund të fundit, i gjithë arsyetimi im të mund të kthehet në realpolitikën e përcjelljes së elementeve determinues të kësaj ngjarje të rëndësishme, që shpresohet ta stabilizojë qartaz shtetin shqiptar dhe të përgatisë frymën që duhet t’u trasmetohet gjithë shqiptarëve, për kapërcimin e hendeqeve të panumërta që i presin.
Presidenti i kësaj here, simbas meje nuk duhet të jetë thjesht President i Shqipërisë, por president i shqiptarëve, dhe te konotacioni president i shqiptarëve s’duhet absolutisht të këtë asnjë lloj truku demagogjik…
Pyetja që i shtroj kahera vetes, e kahera përpëlitem t’i gjej një përgjigje është: “A ka ardhë koha që Kadare të jetë president i shqiptarëve?”
E ndërsa persias në vetvete ta qartësoj këtë ide, shoh një lukuni me ujq politikë që skërmisin dhëmbët; shoh krejt ata që me të drejtë janë përplasë me shkrimtarin gjatë gjithë kësaj kohe tranzicioni; shoh krejt ata që kanë pritur prej të madhit të letrave një “mea culpa” për lëndimet e shk(r)uara; shoh… shoh gjithashtu se pjesa e atyre që do t’i lumturohen (edhe pa shkak) shfaqjes së këtij emri është e madhe, është shumë e madhe, pothuaj në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse sot ne kemi nevojë për një emër që t’i flasë botës, një prijës që të ketë pasur fqinjësi me pushtetin, një figurë që më shumë se dritë të ketë mister brenda vetes…
E çfarë i mungon prej këtyre Njeriut të Letrave…?!?

Ismail Kadare (1936)
Ismail Kadare (1936)

***
Shmangia nga diskutimi i hapur publik i çeshtjes së Presidentit, e bën kët’ proces të rëndësishëm për vendin, si një lojë masonerie. Asnjë transparencë s’është shfaqur deri sot, asnjë debat publik, se cili mund apo duhet të jetë presidenti i mundshëm i radhës; ç’popullaritet mund të gëzonte kjo apo ajo figurë në opinion. Bilardoja e politikës, më së shumti marret me interesat që duhen mbrojtur nga ky këmbim ose rrokadë e majëpushtetit. Nga ana tjetër zgjedhja e presidentit të fundit, qe më shumë një konsensus rrethanor se sa një zgjidhje e shoshitur dhe e arsyeshme midis vlerave dhe mungesës së tyre, tek i përzgjedhuri i orës së vonë. Sigurisht kjo përzgjedhje rrethanore solli më vete nëpërdhëmbje të tilla, që për dreq sot presidentit ekzistues s’i jepet asnjë lloj shansi për rizgjedhje. Fatkeqsisht edhe sot po luhet pikërisht me kët’ shmangie… ndërkohë që presidenti i rradhës rri i fshehur në detaje të imta e në rifinitura ende të pakapshme. Është pikërisht ky stil mason, që të shtyn të mendosh se kur të vijë realisht fjala e prezantimit të emrit të vërtetë “asi nga mënga” mund të jetë një emër që vërtet mund të mos sjellë shumë konsensus të hapët, e të krijojë mjaft pështjellim midis atyre që kanë kartonin e votës, por do të jetë një alternativë e tillë që duhet të jetë shumë e vështirë të hidhet poshtë…
Sigurisht, këtu unë mund t’i tejkaloj dyshimet duke thënë se “paraqitja e figurës së Kadaresë, sot është më shumë se asnjëherë në llogjikën e gjërave!” Nëse klasa e dikurshme politike “ajo e trurit të larë” (kovaçët, mjelset, çobanët, karrocierët dhe mekanikët), që urgjentisht duhej këmbyer me klasën e re të të shkolluarve, po sot kjo klasë intelektuale e pushtetit të “tranzicionit” e ka si “qershi majëtorte” figurën e Kadaresë. E nëse rezultatet e kësaj klase lënë mjaft për të dëshiruar dhe vërtiten pothuajse në të njejtat gjurmë të paraardhësve të tyre(…) kjo e bën Kadarenë kapakun e domosdoshëm të kësaj kohe dhe kësaj gjenerate…

***
Shpesh më ka ndodhur të flas me miq të Kadaresë, për të gjetur hollësi të jetës dhe karakterit të shkrimtarit, e ata gjithnji më flisnin për njeriun. Askush prej tyre s’ma ka mohur se atij nuk i pëlqen pushteti, përkundrazi ma kanë theksuar se ai e adhuron pushtetin. Ai nuk e dëshiron pushtetin si një alternativë jashtë asaj çka ka bërë gjatë jetës, por si një shpërblim të asaj që ka dëshiruar të bëjë. Politika sot duhet t’ia afrojë pushtetin Kadaresë si lutje, si nënshtrim. Ai nuk dëshiron të ndjehet ndryshe veçse shpëtimtar.
Dhe si shpëtimtar ai kurrë më afër pushtetit se kësaj here nuk ka qenë…

***
Kadare ka jetuar afër pushtetit, aq afër sa ata që e njohin imtësisht se ç’është pushteti, shpesh ai u është dukur si pushtet mbi pushtetarët. Por magjia e tij ka ndodhur, pikërisht atëherë kur të gjithë e besonin si të Tillë, dhe i frikeshin hijes së tij, ai papritmas u shfaqesh befas si sfidë e pushtetit…
Kush më shumë se ai qe mik i familjeve më të pushtetshme të kohës, dhe kujt si atij i ka ndodhur t’i përcjellë miqtë e vet gjer në greminë, duke jetuar edhe vetë herë buzë terrorit e herë brenda terrorizuesit!!
Pjesa më e rëndësishme e veprës së tij, është ngushtësisht e lidhur me pushtetin. Brenda saj, po edhe jashtë obsesioni i pushtetit është kaq i prekshëm sa shkrimtari shpesh të krijon idenë, se atij nuk i interesonte të shkruarit jashtë pushtetit. Unë do të rradhis një seri titujsh dhe kryeveprash të shkruara prej tij, ku pushteti është thelbi obsesiv që e ka munduar dhe vazhdon ta mundojë Kadarenë: “Dimri i Vetmisë së Madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” “Pashallarët e Kuq”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pasardhësi”, “Piramida”, “Koncert në Fund të Dimrit” etjerë, si një dëshmi modeste të asaj çka po rrekem ta theksoj.
Pikërisht kjo shumësi veprash të lidhura me pushtetin e ka bërë njëherësh të frikshëm dhe të dashur Kadarenë. Kur Shqipëria ndodhej buzë greminës, ikja e tij në njëfarë mënyre i çliroi alternativat e ndarjes së pushtetit. Pushtetarëve të rinj u duhej autoriteti dhe jehona e emrit të tij po jo prania e tij! Ata me shumë kujdes e mbajtën larg Kadarenë, dhe kur e afruan i ofruan pushtete të ndërdyshta, më së shumti për të shpëtuar çka mund të shpëtohesh nga teposhta e tyre. Por Kadare e ka pothuaj të pamundur të mbetet nëpër të tilla gracka…

***
S’thua asgjë të re nëse thekson se Kadare i përket klasës së cinikëve, vetëm se kurrë, as më parë as gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve, Kadare nuk qe cinik me pushtetin. Përkundrazi, edhe kur pushteti, ndërtonte ligje dhe nene për ta mbajtur sa më larg hijen e tij, ai ndërtoi në heshtje dhe me një durim bishe ëndrrën e tij të kthimit, ëndrrën që kur të mos funksiononte asnjë, si e vetmja alternativë të shfaqej Ai.
E kjo nuk është diçka që mund të kapërcet si asgjë…

***
Kadare tashmë nuk ka asnjë mister mbi vete. Gjithë çka pasur për t’u thënë ndaj tij gjer edhe në kufijë e hiperbolës është thënë. Për të mbetet e rëndësishme të qenit në qendër të vëmendjes, pa u trazuar fort shpirtërisht nëse kjo ndodhte për mirë a për keq… Ajo çka më trishton sot është fakti, se ai asnjëherë s’e gjeti veten të motivuar për ndonjë ndjesë, (as autokritikë), por me mjaft kurajo u përplas me krejt akuzat që i vinin prej shërbimeve të tij, dhe si strateg i shprëfilljes arriti t’i kapërcejë me heshtje dramat e shkaktuara, të urdhëronte heshtjen atje ku s’arrinte fuqia e tij, për gjithë “keqfolësit e pacipë”.
Unë sot mendoj se qenia e tij pretendent i “fronit të naltë” ndoshta do ta bëjë më refleksiv dhe më njerëzor, sepse vetëm nga një pozitë e tillë, mund të përpiqet të jetë më konkret për popullin e vet; ndoshta prej kësaj lartësie do të jetë më këmbëngulës për hapjen e dosjeve, ndoshta (nën shembullin e Papa Vojtilës) “mea kulpa” e tij do të marrë përmasat e një katarsisi shpirtëror (edhe pse të vonë) për krejt shoqërinë shqiptare…
Të besosh ndër ne është ende një akt sublim…

***
Sot, Kadare, është pothuaj më pranë se kurrë ëndrrës së tij.
Ende energjitë e tij e dëshirojnë këtë ambicje të pazbehur nga mosha. Sigurisht ka vite që vepra e tij s’është më në lartësitë e kryeveprave të dikurshme, kështuqë pushteti ndoshta do të jetë kryevepra e tij e fundit, “kanga e kangëve”, vepra e veprave…
Kjo ngjitje e shurdhët drejt pushtetit ka kohë që gatuhet, mbasi edhe largimi i ndonjë figure që i bënte paksa karshillëk qoftë në letërsi, qoftë në politikë, është në vazhdim të këtij projekti. E kush si Kadare mund të jetë vazhdues i linjës së Shans Elizesë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, i asaj linje aq majëdallgëve gjatë gjithë viteve postdiktaturë, e kush si Ai mund të ndajë e të bashkojë njëherësh, e kush, kush si Ai mund ta zbusë dhe ta egërsojë të ardhmen tonë…?!
Le të shpresojmë duke dyshuar!

***
Tash është në lëvizje, ky akt i ngjitjes së njeriut tek monumenti, por më parë do t’i kërkohet një shërbim, një shërbim krejt ndryshe nga ato që ka kryer gjer më sot. Një shërbim jo i ndërdyshtë, por i qartë. Politika ndoshta e mendon atë çka po unë po e hedh në letër, por edhe nëse mendon krejt ndryshe, unë mund të vazhdoj të mendoj se thjesht nuk kam gabuar.
Ndoshta energjitë pretenduese të kësaj figure mund t’i kryejnë një shërbim këtij vendi. Ndoshta për mirë, ndoshta edhe për… Zaret janë hedhur, pushteti e dëshiron njeriun e vet, po edhe njeriu e vuan lavdinë e atij pushtetit të munguar gjithashtu!
U bëftë më e mira…
Më e mira u bëftë!
15 qershor, 2007

******************

Mergim Korça
Mergim Korça

Mërgim Korça Mergimk@wideopenwest.com
e dielë 17 qershor 2007, 20.12.08

I nderuar Z.Radi,
Nisur nga fakti se së bashku nuk njihemi, mesazhi juaj fillimisht më befasoi.
Në vazhdim, duke menduar më gjatë, më dilte përpara fytyra e një burri të thinjur e flokërralluar, hipur mbi një biçikletë, me të cilin dëndur shkëmbeheshim mëngjeseve në rrugë, ai drejt qytetit të Lushnjes dhe unë… drejt SMT-së… dhe përshëndeteshim. E mbaja mend qëkur unë, shum’i ri e ai burrë atëbotë, banonim te apartamentet e Lanës në Tiranë. Dhe pyesja veten… të jetë ky Jozefi pinjuell i dr. L.Radit?
Vetëm mundësia që t’a gëzoni këtë lidhje… më bëri t’a lexoja shkrimin tuaj. Do të thoni pse kaq skeptik unë në leximin e shkrimit? Duke qenë dëshmitar i qindra shkrimeve si kundra e gjithashtu pro, të dyja palët të shkruara me vrulle pasionale si keq edhe mirëdashëse. Të ekzagjeruara në mënyrë aq skajore lidhur me I. Kadarenë, sa që as të parët dhe as të dytët nuk ishin bindës, jam lodhur tashmë duke i lexuar.
Kaq sa për t’a paraqitur mëdyshjen time.
Sido që ndodhi, essènë tuaj fillova t’a lexoj. E sa më shumë e lexoja… aq më shum’e pëlqeja… e aq më shumë bindesha se ju duhej t’a keni një trashëgimí dore letrare… e pra mbiemri sa vinte e bëhej provë bindëse se kush jeni. E kam gabim? Mendoj se jo. Vazhdojmë.
Që Kadareja bën pjesë ndër njerëzit e paisur me talent të veçantë, kjo s’ka dyshim.
Që po t’a kishte shprehur atë “mea culpa” do t’i kishte hipur goxha shkallaret në drejtim të “pastrimit shpirtëror e të konsideratës tjerëve”, edhe kjo nuk vihet në pikëpyetje.
Që të prononcohej publikisht se ka ndryshuar këndvështrimin ndaj të madhit atdhetar edhe letrar, Patër Gjergjit, edhe kjo do t’ia shtonte votat.
Që Kadareja, si edhe Antéu i shkëputur nga dhéu, i shkëputur nga vëndi i tij dhe i distancuar nga pushteti ç’vepra ka botuar janë ose hieja e atyre të botuara nën diktaturë ose të përshkuara nga erotika tregëtare, nuk ka as më të voglin dyshim.
E ju, me shumë “mirësjellje edhe zotnillëk” të tëra këto i keni vënë në dukje. Por ajo që ësht’e re në essènë t’uaj, ësht’ai shteg që ju mundoheni t’a përfytyroni në pyllin e të panjohurave edhe të masonerísë sotme, duke arsyetuar me një logjikë tejet rigoroze edhe të pranueshme. Vetë fakti që nga pushteti i dështakëve të kulturës e njëkohësisht edhe paranojakë, të rrethuar me “parvenu” gjeneralësh të sajuar nga çobanër, mjelëse edhe karrocierë, ju urën e kalimit për në demokracín’e vërtetë e shikoni duke hequr dorë nga pinjojt ish komunistë e rajá të elitës injoranto-kriminale të dikurshme e që ç’prej 17 vitesh veç shiten si demokratë të kulluar dhe e sundojnë vendin e gjeni tek I.Kadareja, i cili së paku në tavolinë do të qe më i pranueshëm se sa “konsensualët” e zgjedhur nga tufa e ish punonjësve të Institutit Marksizëm-Leninizmit, nga ish ministra të qeverive diktatoriale, etj. është tejet bindëse! Së pakut provohet diçka vërtet e re dhe e ndryshme! Ky i njeh mirë kulisat e kaluara. E njeh mirë në daç R.Alinë e gjithashtu S.Berishën me gjithë F.Nanon e Co. E ka etjen për pushtet, por logjika thotë se e ka fituar edhe prirjen drejt perëndimit, (së paku i ka dënuar aleancat islamike). E me që deri më sot nuk ka patur hiç tranzicion, (vetëm me llafe), jam i mendimit se keni plotësisht të drejtë tek mendoni se me I.Kadarenë duhet të fillojë tranzicioni.
Ju përgëzoj e pastaj edhe ju falënderoj që ma dhatë kënaqësín’e leximit një analize shumë të drejtpeshuar edhe reale.
Miqësisht, Mërgim Korça

************

I nderuari Zoti Korça,
Rrallëherë ndodh, që në kët shkapërderdhje totale në të cilën jemi zhytur ne shqiptarët, të gjesh me kaq lehtësi relikte njohjesh, miqësish dhe afërsish, siç ishte kjo e jona falë internetit.
Sigurisht shfaqja e emrit Tuaj, s’ishte dhe s’më është e panjohur, qe si një agim mbi detë për mua, një kënaqsi e veçantë, së cilës i bashkohej maturia dhe thellësia e fjalëve tuaja. Ju falenderoj nga zemra dhe ndjehem tejet i prekur për gjithçka më rrëfenit në letrën tuaj, veçanërisht ai imazh i tim eti, me të cilin ndesheshit pothuaj çdo mëngjes, e ku të dy përpiqeshit të jetonit si intelektualë në at shkretëtirë mendimi, qoftë edhe tek një përshëndetje, apo buzqeshje e vetme… Ishte prekëse dhe tronditëse sepse është e vërtetë…
Eseja në fjalë, ishte një mundim i gjatë brenda meje, një gërmim në ndërgjegje për të thënë diçka jashtë rreshtimit pro dhe kundra, pasi nuk është e fort e lehtë të shkruash për një figurë kaq të rëndësishme, kaq komplekse dhe kaq e përfolur të kulturës dhe letërsisë shqiptare dhe të mos ndjesh edhe një përgjegjsi përballë vetes dhe përballë fjalës së shkruar… edhe pse ti mund të besosh se ke pushtet ndaj saj.
Në momente reflektimi të thellë e gjykova se shkrimi s’u përkiste as servilëve (aq të shumtë ndër ne) dhe as agresorëve (edhe këta aq brenda karakterit tonë). Ishte një opinion (dritëhijesh) i një njeriu që është rritur me kultin e Kadaresë, por me një oponencë pragmatike (tim atë) që kurrë s’më lejoi të mbetesha viktimë entuziazmesh djaloshare.
Nuk kam ndonjë opinion ekzaltues për politikën shqiptare, dhe besoj se ky opinion do të vazhdojë ta dominojë edhe për mjaft kohë mendimin tim. Shfaqa në politikës shqiptare emrin Kadaresë, si të thuash një dëshirë për të kërkuar diçka të re, një frymë të re edhe pse mbetem përplot me dyshime, pasi midis asaj çka shoh dhe asaj çka dëshiroj s’ka urë por një detë…
Dyshimin tim s’dua ta kthej në dëshpërim, por në shpresë… qoftë edhe të vakët. Kjo klasë politike e ka ezauruar vetveten, por zotëron edhe krejt mekanizmat që ende mbahen nga hijet e asaj kohe jo fort të largët… Nuk besoj se ndër ne mund të ndodh mrekullira. Çdo kohe i duhet koha e saj. Unë besoj në energjitë e shqiptarëve dhe në atë kthjellim të ngadaltë të mendjeve tona.
Zoti Korça,
Kontakti mes nesh ishte një kënaqësi e papërmasë së pari për mua, një mundësi që të komunikojmë në të arthmen që duke u zgjeruar rrethi i të vlerëve, të pavlerët një ditë të ndjehen pakicë. Ndoshta duket paksa ideale dhe e pamençur… por gjithsesi e domosdoshme si mendim…
Të përshëndes dhe të falenderoj për gjithë kohën që ju kam marrë me shkrimin tim dhe ndjehem në borxh ndaj jush, megjithë kënaqësinë që ju kam dhuruar…
Ju përshëndes dhe ju uroj jetë aktive në gjithë angazhimet tuaja
Me shumë respekt Jozef Radi
20 qershor, 2007

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.