back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Andrra pesëqinvjeçare nga Lazër Radi (1937)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Andrra pesëqinvjeçare nga Lazër Radi (1937)

Asht anakronizëm – thonë disa – me frekuentue çfaqje të ndryshme në kohnat e sotshme të turbullta e të mbushuna me përpjekje të mëdha për t’i ba ballë luftës së madhe që quhet: “Lufta për ekzistencë”.
Partizanët e këtij mendimi të stereotipuem harrojnë me kujtue se njeriu paska, përveç barkut edhe nji shpirt, i cili kërkon ushqim dhe jeton për nji qëllim të naltë.
Ndër këto ditë, në sallonin e shoqënisë “Vllaznia” shijuem çfaqen e dramës kombëtare “Shqipnija e lirë” pune prej Andrea Skanjetit. Qëllimi ishte me t’vërtetë “madhështor”. Mbrenda pak orëve, kaluem si në vegim, çastet ma të lavdishme të historisë së shkëlqyeme të Atdheut tonë. Nuk do të rrekem me zhvillimin e dramës, me interpretimin e aktorëve dhe as me skenarët e përshtatshme, por do të merrem vetëm me qëllimin e dramës.
Tipi i Sokol Mirajt, tip i atdhetarit të vërtetë e të pastër, është paraqitur me ngjyrat ma të gjalla. Ai, kur flet për Shqipninë dhe për shqiptarët, atëherë lëshon zjarr, zjarrin e zemrës së vet, zjarrin e patriotit të kulluar. Sa nevojë kanë zemrat tona për këtë zjarr! “Errësira e akulli” janë simbole të njerëzve të caktuem për humbje. Sot, ma tepër se në kohën e robënisë, kemi nevojë për “Dritë e zjarr”, kemi nevojë që të forcojmë nji “Ndërgjegje kombtare” të vërtetë. Gjaknat duhet të vlojnë, por, duhet të vlojnë për nji “qëllim” të naltë e të drejtë. Çfarë qëllimi ma të naltë mund të ketë njeriu se forcimin e atdheut e përparimin e popullit? Pa dyshim qëllim ma bujar nuk mund të ket. Prandaj, duhet nji nxitës që t’i zgjojë forcat e mshefta të shqiptarëve dhe pastaj të fillohet brumimi i “ndërgjegjes” kombtare. Sot, lypset që zemrat të rrahin me nji ritëm të shpejtë por, vetëm për qëllimin dhe zhvillimin e Kombit. Pra, duhet të gjindet mjeti që të çlirojë ndijesitë e ndryshme në botën e mbrendëshme të “njeriut shqiptar”. Nji faktor i randsishëm asht “Fjala”. Ajo me forcë e vet, ia kalon çdo armate sado të madhe dhe depërton në thellësitë ma të mëdha t’intelektit, të mendjes dhe të zemrës. “Fjala” ka fuqi me zbulue vlerën e vërtetë të njeriut me nji “ideal” e ta nxisi për të kryer vepra të nalta.
E djeshmja kaloi. E sotmja e madhe randon mbi supet tona. Duhet të zgjohemi. Pasqyra e herojve të Rilindjes sonë le të reflektohet ndër zemrat tona, sot, le t’i përdorim të gjitha forcat mendore për naltësimin e popullit, gjithçka arrihet, gjithçka bahet: vetëm të kemi energji mashkulli dhe vullnet të fortë. Qëllimi i ynë për naltësimin e Atdheut do t’arrihet… Mjafton të kemi zhvillue me bardhësi zambaku “ndërgjegjen kombëtare”.
Sokol Miraj, pasanik shkodran dhe patriot i vërtetë, derdhi zjarrin e vet ndër zemrat e spektatorëve, “Andrra pesqindvjeçare” na ngrohu mendjen dhe zemrën. Të punojmë për zjarrin e zemrave…
Shkodër, dhetor 1937.
(Shtypi, Nr. 171, 10 dhjetor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.