back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Aktorë pa Kujtesë”- me ruejtë përfundimisht kujtesën tonë – nga Gjergj Jozef Kola – Refleksione nga drama e Primo Shllakut

Gazeta

Aktorë pa Kujtesë  - Gjermanisht - Dramë nga Primo Shllaku
Aktorë pa Kujtesë – Gjermanisht – Dramë nga Primo Shllaku

“Aktorë pa Kujtesë”- me ruejtë përfundimisht kujtesën tonë.

nga Gjergj Jozef Kola

Refleksione nga drama e Primo Shllakut

Primo Shllaku nxjerr nga arkivat e kujtesës dramën “Aktorë pa Kujtesë“ për me e përjetsue ket kujtesë.
Realizmit Socialist, për herë të parë nji dramë shqiptare i luen requiemin, nji requiem sa absurd aq edhe real, siç ishte edhe vete kjo rryme e artit diktatorial.
Primo Shllaku si mjeshtër që asht i zdrukthon arkivolin kësaj rryme të dështueme që konsumohet në vedi si nji alzheimer kolektiv.
Mjeshtri Shllaku ndërton në ket dramë karaktere të zbrazuna nga jeta, karaktere prej mizash të ngordhuna në fijet e merimages, të cilat janë në humbje e sipër të kujtesës dhe ai e përjetson mjeshtërisht ket kujtesë.
Letersia që kujton të pakujtuemen, harresën e qëllimshme, asht risi e pashoqe e letrave dhe e skenës shqiptare. Asnjiherë ma fort se sot nji dramë e tillë nuk i ishte dashtë vetëdijes shqiptare të sulmueme nga tana anët nga nji amnezi e qëllimshme: harresën e të kaluemes dhe krimeve të saj.
Krimet e nji shoqnie nën diktaturë nuk janë vetëm ato që shihen, si numri i kampeve të shfarosjes, si burgjet dhe internimet, porse mbi të gjitha janë institucionet ku vriteshin përditë shqiptarët e mjerë dhe të pa mbrojë.
Që prej skenës së parë e deri në mbyllje kjo dramë e mban spektatorin peshë njashtu siç mban nji tel vjeshte zogjtë e lagun dhe në fund i përplasë të gjith përdhè.
Në skenën e fundit, mbas Cernobilit të njeriut të dështuem, mbijeton vetëm drejtori aparatçik, nji anadollak i paskrupullt, i cili realizon andrrën e tij 50 vjeçare: shitjen e teatrit. Jetojmë kështu nji shitje tjetër paralel me atë të Anijes së mbytun të diktaturës.
Drejtori shet karriget, shet detin, shet skenat, shet ndihmat nga bota, ai shet gjithçka që e mban gjallë kujtesën. Sindromi i antishqiptarëve që janë janë gati me shitë gjithçka që nuk ju përket: kulturën autentike shqiptare, shqipen gege, muzikën origjinale, gurët e kështjellave që ilirët jua lanë si trashëgim shqiptarëve në nji erozion shkatërrues për me arritë qëllimin fatal: fshimjen e kujtesës së vendasve, shprishjen e rranjës.
Çdo teatër në perëndim do e kishte si fatlumni me vu në skene nji dramë të tillë. Kjo dramë e shkrueme në ditët që nisi amnezia e qëllimshme shqiptare struket ende ne aktivën private të autorit, pa e gjetë dritën e skenës.
Zombit që janë mbyllë në arkivolin e ksaj drame, drejtojnë ende sot teatrot shqiptare. Këto zombi që nuk e kapërcyen kurrë vedin me u ba artistë dhe poetë, i mbushën me afshin e vdekun në këto 30 vjet skenat e teatrove shqiptare.
Zogjtë e Primo Shllakut qindrojnë të ngrimë mbi telat e stinës se pafund dhe askush nuk po i shkund. Karakteret e skalituna mjeshtërisht e plot jetë jo vetëm e bajnë dramën ma aktuale se asnjiherë, porse mbi të gjitha ato krijojnë për skenën shqiptare karakteret e saj reale që pak dramaturgë e arrijnë.
Megjithse autori ka gjetë zgjidhjen mos me i pagëzue me emna të përvetshëm personazhet, porse me emërtime, spektatori mund të gjejë te drejtori i teatrit tipikun militant, të porositun nga partia, nji tip ala “isalibali“, i cili për herë të parë shkelë në teatër ditën kur partia e emnon drejtor. Te regjizori (edhe ky i paemëm) na mund njohim tipin e regjizorëve “aladokle“ që solli me vedi kur u emënue në Shkodër, sekretari i parë “sulejmanbushatas“, me nji veprim tipik bolshevik.
Do të kishte mjaftue 1 % e shumës që asht harxhue këto 27 vjet nga teatri i bashkisë Shkodër apo vetëm 0.1 % e atij të Tiranës me dramat postsocreale të autorëvë bashkohës shqiptar, për me hypë në skenë Dramën e Primo Shllakut, kët emblemë në mes dy kohësh të letrave shqipe.
Porse kët Akt të natyrshëm për kulturën shqiptare nuk po e kryen askush, madje as vetë Bruno Shllaku, vëlla prej gjaku, porse jo “Seelenverëandtschaft“ me autorin, ndërkohe që mediokriteti po e mbushë teatrin e zbrazun postddiktatorial, si nga e majta ashtu nga e djathta.
Gjuha që përdorë autori asht e thjeshtë, e kjartë, e pastër dhe ndryshon si nata me ditë me dramat që janë vue në skenë këto 30 vjetët e fundit. Kjo dramë asht Lapidarium në kufinin e dy kohëve, Himalajë shqiptare të cilën “halet e postdiktaturës“ përpiqem me e mbulue. Standarti i ’72-it u ngjet këpucëve prej druni që mandarinët u veshnin jetimëve kinezë, fëmijve kërcimtarë për me ju mbetë kamba e vogël. Këto këpucë kanë firmën e Kadaresë dhe Agollit dhe standarti asht ndërtue për ata, mbi ata dhe nga ata. Kushdo që shkruen në Standart asht padyshim nji kopje në stil e këtyne këpucëve.
Gegnishtja dhe autorët gegë sapo i kanë zhdeshë ato këpucë.
Unë uroj që edhe toskënishtja ta bajë nji gja të tillë, të zhvishet nga standarti komunist e të ndjekë rrugën e Frashërit, Nolit, Konicës, Lasgushit, Kutelit dhe poetëve të mëdhej të saj. Vetëm nji poet i mirë asht nji dramaturg i mirë dhe Primo Shllaku i plotëson tana kushtet e nji shkrimtari të madh. Kjo dramë asht prova.
Nisë nga kjo, përkthimi i kësaj dramë dhe shpërndamja e saj në teatrot europiane i ban nderin ma të madh kulturës shqiptare në përgjithësi dhe asaj skenike në veçanti.
Ky do jetë projekti i ardhshëm për lirimin e kulturës shqiptare nga e keqja që e ka zaptue.
Vjenë, 28 Nandor 2017
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.