back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Aqif Pashë Elbasani i shkruan Mid’hat Abdyl Frashëri (1915)

Gazeta

Aqif Pashë Elbasani (1860-1926)
Aqif Pashë Elbasani (1860-1926)

Aqif Pashë Elbasani i shkruan

Mid’hat Abdyl Frashëri (1915)

Hotel Cavour, Bari
2 janar 1915

I dashuni, syni em, Mid’hat bej Efendi,*
Kartën e nderueme tuejën e kam marrë. Ju falem nderës. Mbasi në Shkodër për tash asht vendos qetsia, po nisena për atje unë bashkë me Gurakuqin, Ahmed Daklin e Shefqet Dain. Atje do të xamë nji shpi dhe do të lëshojmë hekur. Nëse mbesim të kënaqun nga giendja e Shkodrës, do t’i shkruajmë edhe zotnisë sate me urdhnue këtu. E nëse jo, do të çojmë hekur dhe prej këtu e do të shkojmë ose në Vlonë ose në ndonji skutë t’Europës. Fati po na përplas prej guri në furrë.
Anarshinë qi u shtue në Shqipni helbete do ta keni marrë vesh prej fletoreve. Krejt Elbasani, Tirana, Shijaku e Kavaja, e pjesa më e madhe e Krujës janë çue kundra Esad Pashës me të tanë rreptësinë e tyne dhe ia kanë djegë shpijat në Tiranë e ndër çifliqe dhe kanë rrethue Durrësin. Me gjithë qëllimet që kishte i mjeri Pashë yni, ngeli i rrethuem në Durrës dhe Shëllinzat, u nis për në Krujë, mori këtu çka mundi ma parë, mblodhi një fuqi prej 1.500 vetash dhe mori iniciativën me mësye Tiranën. Por, si kam marrë vesh me keqardhje qenka thye përpara fuqisë eprore të kryengritësave. Dhe Lushnja, Berati e Fieri u qenkan bindë kryengritësave dhe i paskan dalë dore Durrësit. Tue dashtë me hy kryengritsat në Vlonë, ia mrrijnë si vetima ushtarët e Italisë dhe e shpëtuen Vlonën nga pushtimi i kryengritsave. Më ka mjerue me të vërtetë fort vdekja e Ferid Pashës?**
Papa-Stathit i kam ngarkue me ba nji listë të saktë të katundeve e të shpijave, qi kanë djegë grekët në Kurvelesh, Tepelenë, Skrapar e gjetiu, dhe me jua çue zotnis suej drejtpërdrejt. Papas-Stathi para 3 ditëve shkoi për në Vlonë. Më ka dhanë fjalën se ka me e ba atë listë dhe me jua çue. Jam i xanun me përgatitjet e udhtimeve.
Për tash kaq. Ju dishroj shëndet e të mira, vëllau jem.
Aqif Elbasani
*AQSH, Fondi 35, Dosja 36.1, viti 1915
**Ferid Pashë Vlorës
————————————

Mid'hat Frasheri (1880-1949)
Mid’hat Frasheri (1880-1949)

Shënim: Aqif Elbasani, apo Aqif Pashë Elbasani, figurë qëndrore në përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (ai ngriti flamurin në Elbasan më 25 nëntor 1912) u detyrua të largohej në Shkodër, e më pas në Bari, Itali, si pasojë e përndjekjes nga rebelët e lëvizjes së Haxhi Qamilit, e cila kërkonte që shqiptarët të mbeteshin nën Perandorinë Osmane. Mid’hat Abdyl Frashëri (Lumo Skëndo) pati dhuntinë profetike të shihte në lëvizjen haxhiqamiliste shenjat e para të bolshevizmit, madje ky përcaktim vinte pak vite para përhapjes së atij virusi në Rusi.
Largimi i detyruar nga Shqipëria i Aqif Pashë Elbasanit na kujton se e keqja jonë si popull nuk ka ardhur gjithmonë nga jashtë. Thënë ndryshe, tragjedia jonë si popull nuk qëndron vetëm në faktin se ne kemi luftuar kundër shumë pushtuesve të huaj por sepse, mjerisht, ne kemi luftuar edhe ndaj njëri-tjetrit.

Marre nga muri i FB Mid’hat Abdyl Frashëri, 18 dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.