back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Albanon – Një revistë e re kulture

Gazeta

Albanon - Një revistë e re kulture
Albanon – Një revistë e re kulture

Albanon – Një revistë e re kulture

Kam kënaqësinë të njoftoj botimin e fundit
nga shtëpia jonë botuese “dy Lindje&dy Perëndime”,
daljen e numrit të parë të revistës etno-kulturore “Albanon”,
e para revistë e këtij lloji në qytetin e Elbasanit,
pas asaj “Kopështi Letrar”, në vitin 1918, drejtuar nga Lef Nosi.
Revista, që përbën një ngjarje të shënuar për Elbasanin e më gjerë,
është frut i iniciativës së një grupi inelektualësh e pedagogësh vendas,
kryesuar nga Prof. Dr. Tomorr Plangarica,
me mbështetje të Arkivi Digjital Elbasan dhe z. Rudin Dakli.
Dua të vë në dukje sidomos, frymën qytetare dhe mirëkuptimin kolegjial
të të gjithë anëtarëve të këshillit të saj botues.
Të cilët, me idealizëm dhe dëshirë të mirë janë bërë bashkë në këtë punë serioze,
me synimin për t’i dhuruar qytetit dhe brezave njohjen e historisë së tij të lashtë e të re,
kulturën dhe arsimin ndër vite, foklorin, figurat e tij të ndritura,
pa harruar dhe zhvillimet e këtyre fushave në ditët e sotme.
Si një nga drejtuesit e saj, i uroj revistës “Albanon”, rrugëtim të gjatë dhe dinjitoz!
Pëllumb Zekthi
.
Grupi i Punës i Revistës Kulturore "Albanon"
Grupi i Punës i Revistës Kulturore “Albanon”

Pse Albanon?

Të dashur lexues,
Botimi i revistës kulturore “Albanon”, nismë e një grupi dashamirësish të traditës kulturore, të historisë e vlerave qytetare të përvijuara tashmë në trevën e Elbasanit e më gjerë, bën hapin e parë, si angazhim drejt pasqyrimit të këtyre vlerave.
Nismat e kësaj natyre lindin të nxitura nga një realitet që ofron me bujari histori, por që parashtron me po aq ngulm edhe nevojën e angazhimeve intelektuale që ndihmojnë për të përcaktuar kahjet e lëvizjes drejt së ardhmes.
Të njohësh të shkuarën, do të thotë të jetosh më intensivisht të tashmen, sepse i shmangesh krizës së modelit, ndihmohesh ta tejkalosh atë, sepse je më i orientuar në hapat që hedh; do të thotë, gjithashtu, ta synosh më i sigurt të ardhmen, sepse e shkuara dhe e tashmja veçse të nxisin për t’u bërë aktor i situatave që vijnë, kudo, duke filluar nga familja, nga rrethi shoqëror i ngushtë e më gjerë.
“Albanon” do të mirëpresë në vijimësi angazhimet intelektuale për të ndihmuar lëvizjen në këto kahje. Dhe kjo lëvizje është rezultante e përpjekjeve të një komuniteti të tërë, zërin e të cilit duhet të dimë ta dëgjojmë e amplifikojmë.
Edhe pse, në pamje të parë, botimi i revistës qe nismë për të nxjerrë në pah kontributet kryesisht lokale, vetvetishëm në kohën tonë kufijtë e ngushtë lokalë janë nën trysninë e prirjes për zgjerim hapësire, sepse vlerat përftohen në një bashkëmarrëdhënie shumë më të gjerë entitetesh, hapësire dhe kohe. Pikërisht kjo trysni motivoi edhe emërtimin e revistës me emrin “Albanon”, që bart edhe simbolikë etno-historike, edhe prirjen për hapësirë njëherazi të lokalizuar në një trevë, por edhe kufij në zgjerim e në lëvizje, duke bartur bashkë me historinë edhe një sërë enigmash, të thënash e të pathënash ende, që mbajnë gjithnjë të ndezur kërshërinë.
Për të nxitur e plotësuar këtë kërshëri të lexuesit, “Albanon” do të sjellë informacione dhe trajtesa të ndryshme përmes rubrikave të pranishme në të, që parakuptojnë të dhëna dhe interpretime për historinë, etnografinë, arkeologjinë, arsimin, doket, zakonet; për personalitetet që ndihmuan në këtë histori e bënë histori, por edhe për çështje të ndryshme të aktualitetit e nevojës për zhvillim të vlerave të përftuara tashmë.
Priremi t’i shtojmë dhe t’i thellojmë këto tematika, sepse priremi të përgatitemi dhe aftësohemi më tej për t’i dhënë mjedisit ku jetojmë e punojmë vlerën e një komuniteti të denjë edhe për të sotmen. Ndaj hapësira botuese e “Albanon” do të jetë një ftesë e përhershme për studiuesit e intelektualët elbasanas, dashamirët e të pasionuarit pas vlerave të përftuara tashmë dhe ftesë për të gjithë ata që mëtojnë çdo ditë t’i përsosin këto vlera. “Albanon” do të synojë që të nxisë atë çka shpirti i këtij komuniteti kultivoi, barti, trashëgoi, për të qenë më të aftë që të dimë se ç’duhet të kultivojmë më tej, ç’duhet të mënjanojmë e ç’duhet të nxisim.
Le të shpresojmë që rrugëtimi i revistës do të jetë i suksesshëm dhe mëtimet e saj, edhe pse modeste, do të jenë të dobishme.
.
Nga mbledhja e Redaksisë së Revistë Kulturore Albanon
Nga mbledhja e Redaksisë së Revistë Kulturore Albanon

Albanon – Revistë kulturore

Këshilli botues: Rudin Dakli, Tomorr Plangarica, Emine Sadiku Teicmann, Astrit Bishqemi, Riza Hasa, Kreshnik Belegu.
Redaksia: Migena Kapllani (kryeredaktor), Valbona Kalo, Majlinda Peza, Zhuljeta Daja.
Drejtor përgjegjës: Pëllumb Zekthi
Grafika dhe faqosja: Elvis Bejtja
Pajtimet: për një vit: 1400 lekë
Adresa: “ADE”, – Bulev. “Aqif Pasha”, Hotel “Skampa”, kati 2, nr 313, Elbasan.
Botues: Sh.b. “2 Lindje-Perëndime”
Me mbështetjen e z. Rudin Dakli dhe Arkivit Digjital Elbasan (ADE)
.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.