back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Ardian Koçi dhe Heterodon – Gjarpri që ha vetveten – nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Ardian Koçi
Ardian Koçi

Ardian Koçi dhe Heterodon – Gjarpri që ha vetveten

nga Shpend Sollaku Noé

-Pushohet nga puna drejtuesi më i zot i Zonave të Mbrojtura të natyrës shqiptare
-Preteksti – një intervistë më se normale tek VOA
-Me largimin e tij dhe të drejtuesve të tjerë si në Vlorë, Korçë e gjetkë, synohet shitja apo shfrytëzimi nga nomenklatura e Tiranës edhe të atyre pak zonave të lira që mund të betonizohen nga të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”.
-Protestë popullore bipartizan pro Ardian Koçit në socialet.

Ardian Koçi ne Lagunen e Karavastase
Ardian Koçi ne Lagunen e Karavastase

Kjo histori e shëmtuar nuk fillon me Ardian Koçin.
Të tjerë drejtues, që edhe janë “rrëfyer për këtë shkrim janë thirrur për të firmosur një “dorëhqje formale” që i detyron firmatarët që të jepen me mish e me shpirt për mbledhjen e votave në zgjedhjet e ardhshme lokale. Nëse rezultati për partinë në pushtet në zonën ku ata punojnë do të jetë pozitiv, “dorëheqja me shkrim” shfuqizohet dhe drejtuesit do të mund të vazhdojnë të punojnë në postet që kanë; nëse do të humben zgjedhjet, do t’u thuhet që nuk janë përzënë nga puna, pasi kanë dhënë dorëheqje me vullnetin e tyre të lirë.
Largime nga detyra, para Adian Koçit, kanë pësuar edhe të tjerë që nuk i kanë rezistuar presioneve, si në rastin e shkarkimeve të drejtoreshës të superpërgatitur së AdZM së Vlorës, Lorela Lazaj – inxhiniere mjedisi e specializuar në SHBA, apo të Iljon Thanasit, inxhinier pyjesh mjaft i zellshëm dhe i zoti që drejtonte AdZM-në e Korçës, të drejtorit të AdZM-së Tiranës, inxhinier i pyjeve Ilir Vishkurti, të drejtorit të AdZM-së të Dibrës…
Adian Koçi është numri 5 i të shkarkuarve, me një veçanti; ai nuk iu gjunjëzua shantazheve e kërcënimeve me të ashtuquajturat “dorëheqje”, pasi kishte me vete numrat e jashtëzakonshëm të punës së tij madhore, të sakrificave të panumurta, të netëve pa gjumë, pavarësisht prej motit, në ruajtjen e zhvillimin e mëtejshëm të Parkut Kombëtar, të shifrave fantastike në lidhje me shtimin e zogjve, të pemëve, të turistëve shqiptarë dhe të huaj.
Si t’ia bënin për ta mposhtur këtë mbrojtës epik të ambientit? Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mbledh Komisionin Disiplinor të Agjensisë Kombëtare të zonave të mbrojtura më 03.03.2023 dhe me vendimin nr. 74, protokolluar me nr. 845, largon nga puna Ardian Koçin me pretekstin sepse ka dhënë intervistë VOA-s pa miratimin nga Drejtori i Përgjithshëm.
Intervista gjendet në rrjet dhe, për të gjithë ata që e kanë parë, nuk paraqet asgjë që mund të justifikojë një vendim të tillë ekstrem. Atëherë ku fshihet lepuri?

Pelikanet...
Pelikanet…

Ardian Koçi është gozhda e trarit në të cilën u ka ngecur sharra të gjitha tentativave për ta mbytur me çimento zonën që ai mbron, në veçanti Parkun Kombëtar të Divjakë – Karavastasë. Kohët e fundit Koçi kish bërë edhe një denoncim në Policinë e Lushnjes dhe në Inspektoriat për serat “strategjike” që po ngrihen brenda Parkut Kombëtar në Divjakë – Karavasta, në cilat mendohet të jenë përfshirë “strategë” shqiptarë dhe të huaj. Po ashtu ai i ishte kundërvënë ngritjes së hedhurinajës së madhe të plehrave në Gur, helmet e prodhuar prej të cilës ndotin ujrat që derdhen në lagunë. Ai kish mbajtur qëndrim të prerë edhe në mbrojtjen e mjedisit kodrinor përqark parkut, duke e konsideruar natyrën përreth si një të tërë e të pandashme prej shëndetit të Parkut… e të tjera fakte të panumurta që i vijnë në ndihmë figurës së pastër të këtij djali që populli i zonës e përkëdhel me epitetin “gjeneral Ardiani”.
Në kushte e vende të tjera që nuk quhen Shqipëri, kuadro si Ardian Koçi mbahen afër, ngrihen në përgjegjësi të mëtejshme, bëhen drejtorë kombëtarë. Bëhen ministra. Po kjo nuk ndodh atje ku vendit përpiqen t’i marrin edhe palcën deri në grimcën e fundit. Sepse ajo ka mbetur e paprekur deri tani, palca e vendit: Parqet Kombëtare. Dhe të merr të qarët kur shtypi shqiptar nuk guxon të merret siç duhet me adrianët. Sepse nuk është vetëm Butrinti që po u shket nga duart Shqipërisë.
Për ata që akoma nuk e dinë se ç’është një Heterodon, mjafton të kuptojnë se ky lloj gjarpëri ha vetveten, duke e filluar nga bishti. Pasi Tirana kujton se drejtuesit në terren janë bishti, por harron se që këtej dalin kokat. Dhe kush ha kokën e vet nuk ka të ardhme.
Botuar në gazetën “Dielli”, New York

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.