back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ali Sami Yen – bir i Samiut – nip i Abdylit e Naimi – shpirt i lidhur me futbollin dhe Gallatasarajn

Gazeta

Ali Sami Yen- djali i Sami Frasherit dhe President i Gallatasarajt
Ali Sami Yen – djali i Sami Frasherit dhe President i Gallatasarajt

Ali Sami Yen – bir i Samiut – nip i Abdylit e Naimi

shpirt i lidhur me futbollin dhe Gallatasarajn

Ky është Ali Sami Yen, djali i Sami Frashërit, nipi i Naimit dhe i Abdylit. Lindi më 1884, dhe u rrit në Kandili, Üsküdar, një nga lagjet aristokrate të Stambollit. Një adoleshent inteligjent dhe mjaft social, do të pranohej në Liceun e Pallatit të Gallatës i themeluar diku rreth 500 vjet më parë nga Sulltan Bajaziti.
Bëhet fjalë për gjimnazin më prestigjoz që ka njohur Lindja.
Në kohën kur ishte nxënës i këtij liceu, Ali Sami Yen pati kontaktin e parë me “futbollin”. Ishte për vizitë te daja, kur i zuri syri një grup anglezësh që po luanin në sheshin e lagjes. Loja e re e magjepsi Aliun dhe ai do të përpiqej t’ua mësonte shokëve. Përfundimisht, mbas 3 vitesh stërvitje, në vitin e diplomimit, Ali Samiu e ndau mendjen të hidhte hapin final: vendosi të themelonte një “klub futbolli.”
Ali Sami Yen - President i Gallatasarajt
Ali Sami Yen – President i Gallatasarajt
Në fund, misionin e klubit Ali Sami Yeni e artikuloi kështu: “Të luajmë së bashku si anglezët, të kemi ngjyrat dhe emrin tonë, si dhe të mundim ekipet jo-turke.” Emri i klubit ishte një arsye më vete për debat. Mes përçarjeve, erdhi ndeshja e parë përballë klubit Rûm dhe zyrtarët e takimit kërkonin një emër për ta shënuar në tabelën e rezultatit. I lodhur nga ballafaqimi i argumentave, Ali Sami Yen shkëputet për pak nga zënka me arbitrat kur papritmas i kapi veshi një bisedë mes dy spektatorëve që thonin: “T’i shohim njëherë këta zotërinjtë nga pallati i Gallatës” ose në turqisht: “Galata Sarayi Efendiler”. Djemtë e pëlqyen aty për aty dhe kështu klubi fitoi ndeshjen e tij të parë me rezultatin 2-0 nën emrin Galatasaray. Në 1905, Turqia akoma nuk kishte ligje për shoqatat, ndaj klubi nuk mund të regjistrohej dot ligjërisht. Ali Sami Yen përdori të gjitha lidhjet politike të të atit për të lobuar në parlament dhe në 1912, legjislacioni i duhur merr aprovimin qeveritar e Galatasaray zyrtarizohet si klub sportiv me të drejta të plota.
Nëse emri u bë shkak për konflikt mes Ali Samiut dhe çunave, ngjyrat e klubit u bënë sebepi i një përplasjeje mes Aliut dhe shtetit. Fillimisht, Ali Samiu planifikonte ngjyrat kuq e bardhë për fanellën – ngjyrat e flamurit turk. Mirëpo në atë kohë ende nuk ishte themeluar republika dhe administrata represive perandorake u bëri presion futbollistëve që të prapësoheshin nga ky vendim.
Në dhjetor 1908, Ali Sami Yen mori vendimin që ngjyrat e reja të ishin kuq e verdhë si dhe fanella e dytë portokalli (bashkimi i këtyre dy ngjyrave).
.
Stadiumi "Ali Sami Yen" i Gallatasaray
Stadiumi “Ali Sami Yen” i Gallatasaray
Ali Sami Yen i dha klubit emër, ngjyra, status, por mbi të gjitha dhe 13 vite jetë në krye të tij si lojtar e president. Klubi sulmohej shpesh nga autoritetet të cilat e akuzonin për tradhëti kombëtare,m por ishte dirigjimi i zgjuar i Ali Sami Yen-it që shmangu shpërbërjen e klubit me urdhër administrativ. Katër vjet nga themelimi, Galatasaray u shpall kampion i Ligës së Stambollit. Me këtë titull, fillon epoka e futbollit zyrtar në Turqi. Pjesa tjetër, siç thonë, është histori.
Pas 1918, Ali Sami Yen shkëputet nga Gallata për të drejtuar Federatën e sapoformuar Turke të Futbollit, e më pas kthehet sërish në krye të klubit për një vit në 1925. Për 6 vitet në vijim shërbeu si drejtues i Komitetit Olimpik Turk, ndërkohë qe dhe trajneri i parë i Kombëtares Turke të Futbollit.
Nga viti 1964 deri në vitin 2011, Galatasaray i luante ndeshjet si pritës në “Ali Sami Yen Stadium”, ndryshe i quajtur “dera e ferrit “; impianti që dëshmoi fitore drithëruese në derbi e në vitin 2000 ekipi preku majat e Europës duke fituar Kupën UEFA dhe Superkupën e Europës.
Gjithçka nisi me një projekt ambicioz dhe dëshirën e një shqiptari për të prekur majat e sportit.
.
Marrë nga Normalisti.com
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.