back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Akademiku Kolec Topalli: Si u hoq gegërishtja pa asnjë dekret qeveritar

Gazeta

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli

Akademiku Kolec Topalli:

Si u hoq gegërishtja pa asnjë dekret qeveritar

Bisedoi Arlinda Canaj

Dialekti gegë u persekutua.
Ai u vendos arbitrarisht,
sepse politikanët e kohës flisnin të gjithë toskërisht.
Por gjuha shqipe nuk mund të ketë kthim prapa!
 
Akademiku Kolec Topalli, në një intervistë ekskluzive për Konica.al, tregon udhën e dy dialekteve të shqipes, problemet me politikën dhe politikanët, veçantitë e dy dialekteve dhe pse u zgjodh gegërishtja e Elbasanit si baza kryesore e gjuhës shqipe. Dritëhijet e saj në kohën e diktaturës. Vendimi arbitrar për të vendosur dialektin tosk dhe persekutimi që iu bë gegërishtes në vitet e mëpasme. A duhet rishikuar ky vendim në kohërat e sotme?
.
Si ka ekzistuar raporti i gegërishtet me toskërishten në historinë e gjuhës shqipe. Cilat janë të dhënat historike? -Ky është një problem shumë i rëndësishëm i gjuhës shqipe, sepse ka të bëjë me ndarjen e madhe dialektore që ka ndodhur shumë shekuj përpara. Me këtë janë marrë gjuhëtarë të ndryshëm. Por ende nuk ka qenë e mundur të arrihet në një përfundim të saktë se kur ka filluar kjo ndarje. Mbi të gjitha, duhet pasur parasysh se ka qenë një fazë kur dy dialektet njiheshin si gjuhë shqipe dhe më pas lindin dialektet. Ajo që është e rëndësishme është se kjo ndarje nuk ka qenë e menjëhershme, por ka qenë me faza. Ndryshimet që kanë ndodhur në të dyja dialektet kanë ardhur gradualisht dhe nuk mund të thuhet një datë fikse, kur kanë nisur dhe kanë mbaruar këto ndryshime. Ajo që është e rëndësishme është se këto dy dialekte, në rrugët e tyre që kanë marrë brenda kuadrit të shqipes, njëri ka qenë më konservativ dhe tjetri më rinovues.
.
Cilat kanë qenë këto faza? –Në fazën e parë, gegërishtja është treguar më konservative. Sepse po të shikojmë gjuhën e përdorur në shekullin 16-të dhe ta krahasojmë me gjuhën e sotme, do shohim shumë përafërsi. P.sh. gjuha e Buzukut me toskërishten ka shumë afërsi. Ndërkaq, vetë toskërishtja në këtë fazë të parë bëri ndryshime më tepër se gegërishtja. Dhe kjo fazë e hershme shkon deri në Mesjetë.
Në një fazë të dytë, që i përket periudhës letrare nga shekulli XVI e deri më sot, rrugët e zhvillimit të dialekteve ishin të kundërta me fazën e parë. Në këtë fazë dialekti tosk, që kishte qenë inovativ në fazën e hershme, tani tregohet më konservativ. Ndërsa gegërishtja bën disa ndryshime. Pra gegërishtja fillon inovacionin.
.
Kur kanë filluar ndryshimet e dy dialekteve? -Unë kam mendimin se ndryshimet e dy dialekteve janë të lidhura me gjendjen administrative dhe me aspektin gjeografik. Dihet që, në aspektin gjeografik, ndarjet e krahinave, sidomos prej lumenjve, krijojnë ndryshime. Brenda një territori unik kemi të njëjtat ndryshime dhe jashtë këtij territori, kur ndahen nga një lumë, ndodhin ndryshime më të mëdha. Po të vësh re për gegërishten, deri në lumin e Matit kemi të bëjmë me gegërishten veriperëndimore. Pas lumit të Matit fillojnë ndryshime të tjera që i përkasin gegërishtes qendrore, që përfshijnë krahinën e Matit, të Durrësit, Tiranës. Mbas lumit të Erzenit kemi gegërishten jugore me Elbasanin, Cërrikun etj. Këto shkaqe historike dhe gjeografike të ndryshimeve kanë ndikuar dhe në ndarjen e madhe të dy dialekteve. Lumi i Shkumbinit ka luajtur një rol kryesor në këtë mes. Ka ndarë dy hapësira të mëdha, një në veri dhe një në jug. Lumi i Shkumbinit është kufiri ndarës mes dialekteve. Mund të ketë luajtur rol dhe administrata dhe këtu duhet bashkëpunimi i gjuhëtarëve me administratën, për të përcaktuar cilat kanë qenë ndryshimet administrative që kanë ndikuar.
.
Pse kryeveprat e para të letërsisë shqipe u shkruan në gegërisht?-Sepse u shkruan nga gegët. Ishin gegët dhe normalisht ata i shkruan në gjuhën e tyre. Po filloj me “Formulën e pagëzimit” nga Pal Engjëlli, i cili ka qenë prift në Mat, pra një zonë e gegërishtes. Vijmë te Buzuku. Edhe ai shkroi gegërisht sepse ishte nga një krahinë veriore. Ai ishte nga disa fshatra rreth bregut lindor të Shkodrës. Po kështu Budi, Bogdani, Bardhi e shumë të tjerë. Të gjithë ishin nga krahina gege dhe nuk kishin si të shkruanin ndryshe. Ata njihnin këtë dialekt dhe atë përdorën. Nuk bëhej fjalë në atë kohë për një gjuhë letrare, sepse dihet që fillesat e gjuhëve janë ato dialektore. Por Lekë Matrënga do shkruante toskërisht. Sepse i përkiste komunitetit arbëresh, që kryesisht janë shkulur nga krahina të jugut të Shqipërisë.
.
Gjuhtari dhe Akademiku Kolec Topalli
Gjuhtari dhe Akademiku Kolec Topalli

Çfarë dihet për periudhën e Skënderbeut, profesor? -Si gjuhë, në atë kohë, për të shkruar përdorej latinishtja, greqishtja dhe sllavishtja. Nuk ka dokument historik të asaj periudhe. Shqipja e shkruar fillon me Formulën e Pagëzimit. Deri tani nuk janë gjetur dokumente më të lashta se gjysma e dytë e shekullit 15-të. Sigurisht që në kohën e Skënderbeut janë folur dialektet. Dhe sigurisht të dyja janë përdorur, por si gjuhë e folur, se si gjuhë e shkruar nuk ka dokumente.

Fundi i shekullit 18-të dhe shekulli 19-të kanë pasur një rëndësi të madhe në zhvillimin e dy dialekteve. Çfarë mund të na thoni për këtë periudhë kohore? -Shekulli 19-të ishte një periudhë zgjimi e kombit shqiptar, një periudhë ku u vendosën fatet e popullit tonë. Sepse ajo që ndodhi në fillimet e shekullit 20-të ishte përgatitur nga njerëzit më të ditur, nga njerëzit më të shkolluar, nga njerëzit më të aftë që kishte kombi ynë, më pak në Shqipëri dhe më shumë jashtë saj. Kultura shqiptare në këtë shekull, në kushtet e një sundimi të egër turk që nuk lejonte hapjen e shkollave, revistave, etj., gjeti terren më tepër në kolonitë dhe në ngulmimet shqiptare, jashtë vendit. Ndaj dhe njerëzit më të shquar të kësaj periudhe i gjejmë në kolonitë shqiptare, duke filluar nga ato të Italisë, në Egjipt, Turqi, Greqi dhe në shumë vende të tjera deri në Amerikë. Kjo frymë bashkësie veproi shumë në aspektin e zgjimit kombëtar, të lëvrimit të kulturës kombëtare, të hapjes së shkollave. Të gjitha këto çuan në atë që u krijua alfabeti, një ngjarje me shumë rëndësi. Edhe Kongresi i Manastirit ka qenë një nga ngjarjet më kulmore të historisë së popullit shqiptar. Nga ajo rrodhën dhe shumë ngjarje të tjera që çuan në pavarësimin e Shqipërisë në vitin 1912. Kanë qenë njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare ata që vendosën që shqipja të shkruhet me alfabetin latin dhe mund të them që kanë bërë gjetjet më të mira, më të mrekullueshme, më të përshtatshme për shkrimin e shqipes. Ne duhet t’u jemi mirënjohës gjithë jetën.
.
Me sa di unë, nga njohuritë që kam, gegërishtja ishte baza e gjuhës shqipe deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pse u vendos gegërishtja? -U vendos gegërishtja, sepse ajo ishte përfshirëse. U vendos një zonë në mes të Shqipërisë dhe ky ishte Elbasani. Pra gjuhëtarët menduan që e folmja e Elbasanit, që ishte në mes të Shqipërisë, mund të shërbente si gjuhë letrare. Dhe elbasanishtja ka si bazë të strukturës së saj dialektin gegë, por një dialekt gegë shumë afër toskërishtes. Është interesante, se kam studiuar gjuhën e anonimit të Elbasanit, që mendohet se ka qenë një prift nga ajo krahinë dhe shkrimet e tij janë shumë afër toskërishtes së sotme. U ngrit dhe komisia letrare, e cila u krijua në Shkodër, me pjesëmarrjen edhe të gjuhëtarëve dhe ajo u përpoq pikërisht të standardizonte gjuhën shqipe dhe të krijonte premisat për një gjuhë letrare.
.
Profesor, si ka qenë raporti i dy dialekteve në lidhje me politikën? -Me sa di unë, në periudhën e Zogut, nuk di të ketë ndërhyrë politika në këtë pikë. Të gjitha realizimet ishin të gjuhëtarëve të dy krahëve dhe me prejardhje nga Toskëria dhe nga Gegëria. Është përdorur standardi gegë në administratë, por ka qenë krejtësisht e lirë të përdoren të dy dialektet, në shkrimet e ndryshme letrare, në letërkëmbime të ndryshme me një liri të plotë veprimi.
.
Po më vonë, çfarë ndodhi? A ka pasur diktat nga ana e Enver Hoxhës? -Ajo dihet. Standardi i mëparshëm u ndryshua menjëherë, pa ndonjë dekret. U ndryshua, sepse ishin pjesa më e madhe e politikanëve nga Jugu. Ndaj u ndryshua. U bë dhe një përpjekje për një kongres gjuhësor për ta ndryshuar në mënyrë të menjëhershme, por nuk pati sukses. Në fillim ishte një proces i lirë. Ata që shkruanin dialektin gegë kishin më pak preferencë. Dhe ishin të paktë ata që kanë shkruar në dialektin gegë. Shumë prej tyre “u persekutuan” për shkak të pikëpamjeve të tyre, të shkrimeve të tyre.
.
Profesor Doktor Kolec Topalli
Profesor Doktor Kolec Topalli

A ishte e drejtë kjo gjë? -Këto gjëra ndodhin vetëm në diktaturë. Nuk mund të ndodhin në një shtet demokratik. Demokracia është liri veprimi, liri individi, liri kulturore. Ndaj kultura ka variantet e veta dhe njeriu mund ta kultivojë atë sipas dëshirës. As u diskutua kjo çështje. Diktatori shkruante me dialektin e tij dhe nuk diskutohet që gjuha zyrtare do të ishte pikërisht dialekti tosk. Nuk u hoq menjëherë gegërishtja, por kjo ndodhi gradualisht. Edhe gjatë Luftës Nacional Çlirimtare shkrimet më shumë ishin në dialektin tosk, sepse ana e Toskërisë ka qenë më e përfshirë në luftë dhe udhëheqësit e pasluftës 90% ishin nga jugu. Qe diçka që u vendos pa vendim të veçantë, por u pranua nga qeveria, nga shteti dhe kështu vazhdoi kjo punë. Gegërishtja filloi të rrudhet gjithnjë e më tepër, derisa në Kongresin e Drejtshkrimit, ku u vendosën rregullat e reja të drejtshkrimit, u ndërpre fare gegërishtja. Arriti deri aty sa shkrimet e shkruara në dialektin gegë nuk pranoheshin nga shtypi zyrtar.

A mendoni se duhet të ketë një rishikim në këtë aspekt? -Në gjuhë kthim prapa nuk mund të ketë. Ajo që është arritur deri tani nuk mund të zhduket dhe të kthehet dhe njëherë në gjendjen e dy dialekteve, ose një përmbysje e një dialekti, duke vendosur tjetrin. Sepse një gjuhë nuk ka kthim prapa tek dialektet. Është e domosdoshme që të kemi një gjuhë letrare. Vetë zhvillimi i jetës, përbërja e popullsisë që në pjesën më të madhe flet gegërishten, krijon një mundësi që standardi i sotëm mund të marrë atë që ka mangët. Nga ana tjetër, duhet të krijojë mundësi që kultura e shkruar në dialektin gegë të mbetet dhe të mos humbë, se është një humbje e madhe për kombin. Ne duhet të bëjmë përpjekje që gegërishtja të njihet, sepse është dialekt i gjallë. Ne mund të marrim shumë gjëra nga ky dialekt. Dhe një gjë e rëndësishme është që shkolla duhet të ndryshojë programet që të njohin më mirë autorët gegë. P.sh. në shkollë nuk studiohet Fishta. Është autori shqiptar me fjalorin më të pasur të letërsisë shqipe.
.
Çfarë karakteristike ka gegërishtja që mund të pasurojë gjuhën shqipe? -Gegërishtja është një dialekt shumë i pasur. Mbi të gjitha, ka shumë tipare të lashtësisë. Ka një pasuri të jashtëzakonshme leksikore. Gegërishtja ka të ruajtura fjalë që i mungojnë shqipes. Dhe mbi të gjitha, duke qenë një dialekt që përpunohet, ka krijuar dhe fjalë të reja.
.
Profesor, me çfarë jeni duke punuar tani? -Unë kam mbaruar fjalorin etimologjik. Është një fjalor i ri në gjuhën shqipe. Përpjekje ka pasur që në shekullin 19-të, por pikën kulminante e arriti me studiuesin Eqerem Çabej. Unë kam arritur të hartoj një fjalor, ku për çdo fjalë shkruhet dhe burimi i saj, përhapja gjeografike, rrugët e fjalëve në gjuhën shqipe. Fjalori është i mbaruar, përmban 2000 faqe. Është i formatuar. Kam një vit që e kam dorëzuar për ta botuar, por ende nuk po bëhen të gjallë. Nuk e kuptoj arsyen. S’kanë fonde. Unë e kam dorëzuar në Qendrën e Studimeve albanologjike. Aty ku kam punuar si koordinator shkencor.
Marrë nga http://konica.al/2017/04/
21 Prill, 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.