Aktorja Ema Andrea dedikim kryeministrit Rama…
Aktorja e mirënjohur Ema Andrea i ka kushtuar një status në facebook Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me ftesën që ky i fundit ka bërë për të gjithë artistët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në këtë status aktorja i është referuar “Natës së Bardhë”, duke e cilësuar kryeministrin Rama si “prepotent provincial, i cili ka ftuar artistët e huaj dhe harron brenda vendit…” Madje ajo i kujton se kushtet në të cilat punojnë artistët në vend janë të vështira dhe nuk shpërblehen mjaftueshëm. Ja se çfarë shkruan Ema në statusin e saj kundrejt Kryeministrit: “Në natën e bardhë, Ministria e Kulturës më lajmëron se Portat e të Madhnishmes Kryeministri do të jenë të hapura në orën 9 për artistët, jo për ndonjë takim, por për të parë mobiljet dhe korridoret!! Më erdhi të qesh në fillim me këtë prepotencë prej provinciali që të fton të shohësh kolltuqet e reja. Pastaj më erdhi keq për veten, për kolegët, për sakrificat! Më vonë mora vesh se rreth së njëjtës orë Kryeministri pinte një gotë verë me artistët që jetojnë jashtë… Bukur… Shumë bukur Zoti i Shtëpisë!!
Ata munden me të nderu me ardhjen e tyre, jo vetëm se kanë ecur me talentin dhe punën e tyre, por edhe sepse kanë para për të blerë një biletë avioni! Unë, i dashur zoti i Shtëpisë, nuk kam mundësi të blej biletën e avionit, përsa arritjet e mia nuk shpërblehen financiarisht (dhe këtë ju e dini shumë mirë) e kështu s’mundem me qenë në tryeza mikpritjesh, por ftohem për me pa karrike dhe mure bosh! Kam punuar në këtë vend, pa drita, pa ujë, e zhgënjyer dhe e gënjyer nga të gjitha politikat kulturore shqiptare, e kam nderuar këtë vend kudo ku kam shkelur në skena e auditore ballkanike dhe evropiane… dhe jam kthyer sërish këtu… në tokën time të cilën e jetoj edhe në të keqen e vet!… Kështu kam zgjedhur… por kjo s’më bën më pak të talentuar e aq më pak nuk më vë në rreshtin e lypsarëve që i ftoni të habiten me muret dhe me kolltukët tuaj!!
Të bardhë e paç mendjen siç ke mosmirënjohjen dhe fyerjen, i dashur Zoti i shtëpisë që… ani… unë t’kam zgjedhë… e tash m’duhet me të durue!!! edhe Ty…!!!”
…shkruan Ema Andrea në profilin e saj në Facebook.
(shekulli) 4 dhjetor 2013
Ema Andrea u lind më 18 gusht 1971. Aktore në teatër dhe filma si dhe pedagoge në Akademinë e Arteve.