back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Akt-ekspertimet letrare të poezinë “Saharaja” të Vilson Blloshmit nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Poeti Vilson Blloshmi (1948-1977)
Poeti Vilson Blloshmi (1948-1977)

Akt-ekspertimet letrare të poezisë “Saharaja”

të Vilson Blloshmit

 nga Bedri Blloshmi

Akt-ekspertimi letrar i Koçi Petritit

për poezinë “Saharaja” të Vilson Blloshmit

Është vjershë hermetike, dmth. e errët nga përmbajtja dhe figuracioni. Është vjershë simbolike dhe vende vende kalon në alegori. (flet për një gjë dhe kërkon të aludojë për diçka tjetër) nën këtë alegori fshihet një mendim tjetër. Vjersha hermetike është rezultat i ndikimeve të rrymave letrare dekadente si simbolizmi.
Manifestime të figuracionit të errët kritikoi pleniumi i KQ, shoku Enver në këtë plenium midis të tjerash tha: “në poezi është shfaqur prirja e përdorimit të një figuracioni të errët, në kundërshtim me traditën e poezisë aq të qartë shqipe. Disa të paktë poetë të rinj filluan të adoptonin në poezitë e tyre hermetizmin. Kjo është fare e huaj për letërsinë tonë.” (Raport pl. IV, faqe 20)
Cili është kuptimi i kësaj vjershe hermetike dhe simbolike? Për ta kuptuar këtë duhet qartësuar se ç’kuptim ka simboli “Sahara” dhe simboli “Natë”. Vjersha në fjalë nuk është një peisazh i thjeshtë, dmth. përshkrim mbi shkretëtirën e Saharasë Afrikane.
Po të qe kështu ajo do të kishte detaje të një shkretëtire, ndërsa këtu përmendet emri dhe rëra. Së dyti, kuptimin direkt të kësaj shkretëtire me një hapësirë shumë të madhe e ngushton vargu “Saharaja është një copë tokë”. Së treti dhe më e rëndësishmja është se nuk ka kuptim që njeriu të shkruaj një vjershë për një vend që nuk e njeh që është jashtë sferës së vëzhgimit të tij. Ky
interesim gjeografik, në qoftë se do të supozohej se do të ishte kështu, a po do të pretendohej është gjithashtu absurd, është pa lidhje. Së katërti, po të ishte ky, thjesht një peisazh atëherë në vjershë nuk do të gjente vend mendimi se kjo shkretëtirë ngrihet si një mallkim, i krijuar prej njerëzimit dhe që i duhej njerëzimit.
Në vjershë del mendimi se ky njerëzim e thërret kujtimin e shkretëtirës kur urren e mallkon. Kjo ka lidhje me atë mallkim që një njeri ia drejton një tjetri, apo një vendi, apo botës duke u shprehur: u shkretofsh u bëfsh si shkretëtira. Pra, vjersha po të ishte peisazh do të dilte si pjellë e natyrës dhe jo si pjellë e njerëzimit, e shoqërisë njerëzore. Simbolikën e vjershës e kuptojmë deri në një farë shkalle po të kemi parasysh pozitën e vetë autorit të saj. Çfarë qëndrimi mban ai ndaj realitetit tonë socialist? Me ç’sy e sheh ai jetën tonë? Pakënaqësia ndaj këtij realiteti e bën atë të shprehë mendime dhe ndjenja regresive nihiliste. Simboli “Sahara” është në adresë të vendi të caktuar. Ku mund të jetë ky vend i cili në vjershë del pa miq e shokë, pa bij e bija. Simboli “Sahara” është sqaruar deri në një farë mase me vargun “Saharaja është një copë tokë si dhe me detajet shkëmb… e gurë.” Dhe nata këtu gjen veç gurë për shtrojë. Po kështu edhe me vargun “Saharaja e mban vesh e qesh etj” “Kur ai për keq e mban në gojë” (mbase është fjala për njerëzimin) apo për ata miq e shokë që “Saharaja s’i ka”.
Aludimi më i afërt, pra është për një vend të vogël. Një copë tokë që është në konflikt me miqtë e shokët që s’i ka edhe me natën me të cilën nuk shkon mirë. Nga fryma e përgjithshme e vjershës për autorin kjo “copë tokë, pa miqë e shokë është shkretëtirë” e rrethuar nga armiqësia dhe mallkimi e si një plagë mbi shpinë të rruzullimit. Ajo i shërben njerëzisë si mallkim që del në momente urrejtjeje. Kjo copë tokë nuk shkon mirë as me natën. Po cila është kjo natë? Çfarë simbolizon ajo? Që nata këtu është një simbol kjo duket nga detajet: “Nata nuk shkon mirë me shkretëtirën”, “natës nuk i pëlqen që të ketë veç gurë për shtrojë”, “perçja e saj e zezë nuk ka ç’të mbulojë” sepse në shkretëtirë që është një copë tokë, fjala dashuri e njerëz nuk ka. S’ka as lot të qajë, as këngë të këndojë, s’di të ëndërrojë… kështu pra, kësaj cope toke i mbetka vetëm mallkimi që e thërret nga skuta kujtimi i dehur. Ideja e vetmisë, e shkretëtirës, përsëritet gjatë gjithë vjershës dhe mbyll edhe fundin e saj: “shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë”. Po le të kthehemi tek simboli “natën” që është në konflikt me simbolin “shkretëtirë.” Shkretëtira siç e thotë vjersha, ka dy lloj forcash me të cilët nuk shkon mire: me shokët dhe miqtë që s’i ka dhe me natën. Kështu nata qenka jashtë sferës së shokëve dhe të miqve që shkretëtira si ka. Dmth. “nata” është një forcë brenda sferës së “Saharës” dhe konkretisht mbi të si perçe e zezë, po që s’ka se ç’të mbulojë. Simboli natë është më i pakuptueshëm. Po të jetë nata një forcë që e simpatizon autori ajo duhet të ishte në rrethin e miqve dhe shokëve që s’i ka kjo copë tokë. Atëhere mbetet të jetë një simbol i një force që nuk e do autori, që për atë është natë. Ç’gjë mund t’i duket natë në realitetin tonë autorit? Në qoftëse simbolet i qëndrojnë këtij interpretimin në vjershë aludohet (bëhet fjalë në mënyrë alegorike të tërthortë). Për këtë copë tokë të shkretuar, të braktisur, të vetmuar ku sipas autorit jeta qenka shkretëtirë. Aty s’ndërtohet asgjë. Bile kjo “copë tokë” ndjeka kënaqësi (fillon të gëzojë…) e përdorka si mallkim.
Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithshka që lidhjet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori e cila e bën me një përmbajtje reaksionare. Vjersha ka dhe mjaft vargje pa kuptim, të errët dhe kontradiktorë që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos e thënë direkt mendimin. Nuk e besoj që vjersha të ketë interpretimin jashtë simbolit dhe alegorisë që përdor. Për simbolin e ka vende vende të pa kuptueshëm dhe manovrues.
Librazhd, 20.01.1977
Eksperti Letrar: Koçi Petriti
 .

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

 Akt-Ekspertimi Letrari Myzafer Xhaxhiut

Myzafer Xhaxhiu i kërrusur nga pesha e krimit që mbart mbi shpatulla, është shpërbyer për shërbimet e bëra. Ky ekspert i shkrimeve të Vilsonit në frengjisht përcaktoi shumë prej poetëve francezë si dekadentë. Ai është dekoruar nga ambasada franceze, ajo greke dhe nga Presidenti i Shqipërisë.
Sot më datën 29 tetor 1976, në Tiranë, unë Myzafer Xhaxhiu pedagog i letërsisë së huaj pranë U. Tiranës, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të D. P. B Librazhd, Ligor Kondili me vendimin e tij të datës 28.09.1976, bëra ekspertimin letrar të disa materialeve letrare që i përkasin të quajturit Vilson Blloshmi. Nga ekspertimi i bërë i këtyre materialeve rezulton se: në këto blloqe ka shënime të ndryshme në formë proverbash fjalë dhe shprehje të ndryshme të mbledhura andej e këndej, të përkthyera nga gjuhë të huaja. Këto, si dhe vjershat e ndryshme fragmentet e shkëputura nga libra të ndryshëm flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme. Ja ç’thuhet në një vend:
“S’ka asgjë më të vërtetë, të bukur përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithshka që është e dobishme është e shëmtuar.”
Ose: “Njëriu është lindur skllav, ai është skllav i domosdoshmërisë absolute.”
Vjershat në frengjisht janë të poetëve dekadentë, pesimistë regresivë si Shatobriani, La Martini, Rembo, Bodler, Syli Prudon, etj. Nga këta autorë nuk është përkthyer asgjë, sepse vepra e tyre ka përmbajtje negative, reaksionare. Në këto vjersha i këndohet mërzitjes, trishtimit, vdekjes, pabesisë, thua se jeta s’ka asnjë kuptim, iu këndohet ideve patriarkale, çdo gjë të vjetëruar, të destinuar të perëndojë. Edhe kur është marrë ndonjë citat nga shkrimtarë përparimtarë si Shekspir, Hygo, Bajron, Gorki etj., është marrë ajo që është më negative. Kështu përshëmbull përmendet një citat nga Gorki: “Nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri.” Përsa i takon vjershave si “Saharaja” mund të merret dhe në kuptimin direkt por edhe si aluzion.
Eksperti letrar: Myzafer Xhaxhiu
 .
Shënim: Për më shumë se një muaj mbas ndryshimit të akt-akuzës na nxorën në gjyq më datën 6 deri më 13 qershor 1977. Plani i masave për gjykimin e çështjes penale është bërë nga gjyqtari Subi Sulçe dhe prokurori Qani Lavdari.
Mbajnë të njejtën datë me protokollin e sekretarit të parë Sotir Koçollari, më datën 28.04.1977 po aty shkruhet për dënimit kapital të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, pa u bërë gjyqi!
.
Eksperti Letrar Koçi Petriti
Eksperti Letrar Koçi Petriti

 Saharaja poezi nga Vilson Blloshmi

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
e ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
.

Saharaja s’di të ndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë

Saharaja nuk ka miq as shokë,
Saharaja nuk ka bijë e birë.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë
.

As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Porse thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
.

E kur bie ndrojtur rrez’e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusinë e harresës tret…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

.
Vilson Blloshmi 25.10.1973

 .
Në foto: Koçi Petriti, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe veprat e tij

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.