back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Andon Zako Çajupi (1866-1930) – nga Vedat Kokona

Gazeta

Andon Zako Cajupi - (1866-1930)
Andon Zako Cajupi – (1866-1930)

Andon Zako Çajupi (1866-1930)

nga Vedat Kokona

Kur vdiq atje në Misir, në korrik të 1930-ës, të pakët – shumë të pakët ishin ata që shkruan nja dy fjalë për të lajmëruar humbjen e tij. 
Nuk doli në shesh asnjëri – asnjë nga ata do ta kishin njohur për së afërmi – për të na dhënë neve që nuk e njihnim, neve të rinjve, jetëshkrimin e plotë të këtij atdhetari-poet, trashëgimtar i denjë i Naimit të madh. 
Kush ishte Çajupi? 
Emrin ia kishim dëgjuar kaq herë, që në vitet e para të shkollës. I kishim kënduar këngët e tij. Edhe tani ai kishte vdekur. Vetëm disa fjalë të thata rreth jetës dhe veprës së tij, datën e lindjes dhe atë të vdekjes edhe asgjë tjetër. 
Çajupi në mbetet përsëri i panjohur. Për të gjurmuar edhe më mirë thellësitë e shqetësuara të këtij shpirti poetik do të na duhet të këndojmë me vërejtje atë vepërzë që mban emrin “Baba Tomori”. Ndoshta ahere do të na dalë edhe më e bukur në shesh fytyra e këtij zagoriani të mësuar që këndoi me dëshirim, në mërgimin e hidhur, mallin e atdheut dhe brengat e zëmrës.
Në Sheper të Zagorisë, në fshatin e vogël, të cilin e këndoi një ditë me aq thjeshtësi dhe ëmbëlsi, lindi me 27 të marsit të vitit 1886 
Andon Zakoja, i njohur në letrat shqipe dhe pseudonimin: Çajupi.
Ishte edhe në moshën e njomë të vogëlisë kur i la një ditë, “malet me gurë, fushatë me bar shumë” për të marrë udhën e gjatë të Misirit të largët. Zemra e butë e fshatarit të vogël që nisej për në mërgim, ruajti gjer në fund, në thellësitë e saj margaritarët që kishte mbledhur poeti duke vrapuar nëpër ara dhe nëpër fusha të Zagorisë, përmes gonxheve, trëndafilave, zambakëve, kur thëllëzat ia thoshin këngës, kur vasha “si hënëz e plotë”, për të cilën digjej dhe përvëlohej poeti shkonte me lule nëpër duar. 
Me zemrën të mbushur me lumturinë e ditëve të kulluara, por, ahere një valë trishtimi ja mbulote mendjen e njomë: atje përtej gratë e fshatit ngisnin qetë dhe lëronin arën që pagëdhirë e gjeri në mbrëmje, në pisk të vapës, tërë javën. Ia lëndonin zemrën këto fshatarka shkreta, që mbanin shtëpinë me djersën e ballit të tyre, kurse “burrat nën hije loznin dhe kuvendonin”. Erotizmi ia linte ahere vendin një ndjenjë më të thellë, më njerëzore, një frymë e vakur humanizmi ia lëkundte shpirtin e dehur. Kjo frymë buronte që nga zemra e vuajtur e gruas shqiptare, e jetës shqiptare. Me këtë frymë dhe me këtë jetë u gatua poezia e Çajupit. 
Në Zvicër, i kreu studimet e drejtësisë dhe ushtroi avokaturën për disa muaj në Egjipt, të cilën e la më vonë pas dore, për t’iu dhënë me mish e me shpirt gjuhës shqipe. “Gjendja ekonomike e mirë e lejoi këtë udhë: u hoq mënjanë, në një vilëz elegante të aristokracisë së Kajros, të quajtur Eliopoli” dhe aty ia kushtoi jetën e tij këngës i vlonte në zemër.
.
Andon Zako Cajupi - Baba Tomori
Andon Zako Cajupi – Baba Tomori
Mbledhje e parë e vargjeve të tij, vargje që kishin lindur në moshën e djalërisë së njomë aty në fshat, qe “Baba Tomori” që u shtyp në vitin 1902. Vetë titulli i librit është domethënës: Tomori është për poetin Kish’e Shqipërisë, Fron’i Perëndisë, Orakull i fateve të njerëzve të të qëmotshëm. Por ai është edhe sot, vendi ku poeti vjen e ulet në gjunjë për të mësuar se ç’fat e pret Shqipërinë e nesërme, shqiptarët e gjorë, të cilët Baba Tomori i këshillon që të mos ndahen në besë të ndryshme për t’i dhënë shkas Turkut që t’i mbaj më mirë nën zgjedhë. Zëri i Baba Tomorit është zëri i Çajupit, i poetit të dhëmbshur, që kërkon t’i bashkojë dhe t’i sjellë në udhë të mbarë vëllezërit e tij.
Malet, arat, fushat, kënga e lumit, gratë që punoni në arë, burrat që preheshin pranë burimit të ftohtë, gonxhet dhe trëndafilat që kishim kundërmuar dashurinë e parë, fshati i vogël ku kishte parë rrezen e diellit, fshati shqiptar, të gjitha këto kishin lënë një vragë të thellë në zemrën e poetit të Zagorisë, gjurmën e së cilës e gjejmë të freskët në Baba Tomorin. 
Atdheu dhe dashuria janë dy tema notash të forta dhe të buta, rreth të cilave formohet simfonia çajupiane, të cilën e përshkron nga mbarimi një tingull satirik. Zemra e poetit qanë e psherëtin për mëmëdhenë e robëruar, për shqiptarët të cilëve “u ka marrë koka erë” dhe nuk punojnë për vendin e tyre ashtu siç kanë punuar për të huajt; për të zezat që ka hequr Shqipëri e mjerë nga Turku dhe nga Greku. Çajupi këndon me mallëngjim për bashkatdhetarët e shpërndarë andej-këndej, të ndarë në besë të ndryshme e në mendime të ndryshme. Është si zëri i një vëllai të madh që i këshillon ata më të vegjëlit për t’i sjellë në udhë të mbarë, për t’i nxjerrë në dritë të vërtetë. Ai këndon dhe u rrëfen se cilët janë, se ç’është Mëmëdheu, Shqiptari vendi ku ka lindur, Naimi. Fshati i vogël me malet plot me gurë, me shtëpi të vogla, i kujtohet dendurazi edhe në Misir: i sjell kujtime të ëmbla vogëlie, kujtime vendesh, kujtime fshatarësh dhe fshatarkash… Po fshatarkat e shkreta ia lëvdojnë zemrën, se ato i bëjnë gjithë punët e shtëpisë dhe po ato e lërojë edhe arën me parmendë, korrin barin e vjelin edhe vreshtat; ia qan hallin kësaj shqiptarke të gjorë, e cila posa pjell, kthehet me të shpejtë në punë.
Të gjitha këto vuajtje, gjithë këtë mall të përvëluar të atdheut, Çajupi e shpreh në pjesën e parë të “Baba Tomorit”, të titulluar “Atdheu”. Poezia e Çajupit, e thellë në thjeshtësinë e saj, e prekshme në butësinë e saj, na depërton shpirtin dhe na ngulitet në zemër duke krijuar një atmosferë sinqeriteti, dashurie, jete shqiptare. Janë për t’u shënuar në pjesën e parë vjershat: “Shqiptar!”, “Robëria”, “Naim be Frashëri”, “Fshati im” dhe në pjesën e dytë kapitulli “Dashuria” kemi poezi erotike, të cilat nëse nganjëherë çalojnë pakëz nga forma, janë përkundrazi poezi të vërteta në kuptimin e vërtetë të fjalës. 
Njomësi ndjenjash, ëmbëlsi shprehjesh, një naivitet i këndshëm i përshkron vjershat e Çajupit. Krahasime të bukura shqipe gjejmë te:
 
Bukuria jote, leshërat e tua 
Posi pëndë korbi, të gjata mbi thua… 
 
një hidhërim të lehtë për dashurinë e harruar të vogëlisë te: 
 
E mban mënt moj Marë/ Dashurin’e parë 
Njeri nuk e gjegjì/ se jeshmë te vegjil… 
 
ashtu si edhe te 
 
Kur jeshmë të vegjil, si moll’e pabërë
putheshim nga herë, ditënë të tërë… 
 
një elegji të prekshme në vjershën “Vaje” të hartuar në vdekjen Evgjinisë, grues së tij, që e la vetëm me një djalë të vogël. 
 
Që ditën që vdiqe, që kurrë s’të kam parë 
Lotët që kam derdhur s’më janë dhe tharë… 
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë? 
S’të vjen keq për mua? S’të vjen keq për djalë? 
E ke lënë foshnje, tani u bë burrë; 
S’arrite ta rrijtje, s’të ka parë kurrë!… 
 
Homazhe ne Varrin e Andon Zako Cajupit ne Kajro ne 1951
Homazhe ne Varrin e Andon Zako Cajupit ne Kajro ne 1951
E këndshme është edhe grishja që e bën poeti “pullumbit të shkruar” te “Kopshti i Dashurisë” në të cilën gjejmë një jehonë të largët frymzimi të “Invitation au voyage” e Baudelaire dhe më së fundi pastorali: “Fylli i bariut” na zgjon në shpirt një melodi të cilën e dëgjojmë me ëndje të pashuar.
Pjesa e tretë, më e varfër nga fillimi se të dyja të parat, ka një mbarim të lumtur me komedinë “14 vjeç Dhëndër” ku na pasqyrohet Tana, tipi i vërtetë i plakës shqiptare. E martuar, ajo ka burrin dhe një djalë 14 vjeçar, Gjinin, të cilin kërkon ta martojë se “punët janë të rënda, dhe s’punon dot jashtë dhe brënda!”. Nusja e djalit do t’i vijë në ndihmë. Por Gjini është i vogël për martesë dhe grueja që i ka zgjedhur mëma është katër vjeç më e madhe se ai, po s’ka ç’të bëjë. Ajo nuk merr “nuse për sisë, po për punët e shtëpisë…” dhe kështu do s’do Gjini martohet.
Kjo komedi e vogël është një pasqyrë e vërtetë e jetës shqiptare. Tana paraqitet e gjallë dhe na ngrihet si një përmendore e përjetshme me lashtësinë e saj me karakteristikat e saj. Lëviz, jeton në një ambient krejt shqiptar, me të gjitha zakonete mira dhe të liga tonat. Tana me Marash Ucin – kreshnikun e malësisë, përfaqësojnë për bukuri brezin tonë të kaluar. Janë dy themele të shëndosha, ku do të ngrihet nesër romani i vërtetë shqiptar.
Poezia e Çajupit, e derdhur në shprehje të kulluara shqipe e përshkuar tejpërtej nga ëmbëlsia dhe nga frymëzimi i poezisë popullore, futet në shpirtin tonë si një melodi e ëmbël, të cilën me ta dëgjuar mundim ta këndojmë. 
Shumë vjet më vonë, më 1921, poeti përktheu në shqip disa nga përrallat e fabulistit të madh frëng La Fontaine. Përkthimit, ndonëse i mungon të përsosurit e formës dhe gjallëria e shprehjeve dhe e dialogëve që kanë ngritur me të drejtë poetin frëng në shkallën më të lartë të lavdisë, prapseprap i mbetet një shije që e bën të këndshëm leximin e tij. Po në këtë vit dolën në dritë edhe “Lulet e Hindit” vjersha të përkthyera nga sanskritishtja. 
Çajupi na ka lënë një tok dorëshkrime: tragjedi, drama në vjershë dhe vjersha satirike. 
Dhjetë vjet më parë, në korrik të 1930-ës, u shua në Kajron e Misirit, ajo flakë e pastër e shqiptarizmit që kishte ndritur për të mirën e kombit. Ajo kishte ndjekur gjurmët e pishtarëve të mëdhenj të lirisë dhe si ata ishte munduar me zjarrin e zemrës, të çirrte errësirën që e kishte mbuluar Shqipërinë… 
.
Botuar te Revista Shkëndija Nr.8-9, 1941
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.