back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Adonisi i Poezisë dhe shqiptarët në atdheun e tij – nga Visar Zhiti

Gazeta

Adonis (1930) Alî Ahmadi Sa'îdi Asbar
Adonis (1930) Alî Ahmadi Sa’îdi Asbar

Adonisi i Poezisë – dhe shqiptarët në atdheun e tij –

nga Visar Zhiti

Adonis është poeti më i madh i botës arabe sot, ndër më të njohurit në të gjithë botën, i cili që prej më shumë se tre dekadash jeton në Francë, në Paris – kryeqytet dhe i artit, në një farë mënyre Meka e artistëve.
Por poeti, kudo qoftë, është dhe s’është në shtëpinë e tij, se ai shtegton prej shekujsh duke kërkuar vazhdimisht. Rëndësi ka kërkimi, po aq shumë sa dhe gjetja, në mos dhe më shumë në poezi, që na tregon arsyen e bukur të jetës, jo, jo, bukurinë e arsyes së jetës, madje nuk e tregon, po e ka si gjendje. Ashtu si drita që nuk tregohet, por është dhe ndjehet.
Poeti mund të emigrojë gjithkund pa lëviziur nga pragu i derës dhe mund të jetë prapa diellit dhe të ndihet ndërkohë si në vatrën e tij, pranë zjarrit, që e ka rishpikur.
Është poezia e Adonisit që bëhet menjëherë jona dhe na nxit të flasim kështu, me një lloj magjie e mbartje realitetesh pasionante, me atdhe dhe mërgim po prapë në atdhe, edhe kur është tjetër, me njerëz dhe vetmi njerëzore, me qiell dhe humnera, me humnera dhe në qiell, me hënë dhe vërshime gjaku, me përpjekje dhe dashuri më tepër se me urrejtje, me dhëmbje gjithmonë, edhe në gëzime, edhe kur futet nën lëvozhgën e Verbit, edhe kur bëhet gur, teksa gurin e ka bërë personazh ashtu si pemët, ujin, plagët, dashurinë, erën, ëndrrën, fëmininë, etj, që edhe kur vdekja shfaqet në të ardhmen, ringjallja ndodh në të shkuarën.
Poezia ka mbikohë në vetvete, nuk i përfill ndarjet, ka kalendarin e ndjesive dhe të përjetimeve që i pasuron hera herës.
Adonis është poeti që ka ditur ta shpjegojë kohën e vet dhe popullin e asaj kohe dhe ashtu si të mëdhenjë nuk jep mësime, por përcjell energji, shprehen kritikët, nuk kritikon realitetin, por e ribën atë, nuk rri brenda poezisë, por përhap sensin e poezisë me gjakimin për t’u kuptuar sensi i të folurit, i ekzistencës, i universit.
Natyrisht ai është poet i fuqishëm arab…

Adonis "...trupi im një tjetër tempull i heshtjes time..."
Adonis “…trupi im një tjetër tempull i heshtjes time…”

Net të tjera pas 1001 Netëve

علي أحمد سعيد إسب: Ali Ahmad Said Esber është emri i tij i vërtetë. Ka lindur më 1 janar 1930 në Al Qassabin, Latakia, në pjesën veriore të Sirisë, në një familje fshatarësh.
Në vendet arabe poezia ende mban lidhje të forta me shoqërinë dhe popullin. Aliu qysh fëmijë kishte punuar në fushë, por i ati i kishte mësuar përmendësh mjaft poezi dhe ai nisi të shkruajë dhe vetë.
Kur flasin për fëmininë e tij, në një nga botimet në Francë, por e përsëritur dhe në Itali, etj, tani dhe në botimin shqiptar tonin, thonë se duket sikur hyhet në tregimet e Një mijë e një netëve.
Kur Aliu i vogël ishte 12 vjeç, ikën nga fshati në qytetin më të afërt se kishte marrë vesh që do të vinte Presidenti i parë i Sirisë, Shukri al-Kuwatli. Sipas zakonit, gjatë ceremonisë së pritjes, poetët vendas do të lexonin poezi në nderim të vizitorit më të lartë. Pikërisht për këtë kishte ikur nga shtëpia pa leje Aliu i vogël, donte të merrte pjesë, ashtu i zbathur, me rrobat gjithë pluhur nga rruga. Mbajtësit e rendit nuk e lejuan të kalonte, por ai ngulte këmbë dhe ata e shtynë tej. Por thërret e çirret dhe presidenti kthehet nga ai. Dhe lejohet të recitojë poezinë e vet duke i mahnitur të gjithë. Si shpërblim e regjistruan në Liceun francez në Tartus.
17 vjeç boton poezitë e para. Laurohet për filozofi në Damask. Ndërsa pasioni për poezinë i shtohej si një zjarr, ndërkaq, që t’u imponohej botueve, zgjedh si emër të vetin: Adonis – perëndi antike e tokës së tij. Në hebraisht do të thotë Zot, por që dhe në vendet e Islamit përcjell dhe një mendim pagan.
Në Mitologjinë greke Adonisi është zot i bukurisë dhe i dëshirës. Vdekja e tij vegon mes vajzave, ku kryeson poetja Safo nga ishulli i Lesbos dhe kështu, pas ringjalljes nga Zeusi, ai mbetet hyu rinor, i risive vjetore, i ciklit jetë-vdekje-rilindje, i zotit Feniks. Në botën moderne ka mbetur si arketipi i bukurisë.
Edhe Adonisi-poet sikur ka mishëshëruar nga Adonisi-mit, duke derdhur një tjetër bukuri me vargjet e veta, duke krijuar një si  kompleks skulpturor prej ujrash dhe ere, muzgu e dhëmbjesh, drite e shpirti. Poeti-Adonis është i gjallë, i përditshëm, veprues, i zjarrtë, feniks i rilindur në ekzil.

Dua të endem si dyshimi,/ si çudia e artit.
Si anonim i dyzuar dhe i paqartë/ çdo agim rilind sërisht.

E tërheq rreziku, e fshehta, zbulimi i saj dhe mbulimi me magji arti, pra e bukura, e kudogjendur, e krijuar ndërkaq.

Adonis "...rruga ime fle/ në tehun e një shpate..."
Adonis “…rruga ime fle/ në tehun e një shpate…”

Lagjja e Shqiptarëve

Po në lagjen e shqiptarëve atje, a do ketë vajtur Adonis, se sigurisht e di dhe mbase ka njohur shqiptarë?
Që në kohën e shtetit Osman, nga fundi i shekullit XIX e në fillim e shekullit XX në Siri ikën familje nga Shkodra, Peja, Podujeva, Vushtria, etj, dhe shumica sot mbajnë mbiemrin “Arnauti”. Institucionet gjegjëse japin statistika që janë nga 5 deri në 10 mijë shqiptarë. Prej kanë dalë dhe personalitete të letrave në botën arabe. Ndihmesa e tyre është e ndjeshme, madje janë nismëtare në lëvrimin e romanit, dramës dhe tregimit. Por janë shquar dhe në poezi.
Romani i parë në Siri është i shqiptarit Maruf Arnauti, i vitit 1929, me tre volume “Sejid Kurejsh” (Zotëria i Kurejshit).
Sigurisht Adonis do ta ketë lexuar. Pritja e mirë që ju bë romanit nga lexuesi, interesi i tyre, bënë që autori të vijonte dhe me romane të tjera epokalë. Po atij i pëlqente teatri, për të cilin dhe studioi. Drama e tij e parë është “Xhemal Pashë Gjakatari”, që u shfaq qysh në kohën e pavarësisë së parë të Sirisë dhe është i pari që futi temën aktuale në dramë, të nxjerrë nga realiteti jashtë skenës. Po u shquan dhe aktorë shqiptarë si Ekrem Huluki, djalë shkrimtari dhe Ajshe Arnauti, që e nisi karierën qysh në moshën 10 vjeçe, e njohur në Damask dhe Bejrut.
Shquhen dhe poetët Mustafa Huluki (1850-1915), liriku i brengave të mërgimtarit dhe të vetmisë, i cili vdiq i verbër si dhe Thabit Niman Ferizaj (1860-1950), që shkruante shqip me alfabet arab poezi fetare e mistike, por ishte astronom dhe studiues i shkencave të natyrës.
Pastaj mori hov poezia shqiptare në Siri me Shevket Gavoçin, i lindur në Shkodër, i ndikuar nga Rilindja shqiptare, sidomos nga Filip Shiroka. Edhe nxënësi i tij, Abdulatif Arnautin, e nisi me pseudonimin letrar “Ibn Kosova”, që do të thotë “I biri i Kosovës”. Më pas botoi romanin “Al-Hatabun” (Druvarët), ku tregon për shpërnguljen e shqiptarëve dhe jetën në mërgim. Ai ka përkthyer në arabisht dhe dy romane të Kadaresë. Pastaj nisi të shkruajë shqip dhe të botojë në Shqipëri e Kosovë. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve në Damask dhe duhet të jenë njohur me Adonisin. Kurse vëllai i tij Abdylkader Arnauti është piktor i njohur.
Janë të njohura dhe poezitë e Hatixhe Arnautit. Ajo botoi përmbledhjen e saj të parë “Rebiu Kalben” (Pranvera e një zemre) në vitin 1954, kur Adonisi përfundoi studimet universitare.
Një vit më vonë, në 1955, Adonisin e burgosin “për ide politike subversive” dhe nga që “aderoi në një parti politike nacionaliste”… “Gjithë kohën e kalova në një qeli të vogël mes të marrëve, trafikantëve dhe hajdutëve”, tregon Adonis.
Në këtë kohë në Damask shkëlqeu poetja Aisha Arnauti, studioi për gjuhë dhe letërsi frënge. 11 vjeçe botoi poezinë e parë, 14 vjeçe ishte në qendër të shtypit arab, e quajtën Saganin e Sirisë. U botua në Angli e SHBA duke e shpallur si “Mrekullia e vitit”. Mbase Adonis e ka lexuar në burg.
Edhe inxhinieri i hekurudhave Barakat Arnauti nga Kosova, që shkoi të punonte në Gjermani, shkruante poezi dhe është konsideruar si fenomen në letërsinë siriane. Tregimi në Siri është lëvruar vonë. Përsëri nismëtarë shqiptarët, nga ata që e nisén me poezinë. Mustafa Haluki e filloi në vitin 1880 me “Vezaif el-Inath” (Detyrat e fëmijëve), etj, etj.
Adonis patjetër duhet ta ketë njohur këtë botë shqiptare  aty, në mes të botës arabe.
Ai del nga burgu më 1956 dhe dy vjet më vonë vendoset në Bejrut, në Liban dhe bëhet bashkëthemelues në revista të njohura letrare, ku botohen poezi eksperimentale dhe më pas revistash politike.
Adonis vazhdon të ruajë pikpamjet atdhetare duke i shprehur ato me poezi të ndërlidhura me misticizëm duke u bërë protagonisti kryesor i Neo-Sufizmit në poezinë moderne arabe.

…bëhem aleat i erës/ që ngrihet dhe largohet
dhe them: ëndrra është dritë dhe farë,/ mbi ëndrrat kam ndërtuar
ekzistencën time.

Bombardime ne Siri
Bombardime ne Siri

Vezullime dhe Luftë…

Dalja e poetëve arabë nëpër botë ka patur ndikim dhe në poezinë botërore, në Europë dhe Amerikë veçanërisht. Poeti libanez Kahlil Gibran përbën një përfaqësim të shkëlqyer të letërsisë arabe në ekzil. I ndikuar prej tij, po kështu dhe Adonis, metaforat e të cilit sollën një lloj surrealizmi, me më pak intelektualitet, por me më shumë vizion dhe imagjinacion. Poetët arabë, ashtu si dhe poeti i madh Indian Rabintrabth Tagora, sollën në poezinë bashkëkohore profecinë, vegimin, ëndrrën, magjinë, mrekullinë, pafundësinë.
Tashmë poezia moderne arabe është padrone e vetvetes, e gjuhës së saj.

Në vititet ’60 Adonis  studion në Paris dhe në vitet ’70 është profesor në Universitetin e Damaskut.
Shkon në Nju Jork në vitin 1971 dhe boton poemën uitmaniane “Varr për Nju-Jorkun”.
Në1973 fiton një vend doktorature në Universitetin Saint Josepf në Beirut.
Në vitin 1984, emërohet “Oficer i Arteve dhe i Letërsisë” nga Ministria e Kulturës Franceze dhe një vit më vonë, nga shkaku i luftës civile në Liban, mërgon në Francë dhe fillon punë si profesor i arabishtes në Universitetin e Sorbonës në Paris. Është zgjedhur dhe anëtar i Akademisë “Stephen Mallarmé” në Paris.
Ndjen ringjalljen e feniksit nga hiri. Adonis është vetë poezia moderne arabe, ndërkohë dhe rebeli i saj.

*  *  *
Adonis është personalitet në poezinë botërore sot, zë tronditës i përvojave të njeriut dhe të natyrës, i të drejtave njerëzore, veprimtar i ndjeshëm i kujtesës dhe i vegimeve, krijues i së tashmes, i lidhur me realitetet, me ato shpirtërore mbi të gjitha, që krijojnë pesazhet e fjalës.

Por dhuroji bijve të tu fuqinë time,/ tërbimin tim të gjithë
ngaqë i mësoj jetës time një rrugë: trupin/ dhe i them gjuhës time
të përmblidhet në një fjalë: liri.

Ja, së fundmi Adonis i ka bërë thirrje presidentit sirian Bashar al-Asad të japë dorëheqjen nga shkaku i diktaturës dhe i luftës civile, kurse opozitës që të shmangë dhunën dhe të hyjë në dialog me regjimin.
Vërtet ishte Siria që shpiku alfabetin arab dhe ishte Siria që krijoi fjalën Europë, ngre zërin Adonis, por lufta nuk ka sens. Duhet t’i jepet hapësirë dialogut. Njeriu duhet të flasë e jo të vrasë.

Të shumtë janë dhe shqiptarët e vrarë në këtë luftë, që quhet e shenjtë, ku janë ngritur kundër regjimit të Bashar al-Asadit. Betejat vazhdojnë dhe vazhdon të derdhet dhe gjak shqiptarësh në tokën siriane, ku kanë vajtur shumë vulletarë nga Europa, 11 mijë, njoftojnë mediat, nja 100 janë britanikë, ka dhe francezë…
Nisen nga Shqipëria, nga Kosova shumë më tepër, madje dhe shqiptarë të mërguar në Suedi e vende të tjera dhe rreshtohen një pjesë me rebelët dhe një pjesë me grupet ekstremiste fetare. Po ikim në Turqi, u thonë familjarëve. Siria tani është histori e vërtetë dhe ikjen e tyre e shohin si akt shpirtëror. Janë bërë rreth 700 shqiptarë, shifër e tepruar, besohet, dhe ndodh të dezertojnë nga njëri krah për të kaluar në tjetrin a kthehen.
Familjet e tyre presin në ankth se mos bie zilja e celularit nga një numër i panjohur dhe një zë i panjohur jep mynxyrën… më pas duhen hapur dyert e mortit për ngushëllime. Ndërkohë dhe drejtues të klerit mysliman në Tiranë dhe në Prishtinë bëjnë apel që shqiptarët s’kanë pse shkojnë të vriten në luftra të tjera si kjo në Siri, ndërkaq ligji së fundmi dhe i dënon…
Edhe kur ra Kostandinopoja, kryeqendra e perandorisë së Bizantit, kishte shqiptarë në të dy anët e mureve të kështjellave, edhe në aradhët e sulmuesve me jeniçerët dhe në aradhët e mbrojtësve, si vendas.
Bota e gjithë, politika e vendeve perëndimore, po kërkon nga Siria atë që kërkoi dhe Adonis, bisedime, mjaft dhunës dhe luftës.

…rruga ime fle/ në tehun e një shpate.

Jo vrasje të jetës. Edhe në poezinë e Adonisit ka gjak. Sipas tij, aty përreth njerëzit po vriten në emër të një zoti që duhet të jetë i njëjti. Dhe jo vetëm kaq.
Shqetësimet dhe pikëllimet e thella të poezisë së Adonisit kalojnë në besim dhe ndjellje të së ardhmes, të një paqeje të së bukurës, rikthime në vlerat e trashëguara, në fëmini, rrekje për të kapur përjetësinë, duke qenë njeri vazhdimisht.

…nuk është shpirti që kujton,/ por trupi…

Adonis është dhe fizik, ndjen plagën, dhembjen e saj dhe do që ta pakësojë e zbusë. Ia beson të gjitha poezisë së tij, edhe mosbesimin.

Dhimbja e Adonisit
Dhimbja e Adonisit

Mesdheu dhe poezia e…

Dhe të dialogojmë, natyrisht. Dhe dialogu është shumë më tepër se biseda mes dy njerëzve. Por dhe mes brigjeve, popujve dhe kohëve.
Adonis ndihet i Mesdheut – aty ku bota përqëndroi bukuri dhe kulturë, poezi dhe mirëkuptim, kështu duket se është.
Ja ç’ka vënë re Adonis, kur ishte në Napoli: varri i Virgjilit pranë atij të Leopardit janë shenjë e një vazhdimësie që është dhe shenjë dialogu nëpërmjet hapësirës dhe kohës…
Kurse Jeruzalemin e sheh si një qytet të shenjtë për të gjithë, hebrenj, kristianë muslimanë.
Mesdheu në epokën pagane, shpjegon jo pa qortim Adonis, ishte më i mirë në krahasim me sot: në epokën e fenikasve, grekërve kishte një shkëmbim kulturor shumë më të madh. Të vjetërit nuk luftonin në emër të zotave, por për çështje ekonomike të qarta.
Dhe sot flitet shumë për kulturën e Mesdheut, por në të vërtetë kjo është vetëm një perde që fsheh projekte politike dhe ekonomike, bëhet i zakonshëm Adonis. Dhe nga e zakonshmja bën metaforën e të jashtzakonshmes.

Tejkaloj Zot dhe Djall:/ shtegu im shkon më përtej./ Nëpërmjet librit tim…

Poezia është më “intimja” e një njeriu, është shpirti i një populli. Adonis beson në rolin e madh që mund të ketë poezia në ndryshimet shoqërore, jo si një rol praktik i saj, në sensin se nuk është poezia që e ndryshon botën, por ajo mund ta ndihmojë qenien njerëzore të gjejë rrugën e drejtë.
Poezia për Adonisin është si dashuria. Por ç’bën dashuria? – pyet ai. Dhe përgjigjet: rinovon vazhdimisht ndjenjat e personave, jep energji të reja dhe hap horizonte drejt bukurisë së jetës. Ngjan me një dritë që na ndriçon ecjen drejt së panjohurës. Dashuria është si poezia, është si një hapësirë e hapur, dora dorës duke e zbuluar rritet, piqet, ngazëllehet, provon lumturinë. Kjo ndodh në nivelin vetanak, por nga ana tjetër, përkundrazi, poezia bëhet e domosdoshme kur shkenca o filozofia nuk japin përgjigje për misteret e jetës. Në këtë çast poezia, si dashuria, shndërrohet në mjetin e vetëm, i aftë të të flasë, të dialogojë me shpirtin tënd.

Nuk dashuroj për të arritur diçka./ Dashuria ime nuk është maskë ose flamur.
Siç fillon kroji,/ siç lind dielli/ kam dashuruar: të përhapesh, pa një fund…

Deri sa të jetë dashuria do të jetë dhe poezia e deri sa të jetë poezia do të jetë dëshira për paqe, mendon Adonis.

Të dua sikur jeta/ të ishte shpikje e dashurisë time.

Po, po, poezia shpik jetë e anë të Fjalës, që për Adonisin është banesa e njeriut, por dhe ndërmjetësi i tij me botën. Aq sa mund të thuhet se njeriu është gjuhë, e dhënë kjo që me anë të gjuhës të mund të shprehë ekzistencën e tij, ku ngërthehen:

Gëzimi ka flatra, jo trup;/ trishtimi ka trup, jo flatra.

Janë më vete? Flatra pa trup dhe trup pa flatra? Jo, besoj, janë bashkë. Poezia e Adonisit është e natyrshme, madje ajo është bërë natyrë.
Në një nga intervistat e tij, dhënë për “New York Times”, ai është përgjigjur se bota arabe nuk ka më aq shumë kulturë të sajën, e ka mbaruar aspektin e vet kulturor duke u bërë pjesë e kulturës perëndimore, por vetëm si konsumatorë, jo si krijues.
Adonis këtu duhet të ketë gabuar disi, mendoj, ai vetë është krijues i saj i madh, i bashkimit të kulturave. Dhe mbase kjo mjafton. Prandaj dhe është përkthyer në shumë gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime letrare në Siri e Liban dhe pastaj nëpër botë, Francë, Itali, Gjermani, në SHBA e Kinë vitin që shkoi, etj, me motivacione nga më të goditurit si: Vargjet e tij me karakter social dhe politik janë të dashur, mbi të gjitha nga të rinjtë…
Poet i paradokseve dhe ekstremeve, i tensioneve mistike dhe i kërkimit të vazhdueshëm mbi misteret më të mëdha të jetës.

…jam plaga që formohet/ dhe rritet në historinë tënde të vogël.

Dhe historia e vogël e njeriut është po aq e madhe sa historia e madhe e botës.

…dua dhe eshtrat/ që u rebelohen perëndive në varr.

Jeta vazhdon dhe tek vdekja, mbart misionin e saj dhe përtej ashtu si dhe vdekja ndërhyn tek jeta, jo vetëm si vazhdim dhe poezia sikur kërkon një mirëkuptim midis tyre. Ai dialogu i përjetshëm ose i pavdekshëm mes jetës dhe vdekjes.
Konkretisht poezia e Adonisit përqafon sa nga tradita perëndimore e lirizmit të lartë dhe filozofik i Hölderlin-it, Baudelaire, Rilke, sa nga ajo orientale e autorëve si Niffari e Abu Nuwas.
Adonis, edhe pse duke respektuar format antike të të folurit, çlirohet nga strukturat tradicionale të shkrimit klasik arab për të kërkuar vlerën absolute të fjalës, shprehur nga vargu i lirë dhe i çlirët, që shpesh i afrohet ligjërimit të gjallë dhe pastaj, befas kalon në një krahasim a similitudë e paralelizëm metaforik…
Adonisit, për veprën e tij kozmopolite dhe për kontributin e tij në letërsinë botërore, etj.
Një pjesë e çmimeve mbajnë dhe emra poetësh, të kolegëve në kohë e vende të ndryshme si “Nazim Hikmet”, Bjornson, Gëte.
Gjithashtu përballë bregut tonë në Liqenin e Pogradecit, ka ardhur në Strugë në vitin 1997 dhe ka marrë Kurorën e Artë në festivalin e poezisë. Ndërkaq Adonis, që nga viti 1988 është një nga kandidatët siperanë për çmimin “Nobel”.
Në pritje…

Siria - vendi i ëndrrave të thyera...
Siria – vendi i ëndrrave të thyera…

Nëse do të duhej një epilog:

Botimin e fundit me poezi të Adonisit, të përkthyer në gjuhën italiane, “I’illussione dei miei passi”, me një autograf nga autori në gjuhën arabe, ma solli im bir, Atjoni, që porsa ka vajtur të studiojë në një nga universitetet e Milanos për filozofi, në po atë degë që është lauruar dhe Adonis në Damask.
Me befasoi se ai madje ishte takuar me Adonisin në shtëpinë e poetit dhe gazetarit të njohur Italian të “Corriere della Sera”-s, Sebastiano Grasso, i cili ishte dhe autori i parathënies së librit, që princesha arabe, pasardhëse e Muhamedit, profesoresha Hadam Oudghiri, e kishte përkthyer në italisht.
Në shtëpinë e Sebastiano Grasso-s bujtin herë pas here poetë të njohur nga bota, përkthyes, piktorë, artistë.
Teksa shfletoja librin italisht, me arabeskat e origjinalit në krah, m’u shtua dëshira që poezitë e këtij poeti race, të ishin dhe në gjuhën tonë. Mungojnë. Ndjeja dhe një si thirrje të brendshme, një lidhje të pakuptuar.
Dhe ia nisa punës. Jo pa dëshirën e autorit, siç ma pohon studenti në Milano, që ishte takuar me të e kishin biseduar, interesi i Poetit për Shqipërinë ishte i ndjeshëm, e kishte pyetur për lirinë në Shqipëri, gjendjen e gruas, gjuhën, fetë, Zoti im është e panjohura, kishte thënë Adonis, teksa shkonte nëpër gishtrinj tespiet. Si të gjyshit tim, i kishte thënë studenti. Janë tespie erotike, kishte buzëqeshur Adonisi. Kurse poeti italian Sebastiano ndërhynte duke folur me ndjenjë për Shqipërinë, si vend bukurish dhe mikpritjeje.
Adonis habitej si një fëmijë, përfundon rrëfimin e tij studenti duke patur një si lloj përgjegjësie tani ndaj poezisë së Adonisit dhe unë po i përktheja ato nën kontrollin e rreptë të tij. Pastaj u qetësova kur s’kishin as ndyshime nga origjinali arabisht, se i krahasuan Dr. Ramiz Zekaj dhe Alban Kodra, që kishin kryer  universitetin andej dhe i falenderoj.

Fundjavave më ndodh të shkoj buzë detit, më pëlqen plazhi në dimër, me pak njerëz që shëtisin në breg.
Ndal para dallgëve, të josh pamja e tyre, ajo vërsulje e hatashme mitike, që të avitet te këmbët, me kumte uji, sheh largësitë, vendin ku bashkohen qielli me detin, pret perëndimin e diellit, varganin e reve si deve të ngarkuara me mall perëndish të Lindjes. Ku i çojnë, ku?…
Zhurma e detit, e pandrysheshme që kur është krijuar bota, kur gjithçka në jetën njerëzore ka tjetërsime të pabesueshme e me një shpejtësi shkencore marramandëse, e mbush ajrin me një si këngë përjetësie, po ashtu si atëhere në fillimet e kohës së njeriut dhe, besoj, kështu do të mbetet gjithmonë deri në fundin pa fund.
Një herë, kur pashë që isha fare vetëm, unë dhe deti, nxora nga xhepi librin me poezi të Adonist… ndër poetët më të mëdhenj bashkëkohorë… i vështirë për t’u klasifikuar… vepra e tij nuk paraqit ndonjë copëzim apo rithemelim në artin poetik arab… por ai ka shtyrë limitet “trup më trup”… identiteti dhe metamorfozat janë fijet përçuese të poezisë së tij… dhe vendosa t’u lexoj dallgëve poezi të Adonisit me zë të lartë.
Shkonin mirë, u pranuan, ishin në harmoni.
Teksa lexoja, stërkala të njelmëta hovnin brenda poezive dhe m’u bë sikur dallgë të tjera po dilnin nga poezitë, bashkoheshin me ato të detit për të kënduar së bashku përjetësinë e tyre, të detit dhe poezisë së jetës.
Kisha gjetur një poet, thashë me vete, t’ja u tregoj dhe të tjerëve.

Poeti sirian Adonis (1930)
Poeti sirian Adonis (1930)

Gjashtë poezi të Adonis

Përkthyer nga Visar Zhiti

Shkruaj

Shkruaj, jam i tmerruar
e çmëndem e më trëmben
dhe boja me fletët
dhe pyes veten: po shkruaj vërtet a digjem?

Në errësirën e gjërave

Dua të mbetem
në errësirën e gjërave, në misterin e tyre.
Dua të fundosem te krijimi.
Dua të endem si dyshimi,
si çudia e artit.
Si anonim i dyzuar dhe i paqartë
të rilind sërish çdo të nesërme.

Tempulli i Palmyras
Tempulli i Palmyras

Dy elegji për tim atë

1.
Babai im është një agim që vjen në shtëpinë tonë
si dielli dhe sipër shtëpisë ngrihet një re.
E dua si një sekret rebel të varrosur,
si një ballë të kredhur me dhé.
E dua, dua dhe eshtrat
që u rebelohen perëndive në varr.
E dua si një bust të gërryer, si argjil.

2.
Mbi shtëpinë tonë ishte me lemzë heshtja
dhe qante qetësia.
Kur im atë iku,
një fushë u bë menjëherë thatësirë
dhe një dallëndyshe vdiq, i plasi zemra.

Kam pyetur agun

Kam pyetur agun nëse ti ishe zgjuar.
Mbi çdo degë kam parë fytyrën tënde
gdhëndur përreth shtëpisë.
Kam shtyrë agimin nga shpatulla ime
dhe i kam kërkuar vesës së degëve:
është iluzion apo ka ardhur?
Kam pyetur diellin nëse i ka lexuar hapat e tu
dhe cilën derë ke cikur.
Si kanë ecur ndanë teje
pemët o trëndafilat e shtëpisë?
Shqyej ditët e mia e shqyhem:
trupi im këtu, gjaku im atje: gjethnajë
që flakët e zvarrisin ceflave të universit.

Të dua

Të dua sikur jeta
të ishte shpikje e dashurisë time.
Të dua. Vështrimi yt
palos kthjelltësinë dhe e zhyt
teksa mbi shpatulla
bien flokët e tu si fije bore.
Sikur t’i zvarrisje pas vitet
e të më tretje.
Përreth, në shtëpinë tonë, shtrati yt,
karrigia, manteli yt i zi,
zjarri yt dhe vatra.
Lër që feneri yt të jepet,
që streha e territ ta varrosë
dhe u thuaj syve të tu të mbyllen.
Unë jam një agim i gjatë, i gjatë,
sekondat e të cilit do të thoshin: kaloi.

Tempull i heshtjes

Do të ngre për kujtimin tënd
një tempull heshtjeje.
Ngado që unë shkel mbi këtë tokë:
heshtje.
Ndonjëherë tejshihen ca si pemë nudo,
ndonjëherë si burim i tharë.
Do t’i flas për ty vetëm heshtjes.
Era do të endëte një qilim me këto që them?
Dielli do të hyjë në pyllin që bashkon vuajtjet tona?
Do të ngre për kujtimin tënd
një tempull heshtjeje
dhe do të shpall bindjen time:
trupi im është një tjetër tempull i heshtjes time.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.