back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Antikiteti Grek reflektim – nga Gavrosh Haxhihyseni

Gazeta

Antikiteti grek
Antikiteti grek
Antikiteti Grek
reflektim nga Gavrosh Haxhihyseni

Ca studiues të rinj por dhe amatorë të historisë e mohojnë ekzistencën e Greqisë së Lashtë dhe kulturën e tyre. “Në Ballkan nuk ka pasur grekë”, – thonë disa prej tyre. Territori grek, – thonë ata, – u përkiste ilirëve të mëhershëm. Në ato treva flitej gjuha shqipe e shumë hamendësime të tjera.
Por si qëndron e vërteta për grekët e lashtë?
Grekët e lashtë, ashtu si dhe shumë qytetërime antike u formuan nga një ndërveprim kompleks faktorësh kulturorë, shoqërorë dhe historikë. Origjina e Grekëve të lashtë shkon thellë në periudhën e migrimeve Indo-Europiane që ndodhën në vitet 2000-1700 para K. Këto migrime sollën grupe popujsh që flisnin gjuhë të ngjashme në krahinën që më pas do të quhej Greqi.
Qytetërimi më i hershëm që njohim është qytetërimi Minoan i ishullit të Kretës, që lulëzoi rreth viteve 2700-1450 para K. Qytetërimi Mikenas që u zhvillua në tokën greke rreth vitit 1600 para K. pati ndikime nga Minoanët. Mikenasit konsiderohen si paraardhësit e Grekëve klasikë. Ata vunë bazat për kulturën, artin dhe gjuhën greke. Grekët e lashtë ishin një grumbull qytete-shtetesh të pavarur, ku secili kishte një qeveri të pavarur, kulturë dhe traditë të tyren. Këto qytete-shtete, si Athina, Sparta, Korinthi, luajtën një rol kyç në krijimin e identitetit të shoqërisë Greke. Grekët bashkëvepruan me qytetërime të tjera antike si Egjiptianët, Fenikasit, përmes tregëtisë, luftërave dhe shkëmbimeve kulturore, që më pas e pasuruan kulturën dhe botëkuptimin e tyre.
Grekët e lashtë ishin një popull i veçantë dinamik që u formua gjatë shtegtimeve Indo-Europiane, falë qytetërimeve Minoane dhe Mikenase, dhe nga zhvillimi i qytet-shteteve Greke.

Parthenoni
Parthenoni

Qytetërimi Minoan i përket epokës së bronxit që lulëzoi në ishullin e Kretës dhe ishujt e tjerë të Egjeut nga viti 3000 deri në vitin 1100 para K. Ky qytetërim e ka marrë emrin nga mbreti legjendar Minos dhe është konsideruar si qytetërimi i parë europian. Minoanët njiheshin për arkitekturën e tyre monumentale, artin e sofistikuar dhe sistemin e shkrimit, Lineari A dhe hieroglifet kretiane. Pallatet e tyre si ai i Knosit dhe Festit, ishin komplekse të mëdha me shumëkate, të pajisura me sisteme hidraulike dhe të zbukuruara me afreske. Ekonomia Minoane u zhvillua shumë falë rrugëve tregtare që rroknin pjesën më të madhe të Mesdheut.
Qytetërimi kontinental Mikenas zgjat nga viti 1750 deri në vitin 1050 para K. Mikenasit njiheshin për ndërtimet e fortifikuara si Akropoli dhe Porta e Luanëve, si dhe për varret monumentale siç ishte varri i Agamemnonit.
Gjuha e shkruar greke ka një histori të pasur tremijë vjeçare. Ajo nis në shek. 8-të para K. me mbishkrimet më të herëshme në alfabetin grek të gjetura në Greqi dhe në Azinë e Vogël. Alfabeti grek që përdoret për të shkruar në gjuhën greke ka evoluar nga forma e tij më e herëshme deri tek alfabeti i sotëm grek. Për shekuj me radhë, greqishtja është përdorur në gjini të ndryshme letrare si poemat epike, dramat, veprat filosofike dhe rrëfenjat historike. Gjuha e shkruar greke ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetërimit perëndimor.
Mitologjia antike greke i ka rrënjët qysh në qytetërimin parahistorik të Greqisë. Grekët e morën frymëzimin nga dukuritë natyrore, përvojat njerëzore dhe imagjinata vetiake për të krijuar një mitologji komplekse që shpjegonte origjinën e botës, fenomenet natyrore, jetën dhe veprimet e perëndive dhe heronjve, moralin dhe parimet filozofike që udhëhiqnin jetën e njerëzve. Shumë elementë të mitologjisë Greke e kanë ndikimin nga qytetërimet më të herëshme si qytetërimi Minoan dhe Mikenas.
Në panteonin e perendive Greke bëjnë pjesë Zeusi, Hera, Athinaja, Poseidoni, Afërdita, etj. Ata pasqyrojnë aspekte të ndryshme të natyrës njerëzore dhe shërbejnë si simbole të pushtetit, dijes, dashurisë dhe cilësive të tjera. Mitet janë përcjellë gojarisht nga brezi në brez dhe më pas u shkruan nga Homeri dhe Hesiodi. Këto mite nuk ishin vetëm histori argëtuese, por u shërbenin Grekëve për të kuptuar botën rreth tyre, të nxirrnin mësime morali, dhe të shërbenin si një trashëgimi e përbashkët kulturore.
Jam i sigurtë se patriotët e mi do më anatemojnë për këtë “qëndrim pro-grek”, por unë mendoj se të vërtetat duhen thënë ashtu siç janë dhe jo me parti-pris dhe paragjykime nacionaliste.
Marrë nga Muri i FB, Gavrosh Haxhihyseni, 18 tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.