back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ada Negri (1870-1945) – në 150 vjetori i lindjes – nga Maks Rakipaj

Gazeta

Ada Negri (1870-1945)
Ada Negri (1870-1945)

Ada Negri (1870-1945) – në 150 vjetori i lindjes –

nga Maks Rakipaj 

Ada Negri, u lind më 3 shkurt 1870 në Lodi të Lombardisë. Ishte poete, shkrimtare dhe mësuese italiane. Vlerësohet si e para femër që u pranua në Akademinë e Italisë. Pati jetë tejet të vështirë; i ati vdiq kur Ada ishte një vjeçe, por falë sakrificave të nënës, arriti të mbarojë shkollën Normale Femnore dhe në vitin 1888, filloi punë si mësuese në shkollën fillore. Në atë kohë filloi edhe botimi i përmbledhjeve të para me poezitë e saj. Bëri emër menjëherë. Me dekret ministror iu dha titulli “docent” nga Instituti i Lartë “Gaetana Agnesi” në Milano. Në vitet 1926-’27 qe kandidate për çmimin Nobel, që do të kishte qënë mëse i merituar për poeten e shquar italiane.
Nga përvoja që kam, mund të them se pjesa më e madhe e linkeve dhe blogeve letrare në Itali kanë administratorë fanatikë të së majtës. S’ka tjetër spjegim, përse një link italian, që merret vetëm me ditët e lindjeve a vdekjeve të njerëzve të shquar (biografie on line), për lindjet e datës 3 shkurt përmend një arkitekt finlandez, një avokate dhe gazetare nga Bejruti, një mjek gjerman, një regjisor turk etj., dhe shpërfill një poete të shquar dhe për më tepër italiane, si e madhja Ada Negri.
Komunistët në të gjithë botën janë njësoj. Nuk e harrojnë luftën e klasave. As pas vdekjes. Dhe Ada Negri nuk qe deputete, as kishte ndonjë post në hierarkinë fashiste. Shkruante libra dhe punonte si mësuese. Nuk shkroi poezi për ‘lavdinë’ e fashizmit’, as për ‘heroizmin’ ushtarëve të Duçes, ‘nuk ia kërkoi rrënjët’ partisë fashiste.
Por nuk ishte komuniste. Dhe kjo gjë përbën faj për ta. Emri i Ada Negrit s’ka nevojë për dafinat e tyre. Ada Negri, vdiq më 11 janar 1945 në Milano.
Sot po sjell dy poezi prej Saj, në përkujtim të 150 vjetori i lindjes
Ada Negri (1870-1945) Filateli
Ada Negri (1870-1945) Filateli

Nata në Kapri – poezi nga Ada Negri

Yjet përmbi krye, sikur duan të më vënë një kurorë.
Më duket se mund t’i prek, sikur fare pak ta ngre dorën.
 
Por s’kam fuqi ta bëj, ajri trëndafilash është ngopur.
Yj e trëndafilë vështrohen, si gra me sy të lodhur.
 
Pak gjë ka mes tyre, ndoshta pak ajër dhe s’mund të puthen.
Kështu dhe mes nesh, vetëm pak ajër dhe të të puth s’mundem.
 
Ti fshehur je; por jeta jote ndjenjat m’i thërret në hije.
Fshehur deti, por frym’e tij netët mbush me të qarën time.
.

Mos më fol… poezi nga Ada Negri

Mos më fol, asgja mos thuej
Mos u rrek me m’bâ me buzqeshë.
Si bishë jam sot
qi struket me cofë.
 
Ule dritën, mloje at zjerm,
lene dhomën, si vorr le të duket.
M’len edhe mue ku jam, lamsh ktu n’qosh
me kryet mes gjujsh mbështetë.
 
Fiken orët në heshtje.
Vorbulla ngrenë valët e ankthit
edhe frymën ma merr: tjetër gja s’lyp
veç ment e ndjenjat me m’i hupë.
 
Por s’asht e mujtun. Ajo ftyrë,
ajo buzqeshje, parasysh më rrin.
Natë e ditë ky kujtim si kthetër
i ngulun n’mish.
 
Ndoshta me vdekë s’kam me mujtë,
kurrë: deri n’amshim e dënueme
m’i ndejtë mbi krye kësaj torturë
me sy të shkimun tue kja.
.

© shqipëroi Maksim Rakipaj

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.