back to top
11.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

“Armiqtë!…” Gj. Marku (fb)

Gazeta

Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

“Armiqtë!…” Gj. Marku (fb)

Kur nuk ke qenë në burg, mbase të falet të thuash gjithçka për ata që e shkuan jetën nëpër kapanone e zgafella minierash, këneta apo moçale… Mbase dhe une te njejten gje do kisha bere. Sepse edhe unë do kisha qenë si ata “të pashpirtët” që iu thurin sot turli lloj epitetesh ish të persekutuarve politikë!
Mirëpo, siç kam shënuar dhe në librin me publicistikë, vërtet po të mos kisha kaluar ca muaj në burgun e Spaçit, kushedi sa njeri zemërkeq do isha bërë dhe tani do isha duke artikuluar fjalë të ndyra, të liga dhe antinjerzore për kët shtresë të keqtrajtuar.
Memoria me çon në vitin 1979, pikërisht në burgun e Spaçit, kur që fëmijë m’u desh të punoja atje, në mes të burgosurve politikë. I kisha menduar si njerëz të rrezikshëm, kanibalë a kushedi se çfarë race, për shkak të pompimit nga propaganda agjitative e regjimit komunist.
Kur hyra ditën e parë në minierë (mbaj mend që zjarrmëtari me la në një kthinë galerie pa kandil dhe pa asnjë lloj drite për të pritur!!)… M’u duk se po me binte i gjithë mali mbi kokë, kur befas u shfaqen siluetat e dy të burgosurve politikë nga Korça. Më panë ashtu të mbledhur kruspull si një trumcak i mërdhif, dhe m’u afruan me shumë përzemërsi. Më pyetën: Për herë të parë je futë në galeritë e nëndheshme?!
– Po, u përgjigja gjithë frikë e ankth, me idenë se ata do më “hanin”! Pastaj ndejtën aty pa lëvizur deri sa erdhi zjarmëtari Mark. Më mbajtën me muhabet dhe nuk mund ta harroj kurrë at kurajon që më dhanë, aq sa nëntoka nën shoqërinë e tyre po më dukej si vend me diell! Sot e asaj dite nuk arrij ta kuptoj se ku e merrnin at optimizëm për jetën ata njerëz. Dhe njeri prej tyre kishte qenë oficer madhor, por tani punonte si një minatori i rëndomtë nëntokë. Ishte moment kur ata njerëz fisnikë filluan të më hyjnë në zemër, për të mos më dalë kurrë më edhe sot e kësaj dite!
Pastaj u miqsuam ditë pas dite, dhe më dukej se po bëhesha “me armik se armiku” edhe pse isha bir i dy komunistëve të thjeshtë. Kam raste pafund të rrëfej për ata njerëz të mrekullueshëm, dhe me një kurajo të pashoqe. Për punën që bënin me përpikmëri dhe korrektesë spartane. Për veshjet që i mbanin “shik” edhe pse hynin e dilnin në galeritë e pista piritoze…
Shqipëria nuk besoj të ketë patur racë më të pastër e më fisnike se raca e të burgosurve politike!
Aty në Spaç, kam kuptuar që ishte vërtetë Shqipeëia e Perëndimit për gjithçka manifestonin ata shqiptarë perëndimorë.
Nuk dua të flas për vuajtjet e tyre, sepse nuk mundem ta mbaj unë atë barrë të rëndë dhe zor të ketë penë ta mbajë në Shqipërinë e çakorduar dhe mosmirënjohse ndaj atyre vuajtjeve, por di të them se Spaçi qe burgu gati në një hap me Aushvicin nazist. S’mund t’i harroj kurrë nënat, gratë dhe motrat e tyre që vinin nga larg nën vështrimin përbuzës të mjedisit ushtarak dhe atij të zakonshëm, duke bërë me orë të tëra në këmbë me torbat e ushqimeve apo rrobave mbi supe, nën diellin përvëlues apo murlanëet e akullta të dimrit!
Nuk mund t’i harroj ata qindra burra me rroba të murrme si vetë shpatet e bakërta të atyre maleve, që merrnin tre turne të përpjetën për në frontet e punës të lidhur dorë për dorë (nuk kishte turpërim e zhburrërim më të madh psikologjik), duke i numëruar si bagëtitë në tri palë porta!! Nuk mund t’i harroj dhe torturat që i kam parë me sytë e mi, për ndonjë të burgosur që s’pranonte të punonte, të lidhur me tel të trashë në shtyllat e tensionit dhe duke i lënë jshtë si qenër përgjat gjithë natës së akullt! Nuk mund të harroj dhe rastet e fatkeqësive kur ndodhnin shembje në thellësi të galerive dhe të vdekurit i varrosnin diku atje lart te Përrojt e Seftes, duke ua numëruar ditët e dënimit një më një edhe në varr pa ua dhënë familjeve!…
…Kam shumë e shumë për të rrëfyer nga Spaçi i ferrit, se unë që isha punëtor i lirë 18 vjeçar, po vete ata që ishin bujtës të atij varri të madh?!
Po thoja me vete teksa dëgjoja turlilloj epitetesh këto ditë në drejtim të ish të burgosurve: Si ka mundësi që dalin kësi mynxyrash nga goja e drejtuesve të këtij vendi?!
Mirëpo çfarë ndodhi me mua? I shfajësova! Vërtet i shfajësova. Këta drejtues nuk kanë bërë asnjë ditë burg, dhe as i kanë parë një ditë të vetme në vuajtjet makabër këto qenie njerëzore. Kur këta të burgosur politikë shtynin vagonat atje nëntokë dhe vuanin tmerret e burgut, drejtuesit e sotëm, i mbanin urinën ideatorit dhe farkëtuesit të këtyre burgjeve çnjerëzore!
Atëhere përse duhet të ngarkohen me faj sot, madje duhen “përgëzuar” për konsekuencën e të qenit kundërshtar fanatik me këtë shtresë perëndimore si ato ditë, edhe sot!
Aferim u qoftë…!!
(të Interrnuarit e Shqipërisë Fb)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.