back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Andërruesit e uzurpimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike – nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Romeo Gurakuqi gjate nji interviste
Romeo Gurakuqi gjate nji interviste

Andërruesit e uzurpimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike

nga Romeo Gurakuqi

Larg vëmendjes së opinionit publik, në të nxehtin e madh të korrikut, në kohë pushimesh, ndodh çdo vit, që zotnuesit e parcelave institucionale të shtetit tonë të paarrirë, republikës që nuk funksionon njësueshmërisht me kapacitetin e një sistemi ligjor, në të cilin administratorët kanë juridiksione dhe përgjegjësi të përcaktueme, të nxitun nga ambiciet personale dhe të privuem nga respekti ndaj shteti ligjor, mundohen me u shtri pa u ndie, ndër hapësira të reja, në mënyrë që shtatori t’i gjejë para fakteve të kryeme, zotnimeve të certifikueme dhe askush ma, përfshi opozitën, të mos arrijë me i kthye “të drejtat” e marruna tinzisht, në pozicionin pararendës normal.
E tillë më ngjan edhe lëvizja e javës që shkoi në korridoret e Akademisë së Shkencave:
Më 21 korrik 2021, u zhvilluan zgjedhjet për strukturat drejtuese të Akademisë së Studimeve Albanologjike, institucion ky që operon brenda Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në RSH. Procesi zgjedhor dhe rinovimi i institucioneve u zhvillua konform rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe nën monitorimin e MAS. Institucionet, gjegjësisht Rektorati, Senati, Dekanatet dhe drejtuesit departamentale, u rinovuan, ndërkohë që në ditët në vijim pritet zyrtarizimi nga Ministria e Arsimit (Institucion ma i naltë ekzekutiv i vartësisë) dhe institucioni i Presidentit të Republikës (si garant i indipendencës, paprekshmërisë së lirisë akademike dhe institucionale).
Ndërkohë që procesi po përfundonte në institucionin e vendosur me seli qendrore në sheshin “Nanë Tereza”, në një institucion tjetër, krejtësisht të veçantë dhe pa asnjë lidhje ndërvarësie me ASA, të vendosur me seli ngjitur me ndërtesën e Parlamentit të Shqipërisë, d.m.th., në Akademinë e Shkencave, protokolloheshin tri dokumente të adresuara në emër të kryetarit në detyrë të atij institucioni, Asamblesë së ASH, via e-mail: 
1.Një Qarkore drejtuar anëtarëve të Asamblesë së ASH; 
2.Një Projektvendim për kalimin e instituteve kërkimore të Albanologjisë pranë ASH; 
3.Një RELACION për kalimin dhe organizimin e ish-instituteve të Albanologjisë, pranë Akademisë së Shkencave.
Madje, zotërinjtë e institucionit të lartë promovues të shkencës (vini re, ASH nuk është me ligjin shqiptar institucion kërkimor), pa u bazuar në asnjë ligj që lejon ambiciet përthithëse të një institucioni të pavarur ndaj një institucioni tjetër të pavarur, kanë përcaktuar edhe procedurën që do të ndiqet (afërmendsh që mund t’ia imponojë kush KM tonë rrugën se si Ai do të duhet të veprojë në këto kohë të trazuara), që u ofrohet ndër të tjera edhe asamblistëve me formim konstitucionalist, duke i implikuar edhe ata në këtë sipërmarrje jashtë kornizave të legjislacionit:
a.Projektvendimi i përpiluar në zyrën e kryetarit në detyrë të ASH (kujtoj se procedura e rikonfirmimit të tij në drejtim, për shkak se ligji mbi ASH ka dalë mbas vendimit të parë të Asamblesë, nuk është përmbyllur nga një mbledhje e re e Asamblesë së ASH, sikurse e kërkon ligja), përcillet me e-mail për aprovim online nga ana e anëtarëve të ASH, me sa lihet të kuptohet, pa të drejtë debati në aulën e Asamblesë.
b.Më pas, projektvendimi i kalon për aprovim Këshillit të Ministrave të RSH. Hartuesit as nuk duan t’ia dinë fare se procedurialisht bëhet fjalë për një institucion (ASA) krejt tjetër të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor pa ndërvarësi, të sanksionuar si i tillë nga ligji, vendimi i një ekzekutivi shqiptar dhe një dekret presidencial; një institucion që operon në indipendencë të plotë, me institucionet e veta vendimmarrëse dhe ekzekutive, brenda kuadrit të një ligji krejtësisht të veçantë (Ligji i Arsimit të Lartë dhe kërkimit Shkencor) nga ligji me të cilin operon ASH (Ligji mbi Akademinë e Shkencave).
.
Akademia e Shkencave Shqiptare
Akademia e Shkencave Shqiptare
Po të lexohen me kujdes dokumentet e dala nga zyra qendrore e ASH, dallon me lehtësi këto orientime themelore frymëzuese:
Së pari, një shkrim me argumentim të nivelit të dobët gazetaresk, jashtë standardeve të një arsyetimi të përpunuar akademik e institucional, i ngjashëm në formë dhe përmbajtje, me shkrimet e dikurshme të rubrikës arsimore dhe shkencore në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitet 1980.
Së dyti, në vitin 2021, në kohën kur shoqëria shqiptare me ndihmën e partnerëve ndërkombëtare po punon intensivisht, që askush të mos vendoset mbi ligjin dhe askush të mos veprojë në institucionet shtetërore mbi udhëzimin e pasioneve vetjake, ose mbi Kushtetutën, shohim të ripërtërira në thelbin e synimeve, me një trimëri të pabesueshme, ambiciet uzurpuese të personazheve të botës së vjetër, të rrëzuar dhe shfuqizuar 30 vite më parë, që mendonin në atë kohë se mund të zgjidhnin me një lidhje të shkurtër, edhe pse të paparashikuar nga kuadri ligjor, çdo projekt përforcues të domeneve që kanë zënë në mënyrat e tyre ende të panjohura qartazi për opinionin publik të një vendi që mendon të integrohet në Europën demokratike.
Së treti, edhe pse ASH është një institucion honorifik promovues i shkencës në tërësi, fokusi i goditjes akaparuese nuk është drejtuar ndaj të gjitha institucioneve shkencore, që u shpërndanë ndër IAL në vitin 2007, por vetëm tek institutet e studimeve shqiptare. Dhe si për koincidencë (që unë kam arsye ta besoj se nuk është e tillë mbasi edhe shkruesit nuk e fshehin aspak në relacion), kjo kërkesë ndodh pikërisht në ditët dhe muajin kur ASH, në kundërshtim me rregullat e shtetit të së drejtës, që përcaktojnë ku merret fondi për kërkimin shkencor dhe nga kush aplikohet për ta marrë, ka arrit të vendoset në zotërim të një fondi të paimagjinueshëm për një vend të varfër dhe me borxhe të mëdha publike, për rishkrimin e një historie që e kanë rishkruar, pikërisht institucionet që ajo kërkon t’i uzurpojë sot, ditën kur të gjithë duhet të jenë korrekt me ligjin. A është kjo një përpjekje e dëshpëruar për të shpëtuar nga problemet që lindin nga devijimi i pabazuem i buxhetit të shtetit për kërkimin shkencor me rastin e të ashtuquajturit projekt të rishkrimit të historisë?!
Së katërti, teksti është shkruar me një sens injorues të punës akademike pararendëse, shtrembërues të të vërtetave dhe fakteve në lidhje më ndërlikimet e legjislacionit, deri edhe falsifikues të historisë së gjatë të ekzistencës së institucioneve që janë marrë me studimet shqiptare në këtë vend, në mbi 100 vite jetë shtetërore dhe të personaliteteve të mëdhenj, që ato nuk duan as t’ua përmendin emrin (As nuk përmendet fare ekzistenca e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte). Në relacion dallohet qartë fryma puniste, mishëruar në tezën se shkenca fillon me vendimmarrjet e PPSH mbi studimin dhe arsimin në Shqipëri, dhe gjërat duhet të kthehen ashtu siç ishin konceptuar në kohën e udhëheqësit të diktaturës, duke fshirë Koliqin, Pader Gjergjin, Pader Antonin dhe kolegët e tyre të ndritun, Mid’hat Frashëri, Aleksander Xhuvani, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Et’hem Haxhiademi, Sotir Kolea, Vangjel Koça, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Pader Benardin Palaj, Ndue Paluca, Vinçens Prennushi, Ilo Mitko Qafzezi, Namik Resuli, Ekrem Vlora etj., etj.
Së pesti, bie në sy guximi i shkruesve të relacionit, të cilët nuk mund t’i fshihen më publikut mbas emrit të kryetarit të tyre: shkojnë deri në sipërmarrjen e tagreve audituese, vlerësuese dhe monitoruese ndaj ASA, kolegëve që punojnë atje, duke kryer në Relacion, përkufizime fyese, përkundër etikës mes profesoratit dhe rregullave të recensimit akademik, të punës kërkimore dhe veprimtarisë botuese të ASA. Dhe kjo kritikë abstrakte ndodh nga një pakicë burokratësh, që punojnë në atë administratë vegjetuese përballë qendrës “Toptani”, të cilët nuk kanë as kodet formative, mbi bazën e të cilave të ndërmerret një vlerësim i tillë, as instrumentet e nevojshme profesionale dhe as tagrin për ta realizuar përkufizimin që ata kanë shkruar në Relacion.
Së gjashti, autorët e tekstit injorojnë faktin se nuk është ASA përgjegjëse për prishjen e kuadrit ligjor dhe krijimin e vakumeve në 5-6 vitet e fundit, por është legjislatori dhe politikëbërësi i mangët, rrëmujaxhi; janë ata që nuk njohin mirë Shqipërinë dhe institucionet e saj; ata që bëjnë pre e interesave private në arsimin e lartë, të atyre individëve që donin të vendoseshin gjithnjë e më shumë në zotërim të fondeve publike, që ishin përcaktuar në fillesën reformuese të shkonin themelisht te studenti dhe profesori i IAL-ve publike dhe jo te zotat e vilave të periferisë së Tiranës, që kanë ba lamsh sistemin universitar shqiptar dhe po i degdisin studentët më të mirë jashtë vendit amë.
Në vitin 2007, kam qenë pjesë e grupit të punës të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, që pas një përpjekjeje të madhe bindëse mbi nevojën e ekzistencës edhe ma tutje dhe të transformimit bashkëkohor të tyre, ia arritëm të shpëtonin nga shkrirja ndër universitete, Institutet që merreshin me studime shqiptare, asokohe pjesë e Akademisë së Shkencave vendosur nën target reformimi nga ekzekutivi dhe legjislativi.
Për rrjedhojë, QSA/ASA u rithemelua si një Qendër Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike në varësi institucionale nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Themelimi i QSA/ASA pati si synim t’i rikonceptonte institucionet e kërkimit shkencor në fushë të shkencave shoqërore dhe humane, në përputhje edhe me rimarrjen e traditës së dekadave të shtetformimit, me nevojat e sotme të shoqërisë shqiptare, me mënyrën e funksionimit të shkencës dhe informacionit shkencor brenda një shoqërie demokratike të europianizuar, të tregut dhe të hapur, në kushtet e globalizimit të shkencës, të teknologjisë dhe të informacionit, të proceseve integruese në Europë, si edhe në funksion të zbulimit, ruajtjes, promovimit dhe reflektimit shkencor mbi pasurinë kombëtare të popullit shqiptar.
Ky ndryshim u shoqërua në mënyrë të menjëhershme asokohe, pas vitit 2008, edhe me reformimin e kuadrit epistemologjik, strategjik, institucional dhe funksional të kërkimit shkencor në fushat albanologjike në ASA, mishëruar në një numër dokumentesh bazë standardizues dhe në procedura që ndiqen me korrektësi nga ana e departamenteve përbërëse të instituteve.
Lidhur me strukturën institucionale të instituteve përbërëse, ata u bënë pjesë e një Akademie të tërë, organikisht e lidhur mirë mes vetes, që vepron në mënyrë ndërdisiplinore dhe të bashkërenduar. Vetë Akademia ka pasur status special brenda sistemit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në RSH dhe sipas vendimmarrjes së drejtuesit aktual të qeverisë shqiptare, komunikuar me rektorët para 5 javësh në një mbledhje të bërë të njohur për median, do të vijojë sërish të jetë e tillë, duke plotësuar aspektet legale të harruara nga legjislatori në vitin 2015.
Që në vitin 2007, ligjvënësit ranë në një mendje me ekipin projektues, që të ruhej edhe më tutje autonomia dhe emërtimi i Instituteve të Historisë, Arkeologjisë, Gjuhësisë dhe Letërsisë, Antropologjisë Kulturore, sepse kjo lidhej me disa faktorë shumë të rëndësishëm funksionalë: me ruajtjen e traditës, mbajtjen e ekuivalencës me organizmat homologë në botën shqiptare dhe përtej saj, me ruajtjen e specializimeve të brendshme në formë grupesh kërkimi dhe mësimdhënieje etj.
Në ASA, vlerësimi dhe gjykimi i rezultateve të punës shkencore kryhet vetëm brenda kritereve shkencore të njohura universalisht dhe realizohet në mënyrë zyrtare ekskluzivisht nga komuniteti shkencor dhe nga instancat e aftësuara për këtë mision. Askund në legjislacion nuk është shënuar që ca njerëz të atashuar pranë zyrave qendrore të ASH kanë target kontrolluese, përthithëse dhe monitoruese ndaj ASA. Institutet përbërëse të ASA në mënyrë të pavarur nga shkollat e larta të vendit themeluan shkollat universitare në nivel masteri dhe doktorature, të profilizueme në fushat e kërkimit, njëlloj si çdo institucion i lartë në RSH, por që zhvillimet tërësore në Shqipëri pas ndalimit të tejzgjatur për të gjithë IAL të vendit të shkollave doktorale, e kanë penguar vijimin e funksionimit me të regjistruar të rinj.
Kjo është tabloja e vërtetë e jetëve të pavaruna të dy institucioneve të vendosuna në rrafshe të ndryshme brenda sistemeve ligjore në Shqipëri. Ndërkohë, mbi situatën në tanësi ndikojnë edhe faktorë të tjerë, që lidhen me pozicionin e anuem dhe të pafshehun politik, për shkak të funksioneve të hershme në strukturat e shtetit të dikurshëm, ligjërimit të ngrirë në kohë, të komandës së sotme administrative të ASH; një statusi të privilegjuar financiar, që jep qenia e njëkohshme e punonjësit shkencor dhe universitar, edhe anëtar i ASH, për rrjedhojë edhe të një situate mosvepruese dhe të konfliktit të interesit, që lind vetvetiu në ushtrimin e funksioneve drejtuese në ASA, që do të duhet të zgjidhet me ndryshime në statutin e ASA, për të mos krijuar ma pozicione dyfishe të pavendosuna qartazi, fate institucionale të drejtueme në udhëkryqe të panevojshme, rrjedha karrierash të profesoratit të cenueme nga pasiguria.
U ula të shkruaj këto radhë, ndër të tjera për t’u shpjeguar lexuesve, atyre që komandojnë punët në këtë vend, se Akademia e Studimeve Albanologjike është ndër institucionet e pakta serioze në vend, të paprekuna nga sëmundjet e rënda, me të cilat përballet shoqnia shqiptare, administrata e saj. Është për të mirën e këtij vendi, që institucionet ku prej shumë dekadash studiohet gjuha, historia, kultura shqiptare, ku janë të arshivuara dokumentet materiale, fondet arkivore të brezave, puna e njerëzve ma të ditun të këtij vendi, të ruhet dhe të mbrohet. Ndërkohë, puna e matejshme e profesoratit aktual duhet të ndihmohet në mënyrë strategjike, për shkak të randësisë kombëtare, duke ia larguar nga rrezja e punës së tyre të përditshme, ambiciet e shfrenueme të njerëzve që nuk kuptojnë se koha e kontrolleve dhe sundimeve ka përfunduar.
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.