back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Amerika – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Amerika

nga Muçi Xhepa

Vendet në sallën e operas u mbushën shpejt. Puçini. La Boheme. Instrumentisti ishte ulur ne radhën e parë. Akordonte violonçelin dhe qeshte me vete. “Eh, duhet të thërras edhe unë si Puçini sonte. ‘Zot! Kush të ka dërguar tek unë?’ Atij i dhuroi Karuzon, mua ty: të ngratin emigrant, që kërkon me çdo çmim të bashkohesh me gruan. Dashuria. Ky çrregullim mendor.”
Emigrantin e kishte kapur makthi. Pagjumësia. Pasaportën e kishte gjetur me vizë amerikane. Kishte ditë që trokiste te dyert e miqve zengjinë. E prisnin me këmbët e para. Njëri, që kishte varur shpresat, e kishte lënduar.
-Ti do t’mi kthesh paratë? Kaq shumë? Që nuk ke numëruar në jetë as njëqind dollarë.
-Po, po! Do punoj, natë e ditë. Do të t’i kthej, një për një. Besomë!
Kishte mbushur sytë me lot. Ishin rritur bashkë. Familje pa probleme klasore. Proletarë. Por, parajsa e premtuar u kishte sjellë vetëm varfëri. Me shumë vëllezër e motra. Familja e shokut edhe më rëndë akoma. Njëri prind ishte larguar shpejt nga kjo botë. Emigranti kishte ndarë bukën me të. Rrobat. Pas shembjes madhe, zengjini ishte larguar për në jug. Vendin fqinj. Qëndroi fare pak. U kthye. Me shumë para. Nën zë flitej se kujdesej një segment i shtetit atje. Mbillte fidanet e së ardhmes. Shqipërisë demokratike. Brenda ditës hapi biznes të madh. E tërë shoqëria mbeti gojëhapur.
-Të lutem,- iu përgjërua emigranti, – më kanë dhënë vetëm një javë kohë. Do ta shesin në të kundërt. Kam kërkuar shumë. Një vit. Fëmijët janë bërë gati për të vajtur në shkollë. Gruaja bën dy punë.
S’e mbajti veten kur përmendi bashkëshorten. Dëshpërimi e mbyti. E donte shumë. Zengjini rrudhi vetullat.
-Jo more! Thua, të paguaj për fëmijët e tu. Të shkollohen në Amerikë. Dhe, të mitë këtu mes plehrave. I zgjuar, për nder!
Emigranti u largua i hidhëruar. Zemërimi i kishte lënë vendin urrejtjes. S’ishte natyrë që urrente, por zhgënjimi i kishte kaluar caqet njerëzore.
Avioni nisi uljen. Rreth ëndrrës. Aeroporti JFK. Porta më e madhe qiellore për te bota e lirë. Amerika! Zemra filloi t’i rrahë shpejt. “Mos më lër në rrugë! Pëllumbat dhe pëllumbesha më presin. T’i marr në krahë”. Fshiu sytë.
-Po ta japim pasaportën me një kusht. Nëse kalon me sukses, ke një numër telefoni brenda, – kishte futur një copë letër.
-Tregoju vendin ku ndodhesh e të gjejnë.
-Si kështu? Do t’më duhet, të paktën sa të…
-Ore derëzi, ka të tjerë që e kërkojnë më shtrenjtë.

.

Ikonat e Amerikes
Ikonat e Amerikes

S’nguli këmbë. Fjala sukses i ndezi zjarrin që e përvëlonte. Nxorri nga xhakavento pakon e parë të qindësheve. Iu dridhën duart. Një shok ushtrie i kishte mbledhur në farefisin e tij. “T’mi kthesh kur t’i bësh”. E kishte përqafuar si të ishte Krishti.
-Fotografinë do ta ndërroj. Kam një mik që e bën si të ishite orgjinale.
-Jo more. Asnjë ndryshim. Personi që e ka do t’i duhet përsëri. Shkon me orkestrën jashtë.
Emigranti e kuptoi se kishte të bënte me sekserë. Ai që numëronte paratë kishte të çarë të thellë në ballë.
-Unë nuk ngjasoj me të zotin e pasaportës.
-Paske fjalë shumë. Dhe, mos mendo se kalon oqeanin e fshihesh. Do të gjejmë edhe në brimën e…
-Lëre tani këtë muhabet, – tha ballëçari, – e di ç’e pret.
Ngriti mbulesën e dritares. Qiellgërvishtësit iu dukën fare pranë. Mund të prekeshin me dorë. Fshiu sytë. Avioni bëri rrotullim tjetër. Pranë Statujës së Lirisë. “O Perëndi, pranë kësaj mrekullie ka ngritur çerdhen pëllumbesha me zogjtë”. Vuri buzën te xhami. “Udhëtarët të përgatiten për uljen në pistë”, lajmëroi zëri i pilotit. Nuk dinte anglisht, në shkollë kishte mësuar rusisht. Vështroi në anë. E moshuara që ishte ulur pranë tij i buzëqeshi dhe i bëri shenjë të shtrëngonte rripin.
Çdo herë që hapeshin dyert fëmijët ngrinin krahët lart. Të fluturonin te babai. Ishte bërë një orë që udhëtarët kishin mbaruar punë me doganën. S’kishte mbetur njeri nga linja Alitalia. Ajo përdorte terminalin 1. Po u shuhej besimi. Kishin ardhur që në dhjetë. Ora po shkonte tre pasdite.
Emigranti u vu në radhë. Filloi të lutej. “Perëndi ma bëj dritë”! Ishin fjalët që i drejtohej Krijuesit kur kërkonte shpëtim. I lutej me aq shpirt, sa i ishte krijuar bindja se dëshirat i plotësoheshin. Punonjësja e aeroportit, që mbante rregullin, i bëri shenjë të shkonte tek oficeri i emigracionit, tashmë i lirë. Iu dridhën këmbët. Shtrëngoi pasaportën dhe bëri përpara. Oficeri zgjati dorën. E hapi.
-Nga cili vend po vini?
Emigranti vuri dorën në zemër.
-Amerika!
Oficeri e kuptoi se i huaji nuk dinte anglisht. Hodhi sytë në kompjuter. Pastaj te fotografia e pasaportës. Ngriti kokën. U ngrys. Vështroi të huajin me vëmendje. Emigranti vuri dorën në zemër përsëri.
-Amerika!
Zëri i doli i thellë. Oficeri afroi pasaportën ta shohë mirë. Pastaj kompjuterin. Ishte me ngjyrë. Luftonte me veten, apo me të vërtetë se shihte ndryshimin. Hodhi sytë tek i huaji. Këtë radhë i shpëtoi një lëvizje buze. Emigranti vendosi dorën në zemër.
-Amerika! – Zëri i doli i fortë.
Oficeri shtrëngoi vulën. E ngriti lart.
-Mirësevini në Amerikë!
I buzëqeshi dhe e vendosi atë mbi faqen e pasaportës. Emigranti bëri drejt portës. Këmbët po e linin. Ja një hap edhe një tjetër. Dyert automatike u hapën. Porta e lirisë. Bëri përpara. Por, këmbët s’e mbanin më. Ra në gjunjë. “Perëndi ma bëre dritë”, tha lutjen. Ndërsa pëllumbesha dhe zogjtë e mbulonin me të puthura.

.

Marrë nga Muri i Fb, i Muçi Xhepës, 28 shtator 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.