back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Alain Delon ose Bukuria Vrastare Alain Delon: Në kërkimin e fëmijërisë time të humbur – esse nga Skënder Sherifi

Gazeta

Alain Delon në një nga filmat e tij
Alain Delon në një nga filmat e tij
Alain Delon ose Bukuria Vrastare
Alain Delon: Në kërkimin e fëmijërisë time të humbur
esse nga Skënder Sherifi

Të nderuarit Miq dhe Mikesha,
pas Jean-Paul Belmondos, na iku para pak ditësh për në botën tjetër edhe Ylli i fundit mashkullor i kinematografisë franceze, me rrezatim planetar, zoti Alain Delon, dhe ky lajm nuk mund të na lerë indiferent, sepse na ka përcjellë gjatë gjithë jetës tonë: filmat e tij, personaliteti i tij, shikimi i tij, fytyra e tij, energjia dhe jehona e tij… pra, na ka lënë ai Njeri aq i posaçëm, një vulë, një gjurmë, një kujtesë dikund në shpirtin tonë. E kemi të gjithë deshëm apo nuk deshëm, një copëz të Alain Delonit brenda vetes. E pse, qysh, me çka?
Unë, e kualifikova me qëllim aktorin gjigant francez, me këtë titull dhe nëntitull të këtij shkrimi, sepse mendoj që i korrespondojnë perfekt, ngaqë, janë pikërisht ato dy elemente, të cilat mund ta përmbledhin karrierën dhe jetën e tij. Si paradoks i gjallë, me atë sindromin evident të Marylin Monroes, ma keni vjedhur, fëlliqur dhe sabotuar Fëmijërinë time, dhe tani keni për ta paguar, duke më dashur, admiruar, idolatruar deri në pikën e fundit, edhe pse etja e ime për dashuri është e pashërueshme, një oqean i pafund, edhe pse e dimë që më në fund, do jam i dënuar nga vet Jeta jonë, për ta përjetuar një vetmi absolute, duke i shpalosur kujtimet e mia të kaluara, si një album i shenjtë fotografik!) Pra, ka diçka prustiane (Marcel Proust) tek Alain Delon, por gjithashtu edhe celiniane (Louis-Ferdinand Celine). Por më në fund: “na ishte një herë Bukuria… e çfarë bukurie, o Zot?” si në filmin sublim të Viskontit adaptuar nga libri i Thomas Mann: “Vdekja në Venedik” me muzikën apokaliptike të Gustav Mahlerit… ku në një moment thotë personazhi kryesor: “ai që i lëshon sytë mbi bukurinë, i ka lëshuar edhe mbi vdekjen!” Po, po, të nderuar lexues, është ai magnetizmi magjik, misterioz, enigmatik, i papërshkrueshëm, i cili në një moment të caktuar mund të pushtojë çdokënd prej nesh. Nëse vjen pyetja përfundimtare për t’i thënë të interesuarit: “o zoti Delon, po si mund ta përshkruajsh ti vetë jetën tënde me një formulë? Çka ke mësuar nga kjo jetë? Cili mund të jetë këshilli, apo pleqëria e juaj për né?”
-Së pari kam luajtur në maksimumin e mundshëm me bukurinë time, e cila ishte kapitali im dhe e kam shfrytëzuar pa limit.
-Dhe së dyti, kam qenë gjithmonë në kërkesën e fëmijërisë time të humbur, të frakturuar, të plagosur shpirtërisht, dhe nuk kam mujtur kurrë për ta shëruar siç duhet atë dhimbje, atë mungesë permanente, atë vakuum egzistencial. Kam startuar me karta katastrofike në jetë!
Prandaj, kam jetuar gjithë jetën, në thelb, në esencë, mjaft i vetmuar në botën time dhe me kodet e mia, i rrethuar me 50 qen të racës policore, deri te ky i fundit, miku im besnik Lubo, të cilin mund ta eutanazioni pas meje, pasi që kam kërkuar me testament, që të varrosemi tek parku gjigant i Shtëpisë ime në Douchy, në atë kishëzen e vogël, të cilën e kam pas ndërtuar me kohë, pikërisht për atë qëllim, ngaqë dëshiroj për të pushuar bashkë me qentë e mi. Pavarësisht depresionit kronik, i cili ja ka lënë një ngjyrë tragjike jetës time, jam krenar për gjithë çka kam bërë dhe e shtyra deri në këtë moshë 88 vjeçare me rreth 90 filma si referencë, 8 deri në 10 prej të cilëve mund ta kapërcejnë kohën, sepse mund të konsiderohen si vepra 100 % përqind artistike, të cilat e nderojnë pa dyshim artin e shtatë.
Janë edhe ato 3 femrat ikonike që e kanë dashur tmerrësisht, e pa rezervë Deloni, dhe të cilat i ka si shtylla permanente, mbi të cilat është ndërtuar si Njeri, së pari, dhe si aktor së dyti, edhe pse, kanë qenë më tepër në shërbimin e tij, duke u përgjigjur fantazmave dhe kërkesave të tij, nganjëherë të tepruara, mos edhe tiranike, kështu që e kanë duruar aq sa kanë mundur, deri kur janë dorëzuar… Me një egocentrik të tillë, kuptohet që nuk është lehtë!
Po flasim për Romy Schneider, e bukura Perandoreshë “Sisi”, dashuria e tij e parë e rinisë, ajo që nuk mund të harrohet kurrë, ngaqë e ruan një parfum poetik idilik, por edhe dështimi tragjik i asaj marrëdhënie, për shumë arsye, të cilat e dojnë gati një libër për ta sqaruar. Pastaj vjen Nathalie Delon, pak a shumë gati alter-egoja e tij, me atë lloj karakteri pa koncesion, dhe më në fund, ndoshta ajo, e cila ju ka përshtatur pak më tepër stilit dhe mbrendësisë së tij, sepse kanë qenë të ndërtuar në një brumë. Pra, Natalia është Deloni në model femre, kopja e tij, simotra shpirtërore, porse kur nuk i pëlqen një gjë, kur diçka e irriton, shpërthen dhe eksplodon keq, si vet Deloni, ngaqë është e papërmbajtur dhe në idealin e saj, ëndrron për diçka absolute 100 % përqind të pastër dhe pa rrena, çka në jetën normale nuk ndodh kurrë… Dhe më në fund, vjen zonja Mireille Darc, edhe ajo, aktore, e cila e ka pasur, por në një mënyrë krejt natyrshëm, atë psikologji te infermieres, të nënës, të motrës së madhe, e cila të këshillon për mirë dhe kujdeset në maksimum për ty, dhe paralelisht edhe të dashnores, që rrinë në vendin të cilin ja kanë atribuuar. Bile, kur ndërroj jetë nga sëmundja, pat deklaruar Alain Deloni, që jeta e tij pa Mirelën, nuk ka tani asnjë vlerë për të, dhe që mundet me u zhdukë prej kësaj bote që nesër, pa asnjë pendim.
Mirëpo, me këtë aktor ekspecional, komplet jashtë normave, duhet për t’u nisur nga fillimi.

Alain Delon... (dy anët e një medalje)
Alain Delon… (dy anët e një medalje)

Alain Delon, lind në vitin 1935 në Francë, duke e pasur për babë, zotin Fabien Delon, i cili ka vdekur në vitin 1977, pasi ka punuar si drejtor të një salle filmi në Bourg-la-Reine, kurse nëna e tij quhej Edith Arnold (ka vdekur në moshën 84 vjeçare në vitin 1995) dhe punonte si nëpunëse në një farmaci… pra, aktori ynë, vjen nga një familje e borgjezisë së mesëme provinciale franceze. Tani, duhet për ta imagjinuar siç duhet jetën e këtij djaloshi dhe me e pyetur vetën: po çka do kishim bërë neve dhe sesi do kishim reaguar në atë rast, dhe si do kishte qenë fati jonë në të ardhmën? Ngaqë, nuk janë hajgare banale kafesh këto punë!
Në vitin 1939, kur Alain Delon është 4 vjeçar, do ndahen keq prindët e tij, dhe në një mënyrë krejt egoiste dhe të papërgjegjshme fare, që mos ta kemi këtë fëmijë ndër këmbë, do e fusin në një familje adoptive mikpritëse, por që nuk është familja e tij, pra janë njerëz komplet të huaj për të. Kështu, që kjo ngjarje ekstreme krijon një thyerje shpirtërore dhe emocionale të madhe dhe të pariparueshme te Alain Delon, të cilën nuk mund ta shlyejë kurrë, dhe do e përcjell gjer në frymëmarrjen e fundit të jetës së tij. Kjo frakturë fëminore, do e diktojë më vonë gjithë karakterin dhe sjelljen e tij në jetë… por aty, do futen pastaj në shtesë disa elemente të tjerë. Bile në një intervistë televizive të bukur me Bernard Pivot, në pyetjen e fundit kur e pyet Pivot-ja: më në fund çka do kishe dëshirë për me të thënë ty personalisht Zoti? – Dhe përgjigjet: “do kisha dëshirë të më thotë, eja tani, se më në fund, ja ku i ke prindërit e tu, të dy së bashku dhe në harmoni!” dhe me mënyrën emocionale sesi e tha, më shpëtuan disa lotë!
Ja pra, fjala, dhimbja shpirtërore e një plaku mbi 80 vjeçar, që e ka famën dhe karrierën eksepcionale të Alain Delonit… por që nuk mund ta shlyejnë as oskarët, as cezarët, as sukseset, as milionat, as vilat, as makinat, as ari apo diamanti!
Babai i tij adoptiv është guardian burgu në Fresne. Si fëmijë, do të luajë përditë në ato terrenet afër burgut, dhe do kalon kohën disa herë dhe me vizitorët e jashtëm që vijnë për t’i pa, herë pas here, të burgosurit e tyre. Ky është universi i fëmijërisë të Alain Delonit: i rritur me dy prindër të huaj, e duke bredhur nëpër rrugë, terrene, oborre, kopshte afër një ndër burgjet më gjigante të Francës që janë (Fresnes dhe Fleury Mérogjis). Dikur e çojnë prindërit adoptivë në shkolla katolike, por nga sjelljet e tij të pa disiplinuara, do ta përjashtojnë 6 shkolla.
Prindërit adoptivë do të lodhen me të dhe do i ankohën nënës së tij Edith, duke i thënë, nuk po dimë se çka të bëjmë me kët laper të luajtur mendsh, a po na heqni qafe? Ajo zonjë, duke qenë e rimartuar tani për së dyti, me zotin Paul Boulogne, një tregar mishi në kasaphane, i cili blen dhe shet mishra dhe salame të ndryshme, do ta ruajë me çdo kusht qetësinë e saj me bashkëshortin e ri, pa e pasur në ngarkim atë fëmijë, të cilin e ka hedhur gati midis rruge qysh kur ishte 4 vjeçar. Por, megjithatë, e kap një ndjenjë faji kristiane dhe e lut burrin e saj, Paul, për t’ia gjetur një shkollë profesionale, një punë dhe një banesë? Dhe ky çuditërisht, i përgjigjet pozitivisht, do e pranojë në shtëpinë e vet duke ja lëshuar një dhomë dhe do e punëson në tregëtinë e tij të mishërave, ku i ka edhe 16 persona, të cilët punojnë për të.
Fillimisht, Alain Delon disiplinohet një minimum, shkon në shkollë dhe e merr një diplomë teknike për kasap i specializuar dhe punon rregullisht tek Burri i dytë i nënës së tij Edith. Por shumë shpejt do mërzitet, e kupton që ky zanat nuk mund ta përmbush gjithë jetën dhe ardhmërinë e tij, edhe pse nuk e di aspak natyrisht në atë moshë tepër të ré, se çka dëshiron në realitet për të bërë?
-Çka do, por, kasap gjithë jetën: jo se jo!
Si adoleshent krejt i ri, e luan një rol tek Babai e një miku të tij Olivier Bourguignon, në një metrazh të shkurtër. Pastaj, siç vepronte dikur Artur Remboja, tenton për të ikur me një auto-stop dhe disa mashtrime të ndryshme, mendja e tij, për L’amerika, si albanezët e dalur nga Gulagu nën qiell të hapur të Enver Hoxhës, ëndrron të shkojë të jetojë në Chicago, të Amerikës, me plaçkitë ndonjë Bankë me Al Caponen, por do e ndalë Policia në Bordeau. Pra, do bredhë këndej e andej, do flejë ku të mundet nëpër shokë dhe shoqe, do vjedhë, do trafikojë, do mbijetojë mbarë e mprapshtë, dhe dikur në moshën super të ré, vetëm 17 vjeçare, sa për ta shijuar aventurën e vërtetë, si të ishte ajo punë një rol në një film, një sfidë me vetveten: “ta provoj se deri ku mund të shkoj dhe se çka do më sjell ajo eksperiencë?” – shkon për t’u angazhuar në ushtri, në shërbimin ushtarak të Marinës Kombëtare. Mirëpo, duke mos e pasur akoma moshën e duhur madhore, 18 vjeç për ta pranuar ushtria, prindët e tij e firmosin një dokument, duke e dhënë pëlqimin e tyre. Por, në vitin 1953 duke e vazhduar formimin e tij ushtarak, do shkojë Alain Delon për t’i vjedhur disa materiale ushtarake, instrumente radiofonike për komunikim, kështu që Marina Kombëtare do t’i thotë: o për t’u larguar definitivisht prej ushtrie, (hup dhe del përjashta me një shqelm bythve) ose si dënim moral, për ta vazhduar edhe 5 vite suplementare, eksperiencën tënde me Marinën Nacionale? Dhe ashtu, do e dërgojnë në Indokinë, ku zhvillohet nëpër xhungël, një luftë tepër e egër dhe e pamëshirshme, siç e keni pa edhe ju vetë në të gjithë filmat amerikanë mbi Vietnamin. Pastaj, do e arrestojë ushtria në Indokinë, sepse zoti Delon, e ka vjedhur tani një Jeep për të bërë pak turizëm nëpër Azi, dhe për t’i shijuar kafet dhe bordelet e vendit. Dhe kështu, imagjinojeni situatën e tij, në ferrin indokinez!
Do e festojë Alain Delon, 20 vjetorin e tij në një burg ushtarak të Vietnamit. Pa folur pastaj fare për eksperiencën unike dhe të rrallë, që ka përjetuar andej nga Indokina, për të cilën nuk është zgjatur kurrë, ka qenë dhe është akoma sot, një zonë e errët, e pasqaruar dhe e padokumentuar siç duhet? Pra, nuk dihet saktësisht se çka mund të ketë përjetuar Alain Delon gjatë atyre viteve të rinisë së tij në terrenet dhe fushëbetejat e Indokinës!? Gati një Black Out total!
Ngaqë, nuk ka pasur atje, Klub Mediterrané, ose Pushime all inclusive në Bodrum apo në Dubrovnik. Porse, e ka zbuluar disiplinën ushtarake, vlerat dhe solidaritetin e ushtrisë, sensin e nderit, respektin ndaj kodeve, ndaj Flamurit dhe pasionin ndaj armëve… Bile, të gjitha këto elemente, i ka ruajtur mund të thuash gjatë gjithë jetës së tij. Kodet ushtarake, kodet banditeske apo mafioze, kodet sportive… mbi këto elemente ndërtohet karakteri dhe sjellja e tij në jetë.
I kam pas thënë shpeshherë vetes: ai djalë, e ka brenda vetes, një anë malsore, korsikane, diçka kanunore, ku veprojnë disa rregulla precize. Sepse, vjen i formuar nga aventurat dhe dramat e tij, nëpër rrugët e Francës, dhe pastaj në fushëbetejën e Indokinës. Dhe aty, nuk bëhet fjalë për shtojzovalla dhe zana malesh në Mirditë apo Peshkopi…
Jo, jo, në arenën e jetës së egër bruto, je si në ringun e boksit, ku vetëm të fortit mund t’ia dalin me sukses, ngaqë, nuk e ke nënën tënde për të përkëledhur, as Jacques Lacanin për të thënë, “eja e shtrihu në kolltukun tim dhe po të ndihmoj për t’i hequr mjegullat dhe ngarkesat e tua të kota…” Në ato rrethana mbretëron vetëm ligji i mbijetesës me çdo kusht dhe nuk ka aty pastaj shumë llafe, komente apo analiza morale.
Në vitin 1956, do rikthehet Alain Delon në Paris prej nga Indokina, në moshën 21 vjeçare.
Nuk ka punë, nuk e dinë se me çka mund të merret, ka këputur çdo lidhje me prindërit e tij natyrorë (Fabian-in dhe Edith-ën) dhe do marrë çka t’i ofrojnë: me shkarkuar mallrat nga kamionet, kamarier nëpër kafet e Champs-Elyzées, banon në Hotelin Regjina të Parisit, takon dhe kalon një aventurë me këngëtarën e njohur franco-italo-egjiptiane Dalidà… po ashtu, do bredh më vonë disa kohë në zonat “Pigalle – Montmartre” me banditët, trafikantët, dilerat, delinkuentët e përditshëm dhe prostitutat e dy sekseve. Njëri prej tyre, një homoseksual i quajtur Carlos, do e merr komplet në mbrojtjen e tij personale. Dhe sikurse në ushtri, shihet qartë, që i pëlqen ajo botë margjinale e banditizmit të vogël, të mesëm apo të madh, me kodet e saj strikte dhe një farë besnikërie në mes. “…se nuk tradhtohet një shok!” Bile, deri në fund, pa u formalizuar fare, i ka pasë ruajtur disa lidhje miqësie edhe me ato të quajtura mafioze. Fjalën e ka pasur fjalë dhe besnikërinë e ka pasur kult! Ç’ka do e konfirmon edhe regjisori ikonik i filmit francez Jean-Luc Godard, në vitin 1990, pas filmit që kanë bërë së bashku… – “Po zoti Jean-Luc, si jeni marrë vesh me Alain Delon-in dhe a keni mujtë për t’u kuptuar?” dhe ai është përgjigjur: – “Mrekullisht mirë, sepse ai i ka për nga natyra e tij, ato rite dhe kode komunikimi të gjeneratave të vjetra, të Banditave të mëdhenj, ku fjala e ka një peshë dhe sjellja e ka një dinjitet… prandaj, komunikimi ka qenë i thjeshtë dhe i qartë me të. Nuk kam asnjë ankesë! Kurse me Gérard Depardieu, jo… se, ai nuk ka për nga edukata e tij, asnjë normë, parim, princip dhe evoluon pa kritere precize në jetë. Improvizion gjithçka brenda një çregullimi dhe kaosi të mbrendshëm total, porse nuk ka vijë drejtuese.” Pastaj, me bukurinë e tij eksepcionale, gjysmë hyjnore, gjysmë djallëzore, pra jo bukuri vrastare, kundër të cilës, askush nuk mund të rezistonte gjatë

Alain Delon & Romy Shnaider
Alain Delon & Romy Shnaider

…Të gjitha femrat, por edhe meshkujt, duke u nisur nga ato Prostitutat e lagjes, do dashurohen në të, do e mbajnë tek apartamenti i tyre dhe disa prej tyre, edhe do punojnë për të. Një jetë pak a shumë mes një aventuristi dhe një zhigolo, tamam si Richard Gere në filmin: “American Gigolo”.
Por edhe aty, dikur do mërzitet dhe do e fiksojë një limit… “Jo, motherfucker, se nuk do mundemi për të vazhduar ashtu me vite, duke më mbajtur femrat dhe meshkujt, si zhigolo luksi! Jam dikushi, jam Alain Delon, jam luftëtar i Indokinës, dhe duhet t’ua tregoj të gjithëve se kush jam? Avanti Popolo… Bandiera rosa!”
Vjen tani në lagjen e njohur dhe mitike të Saint-Germain-des- Prés, ku gjithë kohën 24 orë në 24, gulfon arti, aventura, takimet, zbulimet, projektet, revolucionet, dashuritë, utopitë… dhe në netët parisiane, e takon aktorën e njohur Brigitte Auber, pikërisht në atë Klubin Shën Zhermen, dhe ajo do mpihet nga bukuria e Delonit gjer në ekstrem dhe meqenëse ka ra në një dashuri të pakontrolluar, do i propozojë për të jetuar së bashku në apartamentin e saj luksoz të Parisit 7, me një komfort maksimal. Kështu, që Alain Deloni do largohet nga Pigalli dhe zona banditeske e Parisit, nga gjithë ajo shoqëri e mëparshme, për të takuar tash e më tutje, meset artistike dhe borgjeze. Do e marrë Brigitte Auber me vete në Festivalin e Kanës të vitit 1957, dhe do banojnë në një Vilë në Saint-Paul de Vence, në Provencë. Aty, në Festival, do ja prezanton shoqja e tij agjentin e vet, zotin Geroges Beaume, disa miq aktorë të njohur si Jean-Claude Brialy… dhe kështu gradualisht do hyjë në ato meset kinematografike franceze, por edhe internacionale, sepse në atë Festival të Kanës, e ke prezent gjithë botën. Në një moment, i propozon producenti David O. Selznik për ta bërë një provë në Romë.
Dhe shkon Alain Deloni, duke banuar tek një fotograf italian, i cili do bëhët më vonë i famshëm, zoti Gian Paolo Barbieri. Do i kalojë me sukses të gjitha provat dhe dikur zoti Selznik do i propozojë një kontratë 7 vjeçare për në Amerikë, por me kusht që ta mësojnë perfekt anglishten. Pra, do i fillojë disa leksione me shoqen e regjisorit francez Yves Allégret, zonja Michèle Cordoue, e cila edhe ajo, sikurse të tjerat, do të hipnotizohej komplet nga bukuria e tij përrallore dhe e pa përshkrueshme, dhe do ishte natyrisht edhe dashnorja e tij. Mirëpo, pastaj, ajo do i thotë me insistim burrit të saj “shikon, o i dashur, duhet detyrimisht që ta marrësh këtë djalosh në filmin tënd të ardhshëm, a more vesh, se s’bën ndryshe!” Dhe ai, duke e pa natyrën e tij, do i japë një rol të rëndësishëm në filmin e tij: “Quand la femme s’en mêle”, në vitin 1957. Dhe Yves Allégret do i thotë, sepse ja kupton thelbin dhe fuqinë natyrore, diçka që nuk mund të vijë nga akadamitë e arteve apo konservatoreve artistike, por nga vetë jeta bruto: “Shiko Alain, mos aktro fare, mos u sforco për asgjë, okay? Fol lirëshëm dhe natyrshëm, siç po flet tani me mua… shikon lirshëm siç po më shikon mua… pra, mos luaj fare, por përjetoje situatën ashtu siç je ti… dhe pikë!” Dhe natyrisht do jetë atraksioni i filmit, sa që të gjithë do harrohen, aq do i zotërojë Delon me magnetizmin e tij, gjithë ekranin. Pastaj, do luajë një film tjetër, me vëllain e Yves Allégret, zotin Marc, me titull: “Sois belle et tais-toi” 1958, ku për të parën herë e takon në distribucionin e roleve edhe Jean-Paul Belmondo-n. Tani, duke e konstatuar se çka po ndodh me jetën e tij dhe si po zhvillohen gjërat, ai i kupton menjëherë këto dy elemente esenciale:

Jean Paul Belmondo & Alain Delon në 1980
Jean Paul Belmondo & Alain Delon në 1980

-I pari është ky: …e kam një kapital të rrallë dhe unik, diçka që më tejkalon edhe mua… atë bukuri marramendëse… dhe më duhet për ta përdorur për ta arritur kulmin, pa pikën e rezervës… Pasi, po mpaken meshkujt dhe sidomos femrat para meje, do t’i trullosë dhe do t’i çmendë të gjithë pamëshirësisht me këtë bukuri, por jo krejt falas, sepse, do më japin atë çka e dëshiroj unë dhe pikë. Pra, do e instaloj një marrëdhënie pushteti… me një deal të qartë!
-Kurse elementi i dytë është: Që mua, po më pëlqen kinematografia, për të luajtur role, pa ndonjë stërmundim të madh, ngaqë, po më rekomandojnë të gjithë regjisorët për të qenë ai që jam unë, në vërtetësinë e natyrës time dhe për ta interpretuar rolin, si të isha duke e përjetuar unë vetë atë skenë në jetën time të përditshme, pa e stërholluar, cerebralizuar, intelektualizuar, thelluar me 100 pyetje të kota… veçse për ta përjetuar sa më lirshëm dhe sa më natyrshëm dhe pikë! Duhet që më në fund, të mbahet në mend, ngjyra, brumi, parfumi, energjia, magnetizmi i Alain Delon-it në ekran, pavarësisht rolit që ka… Ajo është vula e aktorëve të mëdhenj botërorë. Tani, për nga ana tjetër super praktike…
Po fitoj plot lekë, po jetoj në luks, po m’admirojnë të gjithë, po m’idolatrojnë, dhe pse jo, le ta shfrytëzoj këtë pozicion gjer në fund. Ngaqë, nuk kanë dalur të gjithë mendsh dhe kot nuk e bëjnë, për budallëk, porse mendojnë që ja vlej dhe që e meritoj. Kush do e paguan Lionel Mesin apo Ronaldon me miliona pa e merituar fare, dhe pa e pasur më në fund, ndonjë fitim komercial me ta? Është vetë ligji i tregut… Kështu, që aventura e tij kinematografike do vazhdojë dhe do rrezatojë kudo në botë…
Po, e filloj me një film artistikisht i parëndësishëm fare, që quhet: “Christina” 1958, e regjisorit Pierre Gaspard Huit, sepse, aty pos faktit që e luan rolin kryesorë me aktorën gjermano-franceze internacionalisht të njohur nga seriali: “Sisi – Perandoresha e Austrisë” Romy Schneider, do bien të dy në dashuri gjatë atij xhirimi, dhe do vendosin për të jetuar së bashku. Dhe në atë kohë, duke qenë të dy me një bukuri hipnotike, sipas mediave dhe opinionit publik, do jenë detyrimisht “çifti mitik i kinematografisë franceze dhe evropiane”
Të ndjekur dhe të radiografuar hap pas hapi nga gazetarët dhe paparacët, në çka asnjëri prej tyre nuk ishin të mësuar. Alain Deloni është 23 vjeçar dhe Romy 20 vjeçare! Por me jetën e valavitur dhe xhirimet që kanë njëri dhe tjetri nëpër botë, ajo aventurë do zgjatë 5 vite, dhe në dhjetor 1963, do e gjen Romy një letër të Alain Delonit ku i thotë: të uroj çdo të mirë, po ta dorëzoj zemrën time me këto trëndafile të bardhë, por jam tani në Meksiko me Natalinë, jo atë rusën që e këndon Gilbert Bécaud, por me të dashurën e tij të dytë, e cila do jetë edhe nëna e Anthony Delon, zonja Nathalie Delon. Do takohen në një diskotekë pariziane, do martohen në vitin 1964 dhe do ndahen pas 5 vitesh gjatë vitit 1969. Pastaj, në vitin 1968, do e vazhdojë një lidhje 15 vjeçare me aktoren franceze Mireille Darc, të cilën e ka pas njohur që në vitet 1960, por me të cilën do e ndanë rolin kryesor në filmin: “Jeff” 1969, të regjisorit Jean Herman, dhe të dy do vendosin për të jetuar së bashku deri në vitin 1983. Ndërkohë, pavarësisht këtyre tri lidhjeve kryesore të jetës së tij, Alain Deloni, për nga natyra e tij e thellë, është një puro aventurier dhe egocentrik, dhe nuk do mend, që i ka koleksionuar me qindra aventura të tjera të përkohëshme, aty ku ju ka dhënë rasti dhe këto tri femrat e tij, e kanë ditur atë gjë, pa asnjë dyshim. Tani, nëse i shoh restrospektivisht këto 3 dashuri madhore të Alain Delon-it dhe i analizoj me filtrin tim personal të Poetit, mund t’iu them që: me Romy Schneider-in, është ajo dashuria e parë, e kallur, a pa kalkuluar, plot hove dhe pasione, romantike, rinore, plot surpriza dhe shpërthime, por edhe me idhnime dhe kriza… porse ajo dashuri nuk mund të harrohet as pas 100 vitësh…!! Por, asnjëri prej tyre nuk ishte tamam i pjekur për ta administruar siç duhet me kohën, sidomos në ato rrethana mjaft komplekse, porse ka qenë sipas meje, dashuria kryesore e jetës së tij, për nga ana shpirtërore dhe emocionale, ajo që ja ka dhënë shkundjet dhe dridhjet maksimale, por edhe lotët dhe mërzinë maksimale.
Fundi i jetës së Romy Schneiderit ka qenë dramatik, ngaqë do i vdesë djali 14 vjeçar, nga një incident super idiot, duke u therrur pahir në bark mbi një gardh me hekura të mprehtë përsipri, dhe ajo aktore dhe nënë fumksionale me djalin e saj të dashur, nuk do mund ta kapërcejë as ta përballojë atë dramë. Pastaj, në një farë mënyre, zhytet komplet në një depresion të thellë, të cilin e ushqen pa asnjë limit me alkoole, me plot medikamente famaceutike të ndryshme, deri kur i pushon zemra, në një vetmi totale… dhe një ditë, do e gjejnë të vdekur në apartamentin e saj në vitin 1982. Kurse me Natalinë, ka gjetur atë alter-egon e tij femërore, mirëpo, ajo i ka rezistuar dhe nuk i është dorëzuar fare, nuk ka bërë lëshime para kërkesave dhe kapriçove të tij, bile ka ndodhur që edhe ja ka futur shuplakë mjedis publikut, çka e don një farë guximi kur flitet për atë aktor. Pra, ka qenë një femër e vendosur me temperament, me një karakter deri diku tepër të përafërt me Delonin. Dhe ato lloj lidhjesh nuk munden për ta pasur jetën e gjatë. Sepse, askush nuk mund të kompletohet me fotokopjen identike të tij… çdo herë në furi, eufori, zhurmë, pasion, sharje, pajtim, dikur bëhet super e lodhshme dhe njëri prej tyre, do i bjerë me shqelm dhe do ikë për të provuar diçka tjetër.

Alain Delon e shoqja Nathaly dhe i biri Anthony me 1966
Alain Delon e shoqja Nathaly dhe i biri Anthony me 1966

Kurse me Mireille Darc, ka fjetur rehat, sepse ajo ka qenë në një farë mënyre motra e madhe, këshilltare, nëna e urtë, infermierja, por edhe dashnorja e tij, dhe ja ka toleruar të gjitha anët e tij eventualisht negative, plus edhe aventurat e tij anekse.
Nuk duhet me harrue kurrë, që ai Djalë vjen nga rruga, nuk është rritur me një familje normale, stabile, e cila e ka dashur, nuk ka pasur ndonjë edukatë familjare as shkollore. Pra, e ka formuar rruga dhe aventura, e mund të thuash Indokina gjatë 4 viteve. Sipas fjalës: “ku rafsha – mos u vrafsha… hajde, e ta provoj, dhe do shohim, punë e madhe!” Pastaj, kur ka ardhur përsëri në Paris, ka jetuar prap dita me ditë, në aventura, delikte të vogla, duke e mbajtur femrat dhe meshkujt dhe duke e pasur si kapital kryesor, atë bukurinë e tij legjendare. Prandaj, nuk duhet pritur prej tij, për të qenë një burrë ideal në një lidhje martesore, as një babë ideal, çka më duket mua evidente.
Kurse, në aspektin puro kinematografik, karriera e tij e merr një dimension internacional në vitin 1960 me disa filma referencial kult: “Plein Soleil” 1960 , i regjisorit fantastik francez René Clément, ku shpërthen bukuria elektrike dhe hipnotike e Alain Delonit, në një thriller psikologjik të orkestruar për mrekulli. Do mahniten edhe amerikanët me filmin, dhe i pari, vet Martin Scorsese, dhe duke e pa Lucchino Viskonti këtë aktor UFO, gati marsian, i cili e len gojë hapur… mund të shtoj që edhe do dashurohet komplet në të, do ja propozon një rol gjenial në filmin e tij: “Rocco dhe vëllezrit e tij” në 1960. Kështu, që karriera e tij do i kalon të gjitha kufijtë e botës. Delon – është një yll i filmit në Francë, por tani edhe në Itali, dhe pas pak edhe në mbarë Planetin tokësor. Pastaj, do vjen edhe filmi sublim i Michelangelo Antonioni: “Eclipse” në 1962, ku Deloni shkëlqen si agjent traider në bursën monetare, dhe më kujtohet kritika e filozofit francez Gilles Deleuze, me të cilin jam zhagitur disa kohë nëpër bare dhe restorante pariziane, film i skanuar perfekt, në fletorët e tij kinematografike. Mos harroni që në Francë, filmi trajtohet seriozisht dhe ultra profesionalisht, si një art me veti madhore, baras me një roman të Prustit apo të Floberit. Nuk është si në Amerikë, një industri e zbavitjes dhe një biznes i rëndomtë, sikurse të tjerët, por është diçka, që e pasuron thesarin kulturor të një kombi dhe të një shteti. Atëherë, vazhdon me atë filmin kult të pa arritshëm sot nga askush: “Le Guépard” 1963, nën regjinë perfekte, kulmi i kulmit, nga Luchino Viskonti, me siguri Personi më i kompletuar dhe i kultivuar që ka njohur deri sot arti i shtatë. Pra, ka qenë një enciklopedi në vete, siç e ke pasur në Itali më vonë, zotin Umberto Ecco, njerëz universalë me një kulturë të palimit dhe me një rafinim ekstrem. Bile kush është ai që nuk e ka pa dhe nuk e ka admiruar këtë film? E çka mund të thuash mbi Alain Delon-in, Burt Lancasterin, Claudia Cardinalen? Magjia e papërshkrueshme e artit të 7!
Prej këtij momenti, nga Poli i veriut deri në Polin e jugut, aty ku ka salla filmi, nuk ka një person që nuk e njeh tani Alain Delon! Edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në Rusinë e Stalinit, në Kinën e Maos, apo në Korenë veriore të Kim il Sungut dhe të psikopatit aktual.
Mund të citohet si referencë serioze edhe filmi: “L’insoumis” 1964, të regjisorit francez Alain Cavalier, i cili e trajton temën e luftës në Algjeri dhe atë të dezertimit ushtarak. Filmi: “Paris brûle-t-il?”, 1964 të regjisorit René Clément, ku e luan një rol edhe Jean-Paul Belmondo. Filmi i regjisorit francez madhor dhe referencial sipas meje, për sa i përket zhanrit policor, thriller, suspense psikologjik, me një minimalizëm budist në sfond, super efikas, ku çdo gjë shkon direkt tek esencialja… pra, mjeshtri absolut Jean-Pierre Melville, ku Alain Delon të magjeps vetëm me lëvizjet dhe shikimin e tij, pa folur shumë: … “Le Samourai” 1966. Pastaj, e kam pas përmendë në librin tim të fundit… Ka luajtur në një film, të inspiruar nga një vepër erotiko-poetike, e mikut tim André Pieyre de Mandiargues, e cila më ka pas pëlqyer shumë: “La Motocyclette” 1968, të regjisorit anglez Jack Cardiff, me aktorën këngëtare Marianne Faithfull. Por nuk kam arritur akoma për ta pa, edhe pse m’intereson!
Një film tjetër shumë me rëndësi është edhe: “La Piscine”, i treti me regjisorin Réné Clément, në vitin 1969, ku e rigjen përsëri të dashurën e tij të rinisë, Romy Schneider, gati 10 vite më pas, dhe atmosfera e xhirimit është super elektrike dhe erotike. Mund të citohet edhe filmi: “Le Clan des Siciliens” 1969 – i regjisorit Henri Verneuil, sepse në zhanrin policor, thriller, ky film i konkurencon pa problem edhe filmat e përkryer amerikanë.
Dhe po në atë zhanër, filmi tjetër, por me dorën magjike të Jean-Pierre Melville: “Le Cercle Rouge” i vitit 1970, ku luan edhe Yves Montand, Gian Maria Volonté dhe Bourvil.
Pastaj, për nga ana më tepër simbolike, ngaqë ishte dëshira e tij për ta ndarë një film me dy rolet kryesore së bashku, dhe ai vetë e ka parapërgatitur atë projekt nga A-ja deri në ZH, po flas për filmin e Jacques Deray, i vitit 1970, që quhet “Borsalino” me Jean-Paul Belmondo, një film policor, i cili do korrë një sukses publik të plotë, me miliona spektatorë nëpër salla.
Duhet ditur një gjë dhe është esenciale: këta dy persona, aktorë popullorë ,gjigantë me famë internacionale, kanë qenë konkurentë, në një garë permanente mes veti, të cilën e ka pasë orkestruar dhe ushqyer për mrekulli gjithë shtypi dhe televizionet franceze, por edhe kanë qenë miq në jetën e përditshme, kanë pasur një respekt të thellë njëri për tjetrin. Mirëpo, konkretisht gjithë kinematografia franceze, për nga ana financiare si industri, sepse, leku e ka rëndësinë e tij, edhe pse po flasim për art, është bazuar në këta 2 Emra, si motorr kryesor për t’i montuar filmat dhe buxhetet, me shpresë për të korrur fitime financiare, me të cilat kanë mundur t’i financojnë disa projekte pak më intime, autoriale dhe antikomerciale. Pra, po fitojmë disa miliona dollarë me Delon-in dhe Belmondo-n, dhe pastaj mund ta financojmë një Godard, një Alain Resnais, një Manoel de Oliveira, të cilin mund ta shohin në maksimum 100.000 veta, mos edhe më pak, porse, si art referencial, do ja vlen për në kontekstin kulturorë puro francez. Pra, spektakli dhe industria Zbavitëse, Po… por edhe ana tjetër: “Art dhe Ese të Autorëve, Po!” Ky quhet “eksepcioni kulturor francez, unik në botë dhe në Europë, ku vetë shteti e mbështet artin dhe kulturën kombëtare dhe shpeshherë edhe ndërkombëtare. Nuk mund ta imagjinoni se sa regjisorë të huaj, të ardhur nga katër anët e Planetit tokësor, kanë mundur t’i xhirojnë filmat e tyre, vetëm sepse i ka financuar Franca? Kështu, që Alain Delon-i me Jean-Paul Belmondo-n, e kanë mbajtur gjallë gjithë indrustrinë kinematografike franceze për minimum 30 vite, duke qenë kulmi dhe ikona e saj… Plus edhe kanë qenë siç ju thashë “konkurentë”, por në konceptin pozitiv të fjalës. Bile, e kam dëgjuar Alain Delon-in në një intervistë me Bernard Pivot, animatorin emblematik të letërsisë franceze dhe botërore në kanalin e dytë publik francez, duke thënë: “me mikun tim Jean-Pol, na kanë futur në një konkurencë të shëndoshë, dhe si përfundim pas 40 viteve karrierë, ai në rrugën e tij dhe unë në timen, ka raste që ai ia ka dalë të jetë fitues dhe i pari, ka raste të tjera që ia kam dalë unë para tij, por sidoqoftë më në fund, e kemi mbajtur të dy, gjithë kinematografinë franceze në këmbë dhe e kemi bërë maratonën të bashku. Por, si në çdo sport, për të qenë më i miri, si Usain Bolti apo Muhamed Aliu, duhet pasur një konkurent dinjitoz i nivelit tënd, për të shtyrë për të shkuar edhe më larg. E kjo ka qenë marrëdhënia ime me Belmondo-n. Porse, miqësia dhe respekti kanë predominuar mbi të gjitha. Mos harroni që dallojmë komplet nga karakteri, formimi dhe rrugëtimi ynë, pra, nuk jemi njësoj, as të ndërtuar me një brumë. Sepse, Jean-Paul Belmondo, vjen së pari nga një familje e ngritur me babain e tij skulptor madhor, i cili e çonte në muzeun e Luvrit për çdo javë dhe në atelienë e tij, dhe ka evoluar në një familje të harmonizuar, të kultivuar dhe të edukuar, me një stabilitet psikologjik dhe emocional, një siguri të plotë në vete. Pastaj, ai e ka mirë e keq, një formacion shkollor në konservatoriumin e artëve dramatike, ka mësuar teatrin, lojën e aktorit, e ka një bazë pedagogjike dikund, edhe pse natyra e tij ka qenë tepër e veçantë dhe ka predominuar më në fund, por mbi një bazë shkollore dhe kulturore. Kurse, unë vij nga hiçi, nga rruga, nga aventurat dhe jam ndërtuar si një kafshë e egër duke iu përgjigjur instinktit tim dhe e kam zhvilluar përmes takimeve dhe eksperiencave të ndryshme, një kulturë të improvizuar komplet autodidakte, pa struktura të paracaktuara apo të paraprogramuara. Unë, nuk kam ëndrruar për të qenë aktor, dhe kam ardhur në botën kinematografike krejt aksidentalisht, përmes femrave që më kanë dashur dhe idolatruar, dhe duke e provuar, më ka pëlqyer dhe i kam shfrytëzuar të gjitha avantazhet e atij profesioni.
Pastaj, është një nuancë e madhe që duhet nënvizuar: unë nuk jam aktor, në konceptin klasik të akademive, nuk jam Laurenc Oliver i shkollës londoneze, jam Unë në çdo rol dhe asgjë tjetër … sepse, vi në çdo rol, me bagazhin që ma ka dhuruar jeta ime, eksperiencat e shumta. Nuk vij me leksionet e shkollave… Unë nuk luaj komedi, por jam roli! Pra, siç kanë qenë gjithë aktorët e mëdhenj ikonikë të filmit amerikan apo këtu në Francë, zoti Jean Gabin, o Lino Ventura. Neve, e imponojmë praninë, energjinë tonë në çdo rol, dhe prandaj dëshiron aq shumë publiku të na shohë në disa filma. Janë fansa, na kanë adoptuar!
Po, e vërtetë, Belmondo është një personalitet i ekuilibruar dhe i natyrshëm, popullor dhe super simpatik, të cilin njerëzit nëpër rrugë dhe kafe, e përshëndesnin duke e thirrur direkt në emër, apo duke ja rrahur shpatullat, si ta kishin shok, dhe ai ju sillte mirë të gjithëve, pa asnjë problem. Kalonte ajo energji 100 % përqind popullore, diçka e regjistrit pak më intim… e njohim, është sikurse ne, mund ta kishim pasur shok, e do sportin, kafet, femrat, hajgaret, humorin, gastronominë, verërat, nuk është mendjemadh, e ka një simpati të lindur të natyrshme, nuk na snobon fare… mund ta prekim, mund ta përqafojmë, mund t’ia kërkojmë një foto apo një autograf me shkrim dhe e dimë që do na përgjigjet…” -Ju e patë vet se si e përcolli Franca, në ceremoninë e Invalidëve, në një mënyrë edhe popullore dhe grandioze me një respekt maksimal.
Ndërsa, Alain Deloni ka një natyrë tjetër, komplet të kundërt, është shumë më i mbyllur, më sekret, më misterioz, më i pa disponueshëm, më melankolik, më depresiv, dhe nuk mund t’i afrohesh aq lehtë, për ta thirrur në emër, apo për t’i thënur “hej, o mik…” se do ta hash një shuplakë apo një fjalë nënçmuese.” Nuk është i buzëqeshur, është bile hijerëndë, si ta kishte gjithë botën mbi shpinë, ashtu siç ishte babai im në shtëpi… unë ju dukja si një i droguar i luajtur mendsh. Delon-i jeton me plagët e tia të pashëruara të fëmijërisë, e ka si shok apo shoqe jete autentike, Vetminë e tigrit… të vetmit që i duron dhe i do për një kohë të gjatë deri në fund, janë qentë e tij… e pse ? Ngaqë, ata e dojnë besnikërisht gjer në fund, pa i kërkuar asgjë, i rrinë në këmbë dhe e dëgjojnë, janë aty prezent rreth tij, por pa e penguar, pa i diktuar diçka, pa e kritikuar, pa i thënë, pse nuk po e bënë këtë punë, apo këtë tjetrën? Shiheni ju vet fundin e tij: “më varrosni aty ku i kam varrosur të gjithë qentë e mi!” sepse, Delon-i ka jetuar me kujtimet e tia, në kohërat e kaluara, e jo në të tashmën aktuale, sepse kjo kohë e sotit, e irriton në maksimum, e urren, e pshurr e dhjet mbi të, nuk i sheh asnjë vlerë, asnjë kualitet… sheh vetëm degjenerim dhe antivlera, e jo se e ka plotësisht gabim, por ai e çon gjer në ekstrem dhe ka thënë disa herë… nuk më intereson asgjë nga kjo epokë, dëshiroj vetëm për të kaluar në botën tjetër, me shpresë a mos do e gjej Romy Schneiderin, Mirelën, Jean Gabin, Luchino Viskontin, Jean Pierre Melville, Belmondon, Venturën, etjerë, atje lart.” Atëherë, s’ke asgjë se çka të shtosh në realitet. Duhet ta pranojmë ashtu siç është dhe pikë! Si njeri privat dhe intim, ka qenë super i komplikuar dhe i papërshtatshëm. E ka pasur atë hije të rëndë dhe atë energji negative, depresive, diçka që të fundos e të plumbos, edhe pse kur është paraqitur në publik, ka ardhur me atë Personazhin e tij, të bukuroshit, të yllit madhor të filmit dhe ka shkëlqyer gjithëkund. Porse, pas atij personazhi, pas bukurisë ikonike dhe mitike, ka vajtuar ai fëmija 4 vjeçar, të cilin e kanë braktisur prindët, ai djaloshi 17 vjeçar, për të cilin prindët e tij nuk kanë hezituar për ta hequr qafe, e të firmosin që të hyjë në ushtri dhe ta dërgojnë në Indokinë apo kudo tjetër… Imagjinojeni, që ta bëj unë atë veprim me djalin tim Rafaelin: tingëllon që nuk po mërzitem fare për fatin e tij… le të merret ushtria me të e le ta çojnë në çfarëdo fronti luftarak, punë e madhe! “Bile, nuk ka mundur për t’ua falur atë gjest të ultë prindve të tij… Delon është rritur si qeni i rrugëve nëpër Shqipëri!
Por jeta e ka shpëtuar, dhe së pari bukuria e tij e paparë askund, pastaj femrat e mahnitura.
E ka pasur krejt natyrshëm atë energji të egër kafshërore, hipnotike, dhe kur ka hyrë Alain Delon dikund në një lokal, janë ndalur njerëzit, me meshkuj dhe femra dhe e kanë shikuar atë fytyrë engjëlli dhe djalli duke kaluar… janë turbulluar pa e kuptuar pse, sepse ka ndodhur diçka, por çka? Aty, qëndron edhe misteri i Alain Delon-it! Magnetizmi i tij, i pashoq …
Më kujtohet edhe filmi jo shumë i njohur, por për mua super interesant i Valerio Zurlinit me titullin: “Le Professeur”, i vitit 1972, ku e luan super mirë, rolin e një profesori të letërsisë në Rimini të Italisë, dhe bjen në dashuri me një studente të tij, duke e tradhëtuar gruan. Pastaj, e ke Vrasjen e Trotskit të Jozef Losey, po në vitin 1972, ku luajnë edhe Richard Burton me Romy Schneiderin. Filmi tjetër me Jean-Pierre Melville që quhet: “Un flic” 1972, me Catherine Deneuve dhe Richard Crenna. E ka edhe filmin fantastik të dytin me regjisorin e njohur Jozef Losey, me titullin: “Monsieur Klein” të vitit 1976. Duhet cekur edhe një eksperiencë speciale me papën e Nouvelle Vague zoti Jean-Luc Godard, në filmin pikërisht të titulluar ashtu: “Nouvelle Vague” në 1990, dhe ky takim kinematografik Delon – Godard është sipas meje mjaft interesant realisht, edhe pse i kam disa rezerva.
Nuk i kanë munguar as shpërblimet e ndryshme në jetë. Edhe pse, nga një lloj arrogance dhe narcisizmi që e ka pasur në mënyrën sesi ka komunikuar me të tjerët, ato meset zyrtare të kinematografisë, pra, establishmenti, mund ta ketë me siguri xhelozuar dhe lënë pak anësh, të izoluar në botën e tij… Por, përpos atyre 10 medaljeve dhe vlerësimeve të nderit, që do i merrte nga rrethet politike apo ushtarake zyrtare, në fushën më artistike të filmit, Festivali i famshëm i Berlinit do t’i jepte “Arushën e Artë” për ta nderuar gjithë karrierën e tij në vitin 1995. Po ashtu, do vepron edhe Argjentina, Egjipti, Rusia, Italia, Turqia, deri në të famshmin Festival të Kanës, i cili do e shpërblen me “Palmën e Artë”, për ta kurorëzuar gjithë karrierën e tij, në maj të vitit 2019. Ku do përgjigjet me gëzim, por edhe me mërzi dhe ironi: “ju falënderoj që ma keni dhuruar një shpërblim postum, do të thotë postmortor, porse paradoksi është që jam akoma gjallë dhe nuk prishë shumë punë!”
Tamam, sikurse në sferën e dashurisë me ato tri femrat e tij emblematike, në kinematografi, mund të thuhet që dashuritë e tij madhore janë ata tre regjisorët të cilët e kanë kuptuar, asimiluar perfekt magjinë dhe kompleksitetin e personalitetit të këtij aktori gjigant që ka qenë Alain Delon-i, ata që e kanë filmuar për mrekulli, deri në atë masë, ku shpërthen fuqia e tij sharmuese përtej ekranit, ajo bukuri vrastare, për t’iu rikthyer temës fillestare të shkrimit tim. Aty ku ky aktor ka eksploduar me të gjitha parametrat e talentit të tij… janë po ata 3 kineastë që e kanë kapur dhe kanë atë mister, atë egërsi instinktive dhe atë fuqi të Delon-it, atë shikim magjik, atë energji erotike, mashkullore dhe femërore, diçka që na mahnit e turbullon dikund deri në subkoshiencë të thellë… Po, po, sepse Delon është diçka tjetër, pak siç ka qenë Marlon Brando, i fillimeve në ekran, me Elia Kazan-in, një fenomen i rrallë, të cilit pakkush mund t’i rezistojnë, ngaqë janë Personalitete të tjera, pak UFO, komplet jashtë normave të zakonshme dhe të cilët vijnë për të na u imponuar me një energji dhe një stil krejt tjetër… Kështu, që janë këta tre kineastë gjenialë që kanë ditur se si duhet për të na ofruar edhe neve si spektatorë gjithë atë spektër të talentit të tij të pazëvendësueshëm: René Clément, Luchino Viskonti dhe Jean-Pierre Melville.
Nuk e di sesa ju afrova nga bota deloniane? Por e di, që është diçka unike dhe absolutisht e pa përsëritshme!

Alain Delon dhe fëmijet
Alain Delon dhe fëmijet

Nuk do flas për pasardhësit e tij, brenda familjes, grindjet, përçarjet dhe xhelozitë e fëmijëve mes veti, kush do trashëgojë e çka? Kjo është puna e tyre mes veti dhe me gjykatat franceze.
Dihet që e ka preferuar vajzën e tij Anoushka, të cilën e ka pasur me një manekene holandeze më duket dhe bile, ka pas luajtur edhe në teatër me të. Kjo vajzë ka qenë dashuria e tij e fundit me siguri. Besoj, që 2 djemët e tij legalë, Anthony Delon dhe Alain-Fabien Delon, i ka neglizhuar pak më tepër, duke i parë në subkoshiencën e tij si meshkuj konkurentë, dhe të dy kanë pasur mjaft probleme me vevetën dhe me babanë e tyre. Në disa raste, edhe kanë devijuar, duke qenë të arrestuar për disa shkelje ligji nga Policia franceze.
Problemi tjetër, është fakti, që e ka pasur realisht një djalë tjetër (me statut kopil ilegal) i quajtur Ari Boulogne, të cilin babai i tij, Alain Deloni, s’ka pranuar ta njohë.
Pra, është evidente, që e ka pasur një aventurë me Nico, ajo femra lidere e grupit mitik: “The Velvet Underground” gjatë një turneje të tyre nëpër Europë dhe në Francë, dhe ka lindur ai djalë Ari, të cilin e ka njohur dhe rritur disa kohë edhe nëna e Alain Delonit, zonja Edith, e cila e ka konsideruar si nipin e tij, pa asnjë pikë dyshimi. Pastaj, ai djalë duke u rritur me rrethin e Andy Warholit, me nënën e tij Nico, në fabrikën e famshme të New-Yorkut, e cila funksiononte 24 orë në eksese, seks, drogë dhe alkool, natyrisht që edhe ai vetë është bërë adikt i substancave hallucinogjene. E kanë lutur disa herë, Nico, nëna e tij, por edhe vet Ari që ta njohin, porse ai e ka refuzuar sistematikisht, po ashtu edhe për ta bërë një test ADN.
Dikur ai djalë, pavarësisht talentit potencial që ka pasur në jetë, si fotograf, por duke qenë komplet i çregulluar dhe i varur nga drogat dhe alkoolet, ka përfunduar i vdekur me një overdozë, në një skuat e shkreta të Parisit dhe një pjesë e opinionit publik, ja kanë marrë për të madhe Alain Delon-it, i cili nuk e pat atë fisnikëri dhe gjenerozitet për ta njohur si djalin e tij… Pra, ka vepruar gati me të, ashtu siç kanë pasë vepruar Prindët e tij me Alain Delonin, kur ishte 4 vjeçar. Pse? Nuk e di dhe kjo do mbetet një mister…
Mirëpo, neve, na intereson prioritarisht aktori që ka qenë dhe filmografia e tij, me të gjitha ato kujtime dhe emocione që na i ka dhuruar të gjithëve, duke e ditur, që na ka përcjellur edhe neve në jetë, siç na përcjellin aktorët, muzikantët, filozofët, piktorët e mëdhenj botërorë. Dhe e falenderojmë me plot zemër dhe shpirt natyrisht. Merci pour tout Alain!
Pastaj, askush nuk ka pritur prej artistave ikonikë planetarë, që të jenë qenie perfekte, pa asnjë të metë, çka edhe nuk janë… por kjo është jeta e tyre private, kurse neve na intereson më tepër gjurma e tyre artistike, sesi na kanë pasuruar dhe frymëzuar ne shpirtërisht?
Adios Rocco, Tancrède, Jeff Costello … adios Alain Delon… Më ka pas folur për ty mikesha jonë familjare Annie Girardot, me të cilën ke pasë luajtur dy filma, nëse nuk gaboj. E di që ke pasur disa miq edhe tek meset banditeske, limite mafioze, më ka pasë folur për ty edhe një shqiptar me origjinë nga Malësia, i cili ka jetuar në ato mese në Bregun e Azurit, nëpër kazino dhe klube nate, duke i ndarë disa momente me ty… quhej Sadik Krasniqi, alias Bruno.
Nuk e di çka ka pas ndodhur me Stefan Markoviçin, porse kaloj ajo punë. Por është e sigurt, që ke pasur brenda vetes disa personalitete mjaft kontradiktore, me disa zona të errëta.
Ke qenë biznesmen i sukseshëm me parfume, produkte të tjera, ke qenë një koleksionist super i talentuar vizatimesh të vjetra klasike, pikturash, makinash Bugatti, dhe nëpër Azi, pra Japoni dhe Kinë, ke qenë për ta një gjysmë Perëndie. Ke pasur dhe ke pasë shprehur në mediat franceze disa simpati personale me ekstremin e djathtë, pra me Jean-Marie le Pen, edhe pse ke qenë 100 % përqind fans i Charles de Golit, të cilin e ke pasur si idol, gati si Babë imagjinar. Ke disa gjëra të përbashkëta me Brigitte Bardonë: një farë mizantropie, një vetmi, një lidhje të favorizuar me kafshët, një urretje radikale ndaj kësaj epoke, me të vërtetë dekandente dhe të çoroditur…
Kaq, miku im… por ke çka ke, pavarësisht që në disa pika apo tema, nuk mund të jam aspak dakort me ty, kjo është evidente… Unë personalisht, të dua dhe të respektoj, sepse mua më ke pasuruar me atë çka më ke ofruar dhe në këtë moment ta shpreh gjithë mirënjohjen time. Pushofsh në paqe miku im aty ku ke vendosur për të pushuar, në parqet e shtëpisë tënde, çka ngelet një privilegj i rrallë… pra, je i varrosur po aty ku je jetuar gjithë jetën tënde. Në Douchy, ke qenë në botën tende muzeale, në parajsin dhe në ferrin tënd paralelisht, ndoshta edhe në burgun tënd të mbrendshëm luksoz. Po ashtu, siç ishte Marlon Brando në vilën e tij tahitiane, në aparencë i rrethuar, por komplet i vetmuar.
Uroj që atje në botën tjetër, të jesh i pajtuar tani me vetën, me fëmijërinë tënde, dhe me prindët e tu të pamend. Duhet me i falë gabimet, o mik, ajo është madhështia supreme!
Uroj që të qeshësh pak më shumë, çlirohu o burrë, dil dhe vallëzo komplet nudo, nëpër kopshtet e Edenit, ta marrësh atë jetën paralele me pak lehtësi dhe humor, dhe ku me e dijtë, nëse të jepet rasti, për ta takuar në sferat e sipërme kozmike dhe qiellore, ndonjë mik apo mikeshë, Jean-Paul Belmondon, Jean Gabin, Lino Ventura, Louis Jouvet, Jean Marais, Annie Girardot, Romy Schneider, Nathalie Delon, Mireille Darc, Luchino Viskonti, Michelangelo Antonioni, Monica Vitti, Jean Pierre Melville, René Clément, eventualisht Zotin apo ndonjë engjull, edhe pse e di që ke qenë ateist, porse unë mendoj se ka diçka tjetër misterioze dhe të panjohur, të padefinuar, diçka përtej të dukshmes… m’iu bën të gjithëve të fala, i dashur Alain Delon…
Kërkoju falje gjithë atyre që i ke dëmtuar, me dashje apo padashje, kërkoj falje vetes, për të gjitha ato që ia ke munguar apo që nuk ia ke kuptuar… gjeje paqen e harmoninë me kozmosin miku im, qetësinë absolute, pafundësinë e plotësuar, heshtjen që flet vete, pa fjalë… A more vesh, more kokëfortë!? Mos rezisto më… dorëzoja qenien tënde komplet misterit dhe pafundësisë, okay miku im? Rikujto ca vargje të Rembosë apo Bodlerit, një muzikë të Mozartit… kaq e kishte edhe filmi i jetës tënde, i dashur Delon… erdhi fjala “Fund – The End – Fin – Fine…” Ndoshta do takohemi apo jo, në këto Universe paralele!?
Përqafime nga çorodia dhe vulgariteti tokësor, nga mbretëria e antivlerave aktuale.
Porse është faji i jonë tek e fundit dhe neve do na duhet që dikur ta riparojmë atë disfatë tragjike. O ndoshta do e bëjnë fëmijtë tonë…
Arrivederci Parigi e Roma… Due ekspresso per favore!

Skënder Sherifi – Bruksel, me 25 gusht 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.