In memoriam: Akademik Aleksandër Stipçeviq (1930-2015),
Ilirologu me famë botërore
nga Don Lush Gjergji
E tillë është jeta tokësore, me batica dhe zbatica, raste dhe mundësi për të mirë, për studime, hulumtime, botime për ta ndriçuar të kaluarën tonë të lashtë, si dhe për të punuar për të tashmen dhe të ardhmen sa më të ndritur.
Në fillim të këtij shkrimi kushtuar Akademikut të dashur, të çmuar, të nderuar, të njohur ndër ne dhe në mbarë botën shkencore, Aleksandër Stipçeviqit, mund të themi me plotë bindje dhe argumente: ai e harxhoi mirë jetën, kohën, punën, hulumtimet e tij shumëvjeçare, sidomos në aspektin historik dhe arkeologjik, duke botuar vëllime të tëra mbi Ilirët, paraardhësit tanë.
Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbanas (Arbëresh) të Zarës, Kroacisë, më 10 tetor 1930, në një familje të njohur arbëreshe. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Zarë. Fakultetin e arkeologjisë në Zagreb. Studimet post-diplomike i përfundoi me shkallën e doktoraturës në vitin 1977, me një tematikë tejet të rrallë dhe interesante: “Simbolizmi religjioz te Ilirët”.
Për disa vite ishte profesor edhe në Universitetin e Prishtinës (1970-1973), kështu që e njihte dhe përcjellore gjendjen tonë në lëmin shkencor, por edhe politik dhe shoqëror. Lënda e tij ishte: “Hyrje në arkeologji”, tek ne pak e njohur dhe studiuar. Në Universitetin e Zagrebit kishte ligjëruar prej vitit 1971 deri në pensionim, në vitin 1997.
Përpos mësimdhënies në këto dy universiteti, ishte ligjërues i kërkuar edhe në shumë universitete evropiane dhe botërore. Pati shumë përgjegjësi dhe detyra të larta shkencore dhe akademike: Drejtor i Bibliotekës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë (1974); Kryeredaktor në Entin Leksikograf “Mirosllav Kerlezha” (1983); Anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1983), Anëtar i Akademisë Italiane në Marke etj…
Ka shkruar dhe botuar një “bibliotekë” libra në gjuhën shqipe, kroate, italiane dhe angleze. Veprat e tij, sidomos studimet mbi Ilirët, janë të përkthyera në shumë gjuhë botërore.
Nga botimet e Akademik Aleksandër Stipçeviq, veçojmë:
-Arkeologjia e Ilirëve, – 1967.
-Ilirët, historia-jeta-kultura, – 1974.
-Bibliografia antike e arkeologjisë në Jugosllavi, – 1977.
-Simbolet e kultit te Ilirët, – 1981.
-Historia e librit, – 1985.
-Cenzura në bibliotekë, 1992.
-Interpretime albanologjike, 1994.
-Arkeologjia e Arbëreshëve të Zarës, 2000.
-Përmendoret kulturore-historike në Arbanas, 2011.
-Mirënjohja e Zarës dhe Zagrebit për veprën e tij jetësore, 2004.
-Naim Frashëri, 2001.
-Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 2015.
Këtë shkrim dhe kujtim të varfër dhe të pjesërishëm do ta përfundoj me disa kujtime personale. Akademik Aleksandër Stipçeviqin e kam njohur qysh në vitin 1980, atëherë kur filluam ta botojmë revistën fetaro-kulturore “DRITA” në Zagreb, nëpërmjet Shtëpisë botuese katolike “Krščanska sadašnjost”. Ai banonte në Sheshin Maruliq 16, ndërsa selia e Shtëpisë botuese KS ishte në të njëjtin shesh, numër 14.
Shpesh takoheshim tek miku ynë i përbashkët dr. Josit Turçinoviq, dhe kishim bisedime mjaft të dobishme rreth kulturës, artit, popullit tonë Shqiptar.
Më kujtohet një vlerësim i tij tejet i stërholluar, do të them edhe shumë i qëlluar, shkencërisht i bazuar. Thoshte kështu: “Ilirët, të parët tanë, ose Arbëroret, kanë lënë shumë gjurma dhe trashëgimi nëntokësore, arkeologjike, që ne pak e njohim. Shi për këtë unë jam i dashuruar në arkeologji, në histori, në lashtësinë tonë. Një popull me rrënjë kaq të lashta dhe të thella, s’mund të zhduket më… Ai tash do të lulëzojë… Jo rastësisht Nëna Tereze është Shqiptare…!”.
Kur ia dorëzova botimin tim “Nëna jonë Tereze”, ndër të tjera më tha: “Deri tash e kam ditur vetëm këtë, Nëna Tereze është me prejardhje shqiptare. Unë jam historian, arkeolog, dhe më interesojnë rrënjët, familja, fëmijëria dhe rinia e saj. Këtë, me siguri, do ta gjej në këtë botim”.
Kur doli botimi i “Nëna jonë Tereze” në gjuhën kroate, pastaj italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht e gjuhë tjera, më tha dukshëm i emocionuar: “Tash Nëna Tereze e ka vendin e saj në historiografi dhe në amshim. Kështu nderohen figurat tona të mëdha dhe shenjte”.
Në vjeshtë të vitit 1990, isha në Zagreb për themelimin e degës së SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”. Gëzimi dhe entuziazmi i tij ishte i dukshëm. Me fjalën e tij rreth jetës dhe veprës së Nënës Tereze shkëlqeu, si gjithmonë, me mendime dhe vlerësime të qëlluara, sidomos duke cekur vuajtjen e popullit tonë me atë të botës së tretë.
Në vitin 1995, në Bibliotekën e Zagrebit kishim organizuar një akademi kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze. Me atë rast solla të gjitha botimet e mia në gjuhë të ndryshme kushtuar Nënës Tereze. Akademik Aleksandër Stipçeviqi shikonte një nga një, mbi 30 vëllime, dhe kur më pa, më përqafoi vëllazërisht dhe më tha: “Ti e paske krijuar një bibliotekë të tërë me Nënën Tereze. Sa i lumtur jam që po i shohë gjitha këto botime. Edhe më i lumtur jam që e kemi Nënën Tereze, modelin e përsosur të mirësisë, bujarisë dhe dashurisë së krishterë”.
Akademik Aleksandër Stipçeviqi disa herë ishte në simpoziume, akademi, tubime shkencore në Prishtinë. Në raste të tilla, takoheshim, shmalleshim, bisedonim me miqtë tanë të përbashkët. Ishte i lumtur pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. “E tashma dhe e ardhmja janë në të mirë dhe dobi tonë”, përsëriste shpesh.
Në vitin 2007, KS-i kishte organizuar promovimin e librit “Nëna e Dashurisë” në gjuhën kroate. Ai me pak fjalë, por të ngrohta dhe nga zemra, çmoi Nënën Tereze, botuesin kroat, librin tim, duke zgjuar tek publiku nderim dhe admirim.
Para dy viteve ishte në Prishtinë, ende i fortë dhe mjaft i freskët mentalisht. Më solli disa nga botimet e fundit, dhe si në hoka, më tha: “Unë nuk mund ta lajë borxhin ndaj teje, sepse ti më ke dhuruar kaq shumë libra dhe botime kushtuar Nënës Tereze në gjuhë të ndryshme. Pra, pranoi këto botime me nderim dhe përkushtim…”.
Unë, në shenjë të falënderimit i dhurova botimin e fundit në gjuhën kroate “Dashuria që nuk vdes”. Prapë me falënderim e mori dhe tha: “Çfarë titulli i bukur dhe i qëlluar: Dashuria që nuk vdes. Kjo është jeta dhe kredo-ja jonë, Zoti, amshimi…”.
Tash, pas kalimit në amshim, pas një jete kaq të begatshme të “mbjellur” mirë: Pusho në paqe! Gëzoje dhe shijoje amshimin e lumtur!
Prishtinë, 1 shtator 2015
Marre http://www.drita.info