Tue gërmue ndër dorshkrime t’hershme e gjeta kët andërr, të shkrueme me ngut e thuej nëpër terr. E kisha harrue, e kur e gjeta, u përndrita si me pasë gjetë nji thesar. Kishte nji datë të shënueme përfund, 20 vjet e ma tepër…
Ishin kohnat, mbas humbjes së Lazrit. Periudhë tejete trishtë: kisha nisë mërgimin, e prej ditës së vorrimit të tij (operacioni i parë) për thuej nji vit, bana katër operacione!! Unë, që thuej s’shifja kurrë andrra, Lazri po më shfaqej herë mbas here, e gjithnji me trishtimin e nji njeriu te braktisun! Edhe kjo andërr e 20 muej mbas vdekjes e tillë asht. Si duket s’po mbrrija kurrqysh me u pajtue me humbjen e tij… Kujtoj, se atë natë vere jam çue vrik, e njashtu përgjumshëm e nëpër terr e kam shkrue me nji frymë…
Si te thuesh, e kam kap kët andërr, si me kap nji shpend n’fluturim…
jozef radi, 8 tetor 2020
.
Andërr e shejtë…
nga Jozef Radi
N’andërr, m’u bà sikur Lazri na kishte hikë prej shpie, e kishte tretë pa asnji gjurmë…
Dikush na lajmëroj se jetonte diku n’nji luginë t’largët, ku vazhdimisht mbramjeve dilte nji hanë e madhe e shndriste si me magji ndër ujna t’nji liqeni e gjithkah shfaqeshin peisazhe t’melodishme… N’nji bregore, e kishte ngritë nji kasolle me kashtë e kallama, e gjithçka rreth saj e kishte selitë me duer t’veta… Ndihesh i lumtun, aq i lumtun e i përhumbun n’at gjelbërim, e mrekulli solemne të natyrës…
Në shpi, të tanë ishim të shqetësuem. Mungesa e tij dita-ditës po bahej nji ankth mbytës. Nana n’at dhimbën e saj ma shumë se për gjithçka, ishte e shqetsueme për faktin se njerzia po mërmërisnin, se e kishim përzanë plakun prej shpie!!
S’po e kisha hiç hallin e hallkut, po s’dijsha ku ishte, as ku me e kërkue! E njashtu kuturu, isha nisë si nëpër mjegull me e gjetë… E vërtet, mbas do kohe e mjaft mundimesh mujta me e gjetë.
Ishte tue shetitë i menduem e i përhumbun n’vetvedi, bregut t’nji liqenit. Me do rroba të kahershme, që u kujtova se na kishte porositë me ia ruejtë!
Iu hodha vrik e n’qafë. Posa m’pa u step e u tremb! Po kërkoja njat aromën e tij, djersë e përzieme me duhmë duhani, që e kishte tymosë ma shumë se nji gjysë shekulli.
Ecëm njashtu shtrëngue, derisa m’çoi te tempulli i vetmisë së tij. Ishte nji kasolle të vogël. M’kallzoj me imtësi gjithçka, e se i kishte punue vetë, me duer t’veta. Edhe pse me pamje të trishtë e ngjyrë dheu ndritej lumtunie. Sa herë i afrohesha me ia pà mirë ftyrën, më shmangte. I avitesha i përqëndruem me ia prekë ato tipare të skalituna që ia njihja përmendsh e me e puthë, po m’shprishej e m’bahej mjegull.
I thashë se na mungonte, se na mungonte shumë të tanve. Na mungonte prej ma të parit te ma i mbrami, e në shpi s’jetohesh pa hijen e tij. I kallzova se ia kisha botue librin që e donte aq fort. Veç njat herë mujta me ia dallue buzqeshjen e tij, e njat pamje si prej mermeri gdhendë profili i tij. Befas iu lshue nji curril i hajthëm loti. U gzue si fmijë e s’më lshonte prej krahve. Iu luta sërish m’u kthye te shpia, pse tanë e prisnim.
“Jo, – m’tha – s’mundem! Jam i lumtun këtu! Më pëlqen vetmia, natyra, heshtja. Jam përshtatë! Hoqa pak keq si fillim, po tash kam gjithçka, çka kam dishrue n’jetë. Kam jetue tanë kohën me ju e për ju! Edhe në t’keqen ma të madhe, ju kam dhanë t’mirën e domosdoshme! Kam dhanë për ju e për tjerë gjithë çka kam pasë t’shenjtë… Tash a s’asht e drejtë me jetu edhe unë pak për vedi?! Me e rishkrue jetën, përtej njatyne mjerimeve toksore nëpër të cilat kalova… Të tanë jeni t’zot e vedit! A s’duhet edhe unë me i dal zot pamundsive t’mia! Due me lexue, me shëtitë, me shkrue… due me mendue për gjithçka e me dashtë hyjnishëm; mos me bezdisë kend po as me m’trazue kush! Këtu ku jam, as plakem e as rinohem ma! E pra, ta dish: jam me ju edhe prej këtu! Ju shof e ju mbroj ngado shkelni!
Duhet me m’kuptue ti ma mirë se kërkush, e me m’shpjegue edhe ndër tjerë! Pse, veç ti mundesh!
Dhe nji lotë i kristaltë i pikonin mbi këmishën time t’bardhë!
M’kishte dalë gjumi… e lotët ishin n’sytë e mi…
.
18 qershor 2000
.