back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ahmet Zogu ishte trim, energjik dhe popullor – nga Eqrem Bej Vlora*

Gazeta

Ahmet Zogu & Eqrem Bej Vlora
Ahmet Zogu & Eqrem Bej Vlora 

Ahmet Zogu ishte trim, energjik dhe popullor

nga Eqrem Bej Vlora*

…Dhe më 1923/1924, i tillë mund të ishte në Shqipëri vetëm një bej – Ahmet bej Zogu. Ndaj edhe përreth tij u mblodhën të gjithë ata që kërkonin udhëheqje dhe përfitim.
Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por ai kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata – ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Atij i duhej të luftonte që, së pari, të afirmohej mes sërës së vet, pra për diçka që të tjerëve u kishte rënë nga qielli. Ndaj edhe meritat e tij ishin më të mëdha, kurse sukseset më të përligjura dhe më të çmueshme. Në fund të vitit 1923, kur ne deputetët e Asamblesë Kombëtare Legjislative u mblodhëm në Tiranë, ai ishte kryeministër dhe pa dyshim, personaliteti më i rëndësishëm në Shqipëri.
Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’i shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij. Por, po këto veti e kishin çuar deri në pikën e vlimit edhe urrejtjen e zilinë e ish-bashkëpunëtorëve të tij demokratë.
Tirana e atëhershme ishte një fshat, ndonëse në rritje, me të gjitha të këqijat dhe kërkesat e një selie. Ardhja e menjëhershme e disa qindra vetëve, disi me pretendime, e keqësoi edhe më tepër ngushticën, edhe më parë, të ndjeshme, të strehimit. Zoti Vianxoni, hotelieri italian që mbante në Vlorë “Hotel Albania” kishte improvizuar në dy shtëpi tiranase një si pension evropian. Pajimi i tyre është vështirë të përshkruhet, sepse konceptet evropiane nuk mjaftojnë për të pasqyruar një primitivitet të tillë. Dhe neve, deputetëve të Asamblesë Kombëtare, që të shoqëruar nga trimat tanë, shkonim rëndë-rëndë nëpër rrugët e baltosura e plot gropa për në vendin e mbledhjes, na dukej vetja si ca burra të mëdhenj shteti dhe udhëheqës, edhe pse në thelb, nuk ishim e shumta veçse ca kryepleq fshatrash që kapardiseshim si misërokë…
Kjo ishte fusha ku zhvillohej gara midis pothuajse gjithë pjesëmarrësve të panairit politik në Tiranë, ndërkohë që Ahmet Zogu, i mbrojtur nga autoriteti i shtetit dhe i trimave të vet në shtëpinë e tij apo në zyrë, vriste mendjen seriozisht për mjetet dhe rrugët që mund ta çonin përpara ngjitjen e tij, por edhe që të konsolidonin idenë e shtetit dhe organizimin e tij. Kjo punë i duhej lënë atij! Kur kësaj i vë përbri veprimtarinë e kundërshtarëve të tij, intrigat e përhershme, spicat dhe paralizimin e bisedimeve në Asamble, atëherë nuk të habit edhe zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve.
.
Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas
Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas
Tirana në atë vjeshtë dhe dimër të 1923/24-s nuk të ofronte, siç vazhdojnë të besojnë edhe sot disa fantastë, pamjen e një qendre liberale, demokratike, por në rastin më të mire të një çerdheje mjerane intrigash, ku nga mëngjesi në darkë zhvillonin punët e tyre të errëta llafazanët dhe cubat armëvringëllitës. Ata pak që kishin koncepte të tjera për konkurrencën demokratike, rrinin mënjanë dhe vështronin nga larg me neveri, duke dashur të mos ndyenin duart në këtë lojë. Midis tyre isha edhe unë.
Unë nuk kisha asnjë dyshim se kujt duhej t’ia jepja votën, apo cilën anë duhej të mbështesja – për këtë bindjet e mia konservatore ishin tashmë të pjekura – por shpesh kisha ndjesinë se me botëkuptimin, parimet dhe kulturën time, unë qëndroja më afër grupit të urryer demokratik, sesa grupit konservativ, i cili me mungesën e tij të plotë të qëllimeve, më dukej krejt i huaj. Për më tepër që fati ma kishte caktuar edhe karrigen pranë grupit demokratik. Unë rrija në një bankë me peshkopin ortodoks, Fan Noli, njeri shumë i kulturuar dhe simpatik, udhëheqës i Partisë Demokratike, me të cilin më hahej muhabeti për mrekulli. Këtë e patën zbuluar shpejt ca spiunë demokratikë dhe e kishin diskutuar në një mbledhje partie. Por një udhëheqës tjetër i tyre, Luigj Gurakuqi, një shqiptar i shkolluar dhe i jashtëzakonshëm i asaj kohe, i shprehu me këto fjalë të qëlluara dyshimet e tij: “Si mund të jeni kaq budallenj dhe të besoni se Eqrem beu mund të kalojë ndonjë ditë në anën tonë? Si mund të besoni se ai, përparimet e rëndomta të të cilit në shkallën e ulët të gjimnazit i njoftoheshin vazhdimisht telegrafisht të jatit nga Ministria e Jashtme p. dhe m. në Vjenë, do të bëhet, befas, demokrat? Ai është aristokrati më i shkolluar dhe më i regjur nga të gjithë: po të ishte nevoja, qoftë edhe kundër pikëpamjeve të veta, ai do të bashkohej edhe me djallin, mjaft që të na kundërvihej neve!”
Ky zjarr i kryqëzuar komplimentesh të dyanshme, nuk do të kishte qenë, megjithatë edhe aq i rrezikshëm, të mos kishte kaluar grupi demokratik në disa veprime të një natyre tjetër. Paladinëve të mendësisë demokratike u kishte rënë në kokë për poste dhe ofiqe zyrtare; me demokraci ata nënkuptonin artin për të zënë një post drejtues dhe për ta përdorur atë pastaj, sipas qejfit. Por meqenëse kjo ishte e pamundur me rrugë legale parlamentare (sepse ata nuk mund të shpresonin kurrë për shumicën në parlament), ata kërkonin t’i arrinin qëllimet e tyre me mënyra jolegjitime dhe të dhunshme, ndër të cilat, më e para, ishte mënjanimi i kundërshtarit që u dukej më i rrezikshëm, Ahmet Zogut.

.

Eqrem Bej Vlora - Kujtime 1885-1925
Eqrem Bej Vlora – Kujtime 1885-1925
Ne kishim dijeni për këto plane të mbrapshta të partisë kundërshtare, sepse ata flisnin për to gjithandej, por nuk na e merrte kurrë mendja se gjer ku mund të shkonin këta njerëz me urrejtjen e tyre. Atyre u ishte mbushur mendja top se në një Shqipëri parlamentare, ata ishin thirrur nga historia për të drejtuar fatet e kombit dhe se bejlerët duhet t’ua lëshonin vendin vullnetarisht, qoftë edhe për të larë mëkatet e kryera, gjoja, në rrjedhë të shekujve. Kjo sqimë ishte e mundur vetëm te një popull tej mase krenar dhe fodull si shqiptarët. Por demokratëve do t’u duhej më vonë të hanin ca kumbulla të tharta. E zhgënjyer që, me gjithë parregullsitë dhe dhunën e ushtruar gjatë zgjedhjeve, nuk arriti suksesin e dëshiruar, Partia Demokratike filloi ta provojë tani fatin me kërcënime dhe vrasje. Nuk duhet harruar se ç’u bë kundër Myfit bej Libohovës e grupit të tij në prefekturën e Gjirokastrës nga prefekti Tromara, nga kapiteni i xhandarmërisë Koço Muka dhe majori i xhandarmërisë Ahmet Lepenica. Këta njerëz – të nxitur edhe nga Tirana – vodhën dhe falsifikuan votat, burgosën dhe rrahën zgjedhës dhe së fundi, me dorën e banditit grek Koço Memo, organizuan edhe një atentat kundër Myfit bej Libohovës dhe vranë njërin nga njerëzit e tij. Por me gjithë këto pisllëqe ky aristokrat tepër inteligjent, i shkolluar dhe i pasur, mundi të fitojë në zonën e vet dhe luajti më vonë një rol të rëndësishëm. Nuk shkoi shumë dhe kjo politikë e papërgjegjshme u kthye edhe kundër Ahmet Zogut vetë. Si vegël për këtë demokratët përdorën djaloshin ekstravagant matjan, Beqir Valterin. Këtë të ri ata e përpunuan për një kohë të gjatë, derisa ai pranoi të vrasë mirëbërësin e tij, Ahmet Zogun, njeriun që para dy vjetësh me paratë e veta e kishte çuar për studime në Itali. Po a ishte për t’u çuditur me këtë plan vrasjeje kur, vrasësi i Esat Pashë Toptanit, Avni Rustemi, të cilin drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxorri të pafajshëm dhe që Qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej ngado si një shpëtimtar i atdheut? Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë sesi me anë të një plumbi të shkrepur nga prapa shpinës, si burracakët, mund të bëheshe “njeri i madh”!….
*Pjesë e shkëputur nga libri “Kujtime” i Eqrem Bej Vlorës

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.