Alfabetizimi dhe Statistikat Leksikore
(Botuar për herë të parë në Pejzazhe të Fjalës, 26 Tetor, 2012)
nga Artan Kafexhiu – Read Me (AK)
Si kemi arritur deri tek renditja alfabetike? Kjo pyetje është e lashtë, por ndërsa historia e alfabetit e humbet kthjelltësinë në muzgun e mijëvjeçarëve, llojshmëria e shpjegimeve nuk ka munguar. Megjithatë, përsëri sot është e pamundur të zbulohet as autorësia e as arsyet.
David Diringer në librin e tij “Alfabeti: Një çelës në historinë e njerëzimit” shkruan se: “…ka shumë mundësi që arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë…” Grupimi fonetik sipas shkronjave të alfabetit semitik “…mund të jetë i rastësishëm”. Për të gjithë renditja alfabetike merret si e mirëqenë. Për më tepër merr kuptim edhe për faktin e thjeshtë se një alfabet i tillë mund të memorizohet e të përdoret me lehtësi.
Xha Xhai (Ardian Vehbiu) e nis shkrimin e tij “Mistika e Shkronjës Fillestare” me diçka që i ka mbetur në mendje nga përvoja profesionale. Është një shprehje e “master craftsman”-it (kryemjeshtrit) të veprës monumentale gjuhësore – Fjalor i Shqipes së Sotme, – që siç edhe ai vetë e përcakton “bosi i leksikologjisë”, Androkli Kostallarit. Kostallari beson(te) e sugjeron(te) se fjalët që fillojnë me një shkronjë mbështillen nga diçka karakteristike, një lloj “mistikë përbashkuese”.
Diçka mësojmë prej vetë Xha Xhait rreth mekanizmit të punës për hartimin e fjalorit. Punonjësve shkencorë i jepeshin për të përgatitur seksione të veçanta bazuar në shkronja fillestare të caktuara. Kjo gjë e lehtësonte punën (e vetëkuptueshme… të kujtojmë renditjen alfabetike si një përqasim praktik). Ndërkohë lidhja dhe puna me një shkronjë të caktuar fillestare ishte vetësugjestionuese, i kthente punonjësit në një mënyrë në supersticiozë, duke besuar në një mistikë që fshihet pas çdo grupimi alfabetik fjalësh që fillojnë me një shkronjë fillestare të caktuar. Siç e le të kuptohet nga rrëfimi i tij, kjo pritshmëri misteri për Xha-xhain nuk e ka humbur magjinë edhe pas shumë vitesh, që kur ai ishte “apprentice” (po e përkthej si i ri në zanat). Duhet vënë në dukje një arritje e meritë e Xha Xhait. Ai ishte ndër të zgjedhurit, si bashkëpunëtor tekniko-shkencor që ka ndihmuar në përgatitjen për shtyp të fjalorit në atelienë e një mjeshtri të leksikologjisë si Kostallari.
Më tej mësojmë në lidhjen që bën Xha Xhai, kur shprehja e Kostallarit i vjen ndërmend ndërsa lexonte librin e Arshi Pipës “Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste” (The Politics of Language in Socialist Albania). Xha Xhai përpiqet të përligjë efektin e fjalëve te Kostallarit, mistifikimin e tij me karakteristikat e përbashkëta të fjalëve që nisin me të njëjtën shkronjë fillestare. Nga ana tjetër në librin e tij, Arshi Pipa nuk ngjan se ka më të voglin iluzion të ngjashëm në përzgjedhjen e tij për të analizuar fjalët e huaja të futura në fjalorin e shqipes. Pipa përdor përqasjen (përpilimin) e tij statistikore, por që nën kritikën e Xha Xhait konsiderohet si “rudimentare” duke konkluduar që Pipa në këtë mënyrë ka arritur “në përfundime të shtrembra”.
Studiuesi Pipa në librin e tij ofron tre variante statistikore:
-Tabela 3: Pipa ka numëruar 101 fjalë të huazuara nga fjalori ndërkombëtar. Ka përdorur 10 faqet e para të fjalorit. Ai nuk e përmend se si kriter përzgjedhës ka qenë shkronja fillestare (që i takon të jetë A-ja); nuk ka përdorur as edhe një lloj paramendimi apo kriteri. Siç del nga tabela statistikore e ndërtuar numri i huazimeve ka qenë relativisht i lartë, 45.9% krahasuar me 43.7% të fjalëve të konsideruara si autoktone (native Albanian).
-Tabela 4: Pipa ka përzgjedhur fjalët prej faqeve të ndryshme (21 faqe të përzgjedhura me kriterin që të përfshijnë numrin më të vogël të mundshëm të fjalëve ndërkombëtare të huazuara) përgjat gjithë fjalorit (fq. 30, 57, 148, 149, 323, 530, …, 2104, 2265). Në ketë rast nuk flitet më për të njëjtën shkronjë fillestare, por shkronja të ndryshme fillestare. Nga kjo tabelë rezulton se 13% e fjalëve janë ndërkombëtare (international loans) kundrejt 74.7% vendase (native Albanian).
-Tabela 5: Pipa ka përdorur 21 faqe duke ndjekur renditje numërore pa ndërprerje (prej fq. 1636 deri në faqen 1657). Prej fq. 1636 në 1640 fjalët ndërkombëtare janë më të shumta se vendase; fq. 1642-1646 ka një fare balance midis fjalëve vendase dhe ndërkombëtare; fq. 1647-1654 fjalët ndërkombëtare janë me shumicë; fq. 1655-1657, nuk kanë fare fjalë ndërkombëtare. Nga kjo tabelë rezulton se 65.6% e fjalëve janë ndërkombëtare kundrejt 24.4% vendase (native Albanian).
Në tabelat e mësipërme fjalët me origjine turke, sllave, greke, italiane, franceze nuk janë pjesë e fjalëve ndërkombëtare (international loans). Ato fjalë përmbledhin balancën e 100% të fjalorit.
Duhet thënë që Arshi Pipa i përdor këto statistika duke punuar në disa plane, përfshirë raportin leksikor midis fjalëve me origjinë gege e toske, por unë po ndalem veçse tek huazimet ndërkombëtare. Ai na kujton se Tabela 5 është përfaqësuese e tendencës për të huazuar fjalë ndërkombëtare (fjalë që në shqip fillojnë me Re – dhe Rë -). E njëjta tendence vihet re edhe në faqet e fjalorit që përfshijnë shkronjën fillestare I (fq. 707-731), ku 73% janë huazime, por ai nuk e përfshin këtë observim si një argument statistikor për t’i mëshuar tezës së tij. E përdor këtë observim, për të sugjeruar se një pjesë e huazimeve të tilla janë të domosdoshme si monedha ndërkombëtare, për petkun ndërkombëtar që ato veshin (sjell si shembuj fjalët ideologji, iluzion, etj.), por jep edhe shembuj ku fjalët vendase mund të zëvendësojnë petkun ndërkombëtar me lehtësi e suksesshëm (sjell si shembuj fjalët indigjen = vendas, iniciativë = nismë, etj.).
Duke përdorur tabelën 3, ku merren në konsideratë vetëm dhjetë faqet e para, Arshi Pipa na ofron diçka tjetër, që mendoj se është e rëndësishme. Pipa studion dinamikën dhe ritmin e hyrjes të fjalëve ndërkombëtare në fjalorët e hartuara të shqipes, duke krahasuar tre fjalorë:
1.An Historical Albanian-English Dictionary (1496-1938) të Stuart E. Mann botuar në 1948;
2.Fjalor i gjuhës shqipe të Kristaq Cipos botuar në 1954;
3.Fjalor i shqipes së sotme nën drejtimin e Kostallarit. Në fjalorin e Mann-it, Pipa dallon vetëm 14 fjalë të huazuara ndërkombëtare, ndërkohë që në fjalorin e Cipos dallon 54 fjalë. Kurse në të fundit, të hartuar nën drejtimin e Kostallarit dallon 101 fjalë. Pra, një rritje prej më shumë se shtatë herësh të fjalëve të huazuara. Pavarësisht zhvillimit tekniko-shkencor, krijimit të arsimit universitar e komunikimit ndërkombëtar, nuk është e vështirë të dallosh rritjen marramendëse të fjalëve të huazuara , që Pipa e quan “një ekspansion të fjalorit të nomenklaturës shqipe ndërkombëtare deri në pikën e inflacionit” (vërehen fjalët e huaja të përdorura të përkthyera prej meje nga anglishtja). Këtyre përvetësimeve u është fshehur origjina.
Në fjalorin e shqipes se sotme nuk identifikohet futjet ndërkombëtare. Mungojnë shkurtime të tilla si fj. ndërk. = fjalë ndërkombëtare kodifikim i domosdoshëm për të treguar origjinën e fjalës. Në fjalorin e anglishtes siç është Webster’s Third New International Dictionary na kujton Pipa, tregohet origjina e fjalëve qoftë edhe shqiptare nën shkurtimin Alb(anian). Unë mendoj se duhet të shkruhet te paktën përcaktimi i shkurtuar “e shqipëruar” ose “e shqiptarizuar”, për çdo fjalë që nuk mund të gjendet shoku/shoqja në versionin shqip.
Në tabelën 4, gjejmë shumë pak fjalë të huazuara, sepse Pipa qëllimisht i shmang ato. Ai bën një përzgjedhje duke përfshirë vetëm ato faqe të fjalorit ku huazimet janë një pakicë. Konkluzioni i Pipës është se kur nuk përpiqemi t’u shmangemi fjalëve të huazuara ndeshemi me një numër të konsiderueshëm të tyre.
Duket se Pipa ka bërë vlerësimet dhe hulumtimet e veta statistikore në lidhje me përmbajtjen e fjalorit, duke patur në mendje rigorozitetin e tij shkencor. Në dukje shifra 40 %, mund të konsiderohet e hedhur thjesht si një “estimate” (vlerësim i përafruar, apo “në vija te trasha”). Por Pipa e konsideron 40 %, si përqindja e pritshme e fjalëve të hyra në harkun e tridhjetë vjetëve deri në botimin e fjalorit. Pipa e sheh këtë numër si e mesmja e mundshme midis 13% dhe 65.6%. Ky është numri që Arshi Pipa mendon se përbën huazimet me teprí, deri në inflacion, në fjalorin më të vonshëm të shqipes (të botuar 30 vjet më parë).
Për të provuar Pipën gabim duhet punë, duhet të marrësh përsipër të bësh një hulumtim statistikor të përbërjes të fjalorit, të raportit të fjalët vendase kundrejt huazimeve të tepruara e pa kriter ndërkombëtare. Arshi Pipa nuk e paragjykon punën e Kostallarit e grupit që ai drejtoi. Ai e konsideron Fjalorin e Shqipes së Sotme si një punë monumentale, si meritë para së gjithash të vetë Kostallarit. Pipa ia njeh meritat fjalorit, përshkrimet e përkufizimet e detajuara që ndjekin kritere e një renditje rigoroze, prurjen e pasur idiomatike, etj. Problemi që ka Pipa me fjalorin është perdja, tisi ideologjik që i pengonte pamjen hartuesit ideolog të tij.
© Artan Kafexhiu