back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Anton Pashku, autobiografia e panjohur, shkruar para se të vdiste – nga Behar Gjoka

Gazeta

Anton Pashku (1937-1995)
Anton Pashku (1937-1995)

Anton Pashku, autobiografia e panjohur,

shkruar para se të vdiste

nga Behar Gjoka

Një shënim autobiografik i Anton Pashkut, pak muaj para vdekjes. Autobiografinë e botoi në gjallje të tij në mars 1995. Në tetor të po atij viti ndërroi jetë. Autobiografia përfshin origjinën e shkrimtarit, brengat dhe gëzimet e jetës në Kosovë.
Çfarë zbulohet në fluturimin e fundit të imagjinatës së shkrimtarit mbi jetën dhe veprën e tij. Rrëfimi për luftën dhe përpjekjet e shkrimtarëve më të mirë të Kosovës për një rilindje letrare. Ky shënim i panjohur i Anton Pashkut mbart me vete misterin se pse shkrimtari e shkroi biografinë e tij të shkurtër, modeste, por edhe të rafinuar.
Pse nuk donte kurrsesi të ngatërronte vendlindjen dhe vendbanimet e shumta ku e hodhi jeta. Pse shkroi në mesin e biografisë së tij edhe disa pika kyçe të historisë së letërsisë së Kosovës, ku bëhet fjalë për një manifest të çlirimit të letërsisë nga dogmat ideologjike.
Pse e shkroi këtë biografi pikërisht vetëm 6 muaj para vdekjes. Pa dalë ende në një konkluzion, mund të themi se një biografi e shkruar me dorën e vet, nga një zë i pamohueshëm i letërsisë shqipe është një histori e rrallë.
Mes rreshtave të këtij shënimi autobiografik, ne mund të ndjejmë dozat e ironisë, dhimbjen, brengat varfërisë dhe shqetësimet e shkrimtarit modern të letrave shqipe. Anton Pashku, i shquar si një nga penat më magjike të prozës, krahas Mitrush Kutelit e Martin Camaj, edhe në këtë shënim biografik lë gjurmët e një stili interesant të shkruari.
“Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has… Kam lindur në Grazhdanik….. Intresante është se sot vështirë do të më njihin atje. Gati kurrë se viztova Grazhdanikun, pas lindjes. Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?!”
Anton Pashku ka vdekur më 31 tetor 1994 në Prishtinë dhe është varrosur të nesërmen në Karashëngjergj të Hasit. Ja autobiografi e shkruar me dorën e tij.
.
Behar Gjoka - autor i shkrimit
Behar Gjoka – autor i shkrimit

Shënimi Autobiografik i Anton Pashkut

Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has, mirëpo të gjithë, babai, nëna, kushërinjtë, i gjithë farefisi vjen prej atje. Jemi nga Karashëngjergji, një fshat i rrethit të Prizrenit. Aty është i varrosur Shtjefën Gjeçovi. Epo unë s’e përjetova fare Karashëngjergjin.
Kam lindur në Grazhdanik, fshat tre-katër kilometra larg qytetit të Prizrenit, në drejtim të Nashecit. Interesante është se sot vështirë do të më njihnin atje. Gati kurrë s’e vizitova Grazhdanikun, pas lindjes.
Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?! Sidoqoftë, sipas dokumentit kishtar jam lindur më 1 janar 1937-shit, kurse sipas atij zyrtar-më 3 janar 1937. Mbiemrin Pashku e kam prej gjyshit. Ai quhej Pashk. Përndryshe familja ime u takon Bytyçëve (fis i Thaçit), që banonim përtej Pashtrikut, përmbi Gjakovë. Edhe sot, ai vend quhet Bytyç-Bujani dhe fshatrat përreth…
Ato janë brenda rajonit të Bytyçit. Me të ardhur në Karashëngjergj, të parët e mi themeluan fshatin e vet-të Bytyçëve. Ndërrimi i mbiemrave filloi pas 45-it. Ku ta di pse, ishte dekret zyrtar… I bërë nëpër zyrat e pasluftës.
.
Qyteti i Prizrenit
Qyteti i Prizrenit

Prizreni…

Thonë se me të lindur unë, gjyshi im qe gëzuar fort. Isha fëmija i parë i djalit të tij të vetëm. Thonë se për këtë kishte bërë aheng të madh, dasmë. Nuk më regjistroi në Prizren, sepse Grazhdaniku i takonte komunës së Vlasnës, katundit të Vlasnës. Aty ishte zyra e vendit dhe aty më regjistroi.
Për të lënë shenjë të dashurisë së vet, më regjistroi si Anton Pashku-Antoni i Pashkut. Thonë se gjyshin e kam pasur njeri të madh. Kështu katër pesë muaj pas lindjes sime, gjyshi blen një shtëpi të madhe në Prizren, si i thonë me baçe përmbas e me bahçe përpara.
Prizreni është në të vërtetë gjithkah mbaj mend unë nga fëmijëria. Kurrë se vizitova Grazhdanikun apo Karashëngjegjin. Në një farë dore veten e mbaj prizrenas. Aty kalova fëmijërinë, kreva filloren, katër vjetët e fillores së atëhershme.
Pastaj vazhdova gjimnazin e ultë, si i thoshin, e që zgjaste tri vjet. Pas kësaj duhej përfunduar gjimnazi i naltë e që kishte katër klasë. S’ka fjalë ishte shkollë serioze e kritereve mjaft të larta. Sidoqoftë diku rreth 1951-shit, babai me familje u vendos në Prishtinë.
Gjegjësisht Fushë-Kosovë. Unë vazhdova të rri në Prizren me këshillë të tij, sepse atëbotë Fushë-Kosova nuk kishte shkollë shqip. Ajo u themelua shumë vonë. Më binte larg që si i mitur që isha, të udhëtoja prej fushë-Kosovës në Prishtinë për të vijuar mësimet.
Andaj mbeta në Prizren, gjersa kreva gjimnazin e ultë-semimaturën. Pastaj vij në Prishtinë dhe vazhdoj gjimnazin e lartë. Do të duhej të ishte ky ’54-shi apo ’55-shi, s’më kujtohet.
.

Prishtina…

Isha nxënës i rregullt në gjimnaz, prej profesorëve. Më kujtohet i ndjeri Zekeria Rexha, profesor i gjuhës frënge në gjimnaz të Prishtinës. Mësimet e tij dhe angazhimi ndaj meje ndikuan dhe më mësuan shumë në orientimin letrar. Ishte kryeredaktor i parë i “Jetës së re”, të përdymuajshmes letrare dhe profesor ideal imi. Ishte njeri i madh, nxënës i Francës. Më kujtohet kur më shihte në rrugë, më jepte pare për kinema. E dinte mirë gjendjen e rëndë materiale të familjes sime.
Mandej maturova më 1958. Pas maturës punësohem në “Rilindje” si gazetar. Duke filluar prej profesor Rexhës, të gjithë që më njihnin insisonin t’i vijoja studimet, fakultetin, mirëpo s’kisha kurrfarë kushtesh për një gjë të tillë. Në shtëpi ishim pesë fëmijë prej babait, motra dhe vëllezër dhe më duhej që si më i madhi që isha t’i ndihmoja babait.
Për t’u punësuar në Rilindje më ndihmuan Ymer Pula dhe Asllan Fazliu. Sot e asaj dite mendoj se ishin burra të mirë, pavarësisht se çfarë fitet për politikanët e dikurshëm. Për atë kohë ishin politikanë të mëdhenj. Mbaj mend kur më ftuan në zyrë për të biseduar për punësimin tim, atëbotë veç isha bërë një shkrimtar i vogël – i botoja tregimet në “Jeta e re”.
Tregime, më së shumti. Mirëpo, duhet ta dini se atëherë, kur botohej diçka në jeta e re bëheshe shkrimtar, s’ishte punë e lehtë të botohesh te “Jeta e re”. Ishte revistë e kritereve shumë të larta. Por sidoqoftë më kujtohet për pranimin tim patën intervenuar i ndjeri Esad Mekuli dhe Adem Demaçi.
Nuk dyshoj se lavdëruan punë time të deritatëhershme. Mirëpo që të dy insistonin, që megjithatë të regjistrohem në Fakultet në Beograd. Në fund iu rrëfeva se s’kam gjë kundër fakultetit, veçse nuk mund të shëtitem poshtë lart nëpër qytete të huaj, derisa familjen e kisha në pozitë të rëndë.
U thashë se atë mund ta kryej edhe në shtëpi, se është punë vullneti dhe dëshire… Mos mendoni se nënçmoja fakultetin, mirëpo kisha obligime të mëdha. Më dhembsej babai, nuk kishte mundësi që vetë të siguronte jetë për familjen. Mendoja të punësohesha në “Rilindje”, të mësoj, të shkruaj.
.
Shkrimtari Anton Pashku (1937-1995)
Shkrimtari Anton Pashku (1937-1995)

“Vox Clamantis…”

Në “Rilindje” punova 34 vjet. Mirëpo, në rubrikën e kulturës punova vetëm deri më 1971, kur një grup i krijuesve të rinj, në mesin e të cilëve isha dhe unë, e botoi një tekst problematik, i cili më vonë u pagëzua si “Manifest”, një shkrim kritik i botuar në të përditshmen Rilindja me titull “Vox Clamantis in Deserto” (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë) që pat bërë bujë të madhe.
“Vox…” – I në të vërtetë ishte paraqitje e bindjeve kritike të një gjenerate të re të letrarëve të kosovarë lidhur me gjendjen në kulturë, me pozitën e krijuesve dhe frymat estetike të asaj kohe. Përmes tij, ne praktikisht i shpallëm luftë realizmit socialist dhe të gjitha marrëzirave kulturore që bëheshin tek ne, e që ishin ndikim i Shqipërisë, gjegjësisht i ideologjisë social-komuniste.
E tërë kjo u shndërrua në një skandal të madh që filloi të merrte përmasa politike. Ndër nënshkruesit e manifest ishin Rexhep Smajli, Gani Bobi, Ali Podrimja, Mensur Raifi unë dhe disa të tjerë. Qe bërë problem i madh.
Kështu prej 1 dhjetorit të 1971-shit shkova në redaksinë e botimeve.
Aty punoj edhe sot, Jam angazhuar në redaksinë e botimeve të ndryshme, të prozës, poezisë dhe kritikës. Dhe ndërkohë edhe shkruaja nga pak. Gati të gjitha shkrimet i botova në Rilindje, përpos tregimeve të cilat i botova në jetën e re në “Zëri i rinisë”.
Ishte një periudhë dinamike, periudhë e një liberalizme shoqërore, kur filluan të hiqen disa pranga, bile kulturore. Ishte kohë shumë dinamike, bile ajo kohë ka paraqitur një lloj renesanse kulturore të llojit të vet për Kosovën…
.
Prishtinë Mars 1995

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.