Alegoria e Shpellës…
nga Artan Kafexhiu
Një miku im i urtë, në një prej postimeve të tij, me kujtoi këto ditë se urtësia njerëzore ka qenë një bashkudhëtare e herëshme e njeriut. Por kjo s’ka qenë e mjaftë, për me drejtu njeriun nga kahu i duhur. Gjithmonë njeriu ka qenë në luftë me vehten dhe sojin e vet.
Në Shqiperi, kjo lloj literature që e eksploron këtë konflikt primordial të çdo civilizimi ka munguar, pothuajse krejt. E ja ku një emër, Dr. Lazër Radi, që komunizmi bëri çmos me e harru në baltat e Myzeqesë, i sjell lexuesit shqiptar të paditur me mësimet e periudhës klasike greke, Platonin, i cili njihet si nxënësi më i zellshëm i Sokratit. Por jo vetëm kaq, ai njihet edhe si përjetësuesi i jetës dhe veprës së mësuesit të tij, veçanërisht me “Apologjinë e Sokratit”. Mësimet e mësuesit të tij, Platoni ia përcolli nxënësit të tij, Aristotelit.
Çka dimë për Sokratit i detyrohemi Platonit, i cili nëpërmjet dialogjeve sokratike, midis Mjeshtrit dhe nxënësve të tij, mësojmë për filozofine politike të këtij mësuesi të madh. Dialogjet metafizike midis mësuesit e nxënësve, janë udhërrëfyesit tanë edhe pas më shumë se dymijë vjetësh, mbi natyrën e realitetit, etikën e sjelljes së njeriut dhe epistomologjinë, ose njohjen, dijen njerezore. Të gjitha sëbashku, përbëjnë pyetjet e mëdha që i bëjmë vetes përgjat jetës: përse sillemi e veprojmë në një mënyrë të caktuar, vallë kush jemi ne në të vërtetë, e çfarë është vërtetë, e çfarë s’është e vërtetë?
Një nga momentet, mësimet me sinjifikante të Platonit është “Alegoria e Shpellës”, si pjesë e traktatit politiko-filozofik “Republika”, ndoshta vepra më e njohur e Platonit. Nga vetë titulli, “alegori” është një prezantim imagjinar nëpërmjet një narracioni, që dramatizon idetë abstrakte në një histori njerëzore. Thelbi i narracionit alegorik është natyra njerëzore, e përjetuar nëpërmjet eksperiencës personale dhe kufizimeve që sjell kjo eksperiencë në njohjen e botës.
Kjo persiatja ime është më tepër për të cytur cilindo, ta kërkojë e ta lexojë këtë pjesë të shkurtër, që unë s’kam për qëllim ta rrëfej. Zinxhirët, shpella, errësira, drita, liria, bota fizike, bota e ideve, verbëria, virtuti, urtësia janë kontrastet e kësaj alegorie. Ju siguroj që leximi i “alegorisë”, të ndihmon të fitosh qetësinë, e të vazhdosh të jetosh në paqe me vehten dhe botën; përse gjërat rreth nesh janë ashtu siç janë, çfarë mundemi e çfarë s’mundemi të ndryshojmë në realitetin që na rrethon.
.
Marrë nga Muri i Fb i Artan Kafexhiut, 4 nëntor 2020