back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Abas Kupi në një monografi shkruar nga Makensen Bungo dhe botuar nga “Gjonlekaj Publishing”, New York – nga Klajd Kapinova

Gazeta

Abaz Kupi (Bazi i Canes)
Abaz Kupi (Bazi i Canes)
Abas Kupi në një monografi shkruar nga Makensen Bungo
dhe botuar nga “Gjonlekaj Publishing”, New York
nga Klajd Kapinova

“Ç’prej momentit të parë që u sulmua toka e jonë e shenjtë prej armiqve fashistë, ne kemi qenë ata që kemi bërë çmos për të shpëtue nderin kombëtar dhe jemi përpjekur për bashkim të përgjithshëm dhe bashkëveprim me të gjithë shqiptarët pa dallim rryme dhe ideologjie. Ne jemi përpjekur për bashkim dhe vëllazërimin e shpirtrave, për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët, për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shenjtë.”
– Abas Kupi, 22 tetor 1944

“Jeta dhe veprimtaria e Abaz Kupit janë shembuj të ndritshëm të dashurisë, të dedikimit, të sakrificës dhe të vetëmohimit në shërbim të Atdheut të lire. Për ma se një gjysmë shekulli, ai asht dallue si luftar, si organizues dhe si udhëheqës në përpjekje për të fitue lirinë dhe pavarësinë shtetërore, dhe po ashtu për sigurimin dhe forcimin e kësaj qënie të lire shqiptare. Jeta e tij asht e mbushun me përpjekje për këtë ideal ndaj Atdheut, qoftë kundër ndërhymjeve të shteteve fqinje për të pengue nga mbrenda konsilidimin filletar të shtetit të ri shqiptar, qoftë kundër qëllimeve imperialiste të fuqive të huaja, qoftë edhe kundër aaj shoqnie shqiptare e vetqujtun përparimtare, që ishte ba vegël qorre e Ndërkombëtares Komuniste në shenjat ruse-serbe, ne drejtim me robnue kombin shqiptare.”
– Makensen Bungo, shkrimutar, New York

Makensen Bungo - Abaz Kupi - Monografi
Makensen Bungo – Abaz Kupi – Monografi
Një jetëshkrim i veçantë mbi atdhedashësin e shquar Abas Kupi

Shumë rrallë dhe për më tepër vetëm në vitet e demokracisë në Shqipëri, fatmirësisht është shkruar dhe folur me fakte konkrete historike për veprimtarinë dhe jetën e madhe të nacionalistit të shquar të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë, personalitetin e paharruar Abas Kupin.
Aktiviteti dhe puna e tij e shumanshme në dobi të nacionit tonë, është ende e panjohur sa dhe si duhet. Për më tepër, gjatë sistemit të anatemimit dhe përbaltjes papushim të vlerave të pastra kombëtare shqiptare nga komunizmi i zi dhe servilët apo beniaminët me emrin absurd “studiues” komunistë, për shumë dekada, të cilët në unison hodhën vrerë dhe baltë, duke nxinë dhe gënjyer non stop 24/7 dhe hapur mbi aktivitetin dhe përkushtimin patriotik të nacionalistit Abas Kupi në vendlindje dhe këtu SHBA.
Kjo vepër e re letrare dhe historike si një pronë e punës së palodhshme krijuese, hulumtuese dhe shkencore e studiuesit skrupuloz Makensen Bungo, është e mirëpritur sot në qarqet e kulturës dhe historiografisë mbarëshqiptare dhe në veçanti në diasporën tonë këtu në SHBA, sikurse dhe në shtetin amë Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri, si fryt i një pune të mirëfilltë shterruese shkencore dhe historike, me vlera të veçanta njohje në llojin e vet.
Redaktori i kujdesshëm e i talentuar, gazetari me përvojë i komunitetit tonë Dalip Greca, është përkujdesur njësoj sikurse shkrimtari i talentuar, autori i veprës në fjalë Makensen Bungo, duke i dhuruar më sëfundi Atdheut dhe trojeve etnike shqiptare figurën e Abasit në mënyrë originale, të gjallë dhe të pavdekshëm, në përjetësi.
Duke lexuar dhe rilexuar me shumë kujdes, përmes përjetimit historik ndihesh sikur je pranë personalitetit të madh dhe të shquar nacionalistit antikomunist të pamposhtur dhe sypatrembur Abas Kupit.
Stili dhe mënyra tërheqëse e të rrëfyerit, janë gërshetuar me finesë me materialet dhe dokumentet e pasura origjinale historike, janë një mjeshtëri e art në të shkruarit të autorit bashkëvuajtës nga qyteti i Elbasanit, dissidenti Makensen Bungo.
Për të tillë burra të shquar të nacionit shqiptarë, ka pasur dhe ka ende sot nevojë të edukohet, informohet dhe të ripërtërihet në vlera tradicionale patriotike rinia postkomuniste dhe populli ynë, i lodhur nga historiografia e shterpë komuniste dhe shërbëtorët e saj sharlatanë, që përsëri edhe sot fatkeqsisht po vijojnë të zhgarravisin apo shkruajnë në kllapi dhe vesh si në kohën e monizmit të diktatorit antishqiptar Enver Hoxha.
Duke depërtuar nëpër arteriet e kapitujve të veprës së re monografike, kushdo e kupton, se je futur në vërtetësinë e ngjarjeve dhe fakteve origjinale historike, të ofruar me kulturë dhe stil të ëmbël narrativ nga shkrimtari me përvojë Makensen Bungo, duke na shpalosur shembullin pozitiv të shërbestarit të nacionit dhe të Flamurit shqiptar, me të cilin ishte rritur e mbrujtur personazhi i tij atdhetar, i cili shfaqet natyrshëm faqe pas faqe, përgjat jetëshkrimit të personalitetit zëmadh, Abas Kupit.
Abasi, ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim një fytyrë e ndritshme e dashurisë, sakrificës, përkushtimit ndaj nacionit dhe Atdheut të tij të dashur për shumë dekada. Ai sakrifikoi një jetë të tërë, në shërbim të vazhdueshëm të vatrave patriotike martire shqiptare.
Sikurse e shohim vazhdimisht në ditët tona, shumë studiues dhe shkrimtarë të moshave të ndryshme, me ose pavetëdije shpesh bijnë në përsëritje në stil dhe në mënyrën se si e ndërtojnë monografinë e tyre shkencore dhe historike, duke sakrifikuar fatkeqsisht kështu gjithë atë material të pasur, që kanë vjelur apo akumuluar ndër vite, dhe duke mos arritur fatkeqsisht në fund të realizojnë qëllimin e tyre të mirë.
Por, kësaj radhe sikurse shihet shumë kjartë, në këtë monografi kemi tërësisht një paraqitje të veçantë dhe dinjitoze të veprës jetëshkrimore nga studiuesi dhe letrari ynë i palodhur Makensen Bungo dhe redaktori i kujdesshëm Dalip Greca.
Pesë dekadat e jetës e aktivitetit patriotik të personazhit kryesor Abas Kupi, esencialisht lexohen këndshëm dhe rrjedhshëm, duke e dalluar apo lartësuar me të drejtë Abasin shumë mirë si luftëtar trim dhe të pamposhtur, atdhetar dhe përkushtues të flaktë, organizues dhe udhëheqës të aftë dhe largpamës, në përpjekje e tij të reja dhe të pashtershme, për të fituar lirinë dhe pavarësinë shtetërore njëherazi nga pushtuesit nazi-gjermanë dhe nazi-komunistë dhe për forcimin dhe sigurimin e qenësisë së lirë të mbarëshqiptarëve në trojet etnike asokohe.
Kontributi i shquar i Abas Kupit, është i mbushur gjithnjë me përpjekje për këtë ideal dhe si një rrymë atdhedashurie të pashuar dhe sublime, që e pëshkon tërësisht monografinë në fjalë, përkushtuar me dashuri, theks shkencor dhe nota të ndezura narrative tërheqëse letrare nga vetë autori i veprës historike, ish i dënuari dhe i përndjekuri politik nga regjimi totalitar komunist, shkrimtari i shquar dissident Makensen Bungo.
Me interes, përgjat faqeve të bukura të veprës, lexuesi mund të kundroj aspektet e rëndësishme të aktivitetit të dendur dhe cilësor të patriotit Abas Kupi në dobi të Atdheut, qoftë kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinjë për të penguar nga brenda konsolidimin fillestar të shtetit të ri shqiptar, ashtu edhe kundër qëllimeve asokohe pushtuese të shteteve shoviniste dhe megallomane.
Personazhi kryesor i veprës së re, Kupi, natyrshëm është shquar për krijimin e një shoqërie bashkëkohore shqiptare përparimtare europerëndimore, duke iu larguar dhe dënuar gjithnjë e më shumë rrymat politike bolshevike dhe marksiste lindore europiane, që si sëmundje kancerogjene kishin depërtuar dhe fatkeqsisht kishin prekur keq trungun (trupin) shqiptar, individët dhe një pjesë të shoqërisë së pashkolluar dhe varfanjake shqiptare, si pasojë e importimit të shpejtë të ideologjisë boshe ortodokse marksiste, leniniste të Rusisë, përqafuar fatkeqsisht nga leninisti i pandreqshëm apo “peshkopi i kuq”, enveristi Fan Stilian Noli dhe komunisti stalinist dhe fanatik Ali Kelmendi asokohe.
Nëse ndonjë shqiptar nuk e di apo nuk ka pasur shansin dhe fatin të mësoj punën e madhe patriotike, që ka bërë biri i denjë i tokës së Arbërit nacionalisti Abas Kupi, tashmë sot ka mundësi që të ketë në dorë një vepër serioze monografike (e cila fatmirësisht ndodhet online në Amazon), me të gjitha të vërtetat e historisë të përshkruara thjeshtë nga shkrimtari ynë Bungo.
Sikurse shihet kjartë edhe në veprën shkrimore që kemi në dorë sot, shohim se ajo në brendsi është edhe historia e jetës së tij brenda popullit shqiptar në vendlindje, sikurse edhe këtu në diasporën e SHBA-së, pranë familjes së tij, dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, ku nacionalisti Abas Kupi kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij tepër aktive, me përmbajtje të theksuar nacionaliste, deri sa kaloi në amshim apo jetën e pasosun, sikurse thoshte vazhdimisht, në shenj nderimi dhe respekti (për mikun e vet të ngushtë Abas Kupin), personaliti ynë brilant, kleriku dhe patrioti i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, antikomunisti i përbetuar, Themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989)*.
Duke parë me kujdes përmbajtjen e pasur të veprës monografike kushtuar Abas Kupit, shohim se ajo është e ndarë në 10 kapituj, të cilat vijnë dora-dorës me një lidhje dhe vijimsi të plotë organike, duke konturuar plotësisht dhe natyrshëm figurën e madhe të nacionalistit të shquar mbarëshqiptar. Jetëshkrimi në fjalë, fillon me pjesët interesante historike, si:
“Rinia” (Pjesa e Parë);
“Në rrjedhat e jetës” (Pjesa e dytë: Hakmarrja, Unë pyes vetëm për Shqipërinë, Në Koplik, Takimi me Ahmet Zogun, Lufta e Krujës, Kyengritja e Elez Isufit);
“Oficeri i xhandarmarisë” (Pjesa e tretë: Abas Kupi afrohet me Ahmet Zogun, Oficeri i xhandarmarisë, 7 Prilli);
“Kthimi në Atdhe” (Pjesa e katërt: Në emigrim, Në Shqipëri, Komandanti);
“Nga Peza në Mukje” (Pjesa e pestë: Në Konferencën e Pezës, Në Labinot, Në Mukje, Në Qafë Shtamë
“Pushtimi nazist” (Pjesa e gjashtë: Shqipëria rënkon nën pushtimin nazist, Mit’hat Frashëri dhe Abas Kupi, Si u hodh në erë Ura e Gjoles!? Me oficerët anglezë, Çeta e Rinisë);
“Vëllavrasja” (Pjesa e shtatë: Në themelimin e organizatës kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”, Takimi i fundit, Në kërkim të bashkimit kombëtar, Drejt Burrelit, nëna e Malësisë, Balli dhe Legaliteti në marrëveshjen e përbashkët, Përpjekja e fundit, Largimi);
“Jeta e kampeve” (Pjesa e tetë: Nga Brindizi në Egjipt, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”);
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” (Pjesa e nëntë: Në New York, Nëpër Kongrese, Pleqëria, Nën peshën e kujtimeve për Shqipërinë, Vdekja, Shtypi për vdekjen e Abas Kupit);
“Vlerësimi” (Pjesa e dhjetë: Shqipëria Etnike dhe Abas Kupi, Persekutimi, Vlerësimi
“Heronjtë nuk vdesin” (Pjesa e njëmbëdhjetë: Kangë për Abaz Kupin, Bajram Curri në Tiranë, Abaz Kupi trim drague, Ditën e hane tuj dalë drita, Hajde-hajde o Abaz Kupi!, Vargje për Abas Kupin, Lulja e harresës, Shtatë prill, kujtim i zi, Shtatë prill 1939, Bazit të Canës, Abaz Kupi, Opinione, Abaz Kupi, një nga shtyllat e mbrojtjes kombëtare, heroi i 7 prillit);
“Përmbajtja” dhe një “Resume” në shkruar gjuhën angleze (Abaz Kupi: The unknown life of The hero of anti-fascist resistance).
Në këtë rast, shohim se përkthimi në anglisht i esencës së veprës së re, është bërë fatmirësisht në mënyrë shumë korrekte dhe të saktë, ku fatmirësisht shqiptaro-amerikanët e rinj këtu dhe vetë gazetarët e studiuesit albanologë amerikanë, kanë se çfarë të mësojnë nga historia e vërtetë dhe e lavdishme e nacionalistit brilant të kombit shqiptar, Abas Kupi.
Dhe me këtë vepër, ish i përndjekuri politik shkrimtari dissident Makensen Bungo nderoi vetën dhe personazhin e tij, duke qëndruar burrërisht dhe stoik në qëndrimet e tij antikomuniste dhe mbrojtur me dinjitet dhe vërtetësi ish bashkëvuajtësin e kohës së tij nacionalistin e paharruar dje dhe sot Abaz Kupin.
Shkrimtari Bungo, në këtë mënyrë vendosi një gur më shumë të çmuar në gjerdanin e artë të fytyrave të ndritura të atdhedashurisë së kombit tonë martir ndër shekuj.
Ndoshta, do të ishte me rëndësi, që të vihet në dukje, se autori Makensen Bungo për hartimin e kësaj vepre, ka mbledhur me durim dhe qëllimin fisnik si një bletë punëtore shumë të dhëna gojore të bashkëkohësve kujtime dhe dokumente të ndryshme nga zotërinjtë: Petrit Kupi, Enver Shaskaj, Fuat Myftija, Ndrecë Gjergji, Bardhok Ndreu, Atdhe Dungu, Nderim Kupi dhe sidomos Ramiz Dani, i cili, autori thekson se është edhe nismëtari për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, duke e ndihmuar shumë autorin për hartimin e plotë të kësaj monografie serioze shkencore dhe historike.
Autori, në shenjë mirënjohje dhe respekti falënderon të gjithë, miqtë dhe dashmirësit, bashkëluftëtarit e patriotit të madh Abas Kupit, mbasi pa kontributin e tyre kjo vepër do të ishte e mangët dhe e pamundur që të botohej e plotë.
Për hartimin e veprës, sikurse shihet kjartë, është dlirë dhe hulumtuar me kujdes një literaturë e pasur dhe e larmishme në diasporë dhe nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, libra, dorëshkrime, shtypi i kohës, si dhe koleksionet e gazetave dhe revistave të përkohshme në vendlindje dhe diasporë, si: “Atdheu”, “Balli i Kombit”, “Bota sot”, “Dielli”, “Illyria”, etj., në botuar Shqipëri, Kosovë e gjetkë.
Vepra e re narrative luksoze, ka në ballinë portretin e patriotit dhe personalitetit të shquar në jetën politike dhe shoqërore në diasporë dhe vendlindje të Abas Kupit dhe është botuar me përkujdesin e veçantë nga Shtëpia e njohur Botuese shqiptaro amerikane “Gjonlekaj Publishing” në New York të SHBA-së, në vitin 2001.

Majoret Abaz Kupi e Murat Basha ne mal
Majoret Abaz Kupi e Murat Basha ne mal

Kush është nacionalisti atdhedashes Abas Kupi?

Duke respektuar të gjitha të drejtat e autorit të monografisë studiuesit dhe letrarit Makensen Bungo, nuk dua të shkruaj mbi të rejat historike, që zbardhen në vepër për herë të parë nga autori, por në mënyrë telegrafike dua të përshkruaj truallin, se ku punoi për 50 vjet me radhë intelektuali dhe personaliteti i spikatur Abas Kupi dhe vetë shkrimtari ynë disident Makensen Bungo, brenda tutelës së hekurt të juntës ushtarake, të fashistëve të kuq, ku ishte mbërthyer fatkeqsisht për 50 vjet Shqipëria ateisto-komuniste, ku jeta e përditshme ishte kthyer në një ferr të vërtetë, ku të gjithë shqiptarët ishin të mjerë dhe burgosur asokohe.
Autori Bungo, me të drejtë e fillon monografinë e tij me kapedanët, që kanë pasur dhe kanë shtete e tjera të botës, princër, mbretër, perandorë, presidentë, apo personalitete të tjera të shquara të fushave të ndryshme, që me të drejtë vazhdimisht janë respektuar nga popujt e tyre gjatë shekujve.
Ndryshe ndodhi e po ndodh shpesh në vendin më të çuditshëm në botë, që ka emrin e bukur Albania dhe albanët fatmirësisht, që jetojnë në trojet e tyre etnike, mbasi kështu na njeh historikisht deri më sot bota.
Afërsisht 200 faqet esenciale të monografisë, natyrshëm shoqërohen me shumë foto origjinale të kohës bardh e zi, të cilat hijeshojnë dhe e rrisin edhe më shumë seriozitetin, dinjitetin dhe vërtetësinë e veprës në fjalë.
Ky prijës i lirisë shqiptare, radhitet sipas autorit të monografisë me të drejtë përkrah: Mic Sokolit dhe Azem Galicës, Spiro Bellkamenit dhe Shaban Polluzhës, Isa Boletinit dhe Selam Salarisë, Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, Dedë Gjon Lulit dhe Bajram Currit, Idriz Seferit e Sef Kosharja, për të ardhur sipas mendimit tim tek mijëra e mijëra Adem Jasharë të UÇK-së në Kosovë që luftuan kundër makinës shfarosëse serbe, në trojet etnike shqiptare, detyrë të cilën e kishte në zemër vazhdimisht edhe Abas Kupi.
Shpesh sikurse dihet nga nëna histori, krahina e Krujës, ka qenë vendi i heronjve të vërtetë dhe mbi të gjitha kryetrimi i Arbërisë ose Ati i Kombit tonë Gjergj Gjon Kastriotit, që për 25 vjet me radhë bëri që të dridhet Evropa e përgjumur, për qëndresën e tij stoike, kundër Perandorisë Xhihadiste Islame Otomane të “pathyeshme” ose turke asokohe, që kishte pushtuar dhe shkatërruar mizorisht deri në temel vendin dhe popullin tonë dhe pas vdekjes së Heroit Nacional Skanderbegut… pushtuesi mizor islam otoman, u hakmorr barbarisht ndaj rezistencës 25-vjeçare arbërore dhe e mbajti vendin dhe popullin tonë martir në morsën shkatërrimtare për 500 vjet me radhë…
Saktësisht 132 vjet më parë lindi Abaz Kupi në Krujë, në një ditë të nxehtë gushti, më 6 gusht 1892. Autori Bungo, është futur në thellësi të origjinës së Kupëve, duke theksuar se ata nuk janë vendas, por të ardhur në Krujë (Kurbin).
Biografi dora-dorës, ka pëshkruar me hollësi gjithçka që ka hulumtuar, lexuar, mësuar dhe dëgjuar nga bashkëkohësit apo shtypi periodik në diasporë dhe pas 1991 në Shqipëri mbi Kupët dhe birin e tyre të denjë Abas Kupi.
Vepra e mirëseardhur, vjen në një kohë dhe situatë kur në Shqipëri po shkruhet shumë për “historitë” me përralla të “lavdishme” të diktatorëve shqiptarë, në gazetat dhe revistat e majta globaliste, duke privuar shqiptarët për të parë edhe anën tjetër të medaljes, se kush kanë qenë dhe mbetën historikisht bijtë më të denjë të popullit shqiptar.
Sot, fatkeqsisht harxhohen me mijëra ton letra, bojë dhe dollarë, propaganda 24/7 non stop, për t’i mbushur mendjen shqiptarëve naiv, se diktatori antishqiptar gjinokastrit (kujtojmë vitin e mbrapshtë 1998, kur nga një anketë e gazetës “Koha Jonë” (Tyne) humanistja Nënë Tereza dhe kryetrimi shtetit arbëror Gjergj Gjon Kastrioti (Skanderbegu), në mënyrë idiote, absurde dhe fyese u radhitën pas Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj.
Për më tepër, në kapitujt e “Historisë së Shqipërisë”, (Tiranë, 2002) nuk përmendet Abas Kupi, ose nëse rastësisht citohet ky personalitet dhe më shumë trajtohet sipas syzeve negative të sistemit dhe propagandës diskriminuese të Enver Hoxhës, mbasi ata që po e rishkruajnë “historinë” janë të njëjtit persona, që kanë zënë vendet kyçe në departamentet apo insitutet e historisë, fondacione, ministri dhe departamentet e “kulturës” propagandistike neo-komuniste.
Për të qenë realisht i saktë, është më mirë t’u thuhet brezit të ri sot, se ato kurrë dhe asnjëherë nuk do t’a mësojnë realisht historinë e Shqipërisë, të saktë dhe me paanshmëri sot po nga ato punonjës (mercenarë) me rrënjë të ideologjisë së dikurshme komuniste dhe sot neokomuniste, mbasi ato ende fatkeqsisht vegjetojnë me pushtet politik kudo si “studiues” dhe “historishkrues” servil dhe dritëshkurtër.
Po të lexosh me kujdes “veprat” e diktatorit Enver Hoxha, del se Abas Kupi është i paraqitur me epitetet më negative, si: një legalist tradhëtar, reaksionar, armik i popullit, agjent i CIA-s, KGB-së, UDB-së, Vatikanit, Serbisë, Greqisë e shumë epitete të tjera, që për çudi dhe fatkeqsisht kanë zënë rrënjë të thellë edhe në mendjet e hartuesve të teksteve për shkollat e mesme dhe ciklin e leksioneve propagandistike të majta globaliste shterpe, në universitete apo kolegje në vendlindje.
Vepra “Abaz Kupi” (New York, 2001), shkruar me fakte dhe argumenta nga studiuesi dhe letrari dissident Makensen Bungo, është një vepër e mirëseardhur për qarqet atdhetare dhe nacionaliste mbarëshqiptare dhe mbaratdhetare, që e kanë kujtuar gjithnjë në heshtje, gjatë kohës së diktaturës… dhe pas vitit 1991 me shkrime e libra (të integruar me personazhe të tjera të personaliteteve të anatemuar shqiptarë), kumtesa dhe përvjetore në shenjë respekti dhe mirënjohje, për misionin e tij të madh, në përkushtim të Atdheut të dashur dhe të shqiptaro amerikanëve këtu në SHBA, ku ai përkujtohet vazhdimisht çdo vit nga legalistët në ditëlindjen e tij.

Pak fjalë për autorin Makensen Bungo dhe redaktorin Dalip Greca

Dy autorë të ndryshëm Makensen Bungo dhe redaktori i talentuar dhe gazetar i njohur Dalip Greca, kanë bashkuar energjitë e tyre, talentin dhe dhuruar kohën për të nxjerrë në dritë një vepër shkrimore me të gjithë elementet bashkëkohorë që përmban hartimi i një monografie.
Ndonëse larg shtetit amë Shqipërisë autori Bungo dhe redaktori Greca, janë përpjekur me korrektësi të shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe, ç’ka nuk ngjet shpesh në shumë libra që vijnë nga diaspora në vendlindjedhe për më tepër nga SHBA, që ndër shekuj bluan kultura dhe gjuhë të popujve nga vijnë dhe vendosen emigrantët.
Me sa duket, përvoja e pasur dhe talenti në të shkruar, pa përsëritje dhe fjalë të huaja (huazime) të pakuptueshme, kanë bërë që vepra kushtuar nacionalistit të flaktë Abaz Kupit të radhitet me dinjitet në fondin e artë të librave monografikë si të veçantë në llojin e tyre.
Puna voluminoze dhe përkushtimi atdhetar i autorit Bungo dhe redaktorit të kujdesshëm e të pasionuar Greca, ka bërë, që tashmë lexuesit shqiptarë të kenë në dorë një vepër origjinale, të cilën me vështirësi ose aspak s’do ta kishin bërë një departament historie në Universitetin e Tiranës apo departamentet shkencore të Akademisë së Shkencave, që më shumë sot fatkeqsisht merren me promovimin e librave të diktatorëve komunistë, sesa të nacionalistëve e atdhetarëve të vërtetë etnik shqiptarë.
Shpirti dhe dashuria, për të kryer këtë shërbim ngaj popullit shqiptar dhe miqve, kanë bërë ka bërë që autori Makensen Bungo dhe redaktori i monografisë gazetari dhe redaktori i palodhur Dalip Greca të mirëpriten në Shkodër, Tiranë, Krujë dhe Kosovë, për këtë vepër cilësore dhe luksoze, që i kanë ofruar lexuesit dhe studiuesve të rinj shqiptarë.
Një fjalë e urtë franceze thotë: “Lavdia e tij (në rastin tonë personalitetit Abaz Kupi) s’ka nevojë për asgjë (mbasi flet vetë vepra e tij) e jona (autorit e redaktorit) ka nevojë për Të”.

Kush është disidenti Makensen Bungo (1926-2018)

Makenseni, lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan, ku aty ai kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe Institutin e Lartë Pedagogjik, Fakultetin Gjuhë-Letërsi.***
Ai u arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për “krime kundër shtetit” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë.**
Dissidenti Makensen Bungo, në qelitë e ftohta të burgut provoi shtazërinë komuniste… nga torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa shpesh vdekjen me sy si në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj.
Akuza e fabrikuar ishte “Agjitacion e propogandë”, e konsideruar si krim kundër shtetit! Dhe pse? Eshtë e habitshme, por duhet thënë hapur… Sipas kujtime të bashkëkohsve të tij, thuhet se asokohe Makenseni kishte thënë në biseda të lira mes miqve, se Kosova është e robëruar…
Për këtë arsye, gjatë kohës së diktaturës së merhumit gjinokastrit, Makenseni nuk u lejua që të botojë asnjë nga dorëshkrimet e tij. Ai nuk ishte asnjëherë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve Komunistë të Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Enver Hoxha, Ismail Kadare e Dritëro Agolli etj.
Disidenti Makensen Bungos edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies, sipas diplomimit e dërguan në zona të thella, në fshatra humbura (të lënë mbas dore me qëllim nga regjimi komunist) të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij familjare, të luajtshme dhe të paluajtshme.
Makensen Bungo, sikurse mësojmë nga burimet historike të kohës, është bashkëvuajtës i shkrimtarit Et’hem Haxhiademi, në burgun vdekjeprurës dhe famkeq për krime mosturioze të Burrelit.
Antikomunisti i pamposhtur Makensen Bungo, u lirua nga qelia e burgut në vitin 1950. Asokohe pasi doli nga burgu, Mekeseni punoi si mësues në disa zona të thella malore, ku nuk dëshironte të shkonte asnjë mësues tjetër nga qyteti apo Tirana…

Disidenti Makensen njeri brilant në shpirt dhe fjalë ëmbël

Unë e kam pasur mik dhe flisnim shpesh për shumë libra dhe persekutimin e Klerit Katolik Shqiptar 1944-1990, të cilët ai disa prej tyre i ka njohur nga afër në burgjet e rregjimit komunist.
Zëri i tij si i një shenjti në telefon, si gjithnjë vinte i shtruar dhe i qetë. Ai fliste me fakte dhe gëzohej në shpirt kur botohej ndonjë libër dhe jetëshkrim për figurat e shquara të dissidencës shqiptare, që ishin përbaltur pa të drejtë gjatë kohës zezë të nazi-komunizmit dhe vazhdonin të injoroheshin me heshtje deri sot nga neo-komunistët në pushtet…
Makenseni ishte gjithnjë i pari, që me uronte në telefon për festat fetare të Krishtlindjes, Pashkën, Vitin e Ri dhe Ditën e Flamurit. Ai më dhuroi me autograf të gjithë librat e tij dhe biografinë e jetës së tij.
Falë punës së tij të palodhshme në fushën e letrave shqipe, ai ishte ndër bashkëpunëtorët e palodhur për shtypin e diasporës sonë këtu due shkruar në gazetat e përkohshme të komunitetit tonë, si: “Illyria”, “Bota Sot”, “Dielli”, “Jeta Katolike” etj., ku kontribuoi vazhdimisht me studime, artikuj, poezi etj. Shkrimtari Bungo, ishte antar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, themeluar në vitin 2001, në New York…
Me vetërënien apo vetëdegradimin e regjimit të dekompozuar komunist shqiptar, shkrimtari disident Bungo shfaqi talentin e tij, të fshehur në desidencë, ku filloi të botoi disa vepra, si:
“Këneta e vdekjes” (Roman, 1996). Kjo vepër e suksesshme u ribotua edhe 5 herë të tjera në vitin 2009 dhe fatmirësisht u botua edhe në gjuhën e bukur angleze
“Abaz Kupi” (Monografi, New York, 2001);
“Nëna kosovare” (Poemë, 2003);
“Gruaja me të zeza” (Tregime, 2008);
“Rrugëtim me psherëtima” (Roman, 2009);
“Varret” Poemë;
Albumi “Mesazh”, kushtuar Musine Kokalari” (Monografi)
Ka lënë në dorëshkrim vëllimin me tregime “Nga mesi i errësirës”.
“Ky vend ka zot”, dramë

Varri i Abaz Kupit në Nju Jork
Varri i Abaz Kupit në Nju Jork

Mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), si mik i ngushtë

bën Lutje shpirterore tek varri i nacionalistit të flaktë Abaz Kupit

Shkrimtari dhe studiuesi bashkëkohor shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj, në librin e tij monografik kushtuar prelatit të komunitetit katolik shqiptaro amerikanë, me titull: “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), botuar në New York 2009, për herë të parë zbadh një ngjarje shumë të rëndsishsme historike, në lidhje mes nacionalistit Abaz Kupi dhe mikut të tij të ngushte mons. dr. Zef Oroshit, të cilën po ofroj ngjarjen origjinale, të peshkruar me shumë kujdes nga vetë publicisti Mrijaj:
“Isha duke udhëtuar me makinë drejt aeroportit J.F.K. Për fatbardhësi, nuk kishte trafik makinash gjatë rrugës. Porsa mbrritëm pranë varrezave në Forest Hills, Queens New York, mons dr. Zef Oroshi më tha, që të kthehemi tek varri i General Abaz Kupit. Duke qenë dakort me mendimin e tij, ngadalë iu afruam banesës së amshimit. Mons Oroshi, shumë i emocionuar tha fjalët: “Miku im Abaz! E kreva amanetin tand dyfish.” Mbasi tha disa uratë për shpirtin e tij, vendosëm disa lule të freskëta dhe më pas morëm rrugën e kthimit në shtëpi.
Gjatë vazhdimit të udhëtimit, e pyeta imzot dr. Zef Oroshin, se cili ishte ai amaneti i dyfishtë, që u shprehe para varrit të nacionalistit të madh Abaz Kupit? Mbas një heshtje të shkurtë, ai drejtoi sytë nga unë e i përqëndruar thellë në historitë e së kaluarës, shtoi: “Gjeneral Abaz Kupi, para se të kalonte në amshim, ma kishte lanë të shkrueme amanetin e çekun me nji shumë të caktueme, për t’i thanë meshë për nji vit.
Nji ditë, më kishte dalë nga kujtesa e nuk isha i sigurt, se a i kam çue të gjithë meshët sipas rradhës. Dhe kështu e vijova nji vit tjetër sërisht me ma shumë kujdes, që të mos e kaloi ndonji ditë pa thanë meshë për shpirtin e nacionalistit të shquem General Abas Kupit.
Për këtë erdha sot, me kujtue mikun tem të paharruem, për t’i thanë, se ia kreva amanetin dyfish, duke thanë meshë 2 vjet me rradhë.
Ky burrë i madh i popullit shqiptar, që shkriu gjithçka për Atdheun tonë meritonte ma shumë respekt. Edhe sikurse ai të mos ma lente këtë amanet, që nuk e tretë as dheu, unë isha përgatit të veproj, sikurse kam veprue deri tashti në kujtim të shpirtit të tij të pavdekshëm. Pushoftë në Paqe!” Kështu gjatë gjithë rrugës dhe sa herë që binte fjala për Gjeneral Abaz Kupin, ai shfletonte nga kujtesa shumë kujtime të bukura për mikun e tij të shtrenjtë nacionalist, Abaz Kupin.”

*Tomë Mrijaj, “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, U.S.A., 2009, f. 128-130.
**Portali “Historia Shqiptare”, Krimet e komunizmit.
***Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunit – VËLLIMI I.
****Portali “Historia Shqiptare”, Krimet e komunizmit
****Gazeta Zyrtare, nr. 28, 29 mars 1947, f. 8; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 228.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.