back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Antigonea sipas Wikipedias… dhe nji oponence nga Altin Kocaqi

Gazeta

Qyteti antik i Antigoneas
Qyteti antik i Antigoneas

Antigonea sipas Wikipedias…

dhe nji oponence nga Altin Kocaqi

Antigonea sipas Wikipedias

Historiku
Sipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.
Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njerën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.
Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë.
Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare në vitin 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleatë të Maqedonisë. Konsulli romak Pal Emili, duke zbatuar një urdhër të Senatit, kreu më 168 p.e.s. plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë, përfshi Antigonenë. Qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake dhe nuk u rindërtua më kurrë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shek. VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.

Elemente gjeografikë
Qyteti antik i Antigonesë shtrihej mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinishtë të Gjirokastrës. Emri dëshmon se ai duhet të jetë themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 p.e.s, për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.
Pllaja mbi të cilën ishte ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos përballë Gjirokastrës. Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 hektarësh në disa zona: në zonën qendrore të banuar, në Agoranë në veri të pllajës, në Akropolin dhe Basileian, të cilat janë të veçuara me mure në pjesën më të lartë të kodrës, dhe në Euhorion, ose zonën e rezervuar për strehimin e popullsisë fshatare në rast luftërash, në anën perëndimore të qytetit.
Një rrugë qendrore me gjatësi 900 metra dhe gjerësi 4.8 metra, me drejtim Lindje-Perëndim, që lidhte dy portat kryesore, dhe një rrugë me drejtim Veri-Jug me gjerësi 6.8 metra ndërpriteshin në qendër të qytetit duke përbërë boshtet e zhvillimit të një sistemi hipodamik, nga nisnin dhe rrugët e tjera dytësore, duke krijuar blloqe banesash në formë kuadratesh me përmasa 51×102 metra. Muret rrethuese me gjatësi 4 kilometra janë të ndërtuara me blloqe gurësh të latuar në forma katërkëndëshe ose shumëkëndëshe. Hyrjet kryesore dhe pikat e mundshme të sulmit mbroheshin nga kulla katërkëndëshe.
Në Agoranë e qytetit gërmimet kanë nxjerrë në dritë një portik me kolonadë dorike me gjatësi 60 metra dhe gjerësi 8,60 metra. Pranë tij u gjetën edhe pjesë të një skulpture bronzi të një kalorësi, që mund edhe t’i ketë qenë kushtuar Pirros së Epirit.
Në Antigone janë zbuluar disa banesa të llojeve të ndryshme, që u përkisnin shtresave tregtare-zejtare të qytetit. Brenda tyre ndodheshin punishte metalesh dhe të përpunimit të lëkurëve. Gjetjet e pasura arkeologjike dëshmojnë për shkallën e lartë të kulturës dhe për mirëqenien e qytetit. Mbi bazën e teserave prej bronzi me mbishkrime greqisht Antigoneion, që shërbenin për hyrje në teatër ose në vendet e festave publike, u bë i mundur identifikimi përfundimtar i Antigonesë në rrënojat e Jermës.
Kurse Kisha paleokristiane e Antigonesë është një kishë njënefëshe me absida anësore trekëndëshe, e shekullit V-VI. Dallohet jo vetëm nga ndërtimi planimetrik, por dhe nga mozaiku i zbuluar në të, i cili përfytyron një figurë me trup njeriu dhe me kokë qeni. Kjo figurë është e identifikuar me Shën Kristoforin dhe përbën shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike.

Skulpture e gjetur ne Antigonea
Skulpture e gjetur ne Antigonea

Në anale
Gërmimet e para në qytet janë ndërmarrë në prag të Luftës së Parë Botërore dhe ato mbajnë emrin e S. Evangelidhit.
Shënimet më të hollësishme i atribuohen profesorit Hammond, një krijese të çuditshme, që i ka bredhur më këmbë të gjitha vendet e Epirit. Madje, në vitet ’30 edhe vetë gërmadhat e Jermës. Ky gjurmues e njohës i mirë, përveç të tjerave, bëri dhe një përpjekje për të datuar fortifikimet e Jermës.
Fati më i madh i këtij vendi ishte dora e arkeologut Dhimosten Budina, i cili në vitin 1966 filloi të gërmonte dhe nxori në dritë një material arkeologjik të pasur, që i dha pamje këtij vendbanimi.
Më në fund ishin identifikuar gërmadhat e Jermës dhe ato kishin të bënin me qytetin e Antigonesë. Një grup teserash të rrumbullakëta prej bronzi me mbishkrimin Antitonean përbënin dhe dokumentin e parë epigrafik të qytetit dhe dhanë mundësinë që të korrigjohej mendimi i deriatëhershëm.
Por vlera më e madhe në këtë vend ishin elementët urbanistikë dhe arkitektonikë. Për të parën herë, në qytetet tona, këto elementë janë zbuluar në një masë të tillë që të japin mundësi të formosh, qoftë dhe në vija të trasha, një ide mbi planin urbanistik të qytetit dhe veçoritë arkitektonike dhe konstruktive të banesave qytetare.

Gjetjet
Objekte e gjetura në rrënojat e qytetit të lashtë dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij të hershme.
Në grupin e gjetjeve ka qenë një inventar i pasur zejtaro-bujqësor, që përbëhet nga kosore, kosa, drapërinj, dalta, sqeparë, çekiçë, kompase, vegla për regjjen e lëkurës, nga enë të ndryshme prej bronzi, që janë identifikuar dhe që ishin të zbukuruara me figura mitologjike si ajo e Poseidonit dhe e Sfinksit dhe nga disa prodhime artistike.
Këtu është gjetur edhe një statujë e vogël bronzi e bukur, e Poseidonit, e cila tashti gjendet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto dhe objekte të tjera tregojnë për lidhjet me detin dhe me Amantian, si dhe me qytetet e Gjirit të Vlorës.
Nga gërmimet në Antigone janë gjetur disa kishëza të periudhës së shekullit të VI p.e.s.
Një pjesë e tyre janë gjetje vendi, gjë që e tregojnë jo vetëm ngjyrat e zbuluara në sasi të konsiderueshme, por edhe vetë punishtet. Veglat tregojnë se ishin të zhvilluara dhe degë të tjera të zejtarisë si punimi i lëkurës, gdhendja e gurit, punimi i drurit, etj. Janë zbuluar dhe gati 500 monedha, pjesa më e madhe e të cilave janë nga Koinoinot e Epirotëve, kurse të tjerat i përkisnin Ambrakisë, Korkyrës, Maqedonisë, Dyrrahut, Apolonisë, Korinthit.
(marrë nga Wikipedia)

Parku arkeologjik i Antigoneas
Parku arkeologjik i Antigoneas

Nuk ka fakte bindëse se është zbuluar Antigonea

nga Altin Kocaqi (Eskluzive)

Qyteti antik që sot njihet me emrin Antigone duket se lë shumë për të dëshiruar përsa i përket identifikimit. Janë shumë të dhëna historike të cilat e kundërshtojnë gjendjen e Antigonese pranë fshatit Saraqinishtë përballë Gjirokastrës.
Qyteti që sot quhet Antigone është identifikuar nga gjetja e 14 tesareve votimi me emrin Antigone. Kjo nuk mund të jete e mjaftueshme edhe as e kontrolluar nga të dhëna të tjera si ato që do rendisim më poshtë:

1.Në Antigone janë gjetur deri në 1000 copë monedha që u përkasin qytetërimeve të ndryshme nga Azia e Vogël, në Greqinë e Lashtë, Apoloni, Kerkyrën e Lashtë e deri në Romën e Lashtë. Çdonjëra prej këtyre gjendjeve nuk mund ta emëroi me saktësi këtë qytet.

2.Kush e ka vizituar të sotquajturën Antigone e ka shumë të qartë se ky qytet përbindesh nuk mund të ndërtohej kurrë brenda dy vjeteve ashtu sikurse pretendon Arkeologjia Shqiptare. Plutarku, Pirride, 4, na tregon se ‘martesa e Antigonës, thjeshtrës së Ptolemit të I, me Pirron, zgjati vetëm dy vjetë 297- 295 para Kr. Në vitin 295 para Kr Pirrua martohet me Lanasën e Agathokliut te Sirakuzës. Mundësia që të ndërtohej një qytet kaq i madh brënda dy vjetësh është zero.

3.Muret poligonale që shfaqen në Antigone tregojnë se ky qytet kishte një jetë më të vjetër se shek III para Kr. Këto mure u përkasin kohëve shumë më të vjetra ndaj kjo është edhe një arsye më shumë që të mos kemi të bejmë me një qytet që u ndërtua brënda dy vjetësh.

Nga germimet ne Antigonea
Nga germimet ne Antigonea

4.E dhëna më kontradiktore vjen nga Polibi i cili na tregon se gjatë shkatërrimit të Finiqit nga ushtria e Teutes ‘Skerdilajdi kaloi ngushticat e Antigonese’ për ti ardhur në ndihmë ushtrisë së Teutës që kërrcënohej nga jugu. Ku janë këto ngushtica në Antigonen e sotme? Aty nuk ka asnjë ngushticë edhe asnjë mundësi ngushtice. Tre provat e ngushticave janë shumë larg nga Antigonea: ngushtica e Këlcyrës, ngushtica e Tepelenës edhe ngushtica Selckës që vjen nga rrjedha e lumit Drino.

5.Pikërisht në shpatin e malit nga ana veriore e rrjedhës së Drinos, përballë Labovës së Kryqit, mbi grykën e Seckës, duken disa rrënoja të një qyteti të vogël të cilat edhe mund të jenë rrenojat e Antigonesë së vërtetë sepse gjenden në përmasa të vogla edhe kanë nën kontroll rrjedhen Drinos që vjen nga lindja edhe, mbi të gjitha, kontrollojnë një ngushticë të vërtet e cila mund të jete edhe ngushtica e Antigonesë që e permendi edhe Polibi.

6.Sa per Antigonen e sotme me mure poliganale mendoi se ajo ndoshta mund të jetë Argos i mitologjisë me Argonautet Pelazgjik edhe ndoshta nga shpërngulia e këtueshme e ka marrë emrin ‘Keshtjella e Argji-ro-kastres’. Ndoshta për këtë Argos flasin edhe mardheniet lindje perëndim që shfaqen edhe në gjendjet arkeologjike të qytetit të cilat kanë një shtrirje po aq Pelazgjike sa edhe hapsira Itali – Azi e Vogël.
/Gazeta InfoPress 10 Maj 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Pas një incidenti jo pak të qëllimshëm para 40 ditësh,
    plagoset rëndë miku e vëllai ynë Altin Kocaqi,
    ndërsa sot me tepër si pasojë e pakujdesisë
    së ekipit mjekësor të spitalit të traumave në Tiranë,
    Altinit ju bë atentati i dytë, duke i marrë jetën në kulmin e krijimtarisë së tij.
    Altini asnjë herë nuk rreshti së shkruari për të vërtetën
    e dhimbshme nëpër të cilën ka kaluar e po kalon kombi ynë.
    Altini asnjëherë nuk rreshti duke na hapur sytë
    për kobzinjtë që na rrethojnë e po na vrasin nga pak e çdo ditë
    dhe për mjaft të vërteta të realitetit tonë të sotëm!
    Thuajse në të njejtat rrethana janë vrarë dhe eleminuar
    gjithë të ndriçuarit e kombit shqiptar këto 150 vjetët e fundit.
    Për mua, Altin Kocaqi nuk ka vdekur
    ai është Hero i vërtetë i këtij vendi që ne e quajmë Shqipëri.
    Paçka se dekoratat e meritat i marrin tradhëtarët e këtij vendi…
    e përsëris sot kemi humbur një Hero të çeshtjes shqiptare!
    I lehte të qoftë dheu o mik, o vëlla Altin Kocaqi
    Aristotel Petro, 2 shkurt, 2017

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.