back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Andrrat dhe zhgënjimet e nji brezi… Lazër Radi

Gazeta

Taf Pervizi 1951
Taf Pervizi 1951

Andrrat dhe zhgënjimet e nji brezi…

nga Lazër Radi

Taf Pervizi – Nji shqiptar patriot në Romë

Mbas nji dite të kandshme në shtëpinë e Nermin Vlora-Falaskit në Romë, aty nga mbasdrekja dolëm të shëtisnim nëpër qytet. E ndërsa ra fjala për kontributin e shqiptarëve në kët qytet metropolitan, krahas emnave të njoftun të Mentor Çokut, Petro Vuçanit, Gjon Gjomarkajt, Albert Akshisë, Gjon Kolndrekës, me disa prej të cilëve kisha njoftje të hershme, zonja Vlora më përmendi dhe nji emër të cilin s’e kisha ndigjue ma parë: kosovarin Taf Përvizi!
-Është shqiptar dhe patriot i vërtetë – më tha Nermini, me at shqipen e saj të ambël – përveç se asht edhe nji njeri shumë i lartë. E ke nga Hasi i Prizrenit, luftëtar për çeshtjen e Kosovës, mik i Xhozef Dioguardit, e për merita të veçanta asht vlersue edhe me titullin “Kalorës i punës”!
U ndjeva i kënaqun jo vetëm nga konsiderata e zonjës Vlora, po sepse po më jepesh rasti të njifesha me nji njeri, që nderonte jo vetëm vetveten, por krejt shqiptarët e Romës. Duke u nda me zonjën Vlora dhe me të shoqin e saj zotin Falaski, i falenderova dhe u premtova se në rastin ma të parë do të takohesha me Z. Përvizi.
Në fund të rrugës “A. Gramshi”, pranë portës së nji dyqani, qëndronte nji burrë i moshuem, por i mbajtun mjaft mirë, me nji këmishë të hollë me vija blu e të bardha, me syze dielli e me pak mustaqe të holla mbi buzë. Duke qenë i bindun se do të ishte pikërisht ai, iu afrova dhe i sigurt e pyes: “A jeni ju zoti Taf Përvizi?”.
-Po, bash unë jam – më tha.
Ai mbeti disa i habitun, kush ishte ky njeri i panjoftun që me aq siguri po i fliste edhe në gjuhë shqipe. Më pa drejt e në sy dhe me nji ndjenjë kënaqësie në fytyrë më qeshi miqsisht.
-Kam ndigjue të flitet fort mirë për Ju dhe për punën tuej, e me që dhe ju jeni prej Prizreni thashë pse të mos njifemi edhe ma mirë!
Kaq mjaftoi, dhe u përqafuem si të ishim ma shumë se miq, si vllazën. Shkuem në ma të afërtin bar u shtruem dhe biseduem gjatë. Nisëm me tregue histori të vjetra, qamë halle, siç dinë me qa halle veç mërgimtarët. Më bani përshtypje jeta, andrrat dhe zhgënjimet e atij njeriu, iluzionet e nji rinie dhe tragjedia e nji populli nën ideologjinë komuniste, që po ia brente shpirtin edhe këtij shqiptari në mërgim…
Tafa ishte lindë më 1919, në katundin Krajkë, të Hasit të Prizrenit! Bir i nji familje të madhe patriarkale, me ndjenja e tradita patriotike. Si shtëpi zakoni e derë bujare dinte me e pritë e me e përcjellë mikun, siç dinte me e rrokë edhe pushkën në ditë të rrezikut!

“Njeriu i rrugës së gjatë” (Ribotim)
“Njeriu i rrugës së gjatë” (Ribotim)

Ikën prej ushtrisë jugosllave dhe bashkohet vullnetar kundër pushtuesit. Në fillim të 1944, hyn vullnetar me vllaznit shqiptarë të Brigadës së 5-të, të komanduem prej Shefqet Peçit. Mbas çlirimit të Prizrenit vazhdojnë çlirimin e Suharekës, Ferizajt, Prishtinës, Mitrovicës e kështu me radhë deri n’Sarajevë. Mbas humbjesh të mëdha, e mbas tifos së morrit, ata arrijnë të kthehen e të vendosen pranë Shtabit të Divizionit, ku komandonte Shefqet Peçi, e ma pas i zëvendësuem prej Rrahman Parllakut. Si të rinj, të entusiazmuem nga fitorja e luftës, besonin se ma në fund po vinte dita që Kosova t’i zgjidhte vetë problemet e saj. Ne s’dinim asgja se ç’ndodhte atje. Ardhja e babës, Mustaf Përvizit, nji burrë i hijshëm, gati dy metra i lartë, me nji palë mustakë të zes si kraht e korbit, më tronditi. Në vend që të më përgëzonte për fitoren, e t’më uronte për karrierën (sapo isha ba zv. Komandant Kompanie) më tregoi për tmerret, vrasjet masive, genocidin dhe masakrat që kishin ba e po banin serbomalazestë ndër shqiptarët. Ishte e pabesueshme për mue!!
-A nuk po e sheh tradhtinë që na banë, a nuk po e sheh se duen me na shfarosë të gjithëve- më tha baba me zemërim dhe iku pa u falë me mue.
Ditë ma të vështirë s’kam pasë në jetën time. Tregimi i tij qe nji tmerr i vërtetë. Nuk kishte mbetë rrugë tjetër veç me rrokë prap armët e me u dalë zot shtëpive, tokave dhe familjeve tona. Ishim mija burra që ishim gati me vdekë për mbrojtjen e Kosovës shqiptare. Gjithë lufta jonë, gjithë andrrat tona ishin shkatërrue. Rrokëm armët e luftuem për jetë a vdekje. Në gusht të vitit 1946, në Pushtrik të Bjeshkëve të Hasit u mor vendimi që të largoheshim për në Greqi. Shteti jugosllav ishte nën përkrahjen e plotë të aleatëve. Ideologjia komuniste kishte fitue mbi ideologjinë kombtare. Të goditun prej të gjitha anëve, nisëm me luftuar ditë e natë për nji muej rresht. Bashkë me shokët e mi Uk Sadiku, Dem Ali Pozharin, Ahmet Krajkën, Ndue Përlleshin, vëlleznit Reshat e Raif Karajaklliu nëpër ato ditë e net të vështira ishte dhe koloneli Muharrem Bajraktari. Nga 80 vetë që u nisëm mbrritëm vetëm 22 vetë e të gjithë ishim me plagë nëpër trup. Mbas peripecish të shumta në kampet e Selanikut, Pireut, Athinës, në klandestinitet, u nisa për në Stamboll dhe Damask, ku ishin edhe disa koloni të tjera shqiptarësh. Aty nga fundi i vitit 1948, u ftova të shkoj në Romë, si anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Katundare ku u zgjodh kryetar Said Kryeziu.
S’u largova ma nga Roma.
Taf Përvizi jetoi dhe punoi aty, pa heqë dorë kurrë nga kontributi për çeshtjen kombtare, për krijimin e Shërbimit Social Musliman, dhe ngritjen e varrezave muslimane në Romë, për të cilat do të flas nji herë tjetër. Ai ka dy djem Gencin dhe Arbenin. Edhe pse i ka kalue të shtatëdhjetat punon si djalë i ri. Ky ishte Taf Përvizi: nji shqiptar i vërtetë nji patriot në çdo qelizë të tij. “Kalorës i Punës” por dhe kalorës i luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo ishte dhe andrra e tij.
Kështu u ndava me at njeri, që ishte siç thoshte zonja Vlora: “Nji shqiptar i vërtetë”, nji derë e hapun shqiptarisht midis atij qyteti madhështor siç asht Roma e përjetshme…
(Gazeta Kombi, gusht 1992)

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.