back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Antologjinë e Poezisë Moderne Shqipe” – Debat Rudolf Marku – Ali Aliu – Ag Apolloni

Gazeta

Rudolf Marku - Antologji - Veshun me Diell mbathun me Hanë
Rudolf Marku – Antologji – Veshun me Diell mbathun me Hanë

Rudolf Marku: Fahrenheit 451!

Në përgjigje të polemikave për Antologjinë e Poezisë Moderne Shqipe

1.
Ray Bradbury, në vitin 1953, pat botuar romanin ‘Fahrenheit 451’, një roman që tregon një shoqëri distopiane që djeg librat, me qëllim që njerëzit të jenë të çliruar nga idetë e rrezikshme dhe me qëllimin tjetër, që t’i bëj qytetarët e vet të ndihen më të lumtur. Këtë roman e pata lexuar që në fillimet e viteve ‘80, dhe ai, falë këmbënguljes së disa intelektualëve të ndershëm, pat arritur të botohej nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, andej nga vitet 1985/1986. Mbaj mend gjithashtu se njëri nga dy recensionet, që duheshin për ta justifikuar botimin e këtij libri, mbante emrin tim, ashtu siç pata shkruar dhe book review-n e parë përshëndetëse, në gazetën Drita, menjëherë pas botimit të tij.
Më erdhi ndërmend libri i njohur i Ray Bradbury-t këto ditët e fundit, kur në shtypin shqiptar (mbarëpërfshirës, siç do t’i kish pëlqyer të thoshte, Visar Zhitit) u ngrit një histeri e papritur kolektive për dënimin e botimit të Librit Antologjia e Poezisë Moderne Shqipe. Ç’është e vërteta, për ca arsye të tjera prej zjarrdjegësve (të cilët kanë zëvendësuar zjarrfikësit) të librave në romanin e shkrimtarit amerikan.
Më erdh ndërmend viti 1973 – ca 50 vite të shkuara – kur libri im i parë poetik u hoq nga qarkullimi, për t’u bërë karton. Shoqëria shqiptare, pas vitit 1944, ishte perfeksionuar në ndalime librash. Ironia më e madhe qe se Shqipëria nuk kishte zyrtarisht një zyrë Censure. Rolin e Censorit e luanin kritikët e letërsisë, gazetarët, akademikët dhe ndonjëherë, dhe recensionistët e Shtëpisë Botuese. Pa llogaritur kontingjentin e lexuesve vigjilentë, që shkruanin dhe botonin letra kundër një vepre a një autori që e konsideronin jashtë vijave të bardha të moralitetiti të letërsisë. Viktima të një përndjekjeje të vigjilentëve kanë qenë shkrimtarë si Fishta, Ernest Koliqi, Ndoc Nikaj, disa nga poezitë dhe novelat e Kadaresë, Fatos Arapi, Frederik Reshpja, Vehbi Skënderi, Bilal Xhaferri dhe plot të tjerë. Ironikisht, Shqipëria nga pikëpamja zyrtare nuk kishte zyrë Censori, sepse rolin e censorëve e luanin kritikët e letërsisë, studiuesit e saj, dhe sidomos turmat e vigjilentëve – të cilët përbëheshin zakonisht prej shkrimtarëve të dështuar mediokër, të cilët e vuanin mospërputhjen fatale mes ambicies së egër dhe të pafre që kishin dhe mungesës së talentit. Argumentimi për heqjen dhe zhdukjen e një libri a e një vepre bëhej gjithnjë me mjete jo letrare – zakonisht me argumentime se vepra nuk ishte atdhetare, se nuk i shërbente kombit a unitetit të tij, se nuk ishte gjithëpërfshirëse e interesave të masave – klasës punëtore dhe fshatarësisë – se nuk trajtonte temat e kohës, por merrej me historinë e një të kaluare të largët priftërore…
Në fakt, zhurma e ditëve të fundit rreth botimit të Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe duket, nga shumë këndvështrime dhe si një përpjekje për ta ringjallur kujtesën e asaj periudhe për të cilën flet romani i Ray Bradbury-t.
Zhurma për botimin e Antologjisë së Poezisë filloi me një shkrim nga Çungu dhe flakët e shkrimit patën një përhapje të menjëhershme. Dukej se ca kritikë, ca akademikë, ca autorë e ca lexues u kujtuan për ato kohëra nostalgjike kur shkrimtarët viheshin në bankat e të akuzuarve, dhe turmat, të udhëhequr nga ekspertët, i kërkonin llogari të rrepta shkrimtarit. Ndonëse nuk do të merrem me shkrimin e Çungut, të cilit polemika “Dhe jeta ishte drita e njerëzve”, e regjisorit të njohur kinematografik dhe kulturologut Joni Shanaj i ka dhënë një përgjigje shteruese, prapë nuk i shpëtoj tundimit të citoj nga shkrimi tij fragmente të tilla, të cilat strukturalisht, në atë kuptim që i jep strukturalizmit linguistik Ferdinand de Saussure, të kujtojnë verdiktet e të ndjerit Aranit Çela, nga tribuna e Kryeprokurorit të Republikës Komuniste: Në këtë diskutim… (i drejtohem)… komisionit/komisioneve që shqyrtuan programet e Poetit Laureat gjatë mandatit të tij. A ka vallë, ndonjë kriter i gjithë procesi? Dhe mbi çfarë arsyetimi gjykohet dhe vendoset? Fjali të tilla dhe struktura të tilla sintaksore ne shkrimin e Çungut, linguistikisht, mund të të kujtojnë Kongreset apo Pleniumet, por kurrsesi jo një diskutim bashkëkohor për një vepër të botuar letrare! Dhe përsëri nga Çungu: “Mbyll shtjellimin e argumenteve dhe i kthehem çështjes kryesore së këtij shkrimi, titullit ‘Veshum me diell, mbathun me hanë’. Si shërben ky titull për të lidhur poetët e periudhës së shek. XVXX me ata të pasluftës, sa organike është lidhje mes tyre dhe çfarë funksionaliteti ka?” … Nuk duhet të jesh ndonjë specialist i Stilistikës, i formatit të Xhevat Lloshit, për të kuptuar menjëherë se kemi të bëjmë me atë që quhet ligjërim politik, apo, thënë më saktë, ligjërim kafkianesk burokratik! Dhe është e çuditshme, kjo ndodh pikërisht tek ai autor që pretendon se është duke gjykuar një vepër letrare, me parametrat me të larta të kritikës letrare. Siç duket, nuk paska gjë më të ndotur se vetë pretendimi puritanist!
Pak a shumë, grupi më i madh i kritikuesve të Antologjisë është ai grup që e gjen mëkatin më të madh se kjo Antologji nuk ka përfshirë poetë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në pamundësi për t’u njohur me të gjitha tekstet polemizuese, do të ndalem tek ato që kam lexuar. “Dje është botuar një antologji e poezisë moderne shqipe. Është aq modern saqë fillon me Budin dhe Bogdanin”, thotë me atë çfarë e mendon të jetë ironi, shkruesi Ag Apolloni në profilin e vet në Fb, ripostuar në Express. Nuk njoh një gjykim më primitiv nga ky gjykim! Do të qe mirë që Apolloni të kishte lexuar mirë librin të cilin merr përsipër ta gjykojë. Në pasthënien e Librit, jepen arsyetimet e kritereve të hartimit të Antologjisë. Por ngase Apollojt u përkasin formatit të atyre që gjykojnë librat pa i lexuar, mund të them se po ta kishin lexuar jo Antologjinë, por mjeshtrit e poezisë botërore si TS Eliot dhe Ezra Pound, do ta kishin patur paksa më të lehtë të kuptonin strukturën estetike të Librit. Kur të katër Pjesët e përkthimit të Sextus Propetius, poetit të shquar latin, u shfaqën në Poetry Magazine, në pranverën e vitit 1919, ndjekur nga tre pjesë të tjera në New Age, një stuhi sharjesh u ngritën prej ca shkollarëve mendjecektë. Si mund të quhej Sextus Propetius poet modern? Madje vetë Pound u akuzua se nuk e njihte latinishten dhe se ai e kishte shtrembëruar tekstin për hir të përpjekjes për ta paraqitur Propetius si bashkëkohës. Pound i shkruan një mikut të vet se ai preferon “t’i sjellë lexuesit më mirë një poet të gjallë, se sa një poet të vdekur”! Vetë Pound dhe TS Eliot ngulin këmbë se poetë të tillë si Safo, Kalimaku, Catullus, Sextus Propertius, Ovidi, Cino Polnesi, Du Fu, Li Po – dhe më vonë – Fransua Vijó, John Donne, Alexander Pope, Thomas Middleton – janë më modernë se shumë poetë të tjerë 10 a 5 shekuj më pas prej tyre!
Shpresoj se Apollojt do të dinë të dalin nga qerthulli i përbatjes së sharjeve të veta, në përpjekjen për të kuptuar atë që nuk e paskëshin ditur kurrë! Një tjetër, Uk Lushi, që vetëpërcaktohet si “veprimtar nga Shtetet e Bashkura të Amerikës”, (shih gazeten Express) shkruan se “kërkoj nga autori dhe botuesit të lypin falje dhe të tërheqin librin nga tregu… Ky botim pa kritere dhe me injorim gjeografik të letërsisë shqipe është turp”!
Nuk arrij ta kuptoj as dhe kërkesën e z. Lushi për “tërheqje të librit… me injorim gjeografik…”. Nuk mendoj se ky veprimtar – një term i dyshimtë i ngjashëm me termin Patrozhonist – mund t’i ngatërrojë gjeografinë dhe poezinë me njëra-tjetrën dhe as ritmin poetik dhe metrat poetik me malet dhe katundet përreth. Ashtu siç nuk arrijë ta kuptoj termin shkencor/ akademik “veprimtar”, – qoftë ky dhe në ShBA! Sidoqoftë, mendoj se gazetat shqiptare duhet të bëjnë paksa më kujdes kur t’i paraqesin ca njerëz me tituj të kësaj natyre, të paklasifikuar në asnjë libër teorik të letërsisë (ngase po flasim për gjykimin e një Antologjie Poetike!). Puna është shqetësuese kur gjykime të tilla absurde vijnë nga akademikët me tituj të Kosovës a të viseve të tjera. Shkruan Mehmet Kraja, shkrimtar, kritik letrar dhe gazetar. Aktualisht President i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës: “Urime, Qendra, urime Ministria, urime Rudolf, për antologjinë më të shëmtuar të letërsisë shqipe… nuk mund ta besoj se pas kaq kohësh të jetës së përbashkët, shfaqet një antologji me ndarje kufijsh, ndryshe nuk mund ta shpjegoj mungesën e poetëve të Kosovës në këtë projekt (pa Ali Podrimen dhe Azem Shkrelin). Miq të mi nga Shqipëria, është në nderin tuaj të reagoni, në të kundërtën Bogdani të hiqet që andej, se dhe ai për dreq ka lindur në Gjonaj të Prizrenit”!
Është e çuditshme se si terma dhe koncepte politike (kufij), edhe në mendjen e një akademiku dhe shkrimtari, duhet të determinojnë vlerat a mosvlerat estetike të një Antologjie poetike. Ngase kryeakademiku përmend kufijtë, kemi të drejtë të mendojmë se si i bëhet për t’i përcaktuar a për t’i përfshirë në një Antologji poetike Shqipe autorë si De Rada, Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi, Faik Konica, Martin Camaj – shkrimtarë që jetuan dhe krijuan jashtë zonave të kufijve? Përsa i përket ironisë jo aq shumë të gjetur të fjalisë së fundit – se, “në të kundërtën, Bogdani të hiqet që andej (nga Antologjia), sepse dhe ai për dreq ka lindur në Gjonaj të Prizrenit”! mund të përgjigjem se në fakt sido të vijë puna, Bogdani është dhe do të jetë në vendin e vet, krejt ndryshe nga ca të tjerë, të cilët dhe pas katër shekujsh të tjerë, edhe pse me tituj akademikë, nuk janë në vendin e Bogdanit, që në çastet kur kanë kërkuar me këmbëngulje që Katedralja e madhe Katolike në Prishtinë të mos ndërtohej dhe as monumenti i Nënë Terezës të mos ngrihej aty!
Jam i bindur, zoti kryeakademik i Kosovës, se kjo Antologji nuk është më e shëmtuara se ato Antologji të cilat janë botuar nga Tirana dhe Prishtina, ku poetët si Fatos Arapi janë përfshirë nga një poezi të vetme ose dhe janë lënë jashtë pa u përfshirë; nuk ka se si të jetë më e shëmtuar nga ajo Antologji e botuar në Angli, me projektin e Ministrisë së Kulturës shqiptare të asaj kohe dhe përgatitur nga Robert Elsie, ku Ismail Kadare përfaqësohet në mënyrën më të ulët provokuese me poemën “Shqiponjat fluturojnë lart”, dhe ku Migjeni dhe Naimi dhe poetët bashkëkohës janë përfaqësuar me përzgjedhje thjesht të kriterit tematik – dhe asnjëherë estetik – dhe për këto lloj Antologjish, dhe nja 300 simotra të tyre, asnjë akademik i Tiranës a i Prishtinës nuk ka ngritur zërin qoftë dhe një herë të vetme. Zhdanovistët e Tiranës dhe zëdhënësit e institucioneve famëkeqe të strukturave më të dyshimta të Jugosllavisë, janë shndërruar sot në pararojën e vigjilencës patriotike, duke pandehur se ky zell i dyshimtë i tyre u jep të drejtën të hedhin baltën e sharjeve joakademike në një vepër letrare!
Jam i bindur se të paktën 95 përqind e gjithë autorëve të Poezisë më të mirë Shqipe janë përfshirë në këtë Antologji me poezitë e tyre më të mira!

2.
Po qe se polemizuesit e zellshëm të Antologjisë do ta kishin lexuar pasthënien e Librit, shkruar nga autori i këtyre rreshtave, do të kishin qenë dhe më bindës në argumentet e veta, sepse kundërshtimi i tyre nuk do të qe si një luftë me mullinjtë e erës. Në këtë parathënie paralajmërohej se “Kjo Antologji qëndron përtej çdo pretendimi shkollaresk akademik”. E them këtë, duke qenë i vetëdijshëm për irritimin e shumë akademikëve dhe studiuesve të rreshkur të poezisë, kur të lexojnë, që në titull atë që mund t’u dukej atyre vetë si një provokim: “Poezia moderne Shqipe, e përfaqësuar me poezi të Budit e të Bogdanit?” Termin Poezi moderne e kam përdorur nga një këndvështrim thjesht personal, jo në përputhje me atë që i japin këtij cilësori fjalorët e gjuhës a Fjalorët e termave artistikë. Si lexues, të gjithë ne, kemi vënë re intuitisht, që kur kemi filluar të lexojmë letërsi, se përcaktimet e librave të shkruar nga autorët seriozë sipas rrymave a shkollave letrare nuk janë gjithnjë të sakta, ose, thënë ndryshe, vetë librat nuk e ndjejnë veten rehat në sirtarët e ngushtë të përcakimeve akademike. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë dhe shpejtësinë me të cilën ndërrojnë autoritetet e normave të modernizmit akademik. Në mesin e viteve 1880, poetët amerikanë – kryesisht nën ndikimin e Walt Whitman-it dhe deri diku, dhe të David Thoreau-s – filluan ta braktisnin poezinë metrike për poezinë jometrike. Në vitet e para të këtij trendi, megjithatë vargu i lirë vazhdoi të mbante jehonat ritmike të poezisë metrike, derisa nga mesi i shekulli të 20-të, poezia filloi të tingëllonte përherë e më shumë si prozë. Poetët si Sylvia Plath dhe James Dickey shkruanin poezi të cilat askush nuk arrinin t’i kuptonin, veç vetë poetëve. Por jo gjithë poetët e tjerë preferuan të ecnin në këtë rrugë. W.B.Yeats, Robert Frost, W. H. Auden, Wallace Stevens, Dylan Thomas, Richard Wilbur – po të përmendim veç disa prej tyre – ndoqën një rrugë tjetër, poezinë metrike. Por edhe kjo ndryshoi: Le të marrim atë që quhet sot New Formalism, Formalizmi i Ri. Tendenca e fundit është rikthimi te poezia metrike. New Formalism dallohet nga diksioni natyral, madje i afërm me diksionin e gjuhës së folur, në vend të diksionit tepër të ndërgjegjësuar dhe artificial të poezisë që konsiderohej moderniste vetëm para ca dekadash, dhe nga përdorimi i rimës dhe metrikës. Në dallim me përtyrimet tepër formaliste të poezisë moderne, që kanë në kokë shumë studiues dhe akademikë tanë, Formalizmi i Ri ndërthur së bashku elementët më të mirë të poezisë tradicionale (klasike) me poezinë moderne. Dua të them se kufijtë e asaj që ne e përcaktojmë si poezi moderne dhe asaj që tashmë është pranuar si poezi klasike, janë kufij shumë të hollë e të brishtë – dhe qëndrojnë si kufij të pa ruajtur nga ushtarë të armatosur, qofshin këta dhe studiues veshur me uniforma ushtarësh të vigjilencës kritike.
Dhe, së fundi, do të shtoja atë thënien e mençur të H. L. Borhes-it, se vargu i mirë a poezia e mirë e humbet shkollën letrare!
Poezia moderne Shqipe për mua ka kuptimin e një poezie që mund të ishte shkruar në çdo kohë, poezia që, edhe kur mbart shenjat historike të kohës që është shkruar, tingëllon njëkohësisht e çdo kohe, duke qenë poezi metrike dhe e rimuar, po aq sa dhe poezia e vargut të lirë. Rregulli i parë, sipas meje, ka qenë zgjedhja personale e poezisë që lexohet pa sforcime, e cila është ajo që në anglisht quhet – accessible – të cilën nuk e lexon me sforcimin se po e lexoj ngase duhet lexuar, sepse kritikët thonë se është poezi e rëndësishme moderne a moderniste, apo se është poezi e rëndësishme patriotike apo poezi me mision, por ngase është një poezi, leximi i të cilës të sjellë kënaqësinë e leximit të saj. Dhe po ashtu, sidomos te krijuesit bashkëkohor, kam preferuar ata poetë, krijimtaria e të cilëve, nga pikëpamja formale e shprehjes, janë aq të guximshëm, sa të provojnë të sjellin intonacione vetjake, duke shmangur përsëritjen e modeleve të mëparshëm të poezisë.
Në këtë Antologji jam nisur nga shijet e mia personale të kriterit Estetik dhe nuk më ka shkuar ndërmend të kem qëllim që të jem korrekt me proporcionalitetet krahinore, gjinore, dialektore a fetare. Dhe se “patriotizmi” i vetëm në krijimtarinë letrare është mbrojtja dhe promovimi estetik i gjuhës shqipe. Dhe jam nisur të zgjedh nga ajo poezi që njoh më mirë, përmes leximeve intensive. I bindur për subjektivitetin e kësaj Antologjie, po aq sa dhe i bindur se mungesat e Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe do të plotësohen nga antologjistët e tjerë, të cilët në të vërtetë duhej të lumturoheshin për mungesat, sepse mbushja e këtyre mungesave në Antologjitë që do të krijojnë së shpejti ata vetë do t’u siguronte dhe suksesin e veprës së tyre!
Marre nga ExLibris.al

Prof. Ali Aliu
Prof. Ali Aliu

Antologjia e Rudolf Markut, një zhgënjim që duhet harruar

nga Ali Aliu

Vepra “Antologji e poezisë modern shqipe” e Rudolf Markut më solli ndërmend një kujtim të hidhur nga vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar: një botuesi maqedonas në Shkup i ofrova për botim një antologji të poezisë bashkëkohor shqipe, që e pranoi; u zgjodh grupi i përkthyesve nga gjuha shqipe në maqedonishte dhe pas disa muajve dorëshkrimi shkoj për radhitje në shtypshkronjën e njohur Goce Dellçev; në procesin e lidhjes, (e ndiqja edhe vetë tërë procesin) një politikan i lartë shqiptar, (S. S.), e denoncoi përmbajtjen e antologjisë, e cila u tërhoq dhe u ndalua, me akuzën se në të janë përfshirë poetë nga shteti (armiqësor) shqiptar dhe, si e tillë synon Shqipërinë e Madhe… Ajo antologji, me tridhjetë e një poetë, rreth gjysma nga Shqipëria, pa dritë në Shkup pas afro tridhjetë viteve, më 2001.
Një vit më vonë, pra më 2002, me plus tetë poetë të rinj, u botua edhe nga shtëpia botuese Albin në Tiranë…
Në vitin 2023, në Tiranë, botohet një antologji e poezisë shqipe, pa gjysmën e saj, që të le pa fjalë; mendësi që të sjell në kujtesë politikën e Beogradit, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në ish Jugosllavi, përmes së cilës afirmonte idenë se ne, në Kosovë jemi botë ndryshe nga ajo e Shqipërisë, që kemi një tjetër gjuhë, një tjetër histori, etni…, ngjashëm me këtë të antologjisë së Rudolf Markut…
Një zhgënjim që duhet të harrohet!
Pse e bën këtë Rudolfi?
Ne, të zemëruarit, nuk kemi të drejtë të kërkojmë nga ai, që të ndryshojë qëndrim, bindje, të heqë dorë nga antologjia e vet, nuk kërkojmë të pamundurën, të heqë dorë nga vepra e vet, që ai të mos jetë i tillë çfarë është, por kemi të drejtë dhe obligim t’i shtrojmë pyetje: pse mendon, pse vendosi ta heqë gjysmën e poezisë shqipe, nga tërësia e saj?
Pse e bën këtë duke qënë në paqe me veten, me “ndërgjegje të rehatuar”? Rudolfi, fundja edhe mund të çmendet dhe, për kënaqësinë e vet dhe lekët e veta, mund të botojë çfarë t’i dojë qejfi, por ama, nën ombrellë e institucioneve shtetërore përkatëse, të hedhë në treg një libër të lig, që e përjashton gjysmën e letërsisë shqipe, nuk duhet kaluar pa u përgjigjur në
pyetjet e shtruara.
P.s. Dhe në fund, në vend që të diskutonim për standardet e projektit, për përzgjedhjet e poetëve dhe poezive të tyre, për statuset që autori ua vendos të përzgjedhurve në hierarki, si e vendos dhe ku e vendos veten autori i antologjisë në këtë renditje dhe hamendësime të shumta që, edhe e tillë çfarë është, ajo ha debat të fortë, për fat të keq ne merremi me lugatin kufi.

Marre nga ExLibris.al

Rudolf Marku - Antologji - Veshun me Diell mbathun me Hanë
Rudolf Marku – Antologji – Veshun me Diell mbathun me Hanë

Shqipëria financon Antologji të Poezisë shqipe

pa asnjë shqiptar nga Kosova dhe trojet shqipfolëse

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përkrahur financiarisht së fundi botimin Antologji e poezisë moderne shqiptare “Veshun me diell, mbathur me hanë” nga Rudolf Marku, ku nuk është përfshirë asnjë poet/e nga Kosova dhe trojet e tjera shqipfolëse të rajonit.
Kjo Antologji është promovuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si institucion publik në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Duke synuar ta trajtojë historinë e poezisë shqipe nga shek i XXI-XX, kjo Antologji ka përfshirë 59 poetë, nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Zef Serembe, Asdreni deri tek emrat më në zë sot si Luljeta Lleshanaku, Arb Elo, Flutura Açka, Rita Petro, etj
Ky publikim ka hasur në kritika të shumta të njerëz të kulturës, si shkrimtari Ag Apolloni.
“Dje, është promovuar një antologji e poezisë moderne shqipe. Është aq moderne saqë fillon me Budin e Bogdanin. Përpiluesi i antologjisë ka bërë një punë të kujdesshme. Është kujdesur që të mos e fusë aty asnjë poet nga Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi. Kuptojeni, o qytetarë të Shqipërisë, se edhe ne që jetojmë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, e që shkruajmë shqip (edhe pse jo aq mirë sa laureati juaj) jemi shqiptarë. Nuk mund të ketë antologji të poezisë shqipe vetëm me poetët e Shqipërisë. Po kjo s’është as antologji, as e poezisë shqipe dhe as moderne. Kjo është marre!”, – ka shkruar Apolloni ne profilin e tij në Facebook.
“Si mund të quhet antologji e poezisë shqipe, pa Azem Shkrelin, pa Beqir Musliun, pa Teki Dervishin, pa Rrahman Dedajn, pa Shaip Beqirin, pa Nehas Sopajn, pa Ramadan Musliun?!”, ka pyetur shkrimtari Ahmeti Selmani duke e cilësuar botimin si “Antologji Xhuxhe” duke ju referuar vargjeve nga Ali Podrimja.
Ndërsa veprimtari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka kërkuar nga autori dhe botuesi që të kërkojnë falje dhe të tërheqin librin nga tregu. “Ky botim pa kritere dhe me injorim gjeografik të letërsisë shqipe është turp”, ka shkruar ai.
Gazeta Expresso, 08.04.2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.