back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Andërr fundvere… Lazër Radi (Sprovë letrare – 1993)

Gazeta

Lazër Radi 1995
Lazër Radi 1995

Andërr fundvere…

Lazër Radi (Sprovë letrare)

Më ftoi për nji kafe!
E pranova menjiherë, e pa ndërdyshjen ma t’vogël i shkova mbas! S’po e kuptoja, n’se më kishte sygjestionue me at shikim depërtues, o kishte diçka tërhjekse si forca e tokës, që më kish detyrue me e ndjekë pa hezitim n’at ftesë të saj… Le t’më çojë ku të dojë, – thashë me vedi  – edhe në parajsë, edhe në ferr në m’çoftë, për mue ato vende, tashma janë krejt të njisojta. E pse duhej t’i ndahesha…? Edhe sikur t’më shtynte në humnerë të vdekjes, a nuk i kisha shkue përskaj tan jetën… n’fund të fundit: A mund t’kishte vdekje ma t’bukur, se ashtu… strukë gjinjve të saj?!
I zbritëm shkallaret, njashtu ngjeshë mbas njeni-tjetrit, si dashnorë të Venedikut. Hahahaha… Dashnorë të Venedikut… ç’eufemizëm!!! Ndërsa nguteshim drejt nji andrre pa konture, pa caqe, pa kufij… veç shkonim. Gjithnji në zbritje… gjithnji thellë e ma thellë… sikur kërkonim n’zemrë të tokës, ndonji guvë të freskët, me u strukë njashtu shtrëngue n’andrrën ma mahnitëse t’atij gëzimi të papritun…
O ndoshta fundi i njatyne shkallëve ishte edhe fundi i atij iluzioni!
Prandaj jeta asht e bukur, pse kur t’i s’pret ma asgja prej saj, ajo të thotë “Eja!” …dhe ti befas rrëshqet prej nji shtrëngimi në tjetrin, me e gjetë vedin midis nji andrre aq të ambël dhe dëshirës që ndezet n’marri…
Tingujt e nji muzike të lehtë, diku rrotull, sikur deshtën me na kthyen disi në realitet. Bashkë me ata tinguj edhe flladi ledhatues i mbramjes na përshkonte si lumë i padukshëm, ngjishej ndër ne duke na dhanë shijen e freskisë që ishte aq e domosdoshme n’at mbasdite vere.
Lokali – i pazakontë, për ato mjedise të rrethueme nga urrejtja dhe padija – sikur na shtynte edhe ma thellë në iluzione, sikur donte me na dhurue mundsinë që n’afshin e asaj ditë përclluese e lodhëse, të mund t’i kalonim do çaste në prehjeje të freskët nën hijet e blerta pishnajore, pranë burimeve gurgulluese të Skrapatushës së Vermoshit…
Asht vërtet meritë e qytetnimit modern që edhe në kushtet ma asfiksuese të nji shkretine, ka mujtë me krijue kushte normale jetese… dhe vetja m’u duk se ndjehesha midis nji klimë kontinentale, o i zhytun në flladin e hijet e ambla t’nji bjeshke…
Lokali qe i fundosun në gjysëterr dhe ajri përreth sikur gjallnohej prej qindra xixllojash gjithfarë ngjyrash, që vërtiteshin ndër lakadredha lozonjare si t’jetonin n’nji valle të përjetshme. Ajo lojë dritash mbi dysheme, ata topa të rrumbullaktë e gjithfar ngjyrash, na banë me u ndjee si të  prekun prej ndonji magjie, hjedhun në nji tryezë të blertë bilardoje pafund.
Zumë vend diku n’skaj. N’vetminë miqsore të atij gjysëterri, na u duk vetja si n’nji kullë vrojtimi, prej kah mund ta zotnonim krejt hapsinën… dhe ajo muzika e ambël që derdhesh pa prà prej nji goje të padukshme vendosë diku nalt mbi at kube vetëtuese, na ndihmonte me u ledhatue.
Ishim aq pranë njeni-tjetrit sa nisëm me u ndje si diçka e vetme… Nuk flitshim… mendonim… ndoshta as mendonim hiç, pse asnji fjalë s’mund t’ishte në gjendje me e shprehë at vlim ndjesor që na kish përfshi, n’at skaj joshës e t’kandshëm ku ishim strukë. N’ato çaste na dukej sikur krejt shqiset tona ndërthureshin n’at dalldi intime, n’at festë shpirtnash e zemrash. Sytë u kënaqeshin asaj farfurie dritëzash shumgjyrshe që n’vërtitje marramendse derdhnin edhe nji muzikë pavdeksie. Veshët i ndjenim, të përpimë prej magjepsjesh, që mbasi vërtitesh kupolave të nalta zbriste edhe aty te qoshja jonë, e futesh edhe ndër shpirtnat tonë e na dehte… Njashtu pa u ndje… po thithsha i etun aromën e mrekullueshme që lshonte trupi i njomë i asaj gruaje, ndërsa buzët pinin etshëm e plot pasion njat lang të portokalltë që lshonte goja e saj…

Tango... e nates
Tango… e nates

Kur ja… Gjuha e padukshme e muzikës  përhapte n’eter “Carmenin” e famshëm të Bizet-së, kangën relike të kujtimeve të dikurshme… muzikën e andrrave t’rinisë!
Dhe kryet, njashtu si padashtas m’ra ndër gjinjtë e saj… Sytë m’u mbyllën kapakësh dhe nisi ajo andërr e këputun prej kur s’mbahesh mend…
Veç kur… papritmas m’shkreptiu n’mendje përfytyrimi i vdekjes… “Eh… – thashë me vedi – n’kët strukje të ambël s’kam pse merrem me të!”
N’at gjysëterr e gjysëandërr, vdekja me at pamje ngashëryese e të përdrequn ishte e pakuptimtë. Ndoshta, kur njeriu mbrrin nji kulm shpirtnor dhe nji gëzim të vërtetë, që s’e kish besue se ekzistonte, pse duhej t’i shfaqej ajo shtrigë e përdrequn vdekjeje… apo veç me e zbritë n’at realitetin e randomtë të gjanave të jetës…
Njashtu i dehun e i kalamendun si prej pijesh perëndije, me aromën magjike t’atij trupi të derdhun në kristal, hapa shputën e dorës, dhe me nji gjest hutues ia zgjata mikes që po m’kqyrte me habi:
-Lexoma fatin, nëse mundesh! Të lutem!
Ajo m’i nguli thellë njata sytë e saj të bukur… dhe ma mori dorën butsisht, e njashtu lehtë ma mbështeti në dorën saj… Si nën zà e lshoj fjalën habitshëm:
-Uaaauuu! Po ti vijën e jetës e paske të gjatë… shumë të gjatë, të pakufi…! dhe unë shof se diku mbi nji kodër të largët, dikush ndez nji zjarr që s’ka me u shue kurrë… Asht dikush që të ndihmon, e s’e lejon me u shue njaj zjarr… Duket se gjithnji e ma shumë i shton dru njatij zjarri…
Kur zbritëm… isha i bindun se ishte fundvere… Tash që ngjiteshim përpjetë shkallëve, dukej sikur krejt bota e kish humbë ekulibrin… dhe gjithçka po zhytej si pa u ndje n’at mishmashin e pandreqshëm të kohës…
Tiranë, më 14 shtator 1993 (botohet për t’parën herë…)

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Shumë e bukur dhe ju lumtë Jozef, që gërmoni e zbuloni në arshivin e babait tuaj të ndjerë. Ishte njeri i madh, me mendje e zemër të madhe dhe tregimi e shpreh qartë se mosha nuk mundet kurrsesi të mpijë artin e ndjenjave të një njeriu të talentuar. Lazër Radi jeton jo vetëm në mendjen, zemren dhe gjakun tuaj por ma së shumti në veprën e tij. Duke uruar gjithë të mirat për ju dhe familjen tuaj.

  2. E lexova me një frymë, ashtu si gjithçka nga shkrimet e tij… dhe sa më shumë e lexoj aq më shumë mësoj… Gjithkush e kupton diçka të thjeshtë… se mosha s’është pengesë për atë që quhet ëndërr… dëshirë… pasion… për atë që është vetë Jeta…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.