back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë… – nga Faik Konitza

Gazeta

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Fytyra e turinj të shqipërisë (1903)

 Ay qi është gati të vdesë për Shqipërinë.

T(rank) S(piro) – pseudonim i Faik Konicës

Për turinjtë mê të dëndur të Shqipërisë, duhet vënë ’re ay qi është “gati të vdesë për kombin”.
U-kapa në fjalë, një ditë, me një njeri kësaj cipe, e ja shkurtimi i të folurit t’onë:
Unë – Kur je gati për të vdekur për atdhenë, ch’prêt?
Ay – S’erdhi koha.
Unë – Mos prit luftën e madhe. Që të nxehësh zëmërat, që t’a afërosh ditën e mirë, qit-e pallën, hidh-u, bê në trimërië të chkëlqyer për atdhenë, të chuditen bota, e të chuditemi të gjithë.
Ay – S’erdhi koha.
Unë – Sill-e, në mos erdhi!
Ay – Pa më thua, pse s’vete të vritesh mê parë ti qi qënke mê trim? A po s’erdhi as për ty koha?
Unë – S’erdhi, e, për, mua, s’do të vijë kurrë. E sheh që unë s’rrenj. S’jam trim, unë. A shkrova, a thashë kurrë se do të nisem për luftë? Jo! Se nuk është puna ime. S’jam njeri i luftës. Palla ime është pënda: atë pâllë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores, nascuntur heroes. Ti që lëve trim, – bêje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë.
Ay – S’erdhi koha. Sot për sot, sa dô trimërira të bëhen do të venë kot.
Unë – As gjê s’vete kot. Trimëria qi duket mê e panevojshëme, po të bëhet më mëndje që t’i shërbejë atdheut, kot nukë vete. Ja një pun’ e mirë: Në do, ngjit-u në Tour Eiffel (Kullë e Parisit) e hidh-u poshtë të thyhesh në njëqint copë. Mê parë, shkrua këtë bilete e vër-e në taskë: “Vras veten për të provuar se Shqipëtarit nuk i dhëmbet jeta. Për fare gjê e vrava veten. Le të kuptojë tani Evropa, me anë të gazetave, se ch’munt të bëjë Shqipëtari kur të jetë nevojë të vritet, jo për fare gjê, po për atdhenë!”
Ay – Tallesh me mua.
Unë – Nukë tallem me ty. Në mos dô të vrash veten, me gjithë se je gati për të vdekur, chap në Shkodrë, në Iakovë, në Berat a në Gjinokastrë, e, në mes të pazarit, thirr si telalli të drejtat e Shqipërisë. Ja në punë e mirë. Ch’do t’të bëjnë mê të ligë se të të vrasin, punë për të cilën ti thua se je gati.
Ay – Fjalë, fjalë! S’erdhi koha, baba!
Unë – Në mos erdhi koha për të vdekur, djalë, erdhi një kohë tjatër: erdhi koha të ngrihesh e t’a kapërxesh me vrap prakun e derës s’ime, se mjaft më chave kokën!
.
T(rank) S(piro)
(Marrë nga Albania – 1903)
.
P.S – T. S. Pseudonim i Faik Konicës ka përdorur edhe pseudonim Trank Spiro Bej, Falenderoj Agim Morinen per tekstin origjinal te Albainse
Faik Konica - Origjinali i Albanise
Faik Konica – Origjinali i Albanise
Faik Konica - Origjinali i Albanise
Faik Konica – Origjinali i Albanise 2

Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë…

nga Faik Konitza

Ndër turinjtë më të dendur të Shqipërisë, duhet vënë re ai që është “gati të vdesë për kombin”.
U kapa me fjalë një ditë, me një njeri kësaj tsipe, e ja shkurtimi i të folurit tonë:
Unë – Kur je gati për të vdekur për atdhenë, ç’pret?
Ai – S’erdhi koha.
Unë – Mos prit luftën e madhe. Që të nxehësh zemrat, që ta afrosh ditën e mirë, qite pallën, hidhu bëj një trimëri të shkëlqyer për atdhenë të çuditen bota e të çuditemi të gjithë.
Ai – S’erdhi koha.
Unë – Sille, në mos erdhi!
Ai – Pa më thua, pse s’vete të vritesh më parë ti që qenke më trim? A po s’erdhi as për ty koha?
Unë – S’erdhi, e për mua, s’do të vijë kurrë. E sheh unë s’rrenj. S’jam trim unë. A shkrova, a thashë kurrë se do të nisem për luftë? Jo! Se nuk është puna ime. S’jam njeri i luftës. Palla ime është penda, atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes. (Shkrimtarët bëhen heronjtë lindin). Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë.
Ai – S’erdhi koha. Sot për sot sado trimërira të bëhen do të venë kot.
Unë – Asgjë s’vete kot. Trimëria që duket më e panevojshme, po të bëhet me mendje që t’i shërbejë atdheut, kot nuk vete. Ja një punë e mirë: Në do, ngjitu në Tour Eiffel (Kullë e Parisit) e hidhu poshtë, të thyhesh në një qind copë. Më parë, shkruaj këtë biletë e vëre në taskë: “Vras vetëm për të provuar se shqiptarit nuk i dhembet jeta. Për fare gjë e vrava veten. Le të kuptojë tani Evropa, me anë të gazetave, se ç’mund të bëjë shqiptari. Kur të jetë nevoja të vritet, jo për fare gjë, po për Atdhenë!”
Ai – Talle me mua.
Unë – Nuk tallem me ty. Në mos do të vrash veten, megjithëse je gati për të vdekur, çap në Shkodër, në Gjakovë, në Berat a në Gjirokastër, e në mes të pazarit, thirr si tellalli të drejtat e Shqipërisë. Ja një punë e mirë. Ç’do t’të bëjnë më të ligë se të të vrasin, punë për të cilën ti thua se je gati.
Ai – Fjalë, fjalë, s’erdhi koha, baba!
Unë – Në mos erdhi koha për të vdekur, djalë, erdhi një kohë tjetër: erdhi koha të ngrihesh e ta kapërcesh me vrap pragun e derës sime, se mjaft më çave kokën!
.
Marrë nga Bashkimi i Kombit, 1944
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.