back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ali Baba dhe dyzet hajdutët & Karvani nga Teherani – Dy përkthime nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Agim Deshnica
Agim Deshnica

Ali Baba dhe dyzet hajdutët

Dy përkthime nga Agim Xh Dëshnica

Në një qytet në Persi jetonin dikur dy vëllezër. Njërin e quanin Qazim, tjetrin Ali Baba. E kur i ati i tyre u nda nga jeta, Qazimi u martua me motrën e një tregtari të madh. Me vdekjen e tregtarit, tërë pasuria e tij i mbeti Qazimit. Ndërkohë Ali Baba mori për grua një vajzë të varfër, por mjaft të zgjuar e të shkathët, me emrin Margina. Për të mbajtur familjen Ali Baba çdo ditë, mblidhte dru zjarri thellë në në një pyll e i shiste në pazar. Njëherë, teksa shkonte udhës për në qytet me magjarin e ngarkuar me dru, ai pa së largu një varg me kalorës, që po vinte përballë. Pastaj dëgjoi trokun e kuajve. U fsheh me të shpejtë prapa një rrapi trungtrashë. Magjarit ia lidhi nofullat me litar. Në çastet kur kalorësit kaluan para tij, Ali Baba vuri re, se kuajt e karvanit ishin të ngarkuar me thasë. Pak hapa më poshtë, ata ndaluan para një shkëmbi të thepisur.
I pari i tyre shtatgjat, ngriti duart e thirri:
-Hapu Sezam!
Befas një portë e gurtë dhe e gjerë lëvizi dalëngadalë dhe u hap. U duk një shpellë e thellë. Dyzet kalorësit me kuajt e ngarkuar. hynë brenda dhe pas pak, porta u mbyll prapa tyre. Pasi kaloi një farë kohe, ajo u hap përsëri dhe ata dolën jashtë.
U dëgjua prap, po ai zë:
-Mbyllu Sezam!
Kalorësit ikën me vrap nëpër udhën nga erdhën. Troku i kuajve u dëgjua për disa minuta, pastaj u shua. Ali Baba i ndoqi i tronditur me sy deri larg. Pluhuri ngrihej anash e prapa, më së fundi asnjë kalorës nuk u pa më. Ali Baba sakaq, u mendua pak dhe u bind, se të dyzet kalorësit ishin hajdutë me sende të vjedhur në qytet. Pasi e mblodhi veten, ai brodhi sytë poshtë e lart, e lidhi magjarin prapa rrapit dhe doli nga vendi, ku qe fshehur. Bëri disa hapa duke parë majtas djathtas, ndaloi para shkëmbit dhe thirri:
-Hapu, Sezam! – Porta vigane e gurtë lëvizi ngadalë dhe u hap. Ali Baba vështroi njëherë përqark, u fut në shpellë dhe pas pak, duke u dridhur thirri:
-Mbyllu Sezam!
Brenda, në shpellë Ali Baba u mahnit nga ato që pa. Një sallë e gjerë qe mbushur përplot me qilima ngjyra – ngjyra, me topa mëndafshi, me vargje xhevahiresh, me arka plot me florinj e me sa e sa gjëra të tjera të çmueshme! Ali Baba eci rreth e qark i hutuar, i lumtur, por edhe i trembur. Më në fund, ndaloi te arkat me florinj. Në dy hejbe mblodhi florinj, aq sa mund të mbante dhe thirri përsëri:
-Hapu, Sezam!
Doli jashtë duke vështruar me vemendje udhën. Andej ia dha thirrmës edhe njëherë:
-Mbyllu, Sezam!
Dhe shkoi e mori magjarin prapa rrapit. Ia shkarkoi drutë, vari në samar hejbet me florinj, ia hipi magjarit dhe e ngau të ecte me sa i hanin këmbët për në shtëpi. Kur arriti atje, i tregoi gruas se ç’kishin brenda hejbet. Mandej shkoi në shtëpinë e vëllait të merrte kandarin. Por kunata kureshtare, tha me vete: “Çfarë do të peshojë ky?”
Pastaj shpejt e shpejt, ia mbështolli kandarin me një beze të lyer me mjaltë.
Kur Ali Baba mbaroi punë dhe ia ktheu, ajo pa një monedhë ari të ngjitur poshtë kandarit. E, sapo i shoqi u kthye në shtëpi, ia tregoi monedhën e artë.
-Ali Baba, – i tha ajo me zili – tashti është i pasur! Ja, shikoje këtë!
Qazimi shkoi menjëherë ta pyeste të vëllanë. Ali Baba i tregoi fije e për pe se çfarë i kishte ndodhur te shkëmbi i madh. Atëherë ai, u nis me vrap drejt shkëmbit. Atje, ashtu si i vëllai, thirri:
-Hapu Sezam!

Ali Baba me Dyzet Hajdute
Ali Baba me Dyzet Hajdute

Porta e gurtë u hap. Qazimit s’iu prit. Hyri brenda në shpellë e u mahnit me mallrat e shtrenjta e me arkat plot floririnj e xhevaire ngjyra-ngjyra.
Duke mbledhur prej tyre andej – këndej, humbi shumë kohë. Më së fundi, meqë nuk mundi të merrte më tepër, vendosi të dilte, ndaj thirri:
-Hapu, elb! – porta e gurtë nuk lëvizi. Pra, ai i kishte harruar fjalët që duhej të thoshte. E përsëriti thirrjen me zë më të fuqishëm, por porta prap nuk u tund nga vendi. Gjithë natën Qazimi e kaloi i mbyllur në shpellë. Të nesërmen u kthyhen të dyzet hajdutët. Të habitur gjetën brenda Qazimin e afër tij dy hejbe të mbushura përbuzë. Dhe, pa një, pa dy, ia prenë atij kokën me kama. Kapua i tyre, teksa eci përmes sendeve të vjedhur, vuri re se nëpër arka mungonin shumë nga florinjtë. I ngrysur tha:
-Këtu paska hyrë edhe një tjetër! Kush të ketë qenë ai qafir?
Një nga hajdutët e njohu të vrarin.
-Vëllai i këtij, – tha, – quhet Ali Baba, shet dru në qytet.
Kapua i hajdutëve, me ta dëgjuar, pa humbur kohë, doli jashtë dhe, hipur mbi kalë, u sul për në qytet. Pyet këtu e pyet atje, e gjeti shtëpinë e Ali Babait. Shënoi mbi portë me shkumës të bardhë numrin dy. Dhe u largua pa u ndjerë. Gruaja e mençur e Aliut, Margina, sapo vuri re shenjën, vrapoi nëpër mëhallë dhe portë më portë shënoi me shkumës të bardhë numrin dy. Ndërkohë, dyzet hajdutët u nisën të vrisnin Ali Babën, por u hutuan, kur panë numrat dy, në çdo portë. Kapua i zemëruar u dha urdhër hajdutëve të ktheheshin pas dhe bashkë me ta shkoi në shpellë. Pasi vrau mendjen, iu kujtua rruga, ku ndodhej shtëpia e Ali Babait, ndaj urdhëroi të bënin gati tridhjetë e nëntë qypa të mëdhenj mbushur me mustardë dhe mushkat, tek do t’i ngarkonin ato. Në çdo qyp u fut një hajdut. Kapua u kënaq nga puna e kryer aq shpejt. Pastaj, në krye të karvanit, hipur mbi kalë me mushkat e ngarkuara me qypa, mori udhën për qytet. Ndaloi para shtëpisë së Ali Babait dhe trokiti në portë. Ali Baba doli sakaq në prag.
-Jam tregtar vaji! – tha kryehajduti – Meqë në qytet mbërrita vonë, nuk gjeta asnjë han për mallin dhe mushkat. Ju lutem, më jepni një dhomë vetëm për këtë natë.
-Mirëse keni ardhur! – iu përgjigj i zoti i shtëpisë – Urdhëroni, hyni brenda! Mushkat dhe mallin do t’i lini në oborr prapa shtëpisë.
Pas kësaj, Ali Baba me mikun u shtruan për darkë. Ndërkaq Margina doli prapa shtëpisë në borr për pak vaj. Sapo iu afrua qypit të parë dëgjoi një zë të mbytur:
-Është koha për të dalë?
Margina, i ra në të menjëherë, se çfarë po ndodhte. Me zë të ashpër burri iu përgjigj:
-Prit, se koha ende s’ka ardhur! – Po ashtu ajo u foli edhe tridhjetë e tetë të tjerëve dhe i taposi të gjithë qypat. Kështu, të mbyllur brenda, asnjë prej tyre, nuk mundi të dilte.
Margina u kthye me të shpejtë në kuzhinë dhe hodhi pak helm në një gotë me verë. Andej vajti në dhomën, ku ishte shtruar darka dhe gotën ia dha kapos së hajdutëve. Ai e piu menjëherë dhe ra përdhè pa frymë. Ali Baba u zemërua dhe e shau gruan rëndë. Ajo në çast tërhoqi zinxhirin e sahatit nga trupi i shtrirë në dysheme dhe nxori një kamë çeliku.
-Ja, me këtë teh të prehtë, – i tha të shoqit, – do të ta hiqte kokën nga trupi, ky hajdut i rrezikshëm!
Ali Baba i gëzuar si asnjëherë në jetë, e përqafoi Marginën dhe lëvdoi Zotin për dhuratën e paçmuar, gruan e zgjuar e guximtare, që i kishte dhënë.
Ata jetuan të lumtur e të pasur tok me dy djemtë e tyre. Dhe përherë ndihmonin njerëzit në nevojë, të varfërit e pleqtë e sëmurë.

Xhamia e Bibi-khanum ne Samarcanda
Xhamia e Bibi-khanum ne Samarcanda

Karvani nga Teherani

Në kohë të lashta një karvan i gjatë i nisur nga Teherani me deve të ngarkuara me mallra e me njerëz të nxirë nga dielli, pas shtegtimit nëpër shkretëtirën e Karakumit, shpesh me tufane rëre, u ndal në Buhara. Në qendër të qytetit zhurmonte pazari me dyqane e tenda të bardha. Mbi qytet ngriheshin minaret e xhamive. Pranë tyre, nën hijen e hurmave, nga çesmat me gurë të latuar rridhte me gurgullimë ujë i pastër e i ftohtë. Buzë rrugëve me kalldrëm zbardhnin shtëpi me oborre e puse, me bahçe e lulishte.
Me karvanin udhëtonte edhe një djalosh nga Samarkandi. Tani, përmes reve dukeshin malet, ku prapa tyre shtrihej qyteti, tek jetonin njerëzit e miqtë e vet. Atij s’po i durohej të arrinte sa më parë në shtëpi e të çmallej. Për ata ai kishte ngarkuar dy kuaj arabë me sende me vlerë nga Teherani. Kur nata ra në Buhara, djaloshi u shtri e fjeti tok me udhëtarët e tjerë pranë deveve, kuajve e dengjeve me mallra.
Të nesërmen, kur dielli i zjarrtë do të ulej drejt perëndimit, karvani i çlodhur do të nisej për në udhëtimin e fundit. Pas një nate e një dite, vargu i udhëtarëve mbi deve, me fyej e daulle, me këngë e thirrje, do të hynte nën portën e lartë të Samarkandit. Ata, që gjatë tërë rrugës ishin marrë me shah, me shenja e fjalë, do t’i mbyllnin ndeshjet me piskama e sokëllima.
Udhëtari ynë u zgjua nga rrezet e para të diellit. Afër pazarit, te një çesmë me tre sylynjarë, lau duart e fytyrën, hëngri mëngjesin, piu ujë dhe zuri vend nën hijen e palmave. Kur dreka po qasej, u ngrit dhe eci përmes turmës, që dyndej në pazar. Teksa prekte paratë në gji, papritur i kapi hunda një erë të këndshme qoftesh, kukurreci dhe mishi të pjekur.
Qoftexhinjtë thërrisnin:
-Hajde, qofte me pilaf! Të mira e të lira!
-Kukurrec, kukurrec taze me piper!
Dëgjohej edhe zëri i bozaxhinjëve:
-Bozë meli, bozë meli, akull, akull e ftohtë!
Zërat çoheshin lart dhe përziheshin njëri me tjetrin. Era e qofteve, e kukurrecit, e mishit të pjekur dhe lëngjet e tyre sajonin kënaqësi të thellë dhe tundim të paduruar. Djalit i shkrepi befas një dëshirë. Iu afrua një qoftexhiu nën hijen e një tende të bardhë dhe nxori nga hejbetë një copë bukë. Me lëvizje të ngadalëshme, e kaloi mbi avullin që lëshonin qoftet sipër zgarës. Iu duk sikur copa e bukës ndryshoi ngjyrë dhe u zbut, ndaj deshi të largohej e ta hante sa më shpejt. Por, qoftexhiu me feste të bardhë e pa. E kapi prej mënge e i thirri:
-Ku shkon!? Tund paratë këtu!
-Lëshomë! Ç’para kërkon nga unë zotrote!?
-Paratë, të thashë! Avulli që ta rregji bukën është i qofteve të mia! Hajde, paguamë pesë groshë dhe thyej qafën!
-Hej, thirri mendjes! Mos të ka rënë dielli në kokë!?
Sherri u fry, sa për pak do të kacafyteshin. U mblodh mileti, ia behu edhe xhandari dhe çështja vajti te kadiu.
-Më vodhi avullin ky, kadi efendi! Dua të ma paguajë!
-Si ta vodhi?
-Me copën e bukës…
-E kujt ishte buka?
-E tij ishte!
-Ashtu, hë?
Kadiu iu kthye djalit:
-Po ti ç’thua?
-Unë nuk i vodha gjë, mora vetëm pak nga avulli, që fluturonte për qiell!
-Mirë! Sa para kërkon nga djali, or qoftexhi?
-Pesë groshë.
Kadiu iu kthye sërish të pandehurit:
-A ke me vete pesë groshë, djalë?
-Si urdhëron, kam, kadi efendi!
-Nxirre dhe hidhe lart!
Djali bëri ashtu siç i tha kadiu. Pesëshja u ngrit në ajër, mandej u rrëzua në dyshemenë e gurtë. Pasi u rrotullua disa herë, me ting, ring, ring, më së fundi ndaloi, u shtri dhe heshti.
-Merre pesëshen tënde dhe fute në xhep! – i tha djalit kadiu. Pastaj iu kthye qoftexhiut: – Mblidhi dhe ti tingujt e monedhës, ngjishi në trastën tënde dhe je i paguar! – Goditi me çekiç mbi tryezë dhe thirri: – Jashtë të dy, në punën tuaj!
-E pa drejtë! – ulëriti qoftexhiu.
Kadiut iu err balli. E shikoi qoftexhiun i ngrysur.
-Hiqmu nga sytë, hileqar, – i bërtiti – sa s’kam dhënë urdhër të të hyjnë me shkop kurrizit!
Të gjithë në sallë u kënaqën me drejtësinë e kadiut të zgjuar dhe ia shkrepën gazit.
Aty nga mbrëmja karvani e la Buharanë, e mori udhën për Samarkand. Në mes të karvanit me sarëk jeshil në kokë, veshur me të bardha, hipur në njërën nga dy devetë, dukej djaloshi i kënaqur. Karvani u pa teksa largohej ngadalë, pastaj u zhduk tutje në muzg…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.