back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Abedin Preza, Islam Spahiu dhe Uran Kostreci – nga Lekë Tasi

Gazeta

Lekë Tasi
Lekë Tasi

Abedin Preza, Islam Spahiu dhe Uran Kostreci

nga Lekë Tasi

Reagimi ndaj së sotmes vulgare merr fuqi brenda nesh sa herë e jashtmja merr intensitete edhe më të larta bezdie. Duke mos e ndryshuar dot, gjejmë freskim në kujtimin e disa personave që me jetën e punën e tyre kanë qënë e kundërta e vulgaritetit, sot të larguar nga jeta prej jo shumë kohësh.

Abedin Preza
Abedin Preza

Ky mekanizëm rekuperues më erdhi nga Abedin Preza, shok shkolle i imi por që i a ndiejnë mungesën shumë bashkëqytetarë të tij.
Nostalgjia të vjen prej shumë anësh, sidomos për kontrast. Abedini kishte dy veti që ia çmonte kushdo që e njihte. E para vullneti titanik për punë filologjike dhe letrare (ai qe autor i dy Fjalorëve monumentalë të Shqipes me Italishten – në dy drejtimet, dhe përkthyes i poezis Italiane, i Ariostos (Orlandi i Çmendun version integral, Antologjia e poetëve shqiptarë në Italisht, sidhe përshtatja e satiristit roman të shekullit XX, Trilussa), dhe e dyta kurajo civile e tij, të cilën e shpalosi jo vetëm kur u lejua fjala e lirë po edhe më herët. Kauzat që e mobilizonin ishin zbatimi i një drejtësie sociale dhe rimëkëmbja e idesë nacionaliste në kuptimin modern të saj. Historike mbetet fjala e tij para një stadiumi “A. Rusi” të mbushur plot, të filluar kështu: “Sikur partia demokratike të ishte vërtet demokratike…” (vazhdimi kuptohet: zgjidhja e shpejtë e çështjes së pronës) dhe të pritur me një stuhi duartrokitjesh. Për punën filologjike tejpërtej Adriatikut ai natyrisht fitoi vlerësimin dhe admirimin e të huajve (iu dha titulli ‘Kavaljer i Republikës Italiane’) por dhe heshtjen e akademikëve tanë, kurse për kauzën e demokratizimit të jetës sonë me elementë bazë pronën themel dhe përfshirjen në përfaqësim edhe të ish të përndjekurve, ai nuk pati sukses, siç dhe pritej në kushtet e këtij tranzicioni të planikifikuar si kënetëzim i zgjidhjes së problemeve, dhe të ndërprerë me stuhi klithmash kundër ‘armiqsh’ imagjinarë…

Islam Spahiu
Islam Spahiu

Një tjetër shok që kujtoj po për seriozitetin e tij kundrejt horrësis të piacës është Islam Spahiu, (nip i omonimit të tij I. S. që mbrojti Lumën nga ushtria serbe gjatë Luftës së Parë Botnore e mbas, dhe bir i mësuesit të parë të shqipes në atë krahinë, Riza Spahiut. Edhe Islami si Abedini qe aktiv në fushën e përkthimeve, me dy antologji të poezisë Europiane të botuara, ku dallon vjersha simbol “Vdekja e ujkut” e Alfred de Vigny, pastaj me romanin “Net të Bardha” të Dostojevskit, librin mbi abstraksionizmin të Vasilij Kandinskit, ‘‘Letra një miku gjerman’’ të Albert Camu, e mjaft të tjerave.
Islami prej karakterit të tij vështirë, të papajtueshëm me kompromisin vuajti burg, internim dhe izolim gjatë tërë jetës. Burgosja e tij erdhi si pasojë e një mosdenoncimi të fjalës së një ushtari që mund t’i kushtonte atij të riu edhe jetën. Në gjyq e pranoi me zë të lartë që nuk kishte kallzuar ushtarin. Salla e mbushur me njerëz të krahinës ku familja e tij kish qënë udhëheqse në breza, mori mesazhin e duhur pa pyetur i pandehuri për pasojat… Ai mbrojti po ashtu Fishtën, të cilin e kish ngritur lart gjatë një bisede me dikë. Akuzës së prokurorit që e bënte fajtor për këtë vlerësim të tij, ai iu përgjigj me fjalët e Historisë zyrtare që e pranon artin e fuqishëm të poetit pavarësisht brendisë nacionaliste. “Kam folur për Fishtën poet, jo për Fishtën politikan” i tha gjykatësit duke i mbyllur gojën prokurorit. Islami kishte studiuar pikturë (dhe ekzistojnë punime të tij cilsore), por ai e gjente veten më fort në sferën e letërsisë. Admirues i Niçes dhe Dostojevskit, ai përktheu nga gjermanishtja esenë e S. Zweigut “Tre Mjeshtra – Balzac-Dickens-Dostojevski’’. Ai jetonte në këtë sferë kolosësh, ndaj dhe më se e natyrshme që me të marrë këstet e burgut ai u nis për Rusi, ku mbi të gjitha do të vizitonte apartamentin dhe varrin e shkrimtarit të adhuruar, ndërkohë që më herët disa vjet i pati kaluar në Gjermani, me përvetësim të gjermanishtes në moshë gjashtëdhjetvjeçare, dhe me një udhëtim në Paris, gjithmonë i papajtuar dhe virulent me të rinjtë pranë tij atje dhe këtu, të vendosur t’ia njollosnin gëzimin dhe imazhin e shqiptarit në sy të vendësve atje dhe të rinisë këtu respektivisht.
Vdiq pak ditë para se të dilte libri i tij “Karuseli i Totalitarizmit” të ndarë në tri pjesë (I-portrete, II-Refleksione, III-intervista). Të burgosurit e njohur në burg ose kaush, Islami na i përshkruan si një rast fatlum të tijin, në thellimin e humanitetit të gjetur vetëm në libra, dhe të dëmtuar rëndë në jetë. Bëjnë pjesë në këtë galeri dom Mikel Koliqi, vëlla me novelistin e shquar Ernest Koliqin, ai vet kompozitor dhe më pas kardinal, dom Lec Sahatçia, i cilësuar dhe nga bashkëvuajtës të tjerë si më ëngjëllori i priftave dhe stoik i përvuajtur, kapiteni Zef Ashta, që edhe pse jo i përmendur nga historia, i kishte pritur me armë pushtuesit fashistë në Vlorë, aty i nënshtruar urisë, sepse pa asnjë ndihmë, i vdekur dhe i varrosur me nderime prej të gjithëve, pa mundur komanda të bëjë asgjë kundra, e me rradhë Muharrem Bajraktari, kolonel i panjollë e megjithatë i luftuar nga komunistët dhe historia zyrtare, Xhelal Koprencka, që edhe pse i sfilitur prej burgut të gjatë, ia përplasi akuzës bajate “Në emër të popullit je i arrestuar…’’, “Cilit popull mor?”, “Në emër të armiqve të popullit!’’ Duhet thënë se një njeri si Islami, i rrethuar gjithmonë nga zhurma e vulgaritetit dhe e cinizmit antiqytetërues, do ta ketë ndier si çlirim burgun që e vinte në kontakt me të tilla vlera humane. Në krye të të cilave qëndron njëzetekatër vjeçarja Marie Shllaku, e pushkatuar në Prizren më 1946, sëbashku me At Bernard Llupin, Kolë Parubin dhe Gjergj Martinin). Studentja shkodrane për filozofi në Romë, ajo ishte akuzuar si luftëtare për Kosovën.
Islami e ka hedhur në libër gjyqin e saj ku asistoi 15 vjeçar. Gjurmimi i këtyre vlerave kudo që historia jonë i përmban, dhe historia zyrtare i injoron, ngjan një tipar i tij kryesor i shndrruar në pasion. Që ky tipar që e angazhoi edhe në një sjellje të tërhequr, madje edhe aty ku vetë Europa e ëndrrave tona prej kohësh i ka lëshuar pe liberalizmit. Kështu që në momentin e riatdhesimit strehuesit e tij patën një moment habie e nderimi për një zotni që nuk përfiton nga një praktikë që atje ka zënë vend por që atij s’i përket. Ngjan që personazhet e Rëfimeve të tij, e angazhojnë personalisht të mbajë një qëndrim serioz si e vetmja mënyrë që ato personazhe të kenë kuptim shoqëror, pra të mos jenë thjesht ujë trëndafili mbi një përleshje e përjetëshme gjërash të çastit, pa asnjë sfond.
Dy munguesit që përkujtuam me mall i përkasin individëve që vetmohen vetvetiu për hir të këtij distancimi nga masa që synon lumturi të kollajshme.

Uran Kostreci (1938-2021)
Uran Kostreci (1938-2021)

Uran Kostreci është një tjetër prej tyre.
Barbaria që përdori enverizmi pa fije dhimbshurie me rininë e deklasuar e ndau më dysh jetën e Uranit. Gjallëria rinore e tij u shndrrua mbas njëzet vjet burgu në ëndërrim poetik, dhe falë tiparit të lartpërmendur ai pranoi vetminë, e cila shpesh u vlen natyrave të tilla. Si rrallë raste në letërsinë tonë, ai kultivoi sonetin e vështirë si formë (me pararendës të vetëm ndoshta Mjedën klasik dhe po aq të larguar nga bota me motiv devocionin). Urani na ka lënë copa të përkryera që dallohen për figuracion dhe gjuhë të zgjedhur.
Ndjeshmëria e pakompromis e tij ishte provuar në një moment sfide gjat dënimit të gjatë kur ai eci me hap të vendosur drejt karakollit. Ai vdiq nga plumbi dhe literalisht falë një mrekullie mbijetoi! Kur e kujtojmë Uranin me sjelljen e tij përher prej zotnie, duhet të besojmë se ka mes nesh njerëz (ka patur dhe s’ka pse të mos ketë akoma) që fshehin një tragjizëm tërësisht në skajin e kundërt me reklamën kaq të përhapur të deklaratave mbi veten; ai e mënjanonte veten në publik. Se ç’elegancë fshihte kjo shmangie, doli në pah në një rreth të ngushtë kur një gjyqtare amerikane e pyeti Uranin si dëshmitar të thirrur për një çështje të këtushme rreth tmerreve të komunizmit shqiptar.
Gjyqtarja mori si përgjigjie një varg nga Fantazma tek “Hamleti”: “Nuk i shkon një të gjalli të dijë gjëra nga bota e të vdekurve”.
Gjyqtarja u habit dhe e vështroi me përqëndrim (këtë fakt e di nga të tretë prezent në seancë dhe pastaj ma shpjegoi Urani) duke e dhënë në çast vendimin në mbështetje të një dëshmie të tillë. Fjala dhe akti në kohën e duhur, koincidojnë tek disa, me heshtjen në momente të tjera, kur përfshirja e vetes gjykohet e pa vend për seriozitetin e rastit. Shumë nga miqtë tanë të vuajtur në burgje, qendra pune, lagje e gjithfarë gjyqesh me britma e sharje, dhe që s’janë më mes nesh, veçohen në kujtesën tonë për këtë tipar. Dhe fakti që ata i kanë rezistuar së keqes degraduese në kulmin e ashpërsisë, jep shpresë që shakllabënëria e sotme banale dhe dëshpëruese nuk do të fitojë pa afat edhe në pjacë. Ka akoma shumë për të thënë rreth kësaj teme, për të tjerë protagonistë të vetmuar; për heshtjen e tyre që bota e harron rregullisht, duke ua lënë kujtimin e tyre të gjallë vetëm një pakice.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.