“Apollogji e tretë e Sokratit në Tiranë”
Novelë nga Lazër Radi
Libri u botua pa redaktim në vitin 1998 500 kopje (fq. 126)
Figura e Sokratit përbën nji univers të mendimit dhe veprimit filozofik ndër shekuj. Pikërisht kësaj figure i asht referue autori nisë nga “Apollogjia e Sokratit” e Platonit dhe “Apollogjia e vërtetë e Sokratit” e Kostas Varnalis. Duke gjetë plot elemente të filozofit të lashtë tek vetja, ai e fton Sokratin e famshëm, të ballafaqohet me realitetin shqiptar. E duke e ditë ndëshkimin e filozofit, ai mendon se asgja s’ka ndryshue dhe asgja s’ka kuptue bota në këto dymijëepesqind vjet… Vepra asht përplot ironi dhe sarkazëm. Realiteti shqiptar i kapërcen dukshëm të vërtetat e kohës së Sokratit. Nëpërmjet ballafaqimit me kët realitet autori asht përpjekë me i ba nji autopsi kohës së vet…
“…Sipas porosisë së Hermesit, Sokrati nuk piu asnjiherë ujë në Lumin e Harresës, ndaj e kishte të gjallë në mendje gjithë kohën që kishte kalue në tokë, në mënyrë të veçantë çastet e fundit të jetës para gjyqit. Shpesh mendonte se kishte tregue dobësi njerzore që e kish pi helmin vdekjeprurës. Shumë vite e torturoi veten duke mendue at ligshtimin e tij para vdekjes… Sado tragjike që ishte ajo, ai ia kishte zbehë madhështinë vetvetes para dishepujve të vet, që e kishin rrethue edhe në ato çaste të vështira të jetës…” l.r.