back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Analizë mbi shqipërimet e poemave “Iliada” e “Odisea” të Homerit prej Ilia V. Ballaurit – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Ilia V. Ballauri - Homeri - "Iliada" & "Odiseja"
Ilia V. Ballauri – Homeri – “Iliada” & “Odiseja”

Analizë mbi shqipërimet e poemave

“Iliada” e “Odisea” të Homerit prej Ilia V. Ballaurit.

nga Thanas L. Gjika

Shqipërimi i plotë i veprave homerike “Iliada” dhe “Odisea” me sfondin e tyre enciklopedik prej Dr. Ilia Vasil Ballaurit, përbën një ngjarje të rëndësishme për letërsinë, artin, kulturën dhe shkencat shqiptare. Kësaj arritjeje cilësore në të ardhmen do t’i kushtohen studime të shumanshme prej specialistëve të fushave të ndryshme, por unë do të sjell disa vlerësime për të, pa pretendim shterrues.
Ilia V. Ballauri, Doktor i Shkencave Gjenetike dhe pedagog, sot 68 vjeç u lind në qytetin e Korçës, në gjirin e një familjeje të pasur e të kulturuar me origjinë nga qyteti elitar i Voskopojës. Ai ka kohë që ka rënë në sy si intelektual i përkushtuar jo vetëm në profilin e tij, por edhe pas letrave, sidomos përkthimeve e përshtatjeve në gjuhën shqipe të shumë kryeveprave të letërsisë europiane. Ai ka rreth njëzet e tetë vjet që jeton në Greqi dhe udhëton shpesh në Shqipëri, Gjermani dhe Austri ku ka fëmijët dhe të afërmit e vet. Është njohës i thellë i një sërë gjuhësh të huaja si greqishtja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja (me diplomë), është studiues i pasionuar i greqishtes së vjetër, latinishtes dhe sanskritishtes (për këtë të fundit ka pasuruar bibliotekën e vet, me një sërë botimesh të porositura në New Delhi). Ka studiuar për shumë vite rusishten prej nga edhe ka përkthyer disa vepra. Po ashtu ai ka përkthyer sipas rastit prej gjermanishtes, spanjishtes, portugalishtes dhe rumanishtes.
Krahas punës për të sjellë në shqipen letrare vepra të letërsisë moderne europiane, ai shquhet edhe si njohës i thellë i botës së lashtë greke, veçanërisht i Homerit, Safos, Anakreontit (të cilët i ka shqipëruar të plotë), Platonit, Aristotelit, Hipokratit, Eskilit, Euripidit, Sofokliut, njohës i miteve, i historisë, gjeografisë dhe sidomos i shkencave të Greqisë së lashtë, për të cilat ka botuar disa libra, etj. Me punën e tij të këtyre 30 vjetëve të fundit, Ilia Ballauri është shqipëruesi më voluminoz i trashëgimisë së letërsisë e kulturës së Greqisë së lashtë. Veprat e sjella prej tij në shqip prej kësaj bote antike arrijnë në mijra faqe.
Trashëgimia homerike e sjellë shqip prej Ilia V. Ballaurit me përshtatjen shumë cilësore të materialit poetik dhe me shënimet, komentet, analizat, esetë dhe ilustrimet e shumta artistike, është befasuese në shumë aspekte. Ia vlen të përmendim këtu se ky shqipërues vjen në fushën e artit të përkthimit nga bota e shkencave ekzakte, ku njohuritë e tij për matematikën dhe fizikën janë për t’u admiruar, si thonë ish pedagogët e kolegët e tij.
Thjeshtësia e këtij njeriu të ditur dhe punëtori të madh të bën për vete që në faqet e para të parathënieve të veprave homerike. Kur ai fillon të tregojë për madhështinë e “Iliadës”, bën këtë apologji: “…tek rreshtat që vijojnë në këtë parathënie për veprën e Homerit asgjë nuk është e imja, veçse puna për të krijuar mozaikun që do të lexoni, që siç do ta shihni, është një kolazh mendimesh dhe vlerësimesh në shekuj, për veprën e poetit të madh. Këto i zgjodha mes shumë të tjerash duke i konsideruar si më të veçanta. Ndërkaq, pranohet se çfarëdo që të thuash për Homerin, së pari, është gjithmonë e pamjaftueshme, së dyti, po të hulumtosh, do të konstatosh se është thënë më parë prej mendjeve të ndritura, dhe së treti, për të është thënë dhe shkrojtur aq shumë, sa një jetë njeriu nuk mjafton për t’i njohur të gjitha.” (“Iliada” I.V.B. Parathënie, f. V).
Urtësia e I. Ballaurit po ashtu bie në sy që në faqet e para kur jep mesazhin e tij: “Iliada” është eposi i luftës, i grindjeve, i mërisë mes njervzve, popujve.
Ia kushtoj këtë shqipërim, mirëkuptimit, paqes, qetësisë mes tyre… – Duke na kujtuar ne popujve ballkanikë të ecim përpara drejt mirëkuptimit, paqes e qetësisë midis nesh.
Të shumtë janë mendimet dhe vlerësimet për Homerin nga shkrimtarë të mëdhenj, kritikë, specialistë, filozofë, filologë, personalitete, etj, të një harku kohor shumë të gjërë. Ballauri sjell mendimet e M. Arnold, (kritiku më i njohur i Homerit për të gjitha kohët deri sot) E. Hamilton, (një prej helenistëve më të njohura po ashtu për të gjitha kohët), të J. Griffin, M. Adler, W. Gladstone, G. Flobert, Spiro Çomorës tonë, R. Graves, G. Leopardi, etj. Prej thënieve elegante të këtyre mendimtarëve që vlerësojnë veprën e Homerit, të sjella në parathënien e Ballaurit, po ndalemi në dy prej tyre:
“Gjatë jetës, sa më tepër kalojnë vitet dhe rritemi e moshohemi, interesat për një larmi në të lexuar, bien njëra pas tjetrës dhe kam frikë se do të mbetemi vetëm me Homerin dhe Virgjilin, apo ndoshta vetëm me Homerin” (Tomas Jefferson, Iliada I.V.B Parathënie, f. VI).
Dua të lexoj Iliadën e Homerit në tre ditë, ndaj mbylle derën mirë me lloz(!), më dëgjon, mbylle(!), dua që askush të mos ma largojë vëmëndjen, asgjë të mos më shqetësojë. Në të kundërt, të siguroj, të betohem, se atëhere ke për të parë, sesa rëndë, sa ashpër do të zemërohem“ (Pierre de Ronsard, ose i quajturi prej francezëve “princi i poetëve” – drejtuar mëkëmbësit të vet, para se të lexonte Homerin (“Iliada” I.V.B. Parathënie, f. VII).
Perkthyesi Ilia Ballauri
Perkthyesi Ilia Ballauri
Poemat e Homerit konsiderohen krahas Biblës si veprat më të përhapurat dhe më të lexuarat në mbarë botën, që kanë luajtur një rol shumë të madh për orientimin e njerëzimit drejt qytetërimit dhe humanizmit. Iliada deri në vitin 2009 në anglisht, shkruan Ballauri, ishte përkthyer 78 herë, në frëngjisht 43 herë, shumë herë në gjermanisht, italisht, portugalisht, spanjisht, rusisht, etj. Madje disa herë edhe në disa gjuhë të Ballkanit, si në rumanisht, bullgarisht, serbokroatisht, etj (“Iliada” I.V.B. Vol.1 f. 169-173). E njëjta gjë, shton ai, duhet thënë edhe për Odisenë, në anglisht është përkthyer 66 herë deri në vitin 2014, në frëngjisht 26 herë, dhe shumë herë në gjermanisht, rusisht, italisht, spanjisht, portugalisht, etj, si dhe në gjuhët e Ballkanit (Odisea I.V.B. Vol.1 f. 190-195). Tek përkthimet e mësipërme për të dy eposet, gjejmë të gjitha format e vargëzimit si: hekzametrik, jambik pentametrik, kuplete heroike, vargje të thyer, vargje të bardhë, prozë, soneta, me rimë, pa rimë, etj.
Shqipja është ndër gjuhët e fundit të kulturës europiane, ku u përkthye Homeri i plotë. Në shqip Homeri i plotë u përkthye në vitet ‘60-’70, të shekullit të kaluar, pra më se gjysëm shekulli më parë.
Ballauri jep i pari një historik të shkurtër mbi përkthimin e “Iliadës” në shqip: “Përkthimin në gjuhën shqipe të Iliadës së Homerit e ndeshim për herë të parë dhe vetëm për rapsodinë e 1-rë, në vitin 1896. Autori i përkthimit ishte Naim Frashëri. Botimi i saj u krye në Bukuresht prej shtypshkronjës së shoqërisë “Dituria” në formën e një fashikulli. Më pas kjo rapsodi u ribotua më 1912, në Korçë, nga shtypshkronja “Korça”, titulluar: “Iliadhë e Omirit, kthyerë Naim Be Frashëri”. Po Naimi, më 1886, pra dhjetë vjet përpara se të kryente botimin e vet në shqip, pat botuar në turqisht, veç veprave të tij të tjera në këtë gjuhë edhe përkthimin e kësaj rapsodie të Iliadës…
Pas Naimit, At’ Gjergj Fishta, i dyti pas Naimit, përktheu rapsodinë e 5-të, (fragment) të Iliadës së Homerit… Në vitin 1938, shtypshkronja françeskane botoi rapsodinë e 22-të, të Iliadës së Homerit përkthyer prej Prof. Frano Allkaj. Botimi në fjalë në gegërisht, shoqërohej nga një përshkrim mbi poezinë epike greke të lashtë, të shkrojtur po nga përkthyesi. Më pas më 1941, F. Allkaj botoi tek, “Hylli i Dritës”, përkthimin e rapsodisë së 24-të të Iliadës, po ashtu në gegërisht… Në një botim të viteve të fundit postmortum të veprës së Nikollë Dakaj me titull: “Antologjia e poezisë së madhe botërore”, përfshihen edhe përkthime të bëra qysh në vitet ’40 në gegërisht të disa fragmenteve, nga ku një fragment i rapsodisë së 1-rë edhe me rimë të Iliadës. Përkthimi i plotë i Iliadës së Homerit, u krye prej Profesor Gjon Shllakut (1923 – 2003) rreth viteve ’60 dhe u botua më 1965. Grupi i redaktimit të përkthimit, përbëhej prej gjashtë vetësh midis të cilëve edhe përkthyesi i njohur Spiro Çomora, i cili e shoqëroi botimin me studimin e tij: “Iliada dhe bota homerike”. Përkthimi i vitit 1965 ishte në gegërisht. Më pas shtëpia botuese “Naim Frashëri” realizoi një botim të dytë i cili u përcaktua, i ripunuar. Ripunimi pati si qëllim kthimin nga gegërishtja në variantin e gjuhës letrare zyrtare, të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Ky përkthim e futi edhe vendin tonë, ndonëse me vonesë kundrejt vendeve të tjera evropiane, në një vend ku tashmë “Iliada”, kjo kryevepër e letërsisë botërore, është e përkthyer e plotë. Përkthimi i Iliadës prej Gj. Shllakut, përveç një sërë meritash të padiskutueshme të cilat analizohen gjithandej tek shkrimet e ndryshme lidhur me këtë përkthim, mendoj se ka të bëjë me këto vlera, që më mirë se kushdo mund t’i ndjente dhe t’i thesh, një tjetër përkthyes i Iliadës, – shkruan Ballauri dhe thekson konkretisht:
1-Në një vend evropian letrat dhe arti janë ndryshe, kur në të ekziston edhe një përkthim i Iliadës në gjuhën e vet. Gjon Shllaku duke përkthyer Iliadën e plotë në shqip, jo vetëm që i solli vendit këtë kryevepër të pakrahasueshme të letërsisë botërore por, ai me këtë punë, e mbuloi me një vello ndriçuese gjithë zhvillimin e letrave tek ne. Pa Homerin në shqip, nuk do të mund të thoshim: ‘Fishta është Homer’. Një populli që nuk e njeh Homerin, edhe Kadareja nuk do të mund t’i thoshte: “Eskili ky humbës i madh”, sepse një popull që nuk e njeh Homerin, është një humbës edhe më i madh.
2-“Iliadën” siç shihet më sipër, e zunë me dorë edhe penat më të mëdha të letrave shqipe por ata e lanë atë. Përsëri, ishte Gjon Shllaku i vetmi, ai i cili ia doli mbanë një pune të tillë, aq kolosale, aq të lodhëshme dhe aq voluminoze.
3-I përndjekur, nëpër burgje që në moshën të re, ai e përktheu Iliadën në atë kohë, kur ngado, imponohej dhe inkurajohej me forcë prej diktaturës së asaj kohe, të lexoheshin vetëm citatet e Mao Ce Dunit dhe veprat e Enver Hoxhës. Ai e përktheu Iliadën duke qënë në një izolim të plotë politik, shpirtëror, intelektual, burimor, ekonomik, etj, duke patur në dorë vetëm një armë, vullnetin dhe duke mos patur ndoshta as edhe letër, për të shkrojtur. Për mua që përkthimin e Iliadës së tij e kam ndjekur deri në qelizë, Gjon Shllaku mbi të gjitha, ishte një hero i letrave shqipe. (Iliada I.V. B. Vol. 1 f. 174-175)
Mbas këtyre vlerësimeve për përkthyesin para tij të “Iliadës”, Ballauri sjell dhe historikun e përkthimit të poemës “Odisea”: Në bibliografinë e vendit tonë përmëndet se, prej Odisesë së Homerit ka patur përpjekje të hershme për të përkthyer pjesë të ndryshme, madje nënvizohet se i pari që mundi të përkthejë, të tre rapsoditë e para, të kësaj vepre madhore ka qënë poeti, publicisti dhe patrioti, Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni. Me keqardhje pastaj shtohet se këto përkthime, mbetën si dorëshkrime të pa botuara. Ndërkaq i pari që mundi të nxjerrë në dritë një libër të botuar me Odisenë e Homerit, ka qënë Spiro Çomora por edhe ky jo të plotë por, vetëm me dymbëdhjetë rapsoditë e para, botuar më 1973, disa vite më pas para se botimi i Iliadës së përkthyer prej Gjon Shllakut. Odisea e Çomorës pat qënë redaktuar prej Andrea Varfit dhe qarkulloi në atë kohë, me një tirazh tepër të madh 18 mijë kopje, vitin që ai vdiq! Spiro Çomora folklorist, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf, me origjinë nga Vunoi, ishte njëkohësisht edhe një helenist i shquar madje për mua edhe elegant. Ai përktheu një sërë veprash të Antikitetit, prej Ezopit, Aristofanit, Juvenalit, etj. Çomora punoi gjithashtu edhe në redaktimin e shqipërimit të Iliadës së Gjon Shllakut…
Përkthimi i plotë i “Odisesë” së Homerit, në Shqipëri është realizuar prej Profesor Pashko Gjeçit dhe u botua më 1976, pra rreth 10 vjet pas botimit të Iliadës… Pashko Gjeçi, poet, mësues, përkthyes, i njohur dhe i vlerësuar i solli vendit, përveç Odisesë së Homerit edhe shqipërimin e Komedisë Hyjnore të Dante Aligherit, si dhe një game të pasur shqipërimesh të tjera, mes të cilave edhe Faustin e Gëtes, Traviatën e Verdit, tragjedi të Jean Racine, etj.
Së fundi në vitin 2009, një tjetër përkthyes i sprovuar Llambro Ruci nga Dhërmiu, solli një përkthim të dytë të plotë, të Odisesë së Homerit. Puna e kryer prej Llambro Rucit është e kujdesshme. Kuptohet, e kryer në një tjetër kohë, me të tjera mundësi dhe për rrjedhojë dhe me cilësi. Me shtimin e përkthimeve të Homerit, tashmë lexuesit i jepen mundësi të njohë më mirë poetin e lashtë dhe madhështinë e tij, i jepet mundësia për krahasime, thellime, studime, etj. (Odisea I.V.B. Vol. 1 f. 194-195)
Ndërkohë kur përkthyesit e mësipërm, sollën secili vetëm njërin prej të dy eposeve të Homerit, Gjon Shllaku – Iliadën, Pashko Gjeçi – Odisenë dhe Llambro Ruci po Odisenë, vlen të theksojmë se Ilia V. Ballauri është i pari dhe i vetmi deri sot që shqipëroi gjithë veprën e Homerit me rreth 28 mijë vargje, që përbejnë korpusin e plotë të poemave “Iliada” dhe “Odisea”.
Iliada (2013) e Ballaurit është një shqipërim në dy volume me gjithsej 959 faqe në format të madh A4, ose me rreth 1.900 faqe të librave me format mesatar; kurse Odisea (2017) në dy volume me gjithsej 753 faqe në format të madh A4, ose me rreth 1.500 faqe të librave me format mesatar. Kurse libri Mburoja e Akilit dhe kulmime të tjera të Iliadës së Homerit përbëhet nga 230 faqe botuar më 2013 me format mesatar. Së fundi një studim special tepër interesant, i realizuar dhe botuar vetëm në anglisht prej Ballurit sivjet (2018) me titull A mathematical mirror to reflect on Homer’s Iliad and Odyssey vocabulary” (Studime matematike nën prizmin e linguistikës kuantitave për fjalorin Homerik) me 201 faqe A4 ose me rreth 400 faqe të formatit mesatar. Pra puna madhore e Ilia Ballaurit mbi Homerin i kalon 4.000 faqet.
Të dy eposet e Homerit janë shoqëruar me një plotësi shënimesh dhe riprodhim ilustrimesh fotografike, pra me një sfond të pasur dhe voluminoz enciklopedik, gjë që siç thotë vetë ky shqipërues, pa të, është e pa mundur që poeti i madh të kuptohet e të shijohet si duhet. Mungesa e këtij sfondi do të ishte një gjë e ngjashme me dikë që hyn në një muze të panjohur, pa një guidë, pa një shpjegim për të kuptuar përmbajtjen e ekspozimeve; ose sikur të ngjallej sot dikush prej kohëve homerike e të jetonte midis nesh pa e sqaruar atë për smartphonet, fekondimin extrasomatik, klonizimin, për wi-fi, microsoftword, etj.
Ky shqipërues i talentuar dhe i mirëformuar në shumë aspekte shkencore e pati kuptuar që në fillim të punës se, pa u sjellë lexuesve sa më të gjallë botën e kohëve homerike, veprat e poetit gjenial nuk mund të shijoheshin, nuk mund të kuptoheshin dhe mbi të gjitha nuk mund të vlerësohej fakti pse Homeri mbetet për të gjitha kohët babai i poezisë dhe poeti më i madh që jetoi e krijoi në tokën tonë.
Në hyrjen e Iliadës, studiuesi Ballauri ka hartuar një ese për jetën e Homerit, mbështetur në biografitë më të rëndësishme të shkruara për këtë poet prej Herodotit, Plutarkut dhe Proklitit, si dhe në gojëdhëna e traktate të ndryshme.
Lidhur me kohën se kur jetoi poeti i madh, Ballauri shkruan se studimet e sotme shkencore filologjike mbështesin përcaktimin e Herodotit, sipas të cilit autori i eposit të lashtë grek, jetoi rreth vitit 800 para Kr. Ai pranon dhe mendimin e Eratosthenit, i cili ka llogaritur se poeti jetoi 100 vjet pas Luftës së Trojës, kohë kur ishin konsoliduar shumë këngë trimërie për bëmat e luftëtarëve të Trojës, disa prej të cilave Homeri vetë i përmend me gojën e rapsodit Dimodok gjatë gostisë që dha mbreti Alkino (Odisea rapsodia 8).
Përsa i përket origjinës së Homerit, Ballauri përmend dhe një epigram të lashtë ku shkruhet: Shtatë vende hahen mes tyre, kush të njihet si rrënja nga ku rrjedh Homeri: Smirni, Hio, Kolofoni, Itaka, Pilosi, Argosi, Athina.
Helenistët e sotëm grekë janë pajtuar me mendimin se Homeri lindi në Smirni dhe pasi shëtiti në shumë qytete vijoi jetën në ishullin Hio (Io), ku sipas Pavsanisë ndodhej edhe varri i Homerit. Në këtë ishull u zhvillua dhe tradita e Homeridëve (rapsodë që këndonin si Homeri) traditë e cila mbërriti e gjallë deri në kohën e Pindarit në shek. V-të para Kr.
Pavarësisht nga këto konkluzione, të cilat askush nuk mund t’i përmbysë, unë (Th. L. Gj.) mendoj se qyteti i origjinës së Homerit mbetet ende një problem i hapur dhe dua të sjell këtu mendimin e Prof. Dhimitër Pilikës, një tjetër helenist korçar. Ky studiues në një intervistë dhënë Prof. Muzafer Xhaxhiut rreth viteve 1991-’92, dha disa mendime interesante lidhur me origjinën dhe vendlindjen e Homerit. Ai shprehu mendimin se Homeri ka shumë mundësi të ketë lindur dhe të ketë kaluar rininë në ishullin e Itakës, ishullin e Odiseut. Këtë mendim ai e arsyetonte me idenë se poetët në përgjithësi vendit ku janë lindur e rritur dhe njerëzve të shquar të tij u kushtojnë pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tyre. Pra Homeri duke thurrur një poemë të tërë për Odisenë, duke i kënduar dashurisë së këtij heroi për vendlindjen, i ka kënduar dhe dashurisë së tij për vendlindjen e vet, pra ka zbuluar origjinën e tij të njëjtë me atë të Odisesë.
Edhe këtë hipotezë të Dh. Pilikës nuk duhet ta hedhim poshtë, përderisa nuk ka fakte konkrete ku të jetë shënuar vendlindja e Homerit të madh… Iliada dhe Odisea të sjella në shqip prej I. Ballaurit, janë të mbushura me shpjegimin dhe zbërthimin e nevojshëm kuptimor të vargjeve, të miteve, ngjarjeve, heronjve, historisë, gjeografisë, arkeologjisë, etj të botës homerike; me ilustrime të saj nga pikturat, skulpturat, gravurat, skenat teatrale e kinematografike nga më të njohurat deri sot, të cilat për të dy veprat së bashku arrijnë në rreth njëmijë ilustrime, një pjesë e të cilave madje edhe me ngjyra. Aty-këtu jepen edhe statistika të lidhura me botën e veprave homerike apo edhe shtjellime për stilin e poetit të madh, etj. Veprat janë të pasuruara me një indeks shpjegues dhe të numërtuar të emrave që gjenden në vargjet e Homerit, si dhe me një bibliografi të pasur prej qindra referimesh.
Te ky korpus rapsodish shqipëruar prej Ballaurit gjenden dhe analiza të tragjedive e komedive të lashtësisë, ku flitet se çfarë kanë huazuar prej Homerit në veprat e tyre dramatike Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, etj. Jepen po ashtu trajtime të shkencave dhe sidomos të astronomisë, astrofizikës, matematikës, fizikës, bujqësisë, lundrimit, etj, ku thuhet sesi bazuar tek Homeri çfarë elementë përllogaritën pastaj shkencëtarët e lashtë si p.sh. Arkimedi, Eratosteni, etj. Veprat janë të mbushura me sqarime rreth filozofisë, psikologjisë, moralit, të drejtës, etnografisë, zakoneve, traditës të ligjërimit rapsodik, etj, ku jepen pjesë nga Platoni, Aristoteli, Plutarku, Ovidi, Herodoti, Tuqididi, etj, që lidhen me vargjet homerike; flitet sesi Homerit i detyrohen poetët lirikë Pindari, Safo, Anakreonti, Theokriti apo edhe historiani Ksenofont, etj, madje edhe sesi Aleksandri i Madh gjatë fushatave të tij, admironte Homerin dhe zgjohej e binte të flinte me Iliadën e kopjuar prej Aristotelit, që e mbante nën kokë.
Krahas këtyre sqarimeve që jep I. Ballauri për Homerin që lidhen me ndikimin e poetit të madh në lashtësi, ky shqipërues nëpër faqet e Iliadës dhe Odisesë jep gjerësisht dhe me hollësi, ndikimin e Homerit te krijuesit e kohëve të reja, si tek Danteja, Petrarka, Bokaçio, dhe te figura të tjera të Rilindjes europiane si Galileo Galilei, Feneloni, J. Racine, te burri anglez i shtetit Lordi Granville i shek. 18-të, tek Alfred Lord Tennyson, madje dhe në ditët e sotme te G. Klimt (piktor simbolist), J. Borges, J. Joyce, K. Kavafi, M. Atwood, arkitekti i madh Th. Hansen, etj. Të dhëna këto që shpalosin njohuritë enciklopedike të këtij shqipëruesit.
Gjithashtu, në botimet homerike të I. Ballaurit, trajtohen dhe tema të tjera që lidhen me historikun e mbërritjes së vargjeve Homerike nga ditët e Homerit deri sot, temë kjo shumë e gjërë që ai e trajton gjerësisht dhe me hollësi, duke nisur prej kohës së papiruseve, të pergameneve, manuskripteve e deri sot në tekstet homerike elektronike Ai jep në një sërë kapitujsh edhe temën e madhe të debatit homerik, ku mpleksen mendimtarë që prej lashtësisë e deri në kohët e reja si F. A. Wolf e F. W. Nietzsche. Po ashtu ai paraqet trajtimet mbizotëruese për mënyrën sesi përkthehet Homeri dhe për këtë sillen mendimet e koncentruara por edhe të zgjeruara të M. Arnold, J. Borges, J. Shepphard, etj. Jep historikun e përkthimeve të Homerit në latinisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht ku kuptohet rëndësia edukative dhe admirimi sublim për poetin e madh prej kulturës dhe botës europiane. Shtron statistikisht çështjen e fjalorit homerik bazë, duke sjellë të dhëna nga studiues akademikë; trajton temën e vargëzimit homerik, bazuar gjerësisht dhe me hollësi në një sërë studimesh shkencore, filologjike, matematike, muzikologjike, etj. Trajtimi i vargut homerik prej Ballaurit, të mrekullon sesi një çështje kaq të thellë ai e sjell kuptueshëm dhe bukur. Gjithashtu ai trajton temën e shtresëzimit arkeologjik të Trojës sipas studimeve më të fundit, kronologjinë e luftërave të Trojës, jep analiza të armatimeve të përdorura, të numrit të mundëshëm të luftëtarëve që mendohet të kenë marrë pjesë aty, të strukturave navale, etj. Sjell studimet dhe hipotezat si dhe planimetritë e mundshme të arkitekturës së ndërtimit të pallatit të Odisesë ku zhvillohet pjesa kryesore dhe më tragjike e ngjarjes së eposit; sjell studimet e disa universiteteve dhe NASA-s rreth përllogaritjeve të mundëshme të kohës së ngjarjes së luftërave të Trojës bazuar mbi eklipset e një periudhe disa mijëravjeçare, etj. Pra, me pak fjalë shqipëruesi ynë i sotëm sjell një enciklopedi homerike të vërtetë, gjë që dhe ndër publikimet rreth Homerit në botë, mesa kemi parë, është e rrallë.
Por si janë organizuar të gjitha këto tek botimet e I. Ballaurit?
Për çdo rapsodi ka sqarime, komente, analiza, shënime, etj, të cilat jepen krahas vargjeve homerike, me poshtë-shënime ose anash-shënime dhe pastaj në fund të çdo rapsodie në disa faqe, jepen thellime për temat e ndryshme që treguam pjesërisht më sipër. Lexuesi i këtij korpusi poetik enciklopedik, ku teksti homerik është shqipëruar mjeshtërisht dhe shënimet, sqarimet, esetë, ilustrimet dhe konkluzionet janë ndërtuar në nivel të lartë shkencor, nuk do të ndjejë ngopje e lodhje duke përthithur vlerat e shumanshme artistike e shkencore të tij.
Ia vlen të sjellim shembuj konkretë për ta bërë më të kapshme këtë arritje të Ballaurit.
Në një pjesë të shkurtër tek Iliada, rapsodia e 18-të, vargjet origjinale 483-489, ku flitet sesi perëndia Hefest, që jepet prej Homerit njëkohësisht edhe si artist, mjeshtër dhe farkëtar, përgatiti mburojën e re të Akilit, sepse mburojën e parë ia mori si trofe Hektori mbasi vrau Patroklin që kishte veshur armët e Akilit. Kështu, Homeri tregon pra sesi perëndia Hefest e zbukuroi gjithë art mburojën e re të Akilit në sipërfaqe, me një sërë pasqyrimesh të veçanta.
Po i riprodhojmë të dy variantet e shqipërimit prej I. Ballaurit dhe Gj. Shllakut:
.
Shllaku - Përkthyesi i Klasikëve - Eea dhe Tiberio
Shllaku – Përkthyesi i Klasikëve – Eea dhe Tiberio
***
E pra, mbi mburojë farkëtoi tokën dhe qiellin,
detin dhe sipër tij, diellin.
Diellin që – u lodha, – kurrë nuk thotë,
si dhe hënëzën dyllë të verdhë, të plotë.
Gdhendi pastaj, gjithë yllësitë, me të cilat qielli kurorëzohet,
Pleadet, Hyjadet, Orionin që për forcë dallohet,
si dhe Arushën e Madhe, yllësinë qiellore,
që e quajnë me një emër të dytë edhe ‘Karrocë Hyjnore’.
Kjo, vjen në kupë sipër rreth e qark,
në një vend, në një pikë,
si roje, i rri Orionit të fortë,
ndërsa vetë ajo nuk mund të ikë,
të perëndojë, të zhduket,
prapa tek ujërat e Oqeanit, të lahet, të futet.
(shqipëroi: Ilia V. Ballauri, Iliada Vol. 2, f. 226)
 
***
Skaliti, Tokën, Qiellin edhe detin,
hënëzën e plotë dhe diellin e palodhshëm,
të gjitha yllsitë që i bëhen kurorë qiellit,
Jadet e Shenjëzat dhe fuqinë e Orionit
t’Madhen Harushë që edhe ‘Qerre’ e quajnë,
e rreth një pike përgjithmonë vërtitet
drejt nga Orioni dhe ndër gjithë yjet
veç se ajo s’bie në ujra t’Oqeanit.
(shqipëroi: Gjon Shllaku, Iliada rapsodia 18-të, vargjet 611-618)
 
Vetëm në këto pak vargje Homeri jep një kartografim të kupës qiellore për gjerësitë tona gjeografike, që pa një sqarim të tyre ato duken si të pakapshme, si fjalë të një devijimi poetik dhe ndoshta për një lexim jo fort të përqendruar edhe si një befasi pa lidhje që ndoshta duhet kapërxyer.
Në fund të këtyre vargjeve me një poshtë-shënim të gjerë, I. Ballauri sqaron domethënien e tyre. Së pari, mënyrën se si konceptohej fizikisht bota në kohët Homerike, madhësia, forma, shtrirja e saj, etj, dhe si imagjinohej në ato kohë kupa qiellore, cilët janë konstelacionet e Pleadeve dhe Hyjadeve si dhe Orioni, pse ky quhet i fortë, cili është pozicioni reciprok mes këtyre konstelacioneve, Arusha e Madhe, pse ajo quhet ‘Karrocë Hyjnore’, pse ajo vjen përqark Orionit, pra i rri si roje, pse nuk perëndon në gjerësitë tona gjeografike. Sqarohet gjithashtu se si perëndimin e diellit në kohët homerike e imagjinonin sikur ky shkonte e binte në Oqean, Oqean ky që rrethonte tokën pjatë të sheshtë dhe aty pasi dielli lahej gjithë natën dilte pastaj nga ana tjetër i pastër dhe fillonte përsëri punën e vet të ndriçimit të përditshëm të jetës mbi dhè.
Poshtë-shënimet janë një formë e zbërthimit që u bën ky shqipwrues vargjeve homerike.
Një formë tjetër sqarimesh e përdorur prej I. Ballaurit, janë dhe ansh-shënimet, të cilat renditen anash tekstit poetik mbasi faqja A4 është shumë e gjerë dhe i mban për bukuri.
Po marrim si shëmbull përsëri një pjesë të shkurtër nga Odisea, rapsodia 10, vargjet origjinale 508-514, ku flitet sesi Kirki (ose Circea) e udhëzon dhe i tregon Odisesë rrugën, si ky të futet në botën e shpirtërave, të të vdekurve, pra të perëndisë Adi dhe të bashkëshortes së tij Persefonit, ku pastaj aty do t’i duhet të takojë shpirtin e mandit (profetit) Tiresia, i cili ishte i vetmi që mund t’i parathosh drejtimin, gjatësinë e rrugës dhe të udhëtimit, fatin pra që i ruhej, për të mbërritur në Itakë.
Po i riprodhojmë të dy variantet e shqipërimit prej I. Ballaurit dhe P. Gjeçit:
 
***
Ndërkaq,kur të kapërxeni Oqeanin, në një breg të ulët ndaloni,
ku është pylli i dendur i Persefonit,
me plepa të gjatë, të bardhë
dhe shelgjishte që varen, që frutat i rrëzojnë, i prishin,
aty pra ankoro anijen, në anë të Oqeanit
me shtjella të forta, të thella që ujin e vërtitin,
prej nga ku pastaj, më këmbë ke për tu futur,
në të Adit vendbanim të vjetër, me lagështirë, të mykur.
Aty në Shkëmbi,
përziehen dhe rrëzohen, duke buçitur prej oshëtimave,
tek lumi Akeron, i lëngimeve, i psherëtimave:
si lumi tjetër Piriflegjethon, i zjarreve të pashuara,
ashtu edhe lumi Kokito i ftohtë, i vajtimeve me të rënkuara,
që del si degë, e lumit Stiks.
(shqiproi: Ilia V. Ballauri, Odisea vol. 1 f. 279)
.
Pashko Gjeçi (1918-2010)
Pashko Gjeçi (1918-2010)
***
Me varkë më parë kalo oqeanin,
e kur t’arrini ju te Kepi i Vogël,
te pylli i Persefonës me akacie
plot pemë pa jetë dhe me plepa t’lartë,
n’atë breg ndaloni anijen, ku përplasen rrymat
e detit t’thellë. Atëhere ti
merr rrugën drejt e te banesa e Hades.
Nëpër moçal kalo gjer n’ato vise,
ku Piriflegjetonin Akeronti
e pret e ujrat që nga Stigjia derdhen në Koçit
brenda. Këta dy lumenj me shugullimë së
bashku rrjedhin para Shkëmbit të Madh.
(shqipëroi: Pashko Gjeçi, Odisea rapsd. 10-të, vargjet 613-624)
 
Në fund të këtyre vargjeve, Ilia Ballauri tek botimi i tij, në anash-shënim jep sqarime tw hollësishme rreth topografisë së lashtë të botës së të vdekurve, sqaron gjeografinë dhe toponimitë që përmend Homeri më lart, ç’janë lumenjtë Akeron, Piriflegjeton, Kokito, Stiks, madje sjell këtu edhe një hartë të studiuesve të ndryshëm të kësaj pjese, por sidomos, sjell të përkthyer prej veprës së Platonit Fedho përshkrimet mbresëlënëse të kësaj bote prej Sokratit (113a-113c) para se ky të pinte helmin dhe të vdiste.
Ndërkaq lidhur me trajtimin e temave të ndryshme që përmendëm më lart në çdo fund rapsodie të Iliadës dhe Odisesë, duke lënë mënjanë larminë e tyre trajtuar prej I. Ballaurit, po përmendim vetëm njerën prej tyre, atë që përse vargëzimi homerik është unik dhe nuk mund kurkush ta përsëritë atë, por përkthehet ose më mirë siç thuhet në shekuj perifrazohet, në shumë lloj forma vargjesh si hekzametrik, jambik pentametrik, kuplete heroike, vargje të thyer, vargje të bardhë, prozë, soneta, me rimë, pa rimë, fjalë për fjalë, etj. Ballauri sjell tek Iliada (I.V.B. Vol. 2, f. 321-328) të dhënat e studimeve më të fundit të shumë autorëve, mendimet dhe konkluzionet e tyre. Ky punim është një ndërthurrje, siç e thamë, e shumë njohurive dhe ndërkaq është e pamundur që të sjellim këtu dhe të trajtojmë atë që trajtohet aty, por për të krijuar sado pak një ide, po shkëputim disa rreshta prej këtij punimi interesant:
 
…Përpjekjet rreth sqarimit të vargut homerik, pra të mënyrës sesi Homeri e ka strukturuar vargëzimin e eposeve të tij, janë një ‘luftë Troje’ më vete. Në një anë qëndron kështjella, pra vargëzimi homerik dhe në anën tjetër heronjtë: kërkuesit, shkencëtarët, teoricienët, që përpiqen ta marrin këtë kështjellë. Sqarimi i mënyrës së vargëzimit të eposeve të Homerit, kërkon një sërë dijesh: së pari, njohjen e veprës së Homerit në thellësi, njohjen e vargjeve të tij në origjinal deri në gërmë dhe në ton, njohjen e thellë të greqishtes homerike…, njohjen e thellë të metrikës, të metrikës së lashtë dhe të krahasuar, njohjen e thellë të çështjes homerike dhe pastaj njohje edhe të teorisë së muzikës në tërësi dhe të muzikalitetit të gjuhëve të ndryshme, të lashta dhe të reja në veçanti, njohjen e statistikës matematike dhe sot të informatikës. Mbi të gjitha, duhet pastaj edhe imagjinata për të fantazuar sesi mundet gjithë këto njohuri të ndërthuren… Në vargun homerik që quhet edhe heksametri homerik, që është i ashtuquajturi heksametri daktilik, studiohen dy metrika, metrika e jashtme dhe e brëndëshme… Një varg homerik përbëhet prej gjashtë këmbësh, gjashtë masash, të cilat numërtohen prej 1 deri më 6. Secila prej masave mund të jetë ose daktilike ose spondike. Daktilik quhet ai metër që ka tre rrokje, mes të cilave, rrokja e parë është e gjatë dhe dy të tjerat janë të shkurtra, njësoj pra si edhe të tre kockat e gishtit tregues të dorës (grq. vjet. daktilos). Një metër daktilik (D) shënohet simbolikisht: – uu (rrokja e parë e gjatë, dy të tjerat të shkurtra). Muzikalisht shënohet: ♪ ♪. Këtu rrokja e gjatë ka 1/4 e kohës, rrokja e shkurtër ka gjysmën e kohës së saj, pra 1/8, dhe gjithë daktili ka 2/4 e kohës. Në formën e ritmit, ose të melodiozitetit, një metër daktilik do të tingëllonte, ose do të dëgjohej, ose do të rrihte kështu: bum – pa – pa (pra rrokja, bum e zgjatur, kurse rrokjet pa, pa, janë të shkurtra). Spondike (S) quhet ajo masë që ka dy rrokje, që të dyja të gjata e cila simbolikisht shënohet: – –, muzikalisht dhe melodikisht a ritmikisht, bum – bum. Edhe këtu, njera rrokje ka 1/4 e kohës, rrokja tjetër po ashtu 1/4, pra edhe metri spondik ka gjithsej 2/4 e kohës… Vargjet homerike, në masën rreth 72% të tyre, si tek Iliada ashtu dhe tek Odisea, janë:
A)3 daktile [9 rrokje] + 3 spondike [6 rrokje] = 15 = SSDDDS, DDSDSS, etj; ose
B)4 daktile [12 rrokje] + 2 spondike [4 rrokje] = 16 = SDDDDS, DDSDDS, etj; madje së bashku me rastin
C)5 daktile [15 rrokje] + 1 spondike [2 rrokje] = 17 = DDDDDS.
Të tre këto lloj vargjesh, zenë tek vepra e Homerit rreth 91% të gjithë vargjeve të tij.
Nuk ka deri sot asnjë përkthim që të përsërisë koncentrimin e përmbajtjes së eposeve në një vargëzim homerik në gjuhën që përkthehet, pra të veprojë siç ligjëronte poeti i madh, ose që të paktën t’i përafrohet atij. Kjo gjë, sqaron Ballauri, vërtetohet sot edhe matematikisht.
Mënyrën sesi ky shqipërues e ka sjellë në shqip Homerin, e përshkruan me hollësi që në fillim si tek Iliada (f. XVI) dhe tek Odisea (f. XII). Punën e vet ai e ka realizuar duke kryer studimin paralel dhe të krahasuar të tekstit origjinal, duke patur përpara të hapura tekstin në greqishten e vjetër, pastaj në atë të re në disa variante akademike, në anglisht në disa variante nga më të vlerësuarit, në frëngjisht në disa variante po të tillë, në italisht e njëjta gjë, si dhe përkthimin ekzistues në shqip. Për Iliadën ka patur përpara 13 Iliada në gjuhët që thamë, ndërsa për Odisenë ka përdorur 15 Odise në gjuhët e mësipërme. Ndërkaq sipas të dhënave që jepen prej tij, tek bibliografia, krahas qindra titujve të paraqitur aty, ai ka shfrytëzuar 16 lloje botimesh të Iliadës dhe 21 botime të Odisesë, nga më të vlerësuarit, në gjuhë nga më të ndryshmet. Gjithashtu, ka shfrytëzuar bibliotekën e vet të pasur me disa mijra volume. Edhe më, si na tregoi gjatë diskutimeve me të, ai ka shfrytëzuar edhe internetin, për të konsultuar fjalorët më të pasur të gjuhës së vjetër greke, fjalorët homerikë, fjalorët mitologjikë, historikë, gjeografikë, etnografikë, enciklopedi të ndryshme, etj. Ka shfrytëzuar po nëpërmjet internetit, bibliotekat më kryesore të botës, punime shkencore, publikime, simpoziume, etj dhe ka raste thotë ai, që për shembull, për një fjalë ndaj të cilës përkthyesit kanë marrë qëndrime të ndryshme i është dashur të studiojë dhe të lundrojë në internet me ditë, për të vendosur edhe ai se ç’qëndrim duhej të merrte.
Duke e pyetur për rrethanat dhe konditat që e ndihmuan tek arritjet e tij, krahasuar me shqipëruesit shqiptarë të mëparshëm, Ilia tregon pa mburrje se, krahas ndihmës së palodhur dhe nxitjeve të bashkëshortes, zonjës Elisabeta, ai ka pasur dhe tre përparësi të tjera:
Së pari, shqipërimet e veprave të Homerit, Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi i bënë shumë a pak rreth moshës 40 vjeçare, ndërsa unë, sqaron ai, i fillova pas kësaj moshe dhe i përfundova kur isha rreth 67 vjeç. Specialistët e botës së lashtë greke, bien dakort se korpusi homerik kuptohet, ndjehet dhe shijohet më tepër në gjysmën e dytë të jetës së njeriut, gjë që e pati kuptuar edhe Jefferson-i, të cilin e përmëndëm më lart.
Së dyti, ndryshe nga Gj. Shllaku dhe P. Gjeçi, Ilia vë në dukje se pati fat, mbasi gjysmën e dytë të jetës, e jetoi në botën e lirë, në epokën e zhvillimit galopant të teknologjisë, të bumit të informacionit, të shkrimeve, të komunikimit, të imazhit, etj, të cilën ai e shfrytëzoi për bukuri si përdorues i shkathët i teknologjisë kompjuterike.
Së treti, ndryshe nga përkthyesit para tij, të cilët punuan shumë vjet në kushte të burgjeve mizerabël të kohës së diktaturës, Ilia Ballauri ka pasur fatin që prej tre dekadash po jeton në Greqi, ku ka vizituar shumë muze, disa herë Akropolin, ka shkuar në Itakë në atdheun e Odisesë, në Olimp, në vendbanime të lashta, tempuj, në gërmadha antike, ka parë mure ciklopike, mbishkrime, mozaikë, kollona, arkada, skulptura e buste, ka ndjekur në amfitetra të lashtë, që ende dhe sot funksionojnë, interpretime të tragjedive të antikitet, pra ka thithur aq sa ka mundur atë çka mbetur sot prej Greqisë së lashtë.
Ndërkohë, këto përparësi, thotë ai, kanë pasur dhe anët negative të tyre. Gj. Shllaku dhe P. Gjeçi jetuan në një kohë, kur jeta e njerëzve, nuk kish televizor, internet, kompjuter, celular, facebook, makina, lëvizje, etj dhe kur libri ishte gati gjithçka, sidomos në vëndin tonë. Në këtë aspekt koha kur I. Ballauri solli punët e tij nuk e favorizoi atë, madje ai e di dhe është i ndërgjegjshëm se sot pak kohë kanë njerëzit e përkulur mbi smartphone e facebook, që të lexojnë ato çka ai ka punuar në gjysmën e dytë të jetës së tij.
Gjithashtu Ballauri, duke qënë i larguar dhe i harruar për shumë kohë prej vendit, është i panjohur për qarqet promovuese në Tiranë, i pafuqishëm në arenën e brryleve aty. Eshtë një outsider dhe për rrjedhojë jashtë loje. Siç e ka thënë edhe vetë diku në një shkrim, as edhe vendlindja e tij (Korça) nuk ka kohë të merret me volumet e tij për Homerin, mbasi kanë “problemet për festat e lakrorit e të birrës”.
Së fundi, për të krijuar edhe një ide sa më të qartë rreth vargjeve homerike të shqipëruara prej Ilia V. Ballaurit, po sjell këtu një ndër pjesët më kulmore të Iliadës, rapsodia 24 (Vol. 2 vargjet origjinalë 477-487; 493-505), takimin e Priamit me Akilin. Mbreti Priam, natën në errësirë i larguar fshehtas prej Trojës së rrethuar, i shoqëruar vetëm prej mëkëmbësit të vet, mbërrin tek fushimi i Akejve dhe futet fshehurazi në shatorren e Akilit. Jemi pra në çastin kur plaku i lutet heroit, që t’i japë kufomën e përdhunuar të të birit, Hektorit.
Le t’i këndojmë këto vargje në të dy variantet Ballauri-Shllaku. Themi t’i këndojmë, sepse vargjet homerike nuk duhen lexuar si vargje poezish të thjeshta, ato duhen kënduar si vargje këngësh:
.
Iliada e Homerit - Gjon Shllaku
Iliada e Homerit – Gjon Shllaku
Priami i madh, hyri në shatorre dhe ata nuk kuptuan gjë,
pasi i qëndroi përpara Akilit, pa bërë zë,
u ul, e kapi atë me duar tek gjunjët e forta,
i puthi duart,
ah, ato duart të tmerrshme lyer gjak, që u trembej gjithë bota,
duar njerëzvrasëse,
me të cilat ai, kaq e kaq djem plakut, i vrau, i mbaroi,
e pra këto duar, ai i puthi, i shtrëngoi.
Dhe njësoj siç ndodh,
me një njeri,
që s’është në vete dhe në vendin e vet, vret komshinë
dhe për të shpëtuar, ikën, merr arratinë,
ikën, ikën dhe mbërrin, në një vend të huaj, largohet
dhe hyn në një shtëpi të pasur të strehoet,
ku të gjithë me të habiten,
ç’bëhet, syhapur pyesin, ç’është ky lloj mik,
e pra kështu dhe Akili, u habit.
U habit tek shihte aty Priamin,
mbretin e nderuar plak, përpara të gjunjëzuar,
u habitën edhe të tjerët, njëri tjetrin shihnin të hutuar.
Dhe ja, plaku iu lut:
‘Akil, ti që me hyjnitë përngjason,
kujto atin tënd,
që njësoj si dhe mua, mosha e pleqërisë e mundon,
shkallët e vështira të viteve që ngjitim,
derisa të ikim.………
Dikur linda djem trima, të fortë që s’i kish njeri,
këtu,
këtu në Trojën me rrugë të gjëra madhështore,
dhe më të shumtit prej tyre, m’i rrëmbeu vdekja mizore.
Kisha plot pesëdhjet djem,
kur erdhi ushtria me Akej.
Nëntëmbëdhjetë, m’i kish lindur e njëjta grua,
ndërsa të tjerët, gratë e pallatit që fjetën me mua.
Shumicës prej tyre, Ari luftëshpërthyes gjunjët u preu,
ndërsa atë që ish,
i veçantë për mua, që mbronte qytetin, që me ju e mprehu,
e pra atë, ti para pak ditësh ma vrave,
tek luftonte për atdheun e vet, Hektorin dhe vatrën më thave.
E pra, për këtë po vij tani këtu, tek anijet e Akejve të paguaj,
të lutem për kufomën e tij, të stërpaguaj,
ty të të jap, të të dhuroj,
aq shumë dhurata sa edhe unë, dot s’i numëroj.
Akil, respektoi perënditë,
ki mëshirë dhe për mua, tek më sheh në këtë ditë,
atin tënd e kujto,
madje unë jam edhe më fatkeq, ja shih, mendo,
u përkula,
dhe u përula aq shumë, sa asnjë njeri tjetër në këtë botë,
duke puthur me gojë, me buzë, dorën e atij njeriu të fortë,
që më vrau fëmijët.’
Këto ishin fjalët e Priamit,
të shprehura gjithë dhimbje, aty i gjunjëzuar
dhe ja,
prej shpirtit të Akilit tashmë të prekur thellë, të trazuar,
u ndez, shpërtheu dhemshuria,
dhe kështu, u shkreh në vaj, në të qarë.
E kapi, plakun për duarsh dhe lehtë-lehtë, ato nga gjunjët ia largoi,
pastaj të dy, sekush plagët e veta të zemrës kujtoi,
Hektorin trim njëri dhe qante, e derdhte lotët ujë,
përpara vrasësit të tij, shpërtheu me kujë,
mbledhur kruspull, aty tek këmbët e Akilit.
Ndërsa tjetri,
ky herë qante, derdhte lotë për atin e vet,
herë-herë për Patroklin, që më nuk ishte në këtë jetë.
Kështu pra vajet, dënesat e tyre aty brenda në shatore,
u ndezën, morën qiellin gjith’ brenga e klithma mortore,
por kur Akili hyjnor u ngop, me lotë së qari,
u ngrit prej fronit ku ish ulur dhe më këmbë atypari,
përpiqej që edhe plakun ta ngrinte,
duke treguar bashkëdhimbje,
me atë kokë dhe mjekër të bardhë, të thinjur
dhe kështu pra, teksa përpiqej për ta ngritur,
i tha këto fjalë:
‘Eh, o at fatkeq që shpirti kaq fort të vuan,
vetëm një forcë e madhe të ka shtyrë,
të vish i vetëm këtu,
tek anijet e Akejve që me rreptësi, një ushtri e tërë i ruan,
të vish këtu përpara meje, ballë për ballë, me mua sy ndër sy,
me atë burrë që kaq djem të vrau, që të nxiu jetën ty.
E pra duket se ke zemër të fortë, të hekurt.
Ulu! Hidhërimin për njerëzit e vdekur,
le ta gëlltitim thellë,
thellë, në të shpirtit shpellë.
Nuk del gjë prej dhimbjes së helmuar,
sepse perëndia e amëshuar,
fatin e njeriut, kështu e ka caktuar,
në dhimbje dhe helm të jetojë,
të qajë, të vuajë, të drithërojë.
Dy qypa ndodhen, në prag të pallatit të Zeusit,
prej të cilëve dhurata, nxjerr dhe jep ky zot,
njëri qyp me vuatje, fatkeqësi,
dhe tjetri, me të mira plot.
E pra, Zeusi që argëton me shkrepëtima,
të cilat, i hedh nga qiejt e lartë,
dikujt ia jep të përziera këto dhurata
dhe këtij pastaj, si t’i vijnë këto, ashtu edhe i ndodh,
herë e gjen e keqja,
dhe herë e gjen e mira, i shkon jeta mbroth.
Por kujt i jep dhimbje, vuajtje, fatkeqësi,
e bën të poshtërohet si njeri,
të cilin mjerimi shkatërrues,
e ndjek, i shkon pas ngado që të vejë,
qetësi mbi dheun e shenjtë, të mos gjejë,
pa vlerë dhe pa nder, si ndaj perëndisë,
por edhe i përbuzur prej njerëzisë.’
(shqipëroi: I. V. Ballauri, Iliada Vol. 2 f. 432-433)
.
Prof. Gjon Shllaku (1923-2003)
Prof. Gjon Shllaku (1923-2003)
***
Askush prej tyre s’vuri re kur hyri
Priami i madh që u hodh në këmbët t’Akilit,
e me krahë gjunjët ia shtrëngoi e i puthi
ato duar t’tmershme dhe gjakatare,
që i vranë aq djem edhe i lënduan shpirtin.
Porsi një burrë që e ndjek kobi i shëmtuar,
kur vret ndonjërin në atdhe e mërgohet
në dhe të huaj, dhe n’shtëpi i futet
një pasaniku ku të gjithë habiten;
ashtu u çudit kur pa Akil Pelidi
Priamin hyjnor, dhe u çuditën tjerët,
dhe shoku-shokun me habi vështronin.
Duke iu lutur, kështu Priami i foli:
“Babë ke dhe ti, o Akil, pinjoll i Zeusit,
plak siç jam unë në buzë të zezë të varrit.
………
Por unë i mjeri që në Trojë vigane
bëra sa djem të gjithë të pikatur,
s’di a më ngeli ndonjë gjallë prej tyre.
Pesëdhjetë i pata kur ia behën danajt,
nëntëmbëdhjetë prej tyre një barku i kisha,
shumë gra të tjera në saraj m’i lindën,
e shumë prej tyre mi vrau mizori Ares.
Por vetë njëri i dilte zot qytetit
dhe të gjithë të tjerëve: trimi i dheut Hektori,
që u vra prej teje, duke mbrojtur Trojën.
Dhe ja për këtë vij te galetë e akejve,
duke t’u lutur me t’çmuara.
Pra ndero zotat, o Akil Pelidi;
babë ke dhe ti, mëshirë të kesh për mua,
meqë unë jam më i mjerë se ai, pse bëra
një gjë që s’bëri rob i gjallë mbi dhe:
t’afroj te buzët dorën gjakatare
që më vrau djemtë” – Kështu tha plaku, e Akili
u shkreh në vaj, iu çua mall për t’atin:
duke i zënë dorën ëmbël, e shtyu plakun,
që kishte rënë ndër këmbët e Pelidit,
e i shkuan rrëke lotët për Hektor kryetrimin.
Ndërkohë Akili herë për t’anë vjatonte,
herë për Patroklin, dhe gjëmonte çadra
nga vaji i tyre. E kur Akil hyjnori
shfreu mire me lot, e prej gjymtyrëve e zemre
e nxori brengën, vrik u çua prej fronit,
plakun për dore duke e zënë, e ngriti
sakaq prej toke, u prek në shpirt për flokët
e tij si bora e për të bardhën mjekër.
E, duke i thirur fjalë fluturuese, i foli:
‘O i shkreti ti! Vërtet që shumë të zeza
t’i hoq kjo zemër. Po ti qysh guxove
të vish fill në galetë e akejve,
dhe e more n’sy të dalësh para burrit
që u shoi jetën e bijve tu fatosa!
Vërtet që paske zemër prej çeliku.
Por eja e ulu mbi këtë fron, prej shpirtit
brengat t’i zbojmë, sado që zemërplasur,
me vaj të shkretë asgjë në dritë nuk nxjerrim,
pse kështu zotat që nuk kanë kujdese,
rrojtje të zezë njerëzve të mjerë u prenë.
Dy buta dheu te pragu i Zeusit ndodhen:
njëri i mbushur me të liga e tjetri
plot me të mira: e kur rrufeflakëruesi
tok i përzien, na gjuan herë me të liga,
herë me të mira, e atë, që i jep të ligat,
e mbush me dhunë: e përgjithmonë mjerimi
në tokë hyjnore e ndjek këmba-këmbës:
e bredh pa cak, përçmuar prej njerëzve dhe zotave.’
(shqipëroi: Gj. Shllaku, Iliada rapsodia 24, vargjet 574-588 & 595-644)
 
Nuk kemi dyshim se kjo punë cilësore e Ilia Ballaurit si shqipërues, hartues i shënimeve sqaruese, i komenteve, analizave, eseve, paisja me ilustrime arti për ngjarjet dhe heronjtë e veprave homerike, ka për të shërbyer së shpejti si një shkollë për të realizuar në gjuhën shqipe edhe përshtatje të këtij lloji të kryeveprave të tjera të letërsisë botëtore si Eneida e Virgjilit, Komedia Hyjnore e Dantes, Don Kishoti i Mances i Servantesit, Fausti i Goethes, etj.
Botimi i Iliadës dhe Odisesë shqipëruar prej Ilia V. Ballaurit, është një monument kulturor që vlen ta ketë çdo familje shqiptare që ka synime kulturore e intelektuale. Ky korpus me vlera enciklopedike është një dhuratë që nuk vjetërohet, si vjetërohen dhuratat elektronike, ose objektet argëtues.
Korpusi homerik është botuar në një masë të kufizuar (print on demand = publikim kur ka kërkesa) në një formë luksoze, jashtë Shqipërisë, me shpenzimet e vetë shqipëruesit.
Iliada, (Vol. 1 bashkë me Vol. 2) koston 60 euro po të porositet jashtë Shqipërisë, ose 6.000 lekë të rinj brenda Shqipërisë. Ndërsa Odisea, (Vol. 1 bashkë me Vol. 2) koston 52 euro jashtë Shqipërisë, ose 5.200 lek brenda Shqipërisë.
Mburoja e Akilit dhe kulmime të tjera nga Iliada e Homerit, koston 10 euro jashtë Shqipërisë, ose 1.000 lekë brenda Shqipërisë. Kurse A mathematical mirror to reflect on Homer’s Iliad and Odyssey vocabulary (vetëm në anglisht) koston 35 euro.
Këto vepra mund të porositen duke komunikuar me shqipëruesin në facebook: Ilia Ballauri.
Ndërkaq vëmë në dijeni se për t’i lexuar, mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, në bibliotekën “Marin Barleti” Shkodër dhe në bibliotekën Jezuite në Shkodër. Në këto institucione veprat janë dhuruar prej shqipëruesit. Prej bibliotekave të Shkodrës ai ka marrë edhe letra falenderimi. Zoti Ilia V. Ballauri nuk ka pasur mundësi t’ia dhurojë këto vepra bibliotekës “Thimi Mitko” të Korçës, mbasi në qytetin e tij të lindjes, biblioteka ka kohë që është mbyllur. Biblioteka e bukur e funksionale e projektuar prej arkitektit Petraq Kolevica, u caktua të transformohej në godinë zyrtare, mirëpo përpara se të ndërtohej biblioteka e re, u boshatis biblioteka ekzistuese dhe librat janë depozituar diku pa adresë…
Ky korpus veprash është dhuruar prej shqipëruesit edhe në disa biblioteka të mëdha të Europës dhe Amerikës, si në bibliotekën qendrore të Athinës, Selenikut, Bostonit, Oslos, Berlinit, Vienës, Firences dhe Londrës. Kjo e fundit, që konsiderohet si biblioteka më e madhe në botë, i ka dërguar Zotit Ilia Ballauri dhe dy letra vlerësimi dhe falenderimi, gjë që e kanë bërë edhe disa biblioteka të tjera të huaja, të përmendura më sipër.
.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Vlerësime:

    Ilia Karanxha
    I dashur Nasi!
    Shkrimin e lexova të gjithë e mund të them qysh në fillim që është derdhur gjithë mjeshtëria dhe aftësia jote për të nxjerë në pah punën kolosale që ka bërë Ilka, (kështu e quanim në klasë kur ishim bashkënxënës) i cili ka merita evropiane e botërore. Në Shqipëri nuk kanë mend që të kuptojnë se deri ku e ka shpënë kulturën tonë Ilka me publikimet e tij. Kush është zvaritur gjithë jetën as që nuk mund të kuptojë se ç’është fluturimi. Kjo ndodh sot edhe me Ilkën. Shkrimi është i rrjedhshëm dhe ke mundur të përmbledhësh shumë bukur gjithë këtë punë kolosale. Më mirë se një artikull gazete ja vlen të dalë si një broshurë e vogël, e cila të shpërndahet në intelektualë e njërëz të artit të kulturës e të letërsisë.
    Nuk kam se ç’të them tjetër veç fjalës të lumtë!

    Astrit Lulushi
    Të lumtë, Thanas,
    Më pëlqeu shumë.
    Shkruan për Ballaurin, që si një profet, nuk njihet në vendin e vet.

    Vangjush Ziko
    Thanas, e lexova me kujdes ekspozenë tënde të punës voluminoze e cilësore që ka bërë Ilia për përkthimin e poemave homerike dhe te mendimeve të studiuesve të shumtë mbi veprën gjigante të Homerit. Është me të vërtetë një kontribut tejet i lavdërueshëm. I lumtë! E admiroj për kulturën, vullnetin dhe aftësinë e tij të admirueshme. Një prurje serioze për kulturën tonë, në përgjithësi dhe për eposet homerike, në veçanti. Më vjen keq që kjo punë ka kaluar kaq në heshtje.dhe më vjem mirë që ti je angazhuar për ta bërë të ditur këtë kontribut kaq të vyer. Kam lexuar edhe shkrimin informativ që ke botuar në “Gazeta Shqiptare” për të.
    Kjo ekspoze e re e plotëson atë…

    Faruk Myrtaj
    Flmd, Gjika,
    shpërfaqje interesante,
    pa dyshim duhet uruar dhe nderuar përkthyesi, por… pa u mërzitur me ata të birrës dhe lakrorit!!!
    Nordikët e kulturës sonë unë i çmoj shumë shumë, por pse jo, Ballauri duhet nderuar jo më pak. Qasjet që ke paraqitur nga të dy, Ballauri and Shllaku, provojne edhe një herë laryshinë e mrekullinë e Shqipes që e mban në gji edhe Homerin si fëmijë (edhe) të Saj.
    Shqipja është, ndërkaq, me FAT për tërë këtë plejadë të praruar përkthyesish që duket se, me gjithë moskujdesjen e institucioneve qeveritare, nuk kanë për të reshtur.
    Të lutem, përcilli edhe prej meje, urimet e nderimet më të epërme zotëri Ballaurit!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.