back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Andronika Arianiti – Komnena Shpata Golemi, Kastrioti nga Lutfi Alia

Gazeta

Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Andronika Arianiti – Komnena Shpata Golemi, Kastrioti

nga Lutfi Alia

Andronika Arianiti Kastrioti ishte e bija e Gjergj Araniti Komneni Spata (1376-1462) zoti i Principatës të Arianitëve. Sipas Gjon Muzakës, i ati i Gjergjit ishte Arianit Komneni dhe nëna e bija e Nikolla Zakaria, zoti i qytetit-port Budua. Në burime historike bizantine, thuhet se i ati Arianiti, mbante dhe mbiemërin Spata (Arianit Spatensis si zot dhe i trevës të Shpatit). Gjergji kishte dy vellezër Muzaka dhe Vlladani, ky i martuar me Angjelinën, motrën e Gjergj Kastriotit. Martesa e tyre u kurorzua në katedralen e Shën Gjon Pagezorit të Kunavisë, nga ipeshkëvi Beninji OFM. Gjergj Arianiti kishte dhe një motër, e martuar me Pal Dukagjinin.
Arianitët, përmenden në kronikat bizantine të shekullit IX, si fise malësore, që jetonin në lindje të Themës së Durrësit. Në shekullin XI, Arianitët rezultojnë sundimtarët e trevave në rrjedhën e sipërme të Shkumbinit, në të dy anët e rrugës Egnacia, zotëronin Çermenikën, Bjeshkën, Polisin dhe Shpatin, ndërsa në shekujt XII – XV përfshinë Tomadhenë, Dibrën, Librazhdin, Mokrën, Manastirin, Follorinën e pas martesës të Gjergjit me Maria Muzakën morën Mallakastrën, Vlorën dhe Kaninën.1, 2, 3)
Për etimiologjinë e mbiemërit Arianiti, disa historianë mendojnë se e ka origjinën në fjalën indoeuropiane “arya – fisnik”, të tjerë thonë se rrjedh nga fjala shqipe “ara”, por me bindës është mendimi se lidhet me emrin e tribuve ilire Arinstae (Arinste), që banonin në trojet e shtrira në pjesën e sipërme dhe në të dy anët e segmentit qendrorë të rrugës antike Egnacia. Në shekullin e XIII disa pjestarë të familjes Arianiti, përdorën mbiemërin Golemi, si rezulton në dokumentat e kohës me fisnikët Arianit Golemi de Albania dhe Arianites Thopia Golemus e më pas ne shekullin XIV-XV, Moisi Golemi i biri i Muzak Arianitit. Një pjesë e medievalistave mendojnë se mbiemëri Golemi është me origjinë nga gjuha greke Golemis, por pa spjeguar lidhjen, ndërsa disa të tjerë thonë me origjinë sllave, që do të thotë “i madh”, të tjerë e spjegojnë me ebraishten Golem – gjigand, por shumica insistojnë se është deformim popullor i emërit Gulielm – Gulem, mendim bindës ky, sepse në dokumentat e shekullit XIII zot i Arbanon quhej Gulem Arianiti dhe nga kjo kohë, pasardhësit e tij, mbajnë këtë mbiemër. Dihet se populli ynë e ka në traditë, që emëri i babait bëhet mbiemër i djemëve, kësisoj Gjergji kishte mbiemër, emërin e të atit Arianit Komneni, po kështu u trashëguan në gjeneracionet e tjera të dinastisë si mbiemër shtesë Gulielm – Gulemi – Golemi.1, 2, 3)

Eksponenti i parë i kësaj dinastie, i dokumentuar në shekullin e XI është David Arianiti, i cili në vitet 1001-1018, ishte strategu i Themës të Selanikut (Maqedonisë), në shërbim të Perandorit bizantin Bazili II, i cili më pas e transferoi strateg të Shkupit, ku organizoi rezistencën kundër sulmeve të barbarëve bullgarë.
Në vitet 1049-1050 në shërbim të Perandorit të Bizantit ishte Kostantin Arianiti, ndofta i biri, ose kushëri i Davidit. Kostantin Arianiti u shqua si komandant në luftën kundër Peceneghëve, një tribu nomade turke e fiseve oghuz, të cilët në fillim të shekullit XI, zbritën nga stepat e Azisë dhe sulmuan trojet verilindore të Pernadorisë Bizantine. (Ana Commnena, Aleksiada. Palazzo Comittini, Edizione Palermo 2010)
Në vitet 1190-1255, dinastia Arianiti u bashku me Shtetin e Albanisë të dinastisë Progoni. Ipeshkëvi i Tiro Guillelmus Tyrensis (1130-1186), përmend fisnikun Iohannes Carianica, pra si kuptohet Carianica ishte tjetër mbiemër, si dhe emri i trevës Çermenika, që ishte në zotërim të Arianitëve. Johanes Carianica, ishte sundimtari i trevës së Çermenikës. 2, 6) Në vitin 1253, në kronikat bizantine përmendet Gulem Arianiti, zoti i Albanon, i martuar me Irena Komnena, kushërira e gruas të perandorit të Bizantit Engjëll Komnenit. Fëmijët e lindur nga kjo martesë, përdorën më pas mbiemrin Komneni dhe Gulemi. 2, 7)
Në vitin 1276, Arianitët janë ndërmjet familjeve fisnike arbërore, që bashkëpunuan me Karlin I Anzhu, për themelimin e Regnum Albaniae – Mbretërisë të Albanisë (1267-1373). Në vitin 1274, ne Viterbo, në paktin e Karlit I, me fisnikët albanezë, ndër firmëtarët e aleancës rezulton dhe Aleks Arianiti, me titullin sebast. Në traktatin e vitit 1295, i gjenovezit Galvani di Levante Januensis, përmenden si katolik të rinj “neophil”, antarët e disa familjeve finike arbërore: “Illustribus heroidibus Albaniae dominis”, mes tyre dhe Aleks Arianiti. 8)
Në vitin 1300, Comneni Budaresci princeps (princi Budares Komneni), u martua me një vajzë të familjes Golemi të Krujës dhe në vitet më pas, rezulton se familja Arianiti përdori mbiemërat Komneni dhe Golemi, si rezulton në kronika dhe dokumentat e shekullit XV. Në dy dokumenta të viti 1304, të Princit Filipi Anzhù i Tarantos – Dominus Regnum Albaniae (1294-1331) dhe të Karlit II Anzhù, Arianitët janë në listën e 16 fiseve kryesore arbërore shtetformues, të cilëve u njiheshin privilegjet dhe të drejtat e vetëqeverisjes në trojet e tyre: “Filippi, princi i Tarantos i garanton privilegjet fiseve albaneze: Albët, Arianitët, Kotarukët, Shpatët, Buze-
zijët, Martazeos, Turbacejt, Lecenët, Skura, Zenevisët, Logoreskët, Matesët … etj”. 2)
Në vitin 1319, Papa Gjoni XXII, në letrën dërguar fisnikëve albanezë, mes tyre dhe protolegatit Gulielm Arianiti, iu bënë thirrje të bashkohen për organizimin e kryqëzatës antisllave. Letra e Papës, dërguar Gulielmit, dëshmon pozicionin e lartë politik, administrativ, shoqëror dhe fetar të Arianitëve.
Në vitin 1373, emëri i një pjestari të familjes Arianiti, gjendet i qendisur në epitafin e Gllavinicës. Ky epitaf është një ndër tre punimet e këtij lloji të njohura deri sot në botë. Në qendër të epitafit është qendisur trupi i Krishtit të vdekur, i shtrirë mbi çarçaf, i rrethuar nga shenjtorë, serafinë dhe engjëj. Epitafi i Gllavinicës është objekt me vlera i kulturës mesjetare shqiptare, është një margaritar i krishtërimit, i historisë, i artit dhe i mjeshtrisë artizanale albaneze. Në buzët e epitafit është shkruar: “U plotësua ky areas (epitaf) gjithë të nderuarit dhe të hyjshëmit i Mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirëshëmit Kalisi i Glavinicës dhe i Beratit, në muajin mars 22, viti 6881 (1373) … Dora e Gjergj Arianitit arëqëndisësit”. Si kuptohet, një ndër mjeshtërit e punimit të epitafit është murgu Gjergj Arianiti, i cili ndofta është dhe formuluesi i mbishkrimit.
Në vitin 1432, Gjergj Arianiti dhe Andrea Thopia Golemi, ngritën popullin nga Vlora deri në Shkodër, në luftë kundër pushtueseve turq, dhe dolën fitimtar.
Në prill të vitit 1452, në një letër dërguar Mbretit Alfonsi V Aragona, shkruhet Aranit Golem Komnenovich (Komnenoviç) (Schmitt Oliver Jens, Skanderbeg et les sultans, Turcica, 43, 2011 p. 71). Mbiemëri i shkruar Komnenoviç, lidhet me një rrethanë të veçantë të adminsitratës të princërve arbëror të atyre viteve e pikërisht, sundimtarët kishin skriba (shkrues) klerikë katolikë dhe ortodoksë dhe si kuptohet, Arianitet kishin skriba një prift ortodoks serb, i cili në epistolarët i shkruante mbiemrat duke iu shtuar prapashtesën vich – viç. Marin Barleci, në veprën “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum princips” (1522), përmend dhe fisnikun Arianites Thopia Golemus.
Gjergj Arianiti u martua me konteshën Maria Muzaka, e bija e Andrea III Muzakës, dhespoti i Epirit, Zoti i Devollit, i Muzakisë dhe i Himarës. Nga kjo martesë, Gjergji mori pajë trojet nga Mallakastra deri në det, përfshi Vlorën dhe Kaninën. Principata e gjërë e Arianiteve kishte dy kryeqendra, njera më e vjetra ishte Sopoti i Polisit dhe tjetra, ishte Kanina.

Andronika Arianiti Komnena Kastrioti - Vepër e Roberto Gammone (2020), - frymëzuar nga ksilografia e Boissard - Botuar në monografinë e Alessandro Castriota Scanderbeg. “I Castriota Scanderbeg d’Albania.  Edizione Grifo, Lecce 2021”. (Fotografia është homazh nga Edizioni Grifo).  (Kjo fotografi është copyright, ndalohet kopjimi dhe riprodhimi nga të tretët).
Andronika Arianiti Komnena Kastrioti – Vepër e Roberto Gammone (2020), – frymëzuar nga ksilografia e Boissard – Botuar në monografinë e Alessandro Castriota Scanderbeg. “I Castriota Scanderbeg d’Albania. Edizione Grifo, Lecce 2021”. (Fotografia është homazh nga Edizioni Grifo). (Kjo fotografi është copyright, ndalohet kopjimi dhe riprodhimi nga të tretët).

Nga martesa e Gjergj Arianitit me Maria Muzakën lindën tetë vajza:

1.Andronika (Donika) (1428-1506). Më 21 prill 1451, u martua me Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
2.Vojsava, u martua me Gjon (Johannes) Crnojeviçin sundimtar i Malit të Zi dhe i Zetës, me të cili pati dy djem: Gjergjin dhe Skënderbe. Gjoni ishte i biri i Stefan Cernojeviç dhe i Mara Kastrioti motra e Gjergj Kastriotit. Vojsava ka vdekur para korrikut të vitit 1469, në Cetinjë.
3.Kirana (Anna), u martua me Nikolla Dukagjini (lindur?- vdekur në qershor të vitit 1462) pati dy fëmijë.
4.Elena u martua me Gjergj Dukagjinin, lindën disa fëmijë, njeri nga djemt quhej Skenderbe.
5.Despina u martua me Tanush Dukagjinin. Lindën dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë me emrin Teodora.
6.Komina (Komnina) u martua me Gojko Balshën, sundimtar i Musies (Krujës dhe Lezhës) me të cilin pati dy djeme një vajzë. Djemtë vdiqën në Hungari ndërsa vajza, Maria, u martua me Kontin Jakopo Alfonso
i Mazeut të Farriles. Pasi vdekjes të Maries (1459), konti u martua me Marien, të bijën e Vrana Kontit.
7.Katerina, në fillim u martua me një djalë nga dera e Spanve nga Shqipëria e Veriut, me të cilën pati një vajzë, e cila u largua në Hungari me të shoqin. Në martesën e dytë Katerina u lidh me Nikola Bokalin,
baroni i Moresë dhe patën dy djem e dy vajza.
8.Angjelina, në vitin1461 u martua me Stefan Brankoviçin, djalin e Gjergj Brankoviçot, dhespoti i Serbisë dhe i Irena Kantakuzenit. Pas martesës Stefani dhe Angjelina, së bashku me Irena Kantakuzenin shkuan në Milano dhe në vitin 1472 në Friuli, ku jetuan me ndihmën e Sinjorisë Venete. Në tetor të vitit 1476, vdiq Stefan Brankoviçi. Në vitin 1478 Angjelina shkoi në Vjenë, ku perandori Federiko III i dhuroi një kështjellë në Karincia-Veissenfels, ku Angjelina dhe djemtë Gjoni dhe Gjergji, jetuan deri në tetor 1479 dhe po atë vit u rikthye në Itali, të ndihmur nga Papa Sisto IV, si dëshmohet nga Regjistrat Apostolikë të viteve 1479-1484. Pas 1485-ës, Angjelina me djemtë u vendosën në kështjellën e Kupinovës, në një ishull të lumit Sava, ku sollën dhe eshtrat e Stefanit, që u bënë objekt pelegrinazhi për besimtarët ortodok-së. I biri Gjergji u shugurua prift me emrin Maksim dhe së bashku me nënën Angjelina që u bë murgeshë, shkuan në Vllahi ku kontribuan për organizimin e kishës lokale ortodokse, aktivitet që u mbështet nga ish-patriarku Konstantinopolit, Nifon me origjinë shqiptare. Nëna Angjelina dhe i biri Maksim u kthyen dhe shërbyen në Manastirin e Krushedol. Angjelina vdiq në vitin 1516 dhe kisha ortodokse e ka shpallur shenjëtore Shen Nënë Angjelina.
Në vitin 1449, Gjergjit i vdiq gruaja Maria Muzaka. Pak kohë më pas, Princi Gjergj Arianiti u martua me baroneshën italiane Petrina Frankone, e bija e Oliviero Frankone, baroni i feudit Taurisano – Pulja dhe mëkëmbësi i Mbretit të Napolit në Pulja. 1, 7) Nëna e Petrinës ishte arbëreshe, e bija e Zakarias, princi i Mores. Nga martesa me Petrinën (Despotina), lindën katër fëmijë, tre djem: Tommasi, Kostantini, Arianiti dhe vajza Maria. Pas vitit 1456, Gjergj Arianiti, bashkëshortja Petrina dhe femijët u vendosën në Durrës, në mbrojtje të Venedikut, si rezulton në dekretin e Dozhes Francesco Foscari: Dux Venetiarum, i cili urdhëron “Zoti i shkëlqyer Arianit Komneni të trajtohe me përparësi – Privilegium Magnifici Arianiti Comneni domini. (Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV-XV, Tomus XVII. Annos a MCDLV – MCDLVIII: 1456 – 1458). Në një dokument të vitit 1457, rezulton se Dozha i Venecies, e kishte urdhëruar Paolo Kuirini (Quirini), Bailò dhe Kapidani i Durrësit:”… të përkujdesesh me prioritet për familjen e Arianitëve”. (Arch. Senat. Venetto, Senato Mar, vol. VII: c. 23, 1457, 1462, 1464)
Gjergj Arianiti vdiq në vitin 1462, në Durrës dhe u varros në katedralen e Shen Maria.
Vejusha Petrina, me fëmijët, iku në Itali. Më 3 shtator 1463 u prezantua para Senatit të Serenissima dhe mbështetur në marrëveshjen e Gjergjit me Venedikun, iu kërkoi mbrojtjen e fëmijëve. Si përherë, Venediku ishtë i ngadaltë në vendimet. Më 13 maj 1464 Senati i Venedikur i njohu patrica venecian tre djemtë e Gjerjg Arianitit. (A.S. Venetti, Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c.117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII, cc. 2, 29 MCDLXIV). Zonja Petrina u rikthye në Salento, në trojet e veta, por më pas u transferua në Romë (1484-1486), ku përfitoi mbështetjen e Kurias pontifike, që i akordoi një ndihmë financiarë për atë dhe fëmijët. Tomasi nuk u martua, ishte shëndetlig dhe vdiq në vitin 1484; Konstandini hyri në shërbim të Papës Sisto IV me detyrën e protonoterit apostolik edhe pse nuk ishte klerik. Papa e ngarkoi dhe amabsador në bisedimet me austriakët. Më pas ishte një ndër komandantët më të shquar të stratiotëve në shërbim të Selisë së Shenjtë. Kostantini u martua me Franceska Paleologa dhe pati 7 fëmijë. Kostandini vdiq më 8 maj1530 në Montefiore dhe u varros në Kishën e 12 apostujve në Romë. 1) Arianiti u rikthye në Albania, u konvertua në mysliman dhe mori pjesë në ekspedita ushtarake të turqëve kundër arbërorëve, ku mbeti i vrarë në luftimet me himarjotët. Maria Arianiti u martua me Bartolemo Xhiuppo Della Rovere, zot i dukatit të Urbino.

Andronika Arianiti – Komnena, Kastrioti

Andronika në moshën 23 vjeçe u martua me Gjergj Kastriotin 46 vjeçar. Për të konsoliduar unitetin e luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Andronika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi iu shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozitat që ato zotëronin. Skënderbeu dërgoi mbles Gjin Muzakën, kunatin e Arianitit. Dasma filloi në Kaninë dhe zgjati tre ditë, (21-23 prill 1451), ku Skënderbeu shkoi i shoqëruar me 500 krushq (Barleci, Gjon Muzaka, Biemmi, Noli, Gegaj). Edhe shkrimtari Sabri Godo, në romanin historik “Skënderbeu”, thekson se dasma u organizua më 23 prill 1451, kështu Gjerjgi u martua me Donikën që kishte 23 vite sa kjo ditë prilli, ndërsa Skënderbeu ishte 46 vjeç”.
Ҫifti e mori bekimin ungjillo në QishëBardhë. Prania e Gjergjit në këtë trevë ruhet me emërtimet Qisha e Skënderbeut, Rrapi Skënderbeut, Vau i Skënderbeut, Ara e Skënderbeut, që janë dëshmi toponimistike të shekullit XV. Pas ceremonisë në Kaninë, aktivitetet vazhduan në kishën Fjetja e Shën Maries në Manastirin e Ardenicës, ku më 26 prill 1451, ipeshkëvi Feliks e celebroi martesën me ritin ortodoks. (Andrea Llukani).
Ka shumë diskutime përse bekimin ungjillor dhe celebrimin e martesës të Gjerjgjit me Adronikën u kryen në dy kisha ortodokse. Atë kohë, dioqezat në zotërimet e Kastriotëve (Dioqezat e Durrësit, e Krujës, e Arbërisë, e Kunavisë, Stefaniakës, Dibrës), ishin dy kishtare, ashtu si dhe kishat në zotërimet e Arianitëve. Pra Gjergj Kastrioti dhe Andronika ishin të besimit ortodoks, si e verteton Papa Kalisiti III në letrat dërguar Gjergjit në vitin 1457 ku thekson: “Ne të lutemi të ruajsh me ngulm vlerat tuaja të mëdha, me vendosmëri të mbrosh fenë ortodokse, duke i bërë dhe më të mëdha me qëndrimin tënd burrëror, duke shpresuar me ngulm, që Zoti i plotfuqishëm t’i bëj me kurajoz dhe më të fuqishëm ushtarët tuaj dhe mbrojtësit e fesë tonë të shenjtë”(L. Alia: Letrat e Papa Kalisiti III, dërguar Gjergj Kastriotit ne vitin 1457. Zemra shqiptare 24.06.2021). Kurorzimin në Ardenicë e konfirmon dhe G. Lorenzoni (9), i cili tregon: “…Në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës, në një nga kodikët, lexova aktin e kurorëzimit të Skënderbeut.” Faktet se Kastriotët ishin ortodoksë, konfirmohen me Reposh Kastriotin, që shërbeu murg në Manastirin Hillanderit në Greqi, ku dhe është varrosur; ashtu si dhe vëllai Stanisha, që e varrosën në manstririn ortodoks të Shen Maries Hyjlindëse në Martanesh.

 Gjergj Kastrioti Skenderbeu,  vepër e Roberto Gammone (2020)  frymëzuar nga boceti i Pietro Cavoti
Gjergj Kastrioti Skenderbeu, vepër e Roberto Gammone (2020) frymëzuar nga boceti i Pietro Cavoti

Pas ceremonive në Kaninë dhe në Ardenicë, në vazhdim çifti arrijti në Krujë, ku u prit me entusiazëm dhe përshëndetje nga populli. Edwin Jacque, duke iu referuar Nolit, thekson se ipeshkëvi Pal Engjelli e kurorzoi martesën e Gjergjit me Andronikën më 26 prill 1451 me riitn katolik dhe në Katedralen e Krujës.
Marin Barleci shkruan: “Të gjithë ishin të gëzuar se dy princat më të fuqishëm të Epirit, u lidhën mes tyre me krushqi dhe dukej qartë se të bashkuar, do të ishin më të fortë për t’u mbrojtur nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë osmane. Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës i kënaqi të dy palët. (Marin Barleci: Historia e Skënderbeut”. Tiranë 1983. fq. 292, 382-384). Në dasëm nuk morën pjesë Dukagjinët, se ishin të pakënaqur nga prika, që Gjergj Arianiti i dha Skënderbeut.
Në dasëm morën pjesë ambasadorët e mbretërisë të Napolit, të Vatikanit, të Venedikut, të Raguzës etj. Ndër dhuratat për Andronikën është varsja me kryqin i zbukuruar me gurë të çmuar, që i bëri Gjergji, si dhe kameo me portretin e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Dozha i Venedikut. Në këtë kameo, porteti i Gjergjit është i gdhendur mjeshtërisht në gurë të bardhë të llojit onyx. Busti është ngjitur mbi pllakë të lëmuar guri llave vull-kanike me ngjyrë të zezë, i montuar në brendësi të kornizës të bazamentit të artë. Në buzën e sipërme është vegja unazore e zinxhirit, e salduar me dy këmbëza me formën e zambakut me tre petale (Fleur de Lise), simboli i familjeve fisnike dhe mbretërore. (L. Alia. Tetë medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit në shekullin XV. Zemrashqiptare. 06. 2020)

Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit në British Museum - Londër
Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit në British Museum – Londër

Andronika Kastrioti, zonja e parë e Arbërisë shkëlqeu si bashkëshorte dhe si nënë. Dëshmitë vijnë përmes dokumentave të kohës, të epistolarëve, të veprave letrare, në tre operat, sidomos ajo e Antonio Vivaldi (1718). Në të gjitha të dhënat dokumentare dhe letrare-artistike, Andronika spikat me epërsinë e një gruaje të fortë, të mençur dhe dinjitoze, e cila arrijti të përballojë ngarkesën e madhe që kishte, gjendjen e vështirë të krijuar nga luftat e vazhdueshme, ashtu si mbeshteti dhe iu gjend përherë pranë bashkëshortit Skënderbeut, i cili drejtonte rezistencën kundër armikut më të egër të kohës. Andronika përballoi me kurajo dhe dinjitet rrethanat e vështira të krijuara nga mpleksia e intrigave, pabesive dhe e tradhëtive ndaj familjes Kastrioti, në të cilat personaliteti, maturia dhe raporti i Andronikës me Gjergjin shkëlqyen mbi të gjitha. Andronika ishte shtylla e fortë, bashkë-shortja besnike dhe kurajoze, mbështetsja konseguente e sukseseve të Gjergj Kastrioti – Zoti i Arbërisë.
Gjergji dhe Donika patën vetëm një djalë Gjonin II, i lindur më 1454. Jeta bashkëshortore e Gjergjit me Donikën kaloi mes shumë peripecishë dhe vështirësishë të krijuara nga luftat e vazhdueshme kundër dyndjeve të ushtrisë osmane dhe në dy rrethimet e Krujës nga hordhitë turke, që e detyruan Donikën së bashku me djalin të jetonin në malet e Arbërisë, larg rreziqeve, të mirëpritur, të nderuar dhe të mbrojtur nga familjet malësore.
Vdekja e Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, e tronditi Arbërinë, në veçanti Andronikën me djalin, si dhe të afërmit e tyre. Vdekja e Zotit të Arbërisë nxiti lakmitë e Venedikut të merrte trojet Arbërore. Në këto rrethana, më 13 shkurt 1468, me një letër dërguar imzot Pal Engjëllit (ipeshkëvi i Durrësit), Vendiku i kërkoi të ndërhynte te Andronika dhe Gjoni, që trojet arbërore të kalonin në zotërim të Serenissima. Kjo situatë u ndërlikua me largimin e Andronikës dhe të Gjonit II në Itali, andaj tutori i pronave të Kastriotëve mbeti Pal Engjëlli, por dhe ai vdiq një vit më pas. (Ilia Karanxha. Barleti aspo Beçikemi. Tiranë 2010, f. 152-157). Kjo është arsyeja përse akti i pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane u firmos më 5 korrik 1479 nga ambasadori i Venedikut Tommaso Malpiero dhe Sulltan Mehmeti II – Fatihu. (Topkapi Sarayi Arşivinde Fatih II – Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten, 53, 1950, pp 49-56, dokumenti E 9695).
Qëndrimi në Arbëri përbënte rrezik për Andronikën, djalin Gjonin dhe të afërmit e familjeve të tyre, pasi pushtimi turk ishte iminent dhe hakmarrja e osmanëve barbarë nuk do të vononte.
Në fillim të shkurtit 1468, në një letër dërguar mbretit Ferrante I i Napolit, Andronika i kërkoi ta ndihmonte të transferohej në Itali, në feudet e Kastriotëve në Monte San Angelo, San Giovanni Rotondo.
Më 23 shkurt 1468, mbreti thirri dhe e urdhëroi Jeronim Karvineo të shkonte në Albania dhe të organizonte udhëtimin e familjes të Skenderbeut për në mbretërinë e Napolit.
Në letrën e datës 24 shkurt 1468, dërguar me ambasadorin Jeronim Karvineo, mbreti Ferdinandi I Aragon, i shprehu ngushëllimet dhe e ftoi Andronikën së bashku me djalin Gjoni II dhe të afërmit e tyre të vijnë në Itali në feudet e Gjergjit, që ia kishte dhuruar në vitin 1463, për ndihmën në luftën kundër baronëve, por si theksohet në letër, fillimisht e ftoi të shkonin në Napoli.
Letra e mbretit Ferdinandi i Aragona, dërguar Andronikës:
Uxori Scannaribechi
Rex Sicilie etc. –
Illust. Domina tam quam mater carissima. Nun senza grandissimo dispiacere: havemo inteso ch’el Ill. Scandalbech vostro marito carissimo ad nui como ad patre, secundo è stato piacere ad nostro Signore Dio, è morto. La quale morte ad nui è dispiaciuta non meno che quella de nostro reverendo patre Re Alfonso di immortale memoria, et essendo poy per vostro ambaxatore de dicta morte certificati tanto più ad nui è stato summo dispiacere: et per questo mandamo ad vui lo nobile Ieronimo de Carvineo nostro familiaro, lo quale ve esponerà alcune cose per nui ad ipso imposte epertante ve pregamo che vogliate dare ad ipso piena fede in quanto da nostra parte ve esponerà como ad nui proprii.
Datum in civitate Capue die XXIIII februarii MCCCCLXVIII
REX FERDINANDUS –
A. Secret.
(Arch. Di Stato di Napoli, Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod.Aragonese cit., I, pp. 439-440)

Andronika Arianiti Kastrioti (23 vjeçare) vepër e Roberto Gammone (2020)
Andronika Arianiti Kastrioti (23 vjeçare) vepër e Roberto Gammone (2020)

“Gruas të Skenderbeut
Nga mbreti i Siçilive etj…
E shkëlqyera Zonjë, po aq dhe nënë shumë e dashur. Me shumë keqardhje dëgjuam se Skenderbeu, burri i juaj shumë i dashur, për ne si baba, ka vdekur me vullnetin e Zotit. Vdekja e Tij na hidhëroi, ashtu sa dhe vdekja e babai tonë mbretit Alfonso, që e kujtojmë përjetë …. andaj po dërgojmë fisnikun Jeronim Karvineo familjari i yni, që do t’iu prezantoi si do të veprohet, andaj ju lutemi të keni besim të plotë te Ai ….”

Andronika së bashku me djalin Gjonin II, gjatë vitit 1467, kishin jetuar në Monte San Angelo, pra në trojet e feudeve të Gjergjit dhe ishin rikthyer në Arbëri. Pas vdekjes të Gjergjit, mbreti Ferrante i ftoi të vinin në feudet e tyre, ose dhe në Napoli. Në mesazhin e tij, mbreti Ferrante di Aragona thekson. “… është kenaqësi dhe nder që t’iu trajtojmë si djali nënën dhe babai djalin dhe jo vetëm do t’iu japim atë që ju kemi dhuruar, por sa herë të keni nevojë do t’iu dhurojmë dhe të tjera: “… loro venuta ad nui sera multo piacere, et da nui haveranno quelle carize et honori che figlio deve fare ad matre et patre ad figliolo et non solamente li lassaremo quello ce havemo donato, ma quando bisognio fosse li donaremo de li altri nostri boni”. (idem Arch. Stat. Di Napoli).
Ambasadori Jeronim Karvineo u nis për në Albania, të organizonte udhëtimin e familjes të Skenderbeut për në mbretërinë e Napolit. (Arch. St. Napoli, Aragonese, Comune, vol. 6, c. 135 b).
Në ditët e para të muajit mars 1468, Jeronim Karvineo me tre anije, organizoi lundrimin e familjes Kastrioti dhe të afërme, që zbarkuan në Bari.14) Së bashku me Andronikën dhe Gjonin II, erdhën shumë kushërinj të Kastriotëve e të Andronikës, mes tyre familjarët e Vrana Kontit, si dhe ushtarët napolitanë, që kishin shërbyer në mbrojtjen e Krujës. Arbërorët e ardhur u stabilizuan në rajone të ndryshme të mbretërisë të Napolit, ku u vendosën në vende të çpopulluara, ashtu si krijuan dhe qendra të reja banimi (Antonio Bellushi).
Në udhëtimin pa kthim, Andronika mori gjërat më të domozdoshme ndër ato armët e përkrenaren e Gjergjit, kodikët, medaljonet, pergamenat, inkubolat etj, të cilat në vitet e më pasme pasardhësit e familjes Kastrioti i shitën dhe sot ndodhen të shpërndara në muzeume dhe në koleksione private të vendeve të ndryshme europiane.
Gjoni II, në Itali u martua me Dukeshën Erina Paleologa (Irina), e bija e zotit të Serbisë Lazar. Gjoni pati disa fëmijë, Gjergji II (lindi më 1477 – vdiq në Qipro në vitin 1540), Ferrante (u vra në betejën e Pavia më 1561), Kostandini ipeshkëvi i Irsenia (vdiq më 1500) dhe Maria (Vdiq 1569). Duka Gjoni II vdiq në vitin 1502.
Mbështetja ndaj Andronikës dhe Gjonit II dokumentohet dhe me dy letra të sekretarëve të mbretit Ferrante I Aragona, të datave 1 tetor 1468 dhe e 26 nëntorit 1497. Letra e P. Garlon, sekretarit të mbretit të Napolit, dërguar Andronikës më 1 tetor 1468, e informon se Kastriotët ishin përjashtuar nga taksat:

X. Donice condam Scanderberch
Rex Sicilie etc.
Nobiles et egregij viri fideles nostri dilecti. Nuy novamente havimo ordinato che vuy pagate a la illustre et magnifica Madama Donica mogliere che fo de l’illustre Scanderbech lo sale quale se dà per nostra Corte a l’altre terre de questo Regno et non altro pagamento nisuno durante lo tempo de la franchitia per nuy et nostro privilegio concessa, et che essa sia tenuta dareve dicto sale, pertanto volimo che da mo inante debiate pagare a la prefata Madama Donica o ad soi factori dicto sale et non altro pagamento durante lo tempo de dicta franchitia per nuy ad vuy concessa, cum questo che essa sia tenuta dareve lo dicto sale non obstante qualse voglia lictera comandamento et provisione havessivo havute da nostra Maestà. Et questa nostra ordinatone et voluntate intimante ad qualsivoglia sia ve donasse inpacio o ve domandasse altro pagamento che dicto sale.
Datum in Civitate nostra Averse die primo octobris MCCCCLXVIII. Rex etc.
P. Garlon. A. Secretarius.
Vniversitati Sancti Angeli.
(Arch. St. Napoli, Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod. Aragonese cit., I,
pp. 440-441)

Letra e sekretarit të mbretit të Napolit, dërguar Donikës më 26 nëntor 1497 me të cilën e informon Andronikën, dhe djalin Gjoni II, se iu kishin akorduar një ndihmë financiare prej 500 dukate karline. (Arch. Stat. Napoli). Në shumë letra dhe dokumenta të kohës Andronikën e quajnë zonja, ose madama Skenderbega, madje sekretari Vitus Pisanellus, në letrën që i dërgon Andronikës i drejtohet me emërtimin Skenderbega (Scannaribeche).

XVI Scannaribeche.
Rex Sicilie etc.
Magnifico Perceptore. Noi volemo et per tenore de la presente ve ordinamo et commandamo che de li denari che pagate a l’illustre Joan Castriota Duca de Sancto Petro ne debeate incontinente mandare a la Sig.ra Scannaribecha in Napoli ducatj cinquecento de carlinj. quale ce li mandarite subito senza perdere momento de tempo, chè non porressivo farne maiore servitio. et non manche.
Datum in Castris nostris felicibus contra Dianum XXVI novembris MCCCCLXXXXVII.
REX FEDERICUS. Vitus Pisanellus.
(Arch. St. Napoli, Aragonese, Comune, vol. 13, c. 75 b).

Andronika Arianiti Komnena Kastrioti  - Vepër e piktorit Thedhor (Todi) Naum Dallta (1875-1962)
Andronika Arianiti Komnena Kastrioti – Vepër e piktorit Thedhor (Todi) Naum Dallta (1875-1962)

Mbreti Ferrante I, aleati dhe miku i ngushtë i Gjergj Kastriotit, ftoi në Napoli Andronikën dhe Gjonin II, së bashku me familjen e Varana Kontit dhe i sistemoi në mjediset e oborrit aragonez në Napoli. Marrëdhëniet e miqësisë të Andronikës me familjen mbretërore u forcuan më shumë pas shtatorit 1477, me martesën e mbretit Ferrante me Xhiovana III Aragona e Spanjës, gruas së dytë të mbretit Ferdinado I Aragona.
Mbretëresha Xhiovana III krijoi lidhje miqësore të forta dhe tepër konfidenciale me Andronika Kastriotin, të cilën e kishte damën e parë të shoqërimit dhe këshilltare. Besimin dhe respektin, mbretëresha Xhiovana III e shprehu duke i besuar kujdesin dhe edukimin e së bijës Xhiovana IV. Shërbimet e saj në familjen mbretërore vlerësoheshin nga mbreti, që shpesh theksonte qëndrimin dinjitoz, vlerat morale dhe shpirtërore të Andronikës.
Në vitin 1496, kur u rindërtua apartamenti i nënës mbretëreshë Xhiovana III në rezidencën Kastell Nuovo, madamën Andronika e sistemuan në apartamentin e saj në katin e dytë mbi dhomën e mbretëreshës. Së bashku me Andronikën, në grupin e damave shoqëruese ishte dhe kushërira e saj Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai Kastrioti (i biri i Vrana Kontit). Marien të gjithë e thërrisnin “madama Porfida – kuqaloshja”.
Mbretëresha Xhiovana III dhe e bija Xhiovana IV, preferonin me përparësi shoqërinë galante dhe tepër amëtare të Andronikës. Edhe familja e Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte pozicion të privilegjuar në rrethin e personelit të mbretëreshës Xhiovana III. Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i familjes Granai – Kastrioti, i dedikohet ndikimit të Andronikës, e cila gëzonte respekte dhe nderime të veçanta nga familja mbretërore e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, Andronika kishte organizuar fejesën dhe dasmën e Bernard Granai Kastriotit, me kushërirën e saj Maria Zardari. Këto lidhje të dyfishta fisnore dhe miqësie, ndikuan të udhëtonin në të njejtën anije për në Bari dhe të jetonin së bashku në oborrin e mbretit të Napolit.
Nga vitit 1477 dhe në vazhdim, Andronika Kastrioti ishte dama shoqëruese dhe këshilltare e mbretëreshës Xhiovana III dhe të bijës Xhiovana IV, madje të dyja e mbanin gjithmonë në krah në vizitat e kortezisë dhe në festimet e aristokracisë si p. sh ne festat e organizuara nga Ferdinando Françesko d’Avalos, markezi i Peskarës; apo kur Alfonsi II Aragon duka i Kalabrisë, inauguroi Poggioreale në vitin 1488. Kudo që shkonin për vizita, madama Andronika flinte në një dhomë me vajzën Xhiovanën IV, çka shpreh besimin e madh dhe respektin e familjes mbretërore ndaj Andronikës. (R. Parisi, Catalogo Scritture. Arch. Municipale Napoli, III, Napoli, tipografia Giannini, 1916, p. 162)
Në ato vite që jetonte në Napoli, Andronika nuk i ndërpreu lidhjet me atdheun dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte, t’i ndihmonte bashkatdhetarët, që kishin mbetur në Arbëri nën zgjedhën e barbarëve osmanë. Shpesh dërgonte anije me grurë. Në vjeshtën e vitit 1492, mbreti Ferrante i njohu të drejtat Andronikës dhe Gjonit II, të eksportonin grurë në Albania, duke i përjashtuar nga taksat doganale. (A. S. N, Quinternioni, vol. 23, cc. 302 b – 7 b, doc. XIII).
Në muajin maj 1494, vdiq mbreti Ferdinandi I (Ferrante). Në fronin e mbretërisë të Napolit u ngjit Alfonsi II Aragon (1448-1495), djali i mbretit Ferrante në martesën e parë me të hijshmen Isabella Kiaramonte. Dhe Alfonsi II vazhdoi të shprehte nderim dhe respekt për Andronikën, madje duke vlerësuar autoritetin e asaj, i kërkoi të ndërhynte dhe ta bindëte nënën mbretëreshë Xhiovana III, që të mos largohej nga Napoli.
Më 20 tetor 1494, në letrën dërguar madam Skenderbega, mbreti Alfonsi II shpreh nderim, duke evidencuar vlerat shpirtërore të Andronikës në shërbimet ndaj Xhionanë III dhe të bijës Xhiovana IV: “in le vostre oratione quale facete ad nostro signor dio recordateve etiam de noi; et recomendateli la nostra Iustitia”.
Alfonsi II abdikoi shpejt dhe në fron u ngjit Ferrandino, i cili më 28 shkurt 1496 u martua me Xhiovana IV, por mbreti i ri, vdiq shpejt pas kurorzimit.
Në shtator 1496, në fron u ngjit mbreti i ri Aragonez, Federiku I. Vlen të theksohet dhe Federiku I nuk e ndryshoi klimën, respektin, nderimin dhe miqësinë ndaj bashkëshortes të Skenderbeut dhe Ai vazhdonte ta quante madama Skenderbega. Në disa letra dërguar Andronikës, Federiku I vlerësonte virtutet dhe shërbimet shembullore ndaj familjes mbretërore.
Më 1 prill 1498, mbreti Federiku I, mori në pronësi të koronës feudet Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo dhe në shkëmbim i dha në pronësi Andronikës dhe djalit Gjoni II Kastrioti kështjellën e Gagliano dhe feudet e Soleto dhe San Pietro di Galatina dhe i akordoi Gjonit II titullin Duka I i Galatina, por i hoqi privilegjet doganale, që mbreti Ferrante I i kishte dhënë Andronika Kastriotit më 1469. (A.S. N. Quinternioni, vol. 23, cc. 302 b – 7 b, doc. X. datato da Castel Nuovo di Napoli e con la rubrica “Illustris Andronice Cominate uxoris condam Scandaribech”). Gjuhët e liga thonë, se ky ndryshim pronësie u diktua nga mosmarrëveshjet mes banorëve të Monte Sant Angelo e San Giovanni Rotondo, pra të arbërorëve të ardhur në vitin 1462, me Gjonin II Kastrioti, që ishte zoti i këtyre feudeve.
Mbreti Federiku I i Napolit, në letrën dërguar princeshës Andronika Kastrioti në vitin 1496 e falenderonte për kontributin, që kishte dhënë duke e bindur nënën mbretëreshë vejushën Xhiovana III, të braktiste postin, ta linte Napolin e të kthehej në Valencia-Spanjë.
Më 7 shtator 1499, nëna mbretëreshë Xhiovana III e la Napolin dhe shkoi në Spanjë, pranë të vëllait Ferdi-
nandi Aragona, e shoqëruar nga Andronika Kastrioti dhe Maria Zardari, ndërsa e bija Xhiovana IV qëndroi në Napoli dhe një vit më pas dhe ajo shkoi në Spanjë pranë nënës.
Ambasadori anglez Thomas Bradley, pas takimit me dy mbretëreshat në rezidencën Reyalls në Valencia, në relacionin dërguar në Londër më 23 qershorit 1505, përshkruan pozicionet zyrtare të princeshës Andronika Kastrioti, e cila gjithmonë qëndronte përkrah nënës mbretëreshë. Bradlley duke përshkruar atmosferën e pritjes thekson: “në krahun e majtë të Xhiovana III, si gjithmonë ndodhej dama shoqëruese dinjitoze dhe këshilltaria e saj Andronika Arianiti Kastrioti, ndërsa në krahun e djathtë qëndronte Bernard Granai Kastrioti “një burrë dinjitoz, një dukë i moshuar me mjekër të gjatë”, kamerlengu, i cili e asistonte gjatë audiencave.
Në vitin 1500 i vdiq nipi, Don Kostandin Kastrioti, ipeshkëvi i Insernia, të cilit Andronika i dedikoi një epigraf në lapiden e vendosur nën sarkofagun e tij në Kuvendin e Shën Maria La Nuova në Napoli. (Costantinus Castrayotus hic tegitur sanguine et cognatione regia ac cesarea clarus morum candore insignis digitate pontifex Aeserniensis dum probe vivit intempestive moritur Andronica Cominata, paterna avia nipoti optimo posuit MD). Në dy kolonat anësore të sarkofagut ndodhet stema heraldike e Kastriotëve, me shqiponjën dykrenëshe.
Në janar 1501, Francesco Morosini ambasadori i Venedikut në mbreterinë e Napolit, në relacionin dërguar Serenissimës shkruan: “…Nëna mbretëresha Xhiovana III dhe e bija 20 vjeçare Xhiovana IV, shoqërohen nga e devotshmja dhe e admirueshmja gruaja e Skenderbeut, një zonjë e moshuar fisnike dhe mike e ngushtë e dy zonjave tona” (L. Alia. Pasardhësit e Vrana Kontit në Itali. Zemrashqiptare. 04. 2021) (Marino Sanudo, I Diarii, Tomo III, Venezia, M. V. 1880, p. 301).
Andronika kishte marrë në Valencia dhe stërnipin 15 vjeçar Alfonso Kastrioti, i cili vdiq aksidentalisht në vitin 1503 dhe e varrosën në kapelën e Shen Miguele (Mikele) në Manastirin Mbretëror të Santa Trinidad në Valencia, ku Andronika i dedikoi një epigraf në lapiden e varrit.
Më 8 mars 1505, Andronika Kastrioti i dërgoi letër mbretit të Napolit, me ankesën dhe me një kërkesë me dinjitet, që të ndërhynte për mbrojtjen e pronave të Kastriotëve në Galatina, të cilat më 9 korrik 1504 ishin plaçkitur nga një grup ushtarësh spanjollë, që ishin në shërbim të mbretërisë së Napolit.

Manastiri i Shen Trinise ne Valencia
Manastiri i Shen Trinise ne Valencia

Në verën e vitit 1506, Andronika Kastrioti pati probleme shëndetësore dhe në javën e parë të shtatorit 1506, ndërroi jetë. Mesha u drejtua nga ipeshkëvi i Valencias imzot Pedro Luis De Borja Llançol de Romani, si dhe morën pjesë përfaqësues të koronës mbretërore të Valencias, Maria Zardari Kastrioti me vajzat dhe i vëllai i Andronikës, Kostantin Komnen Arianiti, i shoqëruar me një grup kalorsish stratiotë arbëror.
Princeshën Andronika Arianiti Kastrioti e varrosën në Manastirin Mbretëror Trinia e Shenjtë e Valencia, kuvend klauzure i motrave Klarisa. Ky kuvend ishte themeluar nga mbretëresha Maria e Kastilias, në fillim të shekullit XV. Në kapellën me mermer të bardhë ndodhet varri monumental, me dy engjëj anash dhe në bazë dy skude me shqiponjën dykrenare të stemës heraldike të Kastriotëve, ndërsa në qendër të lapides ishte vendosur ikona e Zonjës Sonë të Rifuxhios të Mëkatarëve (Icono de Ntra. Sra. del Refugio de Pecadores en el Monasterio Real de la Santísima Trinidad de Valencia: Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. ArsLonga Nr. 29. 2020, p. 45-64)
Studiuesi D. B. Goerlich thekson se Andonika Kastrioti Skenderbeu, Dama e madhe shqiptare, e vlerësonte jashtëzakonisht shumë atë ikonë. Dihet që ishte vendosur në ballë të varrit të saj të Manastirit të Shen Trinisë. Përsa i përket faktit se ku dhe si kishte mundur Andronika ta sigurojë këtë ikonë të çmuar dhe të realizuar me stil bizantin, nuk ka informacione, vetëm mund të hamendësohet. Mbase kërkimet e ardhëshme do të zbulojnë më shumë të dhëna dhe dokumente për origjinën e kësaj ikone. Këtë ikonë me stil të veçantë e përmend dhe Frati françeskan Joseph Antonio de Hebrera, në veprën “Chronica serafica de la Santa Provincia de Aragona. En Zaragoza, aňo MDCCIII) – kronikat e Provicës së shenjtë të Aragonës, të botuara në Saragoza, viti 1703).
Nëna mbretëreshë Xhiovana III e Napolit, në testamentin e saj, kishte kërkuar që trupi të mikes së saj të shquar të transferohej në Napoli, në kapellën që po ndërtohej në Manastirin e Shën Maria Koncepsion, të murgeshave Klarise të Shën Kiarës. Në testament, Xhiovana III nuk harroi të përmendi dhe transferimin e kësaj ikone, duke theksuar se Andonika ishte e pandashme nga Shën Maria. Vullneti i Xhiovana III nuk u zbatua dhe trupi i Princeshës Andronika Kastrioti ndodhet ende në varrezën monumentale të Manastirit Shën Trinia në Valencia. (Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. Ars Longa Nr. 29. 2020, p. 45-64). Ekziston dhe një dokument tjetër i vitit 1517, i Xhiovana IV që ishte kthyer në Valencia, ku prezantoi varjantin definitiv të testamentit të nënës së saj, që trajton çështjen e transferimit të eshtrave të mentores, mikes së ngushtë, të devotshmes Madama Skenderbega në Manastirin e Shen Maria Koncepsion, i urdhërit françeskan të Klarisave në Napoli. Në këtë testament përmenden dhe shumë pjestar të tjerë të familjes Kastrioti. Rrethanat e atyre kohëve të turbullta, e penguan transferimin e eshtrave të Andronikës në Napoli.
Për Andronika Kastriotin ekziston një numër i pakët ksilografishë, ndër të cilat është një më cilësoret e vitit 1596 e Johann Theodor de Bry (1561-1623), tipograf belg, i transferuar në Gjermani, ku realizoi xilografinë e Andronika Kastriotit, si dhe një ksilografi të Gjergj Kastriotit, për të cilin shkruan: “Luftoi për lirinë e atdheut si Pirro i Epirit dhe Akile Pelide”.

Princesha Andronika Arianiti Komnena Kastrioti (1428 – 1506) Gravurë e vitit 1596, e Johann Theodor de Bry (1561–1623)  (Fürstlich Waldecksche Hofbibliothek Bad Arolsen)
Princesha Andronika Arianiti Komnena Kastrioti (1428-1506) Gravurë e vitit 1596, e Johann Theodor de Bry (1561-1623)
(Fürstlich Waldecksche Hofbibliothek Bad Arolsen)

Në ksilografi, Andronika Kastrioti prezantohet me portretin në profil nga e majta, karakteristike e fisnikëve dhe e pjestarëve të familjeve mbretërore, me emrin në rrrethin e portretit të shkruar në latinisht:
DONICE SCANDERBEGI VXOR – Donika Gruaja e Skënderbeut
dhe me dy shkrime, njëra në kronizë në pjesën e sipërme ku është shkruar:

EPIRI REGINA VT SIS PRVDENTIA FECIT QVAEQVE IPSI POTERAT FORMA PLAECERE IOVI
“Mbretëresha e Epirit, mençuria tënde dhe bukuria tënde, që do t’i kishte pëlqyer dhe vetë Jupiteri”
Në pjesën e poshtëme të gravurës është shkrimi tjetër, i cili në fakt është pjesë përbërëse e dedikimit të sipërm, madje është fraza fillestare e dedikimit ku shkruhet:
TANTA TVO ES MERITIS VENIAT SI FAMA MARITO – QUANTA SVO QVONDAM DEIDAMIA VIRO
Aq e madhe është merita tënde, që i dhe aq shumë famë burrit tënd, ashtu si Deidamia i dha burrit të saj.”

Në këtë përkushtim, Johan Th. De Bry, e krahason Andronika Arianti Kastriota me Deidama, gruan e Akilit. Këtë dedikim Andronikës, e ka komentuar dhe poeti dhe shkrimtari gjerman George Greflinger (1620-1677). Në mbishkrimin e poshtëm, autori i gravurës ka bërë një gabim orthografik, ka shkruar ES MERITIS, ndërsa në gjuhën latine shkruhet EX MERITIS.

Bibliografia

01.Lutfi Alia – Kostantin Arianiti – Kominata – Komneni. (1, 2), Issus.com. Siena. 2018
02.Lutfi Alia – Kronika eksodeve dhe vendbanimet arbëreshe ne Itali, 1272 -1774. “M printing Durrës 2016
03.Robert Elsie –  A Biographical Dictionary of Albanian History. 2012, I.B.Tauris. p. 17
04.Schmitt Oliver Jens – Skanderbeg et les Sultans, Turcica, 43, 2011, p. 71.
05.Ana Komnena – Aleksiada. A cura di Giacinto Agnelo. Palazzo Comittini, Edizione Palermo 2010
06.Acta Albaniae Veneta – Seculorum XIV – XV, Tomus XVII. Annos a MCDLV – MCDLVIII: 1456 – 1458)
07. Guglielmo di Tiro – Historia rerum in partibus transmarinis gestarum, a cura di Emily Atwater Babock e A. C. Krey, traduzione di Emily Atwater Babock e A. C. Krey, Columbia University Press, 1943.
08.John Musachi – Brief Chronicle on the Descendants of our Musachi Dynasty by John Musachi (1515) Archived copy. Archived from the original on 2010-09-10. Retrieved 2011-11-29.
09.Lorenzoni G – Il volto e l’anima dell’Albania, secondo il diario di un viaggiatore 1929 – 1939. Firenze, Istituto Geografico Militare. 1940
10.Archivo di Stato di Napoli – Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod. Aragonese cit., I, pp. 439-441
11.R. Parisi –  Catalogo Scritture. Arch. Municipale Napoli, III, Napoli, tipografia Giannini, 1916, p. 162
12.Lutfi Alia – Pasardhësit e Vrana Kontit në Itali. Dixit 2. Kronika historike. Tiranë 2022.
13.Giovanni Antonio Summonte – Historia della Città, e Regno di Napoli”. Napoli 1601.
14.Carlo Padiglione – Di G. Castriota Scanderbech e de’ suoi discendenti, Napoli, Tipografia Giannini, 1879,
pp. 14 – 15. 125 Cfr.
15. Gennaro Maria Monti – La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi pugliesi suoi della vedova e del figlio. In Japigia, X, 1939. (Ripubblicato in Palaver 4 n.s. 2015, n. 1, 121-184)
15. Kohler Ch. – Mélange pour servir à histoire de l’Orient latin e des croisades. Paris 1906, f. 222 – 223.
16.Marin Barleti – Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis”. Roma 1510.
17.Jacques De Lavardin – “Histoire de Scanderbeg, roy d’Albanie”, Paris 1621 (Edité par Reink Books – 2018)
18.Bellusci Antonio – Magia, Miti e Credenze Popolari – Ricerca etnografica tra gli albanesi d’Italia. Edizione Centro Ricerche, Cosenza 1983
19.Zangari Domenico – Le colonie italo-albanesi di Calabria – Storia e demografia, sec. XV–XIX,
Napoli 1941.
20.Arch.Senat.Veneto – Senato Mar, vol. VII: c. 23, 1457, 1462, 1464
21.Franz Babinger, Giorgio Fiori – Rivista di storia, arte, archeologia per le Province di Alessandria e Asti, CVIII: 1999, pp. 67-82.
22. Arch. Senat. Veneto – Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c. 117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII, cc. 2, 29, Venezia anno 1486.
23. Simonetta Angelo Comnena – “Storia e genealogia della Imperiale famiglia Angelo Comneno Ducas o Angelo Flavio Comneno Ducas”, Roma 2007
24.Demetrio Franco – “Comentario de le cose de’ Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe d’ Epyro”, Roma 1539
25.Arch. Seant. Veneto – Famiglia Arboreo di Gattinara, marzo 3, 1522, agosto 1521.
26.Vincenzo Forcella – Iscrizioni delle chiese e d’altri edificii di Roma dal secolo XI fino ai giorni nostri (in 14 volumi, Anno 1874, faqe. 40, nr. 117. Roma 1869-1884)
27.Daniel Benito Goerlich – La stirpe albanesa de la virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. ArsLonga Nr. 29. 2020, p. 45-64
28.Monumenti riminesi autografi raccolti e conservati da Michelangelo Zanotti notajo collegiato di Rimini, anno 1530, dossie XIV, c. 23.
29.Arch. S. Milano – Atti Notarile, Moriggia Gio. Giacomo, 1556 apr. 15
30.De Bello Neapolitano – Edito postumo nel 1509, su cui cfr. E. Percopo, Vita di G. Fontano, ed. M. Manfredi, Napoli, R. Deputazione Storica Nap., 1938, pp. 286-91.
31.Batti G. Historia e glriosi gesti et vittoriose imprese fatte contro Turchi dal Sig. Don Giorgio Castriota, detto Scanderbeg. Principe d’Epirro. In Venetia, 1646.

copyright https://www.radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.