back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Anton Çehov (1860–1904) esse Harold Bloom (ars 2006)

Gazeta

Harold Bloom (1930)
Harold Bloom (1930)

Anton Çehov (1860–1904)

esse nga Harold Bloom (ars 2006)

Përktheu Jozef Radi (ars 2006)

Ju ankoheni se personazhet e mi janë të trishtë! Po dreqi ta marrë, ky s’është faji im. Kjo gjë më ndodh krejt spontanisht, e ndërsa shkruaj s’më duket aspak se shkruaj zymtësisht, ngaqë jam gjithnji me humor të mirë sa herë rrok penën në dorë. Është mjaft domethënës fakti që persona të trishtë dhe melankolikë shkruajnë vazhdimisht gjëra të gëzuara, ndërsa ata të gazmorët i ligështojnë njerëzit me shkrimet e tyre. Dhe unë ndjehem një person gazmor; të paktën, siç mund t’ju rrëfej jam argëtuar mjaft gjatë tridhjetë viteve të para të jetës sime…

Përzemërsinë e Çehovit e ka lehtësuar gjithnji ironia e tij. Ashtu si Samuel Becketti, Çehovi është një ndër shenjtorët e letërsisë. Të dy qenë shkrimtarë të pashoq, ndoshta më të madhërishëm si njerëz sesa si shkrimtarë. Tolstoj e donte Çehovin edhe si shkrimtar edhe si njeri, por i qëndronte idesë se madhështia e njeriut ia tejkalonte autorit të tregimeve dhe komedive. Mirësia e Çehovit qe shkrirë me respektin ndaj thjeshtësisë së të tjerëve. Gorki, ashtu si Tolstoj e adhuronte, dhe theksonte faktin se sa i pamëshirshëm ishte Çehovi në ndëshkimin e çdolloj vulgariteti. Përndryshe ai ishte një altruist i skajmë ndaj kujdo.
Gjenia e Çehovit është shekspiriane; gjykim tepër i guximshëm që i jepet një shkrimtari, por unë synoj të bëj një konfrontim sa më të saktë, pa pretenduar që Çehovi të ketë po atë kapacitet të jashtëzakonshëm që karakterizonte Shekspirin. Tek Shekspiri ashtu si në jetë, ndodh rrallë që personat të dinë të dëgjojnë, e që kur e provojnë këtë, ndjejnë një vështërsi të jashtëzakonëshme në të kuptuar. Kjo zakonisht na shpëton tek Shekspiri, sepse jemi aq të magjepsur nga karakteret e personazheve të tij sa që kërkojmë që të mos merremi me ambiguitetet. Çehovi nuk krijon personalitete siç bënte Shekspiri, por ai sigurisht di t’i paraqesë ndryshimet dhe ambiguitetet ekzistuese midis personazheve me një zhdërvjelltësi të jashtëzakontë.
Paanshmëria e shkëlqyer e Shekspirit ndaj personazheve të tij, qofshin këta Hamleti apo Falstafi, është ringjallur tek Çehovi nëpërmjet parimit dramatik të sundimit (të pasioneve) këto shumë më të theksuara tek komeditë se sa tek tregimet e tij. Mund të duket disi e çuditëshme ta përcaktosh një autor të lehtë si Çehovi “gjeni të sundimit”, por duket se është me të vërtetë i përshtatshëm.

Anton Çehov (1860-1904)
Anton Çehov (1860-1904)

***
Maksim Gorki, tek “Kujtimet” e tij për mikun Çehov, thotë se në prani të tregimtarit-dramaturg “të gjithë ndjenin një dëshirë të pavullnetëshme për të qenë më të thjeshtë, më të sinqertë, e më shumë vetvetja”. Më duket se kjo është mënyra më e mirë për të përcaktuar gjenialitetin e Çehovit, i cili shfaqej me maskë për të mbledhur faktet e rëndomta si temat e tija kryesore. Për aq sa ishte e ashpër atmosfera që ai përshkruan, Dostojevskij është gjithnji veç një hap prej mbinormales dhe së jashtëzakonshmes. Çehovi, ndjekës i Tolstojit, kishte të përbashkët me Dostojevskin, vetëm dashurinë e flaktë për Shekspirin, e cili përkundrazi, përçmohej prej Tolstojit. Ashtu si Turgenievi, Çehovi qe përqëndruar tek “Hamleti”, ndërsa Dostojevski duket se ka qenë më shumë i prirur drejt “Makbethit” dhe “Mbretit Lir”. Ljev Shestovi, një fetar i njohur rus i shekullit të XX-të, e krahasonte Çehovin me princin Hamlet, çka do të thoshte se ishin e njëjta gjë, ngaqë Çehovi ishte i dashuruar marrëzisht mbas Hamletit të veprës, por në këndvështrimet e tjera Shestovi mbetet i ndërdyshtë.
Hamleti i Shekspirit është i paaftë për të dashuruar, sado që thekson të kundërtën, ai është në të vërtetë një vrasës i paskrupullt. Çehovi, e dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur mirë, e që ia njeh edhe publiku që i lexonte me endje librat dhe ndiqte shfaqjet e tij, ishte dhe është dikush që është e pamundur të mos e duash! Sërish Gorki duke iu referuar Tolstojit thotë: “Ai e dashuronte Çehovin, dhe kur i vështronte sytë e tij ata ishin të ëmbël dhe dukeshin sikur sikur ia ledhatonin fytyrën Anton Pavlloviçit. Një herë kur Anton Pavlloviçi shetiste nëpër një livadh me Aleksandra Lvovnën, Tolstoj, i cili në atë kohë ishte ende i sëmurë dhe qëndronte ulur tek poltrona në tarracë, u duk sikur u hepua i gjithi si për t’iu afruar atyre duke mërmëritur: “Eh sa burrë i bukur dhe i mrekullueshëm; i përmbajtur dhe i qetë si një vajzë. Edhe hapin e ka si të një vajze. Është me të vërtetë i jashtëzakonshëm…”
Tolstoj, ky gjykatës i pamëshirshëm i të tjerëve, do të dashurohej dhe do të vazhdonte ta donte Çehovin, e po kështu ndodh edhe me pjesën më të madhe prej nesh. Robert Brushtejn i interpreton në mënyrën më të saktë spektatorët dhe lexuesit e Çehovit: […] askush nuk ka mundur të shkruaj për të veçse me ndjenjë dhe dashuri të thellë; dhe ai, autori, mbetet personazhi më pozitiv i rrëfimeve të tij.
Ka shkrimtarë të mëdhenj, të cilët arrijmë t’i dashurojmë me gjithë forcën e personalitetit të tyre, por ata duken tejet të mistertë për t’i ndjerë edhe të afërt si: Blake, Shelley, Kafka, Hart Crane. Çehovi është një person i ndjeshëm dhe i dashur; Samuel Beckett, duhet të ketë qenë shembullor, nga çdo pikëpamje, por krijonte distancë. E kam të qartë se nuk është e lehtë për ta dëshmuar diçka të tillë, por Çehovi mund të përcaktohet edhe si më pak “demoniaku”, e më njerëzori i gjithë gjenive të letërsisë. Ashtu si modeli i tij, Shekspiri, Çehovi nuk u jepte zgjidhje problemeve dhe as jepte receta për fatkeqsitë e njerëzimit. Por ne nuk dimë pothuaj asgjë për njeriun e quajtur Shekspir: ai na çorienton sepse në të njëjtën kohë është gjithkushi, përfshi këtu gjithë personazhet e tridhjetenëntë veprave të tij teatrore. Çehovi mbetet gjithnji Çehov: është një art i madh tek e gjithë kjo, është gjithashtu talenti i një gjenialiteti vërtet të pakrahasueshëm.

Leon Tolstoj (1828-1910)
Leon Tolstoj (1828-1910)

Mund të jetë e besueshme, se tek “Hamleti”, Shekspiri mund të jetë çdonjeri nga personazhet, e megjithatë princi qëndron i shmangur mënjanë, dhe në skenë me gjithë aktorët, futet edhe tek Shekspiri në mënyrë krejt të vetvetishme.
Si autor, Shekspiri qëndron lart si një shpirt mbretëror, por unë mendoj se ai përfaqësonte në vetvete mbretin-aktor. Tek “Pulëbardha” të gjithë janë Çehovë, në mënyra fare pak të ndryshme, komike. Komediografi e satirizon veten me shkrimtarin Trigorin, bën parodi me vetveten edhe përmes çunakut dramaturg Trepliov, e unë besoj se edhe tek artistja e re Nina, përmes ndjenjave fisnike. Të tre këta personazhe, huazojnë elemente të veçanta nga Hamleti, edhe pse raporti i tyre me princin, s’është as në kufijtë e parodisë. Raporti i Trepliovit me nënën e tij, artisten narciziste, Arkadina, është tepër dukshëm i modeluar sipas Hamletit dhe Gertrudës, ndërsa Nina i ngjan njëlloj Ofelie. Edhe Trigorini, me shumë mundim ngjan me një Klaudio, kështuqë komedia brenda komedisë së Trepliovit, nuk është një sulm ndaj Trigorinit, i cili fsheh në vetvete më shumë Pollonin se sa xhaxhanë uzurpator…
Edhe tek “Pulëbardha”, Çehovi është tejet i mprehtë, gjithnji në favor të një vitaliteti në rritje. Por për Çehovin, “Pulëbardha” është diçka e dorës së dytë. Gjenialiteti i tij shfaqet në formën më të shkëlqyer tek “Tre motrat”, një vepër të cilën Shekspiri sigurisht do ta kishte admiruar, dhe tek “Dusheçka”, një tregim për të cilin Tolstoj kishte dobësi të veçantë. Të kuptosh atë çka është me të vërtetë çehoviane në këtë komedi dhe në këtë tregim mund t’i afrohesh gjeniut, edhe pse nga gjithë figurat e marra në shqyrtim në këtë libër, vetëm Shekspiri dhe Tolstoj më duken më të vështirët për t’u vlerësuar origjinalë për aq sa është Çehovi. Të tria këto vepra janë mrekulli të një arti siç është vetë natyra, duke përdorur me këtë rast një shprehje të Shekspirit. Askush s’e mbështet një përplasje të drejtpërdrejtë në adresë të Shekspirit o Tolstojit, edhe Çehovi, do t’i shmangej një trekëndëshi të tillë. E megjithatë ai e bën më të thjeshtë atë çka bashkon Haxhi Muratin e Tolstojit dhe Antonin e Shekspirit si luftëtarë që janë edhe heronj të mrekullueshëm tragjikë: një dashuri aq e zjarrtë për jetën që as kërcënimi i vdekjes s’mund t’a fashisë. Çehovi, ky poet i jetës së pajetuar, është qetësisht i zemëruar ndaj havërdarjes së ekzistencës, kurse Shekspiri dhe Tolstoj e përshkruajnë në mënyrë më të fuqishme tërësinë e jetës tek protagonistët tejet aktivë, si tek kapedani çeçen apo tek pretendenti romak i Kleopatrës.
“Tre motrat” është vepra më e vështirë e Çehovit për t’u përshkruar, qoftë për faktin se ajo s’i përket asnjë gjinie. Mund ta përcaktojmë edhe si tragjedi, edhe si komedi tragjike, po edhe si komedi nëse na mbushet mendja. Howard Moss, në esenë më çehoviane shkruar mbi këtë dramë thekson se tek ajo “pamundësia për reaguar bëhet moto e komedisë”. Unë gjithnji jam mrekulluar, në rileximet e Moss-it mbi “Tre motrat”, nga vëzhgimi i tij se Çehovi (ashtu si Prusti) nuk të jep kurrë imazhin e një martese të lumtur. Më pas ua theksoja vazhdimisht studentëve të mi, se Makbethët mbeten çifti më i lumtur shekspirian. Interpretimi më i thellë i Çehovit, në raport me Shekspirin, është që asnjëri prej personazheve të tij nuk shqetësohet për ta dëgjuar tjetrin, e veçanërisht kur këta janë dashnorë mes tyre. Monologje të pafundme dhe një individualizëm vërtet i shkëlqyer i dallon si personazhet e Çehovit dhe ato të Shekspirit. Që Çehovi qe ironik është qartë, por ironia e Shekspirit, të cilën Chestertoni e ka vëzhguar me vëmendje tek Chauceri, është tepër madhështore për t’u kapur.
Tre motrat e Çehovit, tejet familjare, ashtu si miqtë tanë më intimë, janë Ollga, Masha dhe Irina. Më e madhja e tyre, Ollga, nuk do të bëhet kurrë nënë, e megjithatë simbolizon fisnikërinë dhe mirësjelljen, sadoqë ankthi i saj e detyron ta përzërë kunatën e saj, të harlisurën dhe luftaraken Natasha. Masha është mbartëse e së vërtetës, ashtu si Hamleti, e apasionuar edhe pse nën rezervimin çehovian. Çehovi, nga ana tjetër, kish mësuar prej Shekspirit artin e përjashtimit, dhe eliptikja Masha, një tjetër heroinë në zi për jetën e saj, është personazhi më interesant i komedisë. I dashuri i saj, Vershinjini, edhe ai sërish është një lloj autoparodie çehoviane: njeri i kulturuar, dashamirës, i dobët e së fundi i ftohtë e i huaj, aq sa nuk arrin t’i përballojë taktikat terrorizuese, tipike ibseniane të Mashës, me të cilat jemi bombarduar së vërtetash para se ato të shkatërroheshin.
Irina është më pak ndërlikuar se Masha, në të njëjtën kohë është më kërcënuese dhe më e përzemërt, por gjithsesi e paaftë për të shkëmbyer dashuri. Ndoshta më shumë se Ollga dhe Masha, Irina është e bindur se rikthimi në Moskë (ku tri motrat janë rritur) do t’i zgjidhte problemet e saj dhe do t’ia hapte portat e dashurisë. Moska e saj, ashtu si ajo e motrave është një ëndërr, e cila venitet me mbrritjen e tyre atje. Irina dhe Masha, por edhe Ollga, në mënyrë të drejtpërdrejtë e bindin publikun të dashurohet pas tyre, në një dashuri të dëshpëruar, sepse tria motrat nuk aspirojnë kurrë për një jetë vërtet ndryshe, dhe as nuk gjejnë forcën e domosdoshme për ta ndalur urrejtjen tyre tejet të gjatë në luftë kundra Natashës, kunatës uzurpatore. E gjitha kjo tingëllon si një soap-opera çehoviane, por shumë më e lartë, falë ngjyrosjen e hollë dhe nivelit e shkëlqyer artistik, përdorur nga Çehovi. Një soap-opera në të cilën tri heroinat bëhen një kor që përhap dhimbje nga që njihet aq sa duhet, përbën diçka të veçantë dhe të re, të cilën imituesit e Çehovit, s’ qenë të aftë të rikrijonin të njëjtat ritme dhe të njëjtën atmosferë dramatike.
Si shfaqet gjenialiteti i “Tri motrave”? Moss e përmbledh saktësisht: “Motrat dëshirojnë kokfortësisht të realizojnë të kundërtën e asaj ç’ka kanë arritur, duke u bërë kështu e kundërta e asaj ç’ka ato janë…” Këtu flatrojnë enigmat e përjetëshme të Hamletit, por Princi i Danimarkës mund t’u bëjë thirrje engjujve dhe shpërndarësve të hirësive, edhe pse ata s’do të zbresin. Në raport me gjeninë e tij, Hamleti i shkon në fund shkatërrimit të tetë jetëve përfshi këtu edhe të tijën. Edhe pse mbetet një katastrofë e pashlyeshme, humbja e ndërgjegjes më të lartë letrare do të qe e tmerrshme, jo prej muzikës së jashtëzakonëshme të vdekjes së Hamletit, por prej uverturave të tij të përjetësisë. “Tri motrat” dhembin në një mënyrë krejt ndryshe e të papërshkrueshme. Gjithë konsiderata ime për kritikun e madh kanadez Northrop Frye (1912-1991) nuk mundet ta davarisë pakënaqësinë time kur tek “Anatominë e kritiçizmit” të tij nënvizon: “Në ato pjesë të Çehovit, e në mënyrë të veçantë në aktin e fundit të “Tri motrave” ku personazhet ca nga ca i largohen njeri tjetrit për t’u tërhequr në qelitë e tyre personale, vërdallemi krejt afër ironisë së pastër, për aq sa spektakli mund të lejojë…”
Unë që i lexoj “Tri motrat”, apo që shkoj ta shoh kët vepër në sallën e teatrit, ndjehem i turbulluar prej pathosit kur Masha ulëret: “Duhet të jetojmë… Duhet të jetojmë…” ndërsa Irina shpall: “Unë do të punoj, do të punoj…”, ndërkohë Ollga përqafon dy motrat dhe komedia mbyllet me një “Mund ta dija këtë gjë, mund ta dija!” Motrat kanë mbetur në kurthin e ironisë, e megjithatë ato s’mund të largohen prej njëra tjetrës. E ku mund të gjeshë më shumë se kaq dashuri, përfshi këtu edhe tonën ndaj tyre, e si është e mundur të jetë kjo thjeshtë ironi?
“Dusheçka” (1899) e shkruar dy vjet para “Tri motrave”, është historia e një shpirti “të mrekullueshëm e të shenjtë”, Olenka, e cila e meriton këtë përcaktim tolstojan. Është aq e padjallëzuar, e në të njëjtën kohë ka një dashuri prej nëne, sa që kur s’gjen askënd për të dashur, ndjehet e gjitha bosh, një gjendje e vdekur brenda jetës. Çehovi ashtu si Tolstoj e adhurojnë, e për lexuesin s’ka rrugë tjetër. Jeta, në ashpërsinë e vet, bën që ajo t’i humbasë të dy burrat e saj, por ajo arrin të mbijetojë falë një djali të adaptuar, që i besohet asaj. Kritikët kanë ndjekur Tolstojin në hamendësinë e tij se shpërthimi i parë i Çehovit ka qenë ironik, ndoshta edhe satirik, por më pas ngjarja i ka ikur nga duart. Duke mos pasur një personalitet të vetin dhe as idetë e saj, Olenka është konsideruar variant i një gruaje të pasjellshme, por ky më duket një gjykim tejet i sipërfaqshëm. Unë vetë kam njohur shumë pak gra dhe shumë pak burra të ngjashëm me Olenkën. Edhe pse shoqëria në të cilën jetojmë nuk duket se ka ndonjë shqetësim të veçantë për “Shpirtërat e shenjtë”, ndoshta të gjithë kemi nevojë për ta. Olenka është një e padjallëzuar, por gjithsesi me një mendje të shëndoshë, dhe mënyra që ti zgjedh për të lexuar historinë e saj, varet vetëm prej gjykimit tënd. Në fazën e fundit të rrëfimit, Çehovi përshtat një prespektivë shekspiriane: e ç’vlerë ka një gjë për sa kohë ajo s’është e marrë në konsideratë? Burrat e Olenkës janë absurdë, ndërsa fëmija i saj i adaptuar është një qenie e papërcaktuar, me ndjenja të ndrydhura e të grafulluara ndaj saj.
Si e interpretonte këtë histori Çehovi vetë? Këtë ne s’e dimë, por s’besoj se kjo ka ndonjë vlerë. Është e vështirë të pranohet Olenka, por është e rrezikshme të mos e pranosh atë, prej çastit që nga pikëpamja shpirtërore është pothuaj një dhunim ta përçmosh, apo edhe ta gjykosh në mënyrë patetike.
I shkatërruar dhe i dënuar me vdekje, në moshën tridhjetenëntë vjeçare Çehovi braktis çdo lloj sforcoje për censurimin e gjenialitetit të vet. Olenka e shkretë, sigurisht që s’është një përfaqësuese e gjenialitetit të Çehovit, dhe padyshim që e meriton dënimin e dhënë nga Gorki, përmes këndvështrimit të tij revolucionar. E megjithatë është Çehovi dhe jo Tolstoj ai që e krijoi imazhin e Olenkës. Në pritje të atyre që mund të dashurojë, Olenka pëson një ndryshim. Mund të arrish në përfundimin, ashtu siç kanë bërë disa nga kritikët, se dashuria e Olenkës është një dashuri gllabëruese, e cila i ka shkatërruar gjithë burrat e saj, e që i largon admiruesit e që në të arthmen do të provokojë edhe humbjen e djalit të saj të adaptuar. Unë s’mund ta lexoj historinë në këtë mënyrë, kështu që Olenka s’më duket aspak një Psike e vërtetë në pritje të një Kupidi të ri…
Përballë imazhit të Olenkës, paralajmërohej një çarje e thellë tek Çehovi.
Ndoshta gjenia e tij, pavarsisht nga thellësia e tij njerëzore, ishte në mbretërinë e frymëzimit, shumë më tepër se sa kritikët e tij kanë qenë të aftë për ta kuptuar. Për mua, në fund të fundit, Olenka, mbetet një gjurmë e ironisë së ashpër së vetë shpirtrave tanë…
(Marrë nga Libri “Il Genio” fq.289-295)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.