back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

A ka pasur gisht Serbia në vrasjen e Avni Rustemit? – nga Hasan Bello

Gazeta

Avni Rustemi përpara gjyqit në Paris
Avni Rustemi përpara gjyqit në Paris

A ka pasur gisht Serbia në vrasjen e Avni Rustemit?

nga Hasan Bello

Më 20 prill 1924, deputeti Avni Rustemi i paraqiti Kuvendit Kushtetues kërkesën për një leje tremujore. Ai mendonte të zhvillonte një udhëtim në ShBA. Por legata amerikane ia refuzoi vizën. Një rast shumë i rrallë për kohën, duke e shpallur atë si shqiptarin e parë “non grata” për qeverinë amerikane. Kjo për shkak të tendencave antikushtetuese të organizatës “Bashkimi”, siç ishte eleminimi fizik i kundërshtarëve politikë.
Atentati kundër kryeministrit të kohës, Ahmet Zogu në shkallët e parlamentit, në shkurt të 1924, kishte si autor Beqir Valterin, por në fakt nga hetimet rezultoi se organizator dhe stërvitës i tij kishte qenë Avni Rustemi. Gjithashtu, anëtarët e organizatës “Bashkimi” u jepnin me zor deputetëve kundërshtarë vaj ricini, që t’i zinte diarrea dhe të diskretitoheshin në sytë e popullit. Për të gjitha këto amerikanët kishin informacion të plotë.
Vrasja e Avni Rustemit ndodhi në një moment kur situata politike mes pozitës dhe opozitës ishte shumë e tensionuar. Ajo ngjasonte me një shesh ku ishte derdhur benzinë… Sipas versionit zyrtar dhe shtypit të kohës thuhet se, rreth orës 16:00-17:00 të 20 prillit 1924, ai po shkonte në shtëpinë e ministrit të Arsimit, Fahri Gjilani, kur në “Varrezat e Pashës” afër Pazarit të Ri, u qëllua nga Isuf Reçi, i cili njihej si mullixhi i Esat Toptanit. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Trupi i tij u balsamos nga dr. Sezai Çomo dhe më 28 prill, u nis nga Tirana në Durrës për t’u transportuar drejt Vlorës me vaporin jugosllav “Beograd”!
Më 29 prill, kortezhi mortor i shoqëruar nga përfaqësuesit e opozitës, deputetë dhe ndonjë ministër i qeverisë së koalicionit mbërriti në Vlorë. Ajo që dihet është fakti se, trupi i të ndjerit u përdor politikisht për të ndezur gjakrat e popullit, ushtarakëve dhe nëpunësve të ndershëm dhe për t’i hedhur ata kundër qeverisë. Ky ishte sipari i një grushti shteti, i cili njihet edhe si “Revolucioni i Qershorit”.
Por kush ishin të interesuar për vrasjen e A. Rustemit dhe një luftë civile mes shqiptarëve?

Avni Rustemi (1895-1924)
Avni Rustemi (1895-1924)

Sipas botimit me dokumenta nga arkivat ruse “Marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare (vitet ’20-’30 të shek. XX)”, të përgatitur nga Prof. Lenina Zhila dhe Prof. Vlado Popovski shtrohet një pistë e re. Në një dokument të zbulimit sovjetik për “Komitetin e Kosovës” dhe ngjarjet politike në Shqipëri në vitin 1924, për vrasjen e Avni Rustemit shkruhet: “Kah mesi i këtij prilli, Avni Rustemi u plagos rëndë dhe tashmë ka vdekur. Nuk mund të anashkalohet fakti se vrasja e tij qe inspiruar nga agjentura serbe në Shqipëri.”
Kjo pistë përputhet edhe me disa informacione të mbledhura nga prefekti i Shkodrës, Abedin Nepravishta, i cili më 10 prill 1924, informon Zyrën Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme se një person që kishte marrëdhënie konfindenciale me konsullatën jugosllave i kishte deklaruar se, brenda dhjetë ditësh po përgatiteshin disa atentate kundër personave me rëndësi. Në fillim prefekti nuk e kishte besuar vërtetësinë e këtij informacioni, por kur kishte ndodhur vrasja e dy turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit, ai kishte filluar ta merrte seriozisht.
Pas vrasjes së A. Rustemit, personi në fjalë ishte takuar përsëri me prefektin e Shkodrës, duke i konfirmuar faktin se, si vrasja e amerikanëve ashtu dhe ajo e A. Rustemit ishin organizuar nga konsullata jugosllave, e cila përgatitej të eleminonte edhe disa personalitete të larta politike si Ahmet Zogu, Luigj Gurakuqi etj. E gjitha kjo bëhej për të destabilizuar situatën politike dhe për t’i çuar shqiptarët drejt luftës civile. Megjithëse vrasja e Avni Rustemit, për shkak të veprimeve të tij, ishte vetëm çështje kohe.

Marrë nga Muri i FB i Hasan Bello, 11 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.