back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Akrepat që na e vjedhin jetën… – nga Gabriela Mujaj

Gazeta

Gabriela Mujaj
Gabriela Mujaj

Akrepat që na e vjedhin jetën…

nga Gabriela Mujaj

Ora ka shkue plot 02:28. Nuk kam gjumë.
Mbramë vonë mbërrita në Vjenë me nji thes gjana me vedin, me violinën në krah, e dy kile ma shumë, me kujtime të bukura që bana për dy javë dhe me shumë mërzi në shpirt.
Hera e parë që kthehesha në Shqipni pas nji vjeti e gjysë.
S’i kisha provue ma parë këto ndjesi.
Nuk më shqiten për asnji çast sytë e nanës dhe babës kur u falen me mue. Nuk kien veç lot, por pafuqi e mall i pashuem kurrë. Em at asht burrë i fortë, prej atyne malësorëve që e mshefin dhimbjen dhe lotët, por jo dashninë. Me të i kam kujtimet ma të bukura të fëminisë. Edhe këtë herë i ndejta në prehën, si gjithmonë. Më ndihmoi me sistemue e me i fshi pluhnat gjithë librave te biblioteka.
Qe, ora shkoi 02:36, ajo e di që i urrej akrepat e saj që na e vjedhin jetën. Nuk kam gjumë, e marrtë dreqi, nuk më shqiten prej mendjes ato katër duer që më përshëndetshin pa pushim, ata sy të njomun e të trishtë si shelqe prej shinave të dimnit. Më vijnë ndërmend fragmente nga vitet e hershme të fëminisë, kur vijshin mërgimtarët. Në fakt, atëherë nuk e dijsha qi quheshin kështu, mendoja vetëm qi ishin njerëz me fat.
Asokohë, në mendimet e mija njerzit ndaheshin në dy kategori: ata që nuk jetojshin në Shqipni dhe ishin të lumtun e me fat dhe ata që jetojshin në Shqipni dhe ishin fatkeqë… Kujtoj do gra me ruba të bardha qi kjashin te dera e oborrit tue përcjellë fmitë e tyne edhe unë qi tanë jetën kam jetue aty veç me trup, i kqyrsha me qortim. Pleq qi u delte shpirti tue thirrë emna të munguem… nuse qi thinjeshin, tue prit burrat..
Asht ora e 40, nuk kam gjumë.
Më pihet prej venës se babës, më hahet prej bukës së nanës, s’di çka tjetër…
Shkoi e 44, po çohem me pi nji gotë dhe me ndëgjue Lukë Kaçajn. Aj za hyjnor.
Në orën 03.00 të Mëshirës Hyjnore, kam me e dvet statujën e ngrime të Krishtit në kryq, se pse na zgiedhi ne për cirene…
Zot, më nep nji provë se je, dënoi Udhë-dreqnit tanë që e lanë vendin tonë shterpë, pa fëmijë.
Ora shkoi e 1 minut, nuk më shqiten prej syve sytë e tyne të trishtë, si shelqe të lagun prej shinave të dimnit.
Dhe e ftoj Krishtin e Gjetsemanit me ardhë me pi nji gotë me mue.
Aj e njeh aq mirë tisin e trishtit në sy…

Marrë nga Muri i FB, Gabriela Mujaj, 9 janar 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.