back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Akt – Ekspertimet (Letrare) – dhe loja komuniste me vrasësit e martirëve

Gazeta

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Lojë komuniste me vrasësit e martirëve

Tashmë shqiptarët e dinë se kush janë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
dhe si u ekzekutuan mizorisht nga diktatura.
Por dinë edhe eksperten letrare që punoi për llogari të sigurimit të shtetit
duke bërë një recensë që shërbeu për pretencë për pushkatimin e poetëve.
Kjo shkrimtare e pa përgjegjshme në vend të kërkojë falje publike
del e promovohet ne Median e Tiranës për faqe të zezë të kësaj demokracie false.
Në lokalin “Bukowski” ajo e sponsorizuar nga Ministria teveqele e Kulturës
kishte planifikuar një veprimtari.
Ndërkohë një grup krijuesish të njoftuar nga poeti Agron Tufa u mblodhën po në të njëjtin vend
e të njëjtën orë për të përkujtuar dy poetët e pushkatuar.
Ekspertja letrare e diktaturës që ndihmoi hetuesinë për ekzekutimin e poetëve,
e frikësuar mesa duket nga ndonjë ballafaqim, u tërhoq dhe e anuloi veprimtarinë.
Po ne u mblodhëm gjithsesi, kujtuam poetët dhe recituam poezitë e tyre.
Ishte dhe vëllai i poetit Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi i persekutuar e dënuar edhe ky.
Kolec Traboini
.
Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Vendim: Mbi kryerjen e ekspertimit

Në Librazhd sot me dt. 28/9/1976 unë Selim Caka – Hetues në D. P. Brendëshme Librazhd, mbasi studjova materialet e dosjes penale në ngarkim të pandehurit Genc Leka.
 
Konstatova: Se në kontrollin e banesës së të pandehurit janë gjetur disa shkrime letrare të tij, vjersha. Gjithashtu në hetimin e zhvilluar i pandehuri ka deponuar disa vjersha të shkruara nga ana e tij. Për hetimin ka rëndësi përcaktimi i përmbajtjes së këtyre poezive dhe për këtë konform rregullave proceduriale,
 
Vendosa: Të kryej ekspertimin letrar të tyre duke ngarkuar si ekspert Djana Çuli – redaktore në Gazetën “Drita”, e cili do të japë përgjigje në këto pyetje:
1.-Cila është përmbajtja e këtyre poezive dhe nëse në to ka ndonjë element me përmbajtje armiqësore?
Në dispozicion të ekspertit vihen vjershat: “Kënga për miqtë e parë”, “Fillim pranvere”, “Milingonë” “Lules”, “Oxhaku”, “Viti i Ri”, “Shkolla ime”, “Kjo rrugë”, “Rrethi i Hënës”, “Poezi pa titull”, “Vjesht”, “Lirika”, “Cigani i vogël”, “Harabelat”, “Dallandyshet”, “Shkolla ime”.
 
Hetuesi Selim Caka (firma)
.
Ekspertja Letrare - Diana Culi
Ekspertja Letrare – Diana Culi

Akt – Ekspertim (Letrar)

 
Sot me datë 19.11.1976, në Tiranë, unë Diana Çuli, redaktore për poezinë në organin letrar “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të Degës Punëve të Brendshme Librazhd, Selim Caka me vendimin e datës 28.9.1976, bëra ekspertimin letrar të disa materialeve letrare që i përkasin të quajturit Genc Leka.
Nga ekspertimi i bërë këtyre materialeve rezulton se: Vjersha “Poezi pa titull”, është një vjershë pesimiste, ku autori shpreh dëshpërimin që i ka kaluar jeta e fëminisë, e cila ka qënë e bukur për të, ndërsa tani nuk është më dhe, në jetën e tanishme, i kanë mbetur vetëm gërmadha dhe gurë. Dy vargjet e fundit “që flen mes gurësh përgjithnjë në ëndërrat e mia” e shprehin qartë idenë se jeta e tij e tanishme nuk është aspak e bukur dhe se ëndërrat që kishte nuk ju plotësuan.
“Këngë për miqtë e parë”. Kjo vjershë paraqet interes. Në katër strofat e para autori flet për ca “miq” të cilët nuk i përcakton se kush janë. Këta miq që vinë në fshat, dhe kur largohen, nëpër monopatet mbeten gjurmët e tyre, pra mbetet kujtimi për ta. Kënga e këtyre miqve “tretet nëpër erë”, pra zhdukej nuk e dëgjonte njeri, kurse ata ecnin “natën nëpër rrugë”. Autori kujton me nostalgji kohën kur ata vinin dhe i sillnin atij “veç gëzime”. Duket se këta miq autori i ka parë kur ishte fare i ri në moshë (vargu “unë i vogël isha atëherë”) dhe nuk i ka parë më, vargu “vitet shkuan, ne më s’jemi parë”, këta miq të parë, siç i quan ai, e kanë frymëzuar, i kanë dhënë një flamur, vargu “ju o miq më dhatë një flamur” pra një ideal, idera. Në strofën e katërt del se këta miq mbanin “krahut maliher” dhe se “kishin parë shumë nga jeta dhe ishin trima me fletë”.
.
Akt Ekspertiza Letrare e Diana Culit për Genc Lekën
Akt Ekspertiza Letrare e Diana Culit për Genc Lekën
.
Në strofat e tjera, qe vinë më pas, dhe që i përkasin të njejtës vjershë, por me një ndarje, sikur të jenë shkruar më vonë, karakteri i vjershës papritur ndryshon. Autori thotë se këndon për ta me mall, se ata u bënë fli për lirinë, e megjithatë janë përsëri gjallë. I quan çlirimtarë, u thotë: “veç ta shihni Shqipërinë si është bërë sot”, po përsëri i quan miq të parë.Në strofën e tetë duket se bën fjalë për partizanët, me që flet se gjaku i tyre ishte fjala e Partisë për ata që kanë luftuar për liri, për gjakun e tyre (fjala dëshmor, hero, partizan, nuk përmenden) për fjalën e Partisë, për Shqipërinë sot. Por këto strofa bien në kontradiktë, me pjesën e parë ku flitet për ca miq që ecin natën rrugave, dhe u tretet kënga. Nga ana tjetër nëse autori e ka fjalën per partizanët, pse i quan ata miq të parë, kur kjo fjalë nuk është përdorur ndonjëherë as në letërsi dhe as në popull – ata janë quajtur gjithnjë dëshmorë (vjersha është shkruar në vitin 1962)
“Oxhaku” kjo vjershë ngjan disi me vjershën për miqtë e parë. Autori flet për oxhakun, rreth të cilit janë ulur shumë miq, po janë dëgjuar edhe këngë partizane. Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu: “Dikur rrodhën disa pika gjaku…” është i errët, sepse nëse autori e ka fjalën për kohën e Luftës Nacional-çlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak. Ndërsa vargu: “Ky oxhak e dogj një pyll të tërë” nuk merr shpjegim në vjershë. Pse e dogjën pyllin? Kur, si, për ç’arsye?
“Kjo rrugë”. Vjersha nuk është shumë e qartë. Autori flet për një rrugë malore, “me gjurma në zall” e cila humbet diku, nëpër pyje dhe për të ai ndjen një mall të madh. Kjo nuk është rruga e shtëpisë së tij, sepse ai thotë që “fëmijët i lashë”, pra po ikën nga shhtëpia, por shpreson se një ditë edhe ata do të nisen drejt “rrugëve të reja”. Rruga diku e con autorin, por ai nuk e tregon se ku, gjithashtu nuk shpjegon pse ndjen mall për të. Ndoshta ajo i kujton mjaft gjera të kaluara, të bëra në kohë më parë, ndoshta ajo e shpie drejt një mendimi të caktuar. Rruga mund të përfaqsojë edhe idetë e tij (se cilat janë spjegohet) ide që dikur i pati humbur dhe i gjen përsëri.
“Rrethi i Hënës”. Kjo vjershë ka tingëllim pesimist. Duket se autori flet sikur i është nxirë jeta. Vargjet “o hënë pse dole kaq e trishtuar, mos vallë për mua, hënë ti mban zi” tregojnë qartë për mendime të zymta. Në strofën e dytë duket sikur vjersha është shkruar për një vajzë që e braktis i dashuri, (dy vargjet e fundit të strofës së dytë) por në tërësi vjersha është pesimiste shpreh trishtim e mërzi ndaj jetës.
“Cigani i vogël”, vjersha është me dy kuptime i pari, jeta e vështirë e ciganit, i dyti, shpreh vështirësitë që mund të heqë në jetë njeriu dhe në të vërtetë ai e ka shkruar për këtë qëllim, sepse në vendin tonë s’ka më karvane cigane. Ai thotë “Oh, fli, djalosh sa është natë dhe mos derdh lotë mbi lumë”, pra sa është jetë e zezë, më mirë fli e mos qaj, bëj sikur s’sheh, se do vijë koha kur do të nisësh rrugën e gjatë e të lodhshme (pra koha për veprim). Cigani, (nënkupto vetë autorin), do eci vetë nëpër këtë rrugë (përpara është nisur karvani, pra shokët e tij) por nuk do të jetë kaq e lehtë sepse do hasë pengesa të shumta (vjeshta do hedhë sipër ciganëve gjethe e fletë).
“Harabelat”. Vjersha ka një farë alegorie. Me zogjtë që s’mund të jetojnë në dimër mund të nënkuptohen njerëzit që jetojnë në një atmosferë të rëndë dhe kërkojnë të largohen (si zogj në vende të ngrohta) dhe quan qiell pa re (jetë pa vështirësi). Megjithatë zogjtë e duan këtë vend si njeriu Atdheun) dhe, edhe pse është keq, ai nuk do të largohet prej vendit të tij (si zogjtë që kthehen përsëri).
Siç shikohet në vjershat që bëhet fjalë më sipër apo nga vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegori, gjë që tregon se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike dhe se vetë autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm ay prandaj kërkon rrugë për të dalë.
 
Diana Çuli (firma)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Dikur, pushkatimi i poetëve.
    Sot, nderim i ish agjenteve.
    Po të jetë kjo, drejtësia
    Ç’është vallë çmenduria?
    Në shoqërinë shqiptare,
    Ikën një ferr, që
    të vijë një tjetër… Ferr

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.