Aleksandër Stavre Drenova
Asdreni (11 prill 1872 – 11 dhjetor 1947)
Aleksandër Stavre Drenova apo Asdreni lindi më 11 prill 1872 në Drenovë (Korçë), Shqipëri; vdiq më 11 dhjetor 1947 në Bukuresht, Rumani.
Ka qenë një poet, publicist, patriot shqiptar. Është autori i Himni i Flamurit.
Lindi më 11 prill 1872, në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889.
Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.
Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut (“Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Çpërblimi”). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës. Është gjithashtu autor i Hymnit të flamurit, një hymn kombëtar për të gjithë shqiptarët.
.
Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 “Shqipëria më 1914” etj.
Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore.
Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si “Hymni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit të Qershorit me 1924, e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit “Psallme murgu”, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve ’30. Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën “Trashëgimi” (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike, e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt “Kambana e Krujës” nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.
Vdiq më 11 dhjetor 1947, në Bukuresht të Rumanisë, në moshën 75 vjeçe.
.
Veprat
“Rreze dielli”, “Hymni i flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”,
“Krerëve tradhëtorë”, “Çpërblimi”, “Shqipëria më 1914”, “Burri i dheut”,
“Hymni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”,
“Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”.