“Amani, ku po e çoni çupën time?”.
Pjesë nga ditari i Rita Sami Koçit (Koka)
Pas një viti hetuesie të tmerrshme,
të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë,
me dënuan me 10 vjet burg.
Darka e Krishtlindjes – 24 dhjetor 1950,
Ato që bënin terroristët komunistë, anëtarët e PPSH pa përjashtim, nuk janë bërë as në Mat’hausen apo Buchenwald.
Le të tregojnë të dënuarit e Vloçishtit, Jubës, Bedenit, Spaçit, Urës së Bonos, e sa e sa kampeve të tjera të shfarosjes.
Merita Sokoli, një nga sopranot më të talentuara të Shqipërisë, njësoj si Tefta Tashko, u arrestua për politikë dhe u torturua gjatë hetuesisë në mënyrën më çnjerëzore. E lidhur me hekura, duar e këmbë e patën varur në një çengel vetëm sa i takonin majat e gishtave, e lanë ashtu për ditë të tëra. Siç qe e varur, i erdhën menstruacionet. Filloi të qante, duke shtrënguar këmbët. Kur hyri roja, ajo filloi t’i thoshte:
“Jo, jo! Të lutem mos hyr!”- Kur ai hyri, e pa në atë gjendje, qeshi si kafshë.
Pse qenë të tillë, qenër!
Në burgun e Burrelit ish i dënuar edhe Gjergj Kokoshi, i sëmurë me TBC. E kishin izoluar vetëm. Një ditë, një i burgosur i futi poshtë derës një copë letër për ta përshëndetur e për t’i dhënë kurajë. Dikush e spiunoi dhe e izoluan në një qeli pa dyshek, pa ndërresa dhe e lanë vetëm me bukë thatë dhe ujë. Ishte dimër dhe në Burrel bënte shumë ftohtë (Ai që e pat spiunuar ishte një çam, në mos harroj quhej Dino). Kështu, Gjergji mori plevit dhe në të njëjtën kohë u çmend. Më vonë i çuan rrobat, por ai zhvishej dhe shtrihej në çimento. Gjithë kohën luste Zotin dhe shenjtorët, pastaj shante Enver Hoxhën, që dikur as që e pat përfillur si njeri dhe intelektual. Thërriste nënën e tij. Nuk pushonte së foluri ditë e natë, gjersa i iku zëri dhe jeta bashkë. Unë e kisha afër qelisë sime dhe e dëgjoja, më vinte keq për të, por nuk duroja dot. Vija duart në vesh dhe ashtu rrija me orë të tëra gjersa më zinte gjumi. Kur vdiq, e mora vesh nga rojet. Dhe fillova të qaja si fëmijë. Nuk e njihja, as nuk e kisha parë ndonjëherë, por e qava si njeri me shpirt, që humbi jetën nën torturën e xhelatëve të PPSH-së.
I shkruaj si më vijnë në kujtesë këto kujtime të hidhura e të paharruara!
.
Në një qeli me Musine Kokalarin – Datë 19 maj 1950, ora 23:00
Një trokitje në derë do na shqetësonte, por do të ndryshonte edhe rrjedhën e jetës sime. Mamaja hapi derën dhe disa oficerë Sigurimi hynë furishëm në dhomën 3×3, ku jetuam për 30 vjet dhe ku përdornim vetëm një ëC, 6 familje. Njëri prej tyre pyet se kush është Rita Sami Koka… Unë! – i them… “Në emër të popullit jeni e arrestuar”. Mamaja u trondit pa masë dhe iu drejtua oficerëve të Sigurimit: “Amani, ku po e çoni çupën time?”.
Më arrestuan pa më thënë arsyen. Në atë kohë ndodhte shpesh që oficerë të Sigurimit shkonin nëpër shtëpitë e të përndjekurve, u rrëmbenin çupat, gjoja për t’i arrestuar, i përdhunonin dhe i degdisnin në fshatra të largëta e të humbura të Shqipërisë. Unë e kapa nga supi mamanë dhe me zë të qetë e të vendosur i thashë: “Mos u trondit mama, unë s’kam bërë gjë, prandaj do të kthehem!”. Ata më vunë prangat e bashkë me mua largohen duke lënë mamanë në lot e ngashërim, në gjendje shock-u e pikëllimi se njerëzit e tjerë të familjes largoheshin, sikur të ishim me lebër. Qëndrimi im prej krenareje me kokë lart, dhe kurajo që i dhashë mamasë sime do të më përmendej edhe në hetuesi, duke më quajtur “shumë të vendosur në aktivitetin tim kundër pushtetit popullor”. “Sipas jush, – i drejtohem hetuesit në birucat e hetuesisë, – çfarë prisnit, të kapja mamanë në cep të fustanit e të qaja?!”
Pas një viti hetuesie të tmerrshme, të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, dënohem me 10 vjet heqje lirie, nën akuzën “organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion propagande me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë”. Sigurisht unë e prisja një akuzë të tillë, sepse në shtator-tetor të vitit 1949, filloi ‘spastrimi’, dhe nga shkollat e mesme u përjashtuan 16 nxënës nga Teknikja dhe gjimnazi. Ndër ta isha unë dhe vëllai im i vogël, Genci. Përpara se të më lëviznin nga birucat në kampin e të dënuarve, shoqet me të cilat ndaja ditët dhe netët e izolimit, më porositen që të bëja kujdes nga një spiune dhe provokatore e rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, një ish-pjesëtare e Ballit Kombëtar, e quajtur Nurie Maska, nga Vlora. Kur kishte qenë në kampin e burgut të Vlorës, tre djem vendosën të arratiseshin. Për këtë gjë ata biseduan me Nurien, por ajo i raportoi te drejtori i burgut, xha Metani. Dhe kur ata tentuan të arratiseshin, njëri u vra, duke mbetur në telat me gjemba në përpjekje për t’i kapërcyer, ndërsa dy të tjerët i kapën. Njëri nga të burgosurit kishte qenë mësues dhe i kishim birucat ngjitur. Një ditë, duke kaluar për në banjë, ai më fut një letër poshtë derës, ku më tregonte gjithë historinë e tij, dhe me porosit që t’i thosha N. Koculit (nga Vlora), që të lajmëronte nënën se ai ishte gjallë. Nëna e gjorë e dinte të vdekur birin e saj. Kur lëviza nga izolimi në birucë në kampin e burgut, aty më kanë pritur disa të dënuara për politikë, ndër to dhe sopranoja e talentuar, e mrekullueshmja Merita Sokoli, e cila më mori në dhomën e saj të vogël, si i pëlqente Meritës ta quante. Nurie Maskës nuk i dhashë fare të njohur, por nuk kisha as edhe dëshirë ta shihja e të komunikoja me të. Nurien e përbuznin të gjitha, duke e quajtur monstër. Kur drejtor Metani u transferua nga burgu i Vlorës në burgun e Tiranës, Nurien e mori me vete që ajo të vazhdonte misionin e saj të provokatores e spiunes. Ajo i qëndroi aq besnike aktivitetit të saj, sa spiunonte edhe për gjëra fare të thjeshta, që më pas bëheshin çështje të mëdha. Sado që mundohesha ta injoroja Nurien, më duhej të përballesha me shpirtligësinë dhe hipokrizinë e provokatores.
***
Një miku ynë kishte shkruar një novelë shumë të bukur, ku e përshkruante Shqipërinë si një shqiponjë të lidhur në pranga dhe të gjakosur nga gjaku i të vrarëve. Ma pat treguar që ta shihja nga forma letrare (ai ishte 16 vjeç dhe unë 18). Novela më pëlqeu shumë dhe i thashë sikur të kishim mundësi e të shkruanim shumë kopje si kjo dhe t’i shpërndanim. Ai e pëlqeu këtë mendim timin dhe bëri si i thashë unë. Ky trakt u shumëfishua dhe u shpërnda, fillimisht në Shkodër. Në Tiranë e shpërndau Lluka Dindi që ishte 16 vjeç, nxënës në Teknikumin financiar. Në fillim u arrestua Ndoc Larja, pastaj Lluka, Amiku, Petro Konomi dhe unë nja tre-katër muaj më vonë. Kur na nxorën në gjyqin ushtarak si grup, më pyetën nëse i njihja pjesëtarët e tjerë. U thashë: “Jo! As i njoh, as i kam parë ndonjëherë!”. Në grup në gjyq qe futur edhe Bardhyl Dindi, kot së koti, që përveç Llukës që kish të bënte me të, asnjëri prej të akuzuarve nuk e njihte dhe as e kishin parë si fytyrë. Bardhyli tha për mua që nuk më njihte veçse si fytyrë, që më kishte parë në gjimnaz. Prokurori, një oficer madhor i komunistëve, më thotë: “Sigurisht që nuk i njeh, kryetari rri gjithmonë i panjohur”. Pasi mbaruan disa seanca, u dhanë dënimet. Në fund, prokurori filloi të na pyeste se çfarë kishim për të thënë për fjalë të fundit. Unë i thashë: “Asgjë!”. “Si?”, më thotë. E quan të drejtë dënimin?”. “Jo! Unë nuk e quaj aspak të drejtë, por fjala ime nuk ndryshon asgjë, ju vendosni vetë, si ju vjen për shtat, dhe për këtë nuk ju kërkoj mëshirë!” Vite më vonë, kur u takova me babanë, në burgun e Burrelit, mes të tjerash më tërhoqi veshin me ledhatim dhe duke buzëqeshur më tha: “Mos u trego kokëfortë këtu në Burrel, si në gjyq”. Duke e përqafuar, i thashë: “Nuk jam kokëfortë baba, por padrejtësia më revolton”. Babai më shtrëngoi fort pas gjoksit dhe përsëri mbajti të qarët që po i shpërthente.
I pashë vetëm sytë e përlotur.
.
***
Arritëm në Milot, autobusi ndaloi për pushimin e parë. Pasagjerët zbritën të pinin cigare. Duke parë ata njerëz të thjeshtë, të lirë fizikisht se moralisht ishim njësoj, duke thithur cigaren më erdhi dëshira që edhe unë ta tymosja një me ta. U thashë rojeve nëse qe e mundur të më linin edhe mua për të tymosur një cigare jashtë. Dola e shoqëruar dhe pa dhënë muhabet, e porositur për këtë qysh më parë. Pashë që sapo kish mbërritur edhe autobusi i Estradës së Shkodrës. Aktorët qeshnin me njëri-tjetrin dhe gjithë humor flisnin me zë të lartë. Dikush u tregoi për mua dhe e qeshura e tyre u pre. Më shikonin me habi dhe diçka bisedonin me njëri-tjetrin me zë shumë të ulët. Më shihnin me habi e dhimbje. Dikush tundte kokën, sikur pyeste veten: “Ç’ndodh kështu?”. Unë nuk u trondita fare, përkundrazi e ndieja veten krenare dhe këtë krenari mundohesha ta tregoja në çdo çast. Më dënonin komunistët, kriminelët, llumi i kombit që kish uzurpuar pushtetin legjitim. Isha krenare dhe me këtë krenari shijoja ato orë të pakta lirie, edhe pse më shoqëronin policët me pushkë automatike. U ndjeva e lirë për pak orë jashtë mureve të qelisë. Kur arritëm në Burgun e Burrelit, na priste nëndrejtori.
Qe e dielë dhe drejtori nuk ishte aty. Në atë kohë në Burrel qe edhe Musine Kokalari. Të nesërmen kur erdhi drejtori i burgut Dino, më pa që isha me Musinenë (edhe dy gra të tjera) dhe qëndroi për një çast, u mendua dhe më tha: “Urdhri nga Tirana është që ti të ishe izoluar më vete këtu!”. Na mori të katrave për të na treguar qelinë që ishte caktuar për mua. Burgu i Burrelit është i futur në gropë dhe i rrethuar me shkurre. Kishte një lagështi të paimagjinueshme, muret kullonin ujë dhe ishin të zbutura, llaç i gjallë. Klima e vetë qytetit ishte shumë e ftohtë. Unë, e infektuar në qelitë e burgut të Tiranës me zgjebe dhe morra, duhet të pastrohesha. Doktori i burgut, Lush Pogu, i dënuar edhe ai, më dha mjekimet e duhura. Zoti më ruajti që nuk mora plevitin, ngaqë isha e detyruar të lahesha përjashta në borë. Hava Golemi dhe Xhemo Ahmeti, mbanin dy çarçafë për të më mbrojtur nga era dhe ngrica, kurse Musineja më hidhte ujë të ngrohtë ndërsa lahesha. Në pranverë Musineja dhe dy gratë e tjera u transferuan për në burgun e Tiranës. Kur u komunikuan transferimin, Musineja u kthye nga unë dhe më tha “Rita, si do të lë ty vetëm në këtë skëterrë?!” Unë i thashë: “Musine, mendo vetëm nënën tënde të moshuar që ka kaq kohë pa të parë, pse gjer këtu nuk vinte dot, unë do ta kaloj ashtu si e kalove ti”.