back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Angela Kosta dhe pena e saj në emigrim

Gazeta

Angela Kosta - Autore
Angela Kosta – Autore

Shiheni postimin

Angela Kosta dhe pena e saj në emigrim

Angela Kosta, ka lindur në vitin 1973, në Elbasan dhe prej njëzetetetë vitesh jeton në Umbertide të Peruxhas. Ajo përkthen poezi të poetëve italianë në shqip për Revistën Dymujore Ndërkombëtare të Botës së Artit dhe Kulturës “Le Muse”, shkruan për gazetën shqiptare “Gazeta Destinacioni”, boton poezi për “Mesdheu, Revista Letrare”, bashkëpunon dhe përkthen në gazetën e përmuajshme italo-shqiptare “Le Radici – Gazeta Rrënjët”, boton poezi në portalin “Alb – Spirit” është autore e poezive në revistën “Orfeu – Prishtinë.”
Në vitet 2003 – 2004, Angela Kosta botoi në Shqipëri librat: “Shpirt i burgosur” (roman) dhe librin me novela “Më fal!” Në Itali ajo botoi disa libra: “Varësja Magjike” (2007 – roman), “Shkëlqimi i lotit” (2008 – poezi) përfitimi i të cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor të Sclerosi Laterale Amiotrofica (SLA); “Sytë e nënës” (2011 – roman), “Milioneri i varfër” (2017 – roman), “Të jetosh” (2008 – poezi), “Përtej oqeanit” (2019 – roman), dhe së fundi ajo botoi librin me përralla: “Ylberi dhe Sara e vogël” me vizatimet e realizuara nga Kristiana Sterjo, përfitimi i të cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS, Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve tek fëmijët e të rriturit. Mediat shqiptare dhe italiane kanë botuar shumë artikuj për Autoren në fjalë. Po përmendim disa prej tyre…

Gazeta Diaspora, Shqiptari i Italisë, Albania Letteraria, Gazeta Destinacioni, portali “Alb-Spirit”, revista Obelisk, Gazeta “Il Corriere dell’Umbria”, Gazeta “La Nazione”; Rivista “Confidenze”, “Vivo Umbria”, “Il Quotidiano d’Italia”, “Umbria 7”, “QN – La Nazione”, “Informazione Locale – Umbertide” “Umbria 24”, “Italy 24 Press” etj.

“Emigrimi: pemë shekullore e çrrënjosur nga damarët e tokës mëmë”

Kur emigrova në Itali, isha shumë e re, e megjithatë u ndjeva (ashtu sikurse ndjehem edhe sot), si të isha një pemë shekullore e çrrënjosur nga damarët e tokës mëmë. Edhe pse kam shumë vite që jetoj jashtë Shqipërisë, rrënjët e mia mbeten të copëtuara midis atdheut tim dhe vendit ku tashmë jetoj. Si shumë atdhetarë, jetoj në një shoqëri multietnike, ndaj nuk i gjykoj të tjerët për dallim race, feje, shkallë shoqërore apo ndryshim kulturor. Unë emigrova në Itali në vitin 1995, bashkë me bashkëshortin e dy fëmijët, duke lënë familjen, shtëpinë, ëndrrat, studimet me zemër të thyer. I përqafova të afërmit e mi, ashtu sikurse përqafova fort vëllanë tim 17-vjeçar, duke mos e ditur se do të ishte hera e fundit që e takoja, pasi ai do të mbetej viktimë e trazirave në vitin 1997. Në qytetin ku jetoj ende sot, ndesha me bujarinë e madhe, ashtu sikurse edhe të gjithë italianëve në përgjithësi. Meqenëse e flisja mirë gjuhën, nuk pata vështirësi të integrohesha menjëherë në shoqëri. Siç e dimë, gjuhën e huaj italiane e flasin thuajse të gjithë shqiptarët, sepse që në kohën e diktaturës, edhe pse ishte i ndaluar nga mekanizmi i egër i shtetit, kanalin Rai e shihnim fshehuras në televizion.
Pas disa muajsh nga mbërritja ime në Itali, fillova të punoja si asistente pranë të sëmurëve në një klinikë private shëndetsore. Edhe pse puna ishte me turne dhe më merrte shumë energji, sikurse familja dhe fëmijët, kjo gjithsesi nuk më pengoi të rinisja e të shkruaja (pasionin im qëkur isha fëmijë). Në vitin 2003, botova në Shqipëri romanin e parë: “Shpirti i burgosur”, dhe më pas në vitin 2004, librin me novela “Më fal”.
Shumë kurioze, fillova të lexoj poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj italianë, vëzhgova dhe admirova kulturën e tyre të pasur, ndaj vendosa të botoj ndonjë libër edhe në Itali. Në fakt, në vitin 2007, ia arrita këtij qëllimi duke botuar romanin tim të parë: “Varësja Magjike” ku edhe më pas vijuan shumë libra të tjerë.

Angelòa Kosta - Il Milionario povero
Angelòa Kosta – Il Milionario povero

“Tek Anxhela Kosta poezia është e përbërë edhe nga heshtja: një pjesë e kësaj bëhet me fjalë dhe me vargje të rrjedhshme, të lira, që çlirohen nga çdo kufizim metrikë, herë-herë ajo guxon në formë duke u shfaqur pikërisht në një inovacion të guximshëm; një pjesë hesht për t’i dhënë thelbin shfryrjes së lëmshit të emocioneve sëbashku me vibracionet që çlirohen nga shpirti njerëzor, duke u gjallëruar dhe duke u rigjeneruar.”
Elena Caruso – Gazetare

“Angela Kosta, shqiptare, poete, shkrimtare dhe përkthyese, është një paradigmë: ajo e integrimit më të mirë shoqëror, kulturor e njerëzor, është më e çmuara.”
Corriere dell’Umbria – Korrieri i Umbrias

“Angela Kosta përdor fjalët në poezitë e saj sikur të ishin penelatat e një artisteje të madhe”.
Adriano Bottaccioli – Shkrimtar

“Gjatë shkrimit, Angela Kosta tregon një talent të jashtëzakonshëm, i cili, duke u përzierë me dhimbjen e së shkuarës dhe të tashmes, aty ku ngjyen penën, e bën atë një grua e cila ka shumë për të rrëfyer…”
La Nazione – Kombi – Paolo Ippoliti

“Angela Kosta dhe shkrimi i saj, i vetmi mjet i për të shpëtuar nga kufizimet e diktaturës në këmbim të lirisë”
Enzo Beretta – Umbria 24

“Veprat e Angela Kostës janë romane të një ndjeshmërie të papërsëritshme dhe të jashtëzakonshme, dhe kjo, falë personalitetit të autores, bujare dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët”
Federica Mastroforti – Vivo Umbria

Vivere - Poesie di Angela Kosta
Vivere – Poesie di Angela Kosta

Poezi nga Angela Kosta

Vëllait tim

Djalë i ri ishe plot ëndrra,
gonxhe e sapo lulëzuar
i dashuruar me jetën.

Ëndrrat e tua të përshkelura me ligësi
në hapat e para të dashurisë,
në zemrën tënde që më nuk rreh.

Pa mëshirë t’u mbyllën sytë e bukur.
E pashërueshme, dhimbja mizore
vdekja jetën që të përkiste vetëm ty
me vete mori.

Fluturove në parajsë
i zhytur në lotin e pangushëllueshëm
duke lënë pas ëndrrat e mëkëmbura.

Buzëqeshje e hirtë

Kjo poezi i dedikohet gjenocidit ndaj hebrejve

Sy të çjerrur, pa dritë
nga lotët e akullt si vetë duart e ftohta,
fundi perëndues nën qepallat përpëlitëse.

Britma të dëshpëruara nga brutaliteti
me emrin e damkosur “Vdekje”,
ligji i racës i miratuar e konfirmuar
me një përkushtim të zellshëm,
nga ata që kishin pushtetin në duart e tyre,
për të zhdukur njëherë e përgjithmonë
buzëqeshjen e dinjitetit njerëzor
i ndaluar në radhët e gjata pafund.

Fëmijë, gra, burra të të gjitha moshave
numra të njollosur pa mëshirë.

Vetë Zoti nuk i dha fund një akti të tillë,
lejoi që ajo “Pse” të mbetej pa përgjigje
teksa bota duartrokiste skenarin tmerr
frymëmarrje e ndalur
edhe për ata që ishin kundër
dhe donin që rrota e fatit të ngecte.

Nuk u desh shumë kohë që të ndalej kjo masakër
e shënuar sot si ditë e madhe përkujtimore
për ata që u munduan më kot
por nuk i shpëtuan persekutimit.

Pak ishin ata që mbijetuan
ndaj nuk mundën të harrojnë.

Sot, ashtu si dje skenari vazhdon
me përmasa të tjera, pa skruppull
luftëra të pakuptimta dhe të pafundme,
e në fund të detit shfaqet tmerri njerëzor
dhe bota vazhdon të duartrokasë
në heshtje, pa kundërshtuar.

Elegji

Atë natë të bujshme, të ftohtë
në qiell nuk kishte yje, nuk kishte hënë.
Edhe pse ishte mars
nuk kishte lule, nuk ishte pranverë.
Në terrin e natës, tej në hapësirē
diku në breg të huaj
dëgjoheshin klithje, ulërimë.
Dallgët e detit egërsisht përplaseshin
mbi një anije të vjetër
e braktisur në mëshirën e fatit
si shumë fëmijë të mbetur
pa nëna, pa baballarë.
Të tmerruar u përpoqën të shpëtonin
as kohë nuk patën të luteshin
uji i ftohtë me vete papandehur i gëlltiti
i përpiu pa ua dëgjuar dëshpërimin.
Deti u tregua i pamëshirshëm
i fshehu diku në fund të mallkimit.
Natë e zezë kurrë nuk mund të harrohet
gjëmë në kujtesë jo vetëm të atyre
që mundën të shpëtonin
skenar tragedie, dhimbjesh e vuajtjesh
deri në përjetësi.
Mes lotësh dhe lutjesh në netët e pagjuma
njerëzit kuptuan vërtetësinë
se fatkeq të vendit të tyre ishin.
Vendosën që detin më të mos e kalonin
por tokën mëmë të dashuronin
pa e braktisur kurrë më.
Vetë deti ua thoshte këtë
por anije të tjera tentuan
një nga një, radhazi ta sfidonin
ndaj zemërimi i tij kulmin arriti
shkaktar i tragjedive pafund.
Kaluan disa kohë
dhe deti dukej sikur ishte qetësuar
fatin, shpresën në dorë ua kishte lëshuar.
Njerëz të tjerë filloi të përqafonte
në brendësi, aty ku askush nuk mund
t’i ndihmonte, të gjorat jetë pafat.
Shumë filluan ta urrenin njerëzit
atë, tek i cili deri dje
shihnin veç pasurinë dhe mbretërinë
ndaj filluan ta mallkojnë ditë e natë.
Por deti nuk u lëkund aspak
para mallkimeve të tyre mëkatare
dallgët lëshonte në breg
Zot e ndjente veten, pa pasur fare frikë.
Kërcënimeve të tyre filloi t’u përgjigjej me butësi
sadopak t’i ndihmonte kërkoi
fajtor jeni ju… tokën kurrë mos e tradhëtoni.
Shikojeni sa vuan,
mos e braktisni në mëshirën e fatit.
Njerëzit krahët i kthyen njëherësh
përmallueshëm puthën tokën mëmë.
E vaditën me lotët e nxehtë
u përkulën ndër gjunjë
teksa merrnin bekimin
dhe u betuan se larg në dhe të huaj
kurrë nuk do të mund të treteshin.
Ndërmend u erdhën fjalët e Naimit dhe Çajupit
vargjet e shkruara për të shtrenjtin mëmëdhe.

Lulja e Dashurisë

Në kopshtin e dashurisë
një lule të bukur vështrova.
I dashuruar, iu afrova t’i flisja ta përqafoja.
Sa keq!
Në kopshtin e dashurisë
një lule e freskët u vyshk
e bukura aroma ime pa mundur ta përqafoja.
Iku diku tej, u zhduk pa e ditur
sa e rëndësishme ishte për mua.

Ku je?

Në vetmi pyes veten:
ku je?
S’e kisha kuptuar që ti ishe
brenda shpirtit tim.
I strukur rrije aty
me përvuajtjen time në pafundësi.
Veten time mallkoj
për këtë dashuri të pafat
që më shkatërroi ëndrrat, rininë.
Ku je?
Ku ndodhesh tani përveç shpirtit tim?

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.