back to top
7.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Apathia (plogështia) e shqiptarit – nga Selaudin Toto

Gazeta

Selaudin Toto
Selaudin Toto
Ky artikull është shkruar më 1 maj 1937, nga Selaudin Toto,
në revistën e njohur “Përpjekja shqiptare”
e ideologut të “neoshqiptarizmës”, Branko Merxhani.
Për ata që kanë interes, është një rast i mirë të mësojnë
se intelektualet e vërtetë shqiptarë, vazhdimisht i ka shqetësuar
apathia (plogështia) e shqiptarit, mentaliteti i tij oriental,
oportunizmi e servilizmi ndaj më të pushtetshmit,
dhe aty shihnin pengesën kryesore për përparim kombëtar.
Një aktualitet që na ndjek si fatalitet!
.
Revista e Neoshqiptarizmes - Perpjekja shqiptare
Revista e Neoshqiptarizmes – Perpjekja shqiptare

Apathia (plogështia) e shqiptarit

nga Selaudin Toto

Shkaqet e kësaj apathie të rrezikshme janë sa të ndryshme aq edhe të dukshme. Ne kemi lindur në kohë t’errëta të historisë tonë kombëtare. Në foshnjërinë tonë s’kemi patur edukatën që na duhet. Jemi edukuar në shkolla të ndryshme dhe në vënde të ndryshme. Kemi formuar kultura dhe mentalitete të ndryshme. S’ka ekzistuar ndonjë ideologji e shëndoshë që të unifikonte tendencat divergjente, të sintetozonte diçka për një përpjekje të fortë shqiptare. Nga ana tjetër, s’kemi marrë ndonjë edukatë fetare që të ndiejmë të paktën fuqinë e t’ashtuquajturave idera të shenjta. U rritëm fatkeqë, pa entusiasmë dhe pa ideale drejtonjëse. Tani s’qëndrojmë as në tokë e as në qiell. Jemi si fletë të çkëputura që i rrëmbën çdo erë e vjeshtës. Ne, si popull, s’e njohim të jetuarit intesivisht, as që njohim forcën e ideve shoqërore. Mendoni se ç’jetë sublime dhe intesive provuan çetat e nacionalistëve shqiptarë kur këndonin në ekstazë, “ ja vdekje, ja liri”.
A po pregatitet i riu shqiptar me ndjenjat e larta të detyrës dhe të sakrificës për vendin e tij? A do të ketë rast ai të provojë furtunën e emocioneve, kur një popull përpiqet gjallërisht në mbritjen e një ideali? Është koha të kuptohet se këto janë pyetje troditëse për ekzistencën e kombit tonë.
Pyete çdo djalë shqiptar që të kuptosh se sa i varfër është në idera të ndritura për vendin e tij. Sa heterogjene janë këto dhe sa i ftohtë është besimi i tij për to. Prandaj gjejmë edhe njëmijë e një tipa të ndryshëm. Sidomos në të rinjtë, ku kanalizimi i energjive në çfarëdo mënyre, bëhet një imperativë kategorike. Njëri ka një sistem mendimi krejt të ndryshmë nga tjetri. Dëshira e disa t’ashtuquajturve intelektualë është të kem një rrogë ose bursë të përherëshme dhe të kalojë një jetë qejfi jashtë nëpër qytetet e bukur, që t’evitoj mizerjen që trupëzohet nga Shqipëria. Për këta, djersa e katundarit, “mjerimi i vendit”, janë pallavra që s’duhen përmëndur. Natyrisht rrinë në Shqipëri se përjasht ha miza hekur. Të tjerë këndojnë mëfshehurazi “Das Kapital”, dhe të shkatërrojnë me t’ashtuquajturën, dialektikë materialiste, duke predikuar jetën e bukur dhe plot tensione idealistike në Shqipëri. Këtu kemi të bëjmë me elemente që duan të ndiejnë forcën e idesë, e çfarëdo forme qoftë kjo. Shumica, sidomos klasa e nëpunësve, sundohet nga filozofia e oportunismës ose e pikëpamjeve të lashta aristokratike mbi jetën. Të jeshë nikoqir, të vështroç rrogën, miqësitë etj, janë boshtet drejtonjëse të mendjes se tyre. “Ha të hamë, pa tymi t’i dalë”, është motua i tyre. Këto fjalë t’urta të shefave të Perandoris s’osmanllinjve, pse të mos përjetësohen buzë këtij Adriatiku të kaltërt?
Është punë e rrezikshme që t’i vihet kapak kazanit dhe të gjendet një farë, modus vivendi, për kaosin që lëvron brenda. Popujt janë rebeluar kur s’u është treguar rruga që kërkonin. Burrat e shtetit, largshikonjës dhe që tupëzojnë idetë e popujve që udhëheqin, konsiderojnë elementet themeltarë që bëjnë strukturën dhe fuqinë e një populli; nxjerin në shesh forcat elementare, i koordinojnë, për të prodhuar fuqira gjiganteske përparimi.
Më në fund është në natyrën e popujve që të besojnë. Në të shkuarën çdo popull ka besuar ose në divinitet, në fis, në racë, ose në religjion. Gjunjëzoheshin përpara simboleve të shenjta, janë therorëzuar për to, që të provonin emocionet përkatëse. Tani është një fakt se fetë u zëvëndësuan me ideologjitë politike. Nga pikëpamja e psikologjisë shoqërore popujt ndrruan drejtim në kanalizimin e energjive të tyre. Ide, që fuqizojnë popujt, u bënë fetë e reja, përpara të cilave njerëzimi ka filluar të martirizohet. Dhe ne, që s’kemi edukatë fetare, duhet të krijojmë altarët tanë tokësorë. Është koha të kuptojmë dhe ne, se janë idealet që shenjtërojnë jetën. Përpjekja drejt mbrritjes së tyre dhe emocionet tronditëse që lindin, do të na e bëjnë jetën tonë si popull të nderçme dhe të bukur. Ose të bëjmë një revolucion mendor për të përvetësuar këtë pikëpamje dinamike mbi jetën, ose jemi të humbur. Se është, më në fund, idea që punon lëndën. Forca e një ideollogjie shqiptare do të na japë “elan vital-in” (forcën jetësore) të nevojshme, të paktën brezit të ri, që të thyejmë akujt shqiptarë. Çështja është që të kemi një Shqipëri të bukur dhe të nderçme, sa më parë, në këtë Evropë të dyshimtë. Një Shqipëri të ngrehur nga përpjekja intensivë e bijve të saj dhe as gjë tjetër. Natyrisht idetë nuk bien nga qiejt e Platonit. Idetë e shëndosha lindin dhe rriten vetëm nga rrethanat tona politike, ekonomike e morale. Ne të rinjtë, që vështrojmë përditë këtë dinamismë të popujve, gjëjmë rast të entusiasmohemi kur na gjën pa pandehur.
.
“Përpjekja shqiptare” 1 maj 1937,
.
Marre https://www.mekulipress.com/plogeshtia-e-shqiptarit/.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.