back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – nga Frank Shkreli – Revolta antikomuniste në gulagun shqiptar të Spaçit – 50-vjetë më parë

Gazeta

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë,

që të mbrojë nderin e shqiptarit!?”

nga Frank Shkreli

Revolta antikomuniste në gulagun shqiptar të Spaçit – 50-vjetë më parë

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”!? Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit. 21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi rank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf – françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vetë dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshi Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhjetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”
At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 Maj, Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë:
“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – pa yllin komunist – duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi.

Proteste nga Burgu i Spaçit
Foto-proteste nga Burgu i Spaçit

Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit – sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç – Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf –Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.
Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë – unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës – t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse – “ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!? – duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!

Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera. Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm – gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore. Burgjet dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi.
Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit.

Dine Dine - Burgu i Spaçit
Dine Dine – Burgu i Spaçit

Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri. Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës.
Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim. Ka ardhur koha që ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbe në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i Berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyertë e ferrit komunist si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paqë midis shqiptarëve!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.