back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Aroma e barit t’korrun dhe “Hotel California” – tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Hotel California
Hotel California

Aroma e barit t’korrun dhe “Hotel California”

tregim nga Jozef Radi

Asht nji prendverë e kurrndodhun ma parë.
Karantina e përgjithshme e ka kthye botën mbarë n’nji karakatinë të madhe, ku hovi i stinës zbret me turr prej pyllit e futet me drojë ndër vilat e livadhet e vogla të secilës ndërtesë, në kët lagje ku jetoj prej ma se njizet vjetësh, e ndalet e trembun para syve të atyne njerzve të ngujuem.
Kjo kohë e trishtë i ka dhanë edhe prendverës nji tjetër kuptim. I ka ba njerzit m’u kqyrë ndër sy me dyshim e me i qindrue sa ma larg njeni-tjetrit. Bota asht detyrue me u mbyllë mbrendë si Oso Kuka, mos m’u takue kërkush me kërkend, veç njatyne që janë garant që s’e trasmetojnë njat virusin kobmadh. Tanë kqyrin seri tjetrin e askush s’i jep dum vedit.
Ishte mbasdite e prendvere. Edhe për mendjet ma të çorodituna ishte prill, e dielli ndihesh ledhatues. Dalja në ballkon me marrë ndoj dorë rreze m’joshi e m’ofroj edhe dëshirën m’u xhveshë paksa… Im shoq, aty përposhtë e kishte ndalë motokorrsen, e mbarue rrafshimin e livadhit n’dy anët e shpisë. Gjithkah ndihej aroma e barit të njomë, që t’vjen njashtu butë e ambël e na deh n’at shijen e trishtë që ka marrë jeta e gjithsecilit.
Komshijtë e vilës përballë, do amerikanë shumica bjondë bajnë festë. Në sheshin e shtruem me drrasa të vilës shifen t’ulun ndër karrige kashte 5-6 prej tyne, kah m’vjen me shkulme nji kangë e hershme aq e dashtun: “Hotel California” e Eaglesave në background…
“Eh, magji e jetës…!” – pëshpërita me vedi – mbylla sytë e ia nisa fishkëllimës së ma s’parës dashni…
Vërtet, asht nji gja e kotë, nji histori n’ajër, si shumë prej historive t’asaj kohe… Do puthje për provë, njashtu kot m’kot n’nji mbramje prilli si kjo… e asgja ma shumë.
Tash që e ndigjoja kët kangë, e dehesha n’era e barit të livadhit të korrun – s’di pse ma përpushi turpin ajo dashnia e parë, si kotsi e përjetshme…
Kanga vazhdonte me u riciklue pafund. Un e ndij përhumbjen gjithnji e ma thellë n’nji kohë të pakohë…
Ishte nji djalë tiranas, i pashëm, serioz, ndoshta artist. Posa ishim njoftë. Bile s’e kujtoj n’se e kisha pyetë për emnin a jo!!
Më kishte përcjellë nji mbramje në konvikt. Ndoshta e kenë pa edhe nji film së bashku! Ajo çka e kujtoj mirë, asht se herën e fundit ndërsa u përshëndetëm para se m’u nda, ai s’ma lëshoi dorën. Me at shpirtin kundërshtues të torollakes, s’e lashë me m’puthë në buzë. E rrëshqiti diku m’nji qoshe të faqes e qafës… Vrapova e lumtun. Pse isha puthë, po s’kisha lanë me m’puthë në buzë e as si duhet…!
Tash, mbas 25 vjetësh, kisha gjetë pandeminë me gjykue marritë e mia… t’nji kohe kur s’lejohet kush me puthë askënd, se të delte nami…!

Eagles - Hotel Kalifornia
Eagles – Hotel Kalifornia

“Hotel Kalifornia” vazhdonte me magjinë e saj t’hedonizmit të jetës, po që si nëpër mjegull kisha ndigjue se ishte kangë satanike po për mue kishte tjetër shije, e njashtu e trazueme me aromë bari të korrun, m’kishte prekë n’tastin e kujtimeve. Vërtet!! Pse e kisha pasë njaq frikë puthjen e atij njeriu që isha e bindun se e doja?! Dhe m’u kujtue raporti që kisha me tim atë… S’ishte sjellë kurrë ashpër, ndëshkue asnjiherë! Po kurrë! M’ishte krijue bindja se po t’më puthte kush… ai e ndjente. I pari që kishte me e marrë vesh. E kjo m’i fuste drithmat në shpirt!
Mbas do kohe, – djali tiranas nisi me m’kërkue tjera gjana, kur un s’e kisha pyet as për emnin. Sot s’po e kuptoj pse kisha nji kundërshti prej bishe. Jo se doja me qenë ma e ndershmja e dynjasë – Jo! As vetë s’e di pse kisha frikë e droje prej tim eti… Sa herë e kam kujtue, e kam justifikue vedin me shprehjen ma banale të botës: “Njashtu ishte koha…!”
Po cila kohë?! Gjithkund po flitej se ndrruen kohnat!
Ndij nji keqardhje të pakufi për vedin. Mandej më vjen keq për krejt brezin tim! Na kapën ato vite e ajo kohë e çoroditun n’rrëmujë të mendjes – ndërsa rriteshim si hardhi t’egra, kishim marrë kot e ishim ba egërsina… E rikujtoj dhe jam e bindun se s’ishim as mish, as peshk. Çorodi t’lidhuna sekush mbas nji kange t’vetën, ja si un me “Hotel California” që ma mbushte boshllëkun tue e ndigjue pafundësisht e tue fishkëllye si e marrë maje biçiklete.
Eh dashnija! Un ia kisha frikën aq sa e jetoja n’trajta t’epërme terrori e dëshire mbrenda meje! Ajo kala e kotë qëndrese s’ishte asgja ma shumë se nji peshë që ne njizet vjeçarët po përpliteshim me u çlirue në shejë hakmarrje prej saj, e s’po ia delshim?
Un pilihjerdha fluturake, vërdallesha kot m’kot me orë të tana rrugave të kryeqytetit maje biçiklete! Çka me ba tjetër – veç shisja liri kot! Njashtu krenare e teveqele kthehesha te ndershmënia, tue lejue puthje si n’nji aktrim të përsosun të “gocës së zamanit” që i spërdridhesh shalës së biçikletës!
“U t’raftë nji pikë moj “goca zamanit!”, – mërmërita me vedi tue i dhanë pak hov trupit mbi ballkon me pa çka bahej rrotull.
Po ajo muzikë e dashtun, po ajo fërshëllimë e ma t’bukurave ditë, njaty mes komshijve që vazhdonin me festue n’oborr, ndërsa aroma e barit të posakorrun e “Hotel California”, më zhysnin thellë e ma thellë ndër vite te shkueme, ndër kohna kur jeta kishte aq shumë dritë e boshllëk, e un frikesha prej dritës, o ndoshta drita njaq keq ishte kapërthye me at kohë të mbrapshtë, sa e kishte humbë kuptimin…
M’erdhi keq…! Diçka më shtrëngoi në gjoks…
Eh… gjanat e mia! Përjetë të paplota! Punë mëhit! Asgja tjetër s’i shkon ma për shtat jetës se ajo: Punë mëhit…!!
I mbështeta brrylat mbi parvaz e po mendoja. Ç
S’e ka pasë fajin im atë! Edhe pse herë e queja fajtor, e herë të pafajshëm, tue e randue veten! Kisha ndigjue shpesh biseda në rrethin tonë: “E merr vesh krejt Namazgjaja!”, “Flet keq mëhalla!”, “Çuçurris fisi…!” e m’ishin ngulë gozhda n’mendje!
Me ba çka ma lypte mosha, s’dija cila ishte ajo forca që më ndalte! Ndjeja turp e guxim, s’di prej kujt e as për çfarë! Veçse besoja së më zmadhohej aq lehtë ndjesia e dashnisë me njolla e përjetshme të turpit!!
Ah sikur ajo gjendje t’mos qe mbrenda meje! Ndoshta e gjitha mund të randonte mbi babin tim! E pra, babi qe i butë e aspak i vrazhdë, në veçanti me mue. S’mbaj mend t’më ket ngushtue kurrë! Asnjiherë e për asgja! As kur u nisa në shkollë të naltë, as gjatë atyne shtatë vjetëve që ndenjta në shkollë e mbarova dy fakultete!
Kisha frikë, kisha shumë frikë mos e turpnoja tim atë!
Frikesha mos e randoja seriozitetin e tij, mos ia cënoja krenarinë që i shndriste ngado shkonte, dinjitetin që me aq shumë dhimbë e shfaqte…
S’u kënaqa asnji herë. Edhe ato puthjet e bukura të nji mbramje prilli, mbi barin e korrun të parkut më mbetën pezull.
Ajri kishte nji aromë të magjishme. Gjethet në shpërthim përzie me aromën e barit të korrun. Ulë nën peshën e nji shelgu t’lulzuem ndiheshim të mbushun me dehje e marrëzi. Puthje, aq shumë puthje dhashë e mora. Kisha dashtë ajo mbramje të puthesha deri n’amshim.
Djali tiranas, që s’ia kujtoj as emnin as ftyrën, kur terri nisi m’u ba ma i plotë, e puthjet e lodhën, me gishtat që i dridheshin u ndal te kopsat e sipërme e bluzës. Kur ajo ra, ai vazhdoi me tjerat. E kundërshtova n’mërmërimë tue u mbledhë si iriq… Ai vazhdoi tue u dridhë në t’vetën. Paksa e fyeme, ndiqja si binin njena mbas tjetrës kopsat e bluzës të kaltër. E kundërshtova pa tekst! Kisha nji dëshirë të çmendun t’më ushtronte forcë e t’isha e humbun n’nji betejë force… Ndërsa çmendi e kundërshtimit po m’rritej, dikur m’përfshiu të gjithën. Deshta me ia shty dorën e ndesha diçka të fortë, të ngrohtë, si nji bri demi dalun binarësh… Ndjeva se s’ishin ma n’lojë puthjet, po tjetër gjà. Ndoshta s’isha e përgatitun, ndoshta isha çorodia vetë… Ai s’ma ndali dot kundërshtinë teme. Më la padrejtësisht me fitue…
U çova si dhi shkrepi e hika si e çmendun livadhit. Aroma e barit m’ishte ngjeshë për trup…
Tue hikë m’u ba sikur puthjet pezull më binin nëpër terrin e asaj nate prilli… Ai më erdhi mbas deri te biçikleta, tue u përpjekë me ma mbushë mendjen se m’donte fort… Un as ndigjoja, as flisja e as ndalesha. M’kishte mjaftue magjia e aromës së barit në parkun e madh, edhe dëshira me e fishkëllye nëpër natë kangën time.
N’fund të fundit ajo do t’ishte aroma e dashnisë sime!

Vajza me biçikletë...
Vajza me biçikletë…

U ftofëm pa u ngrofë ende stina…
Mungova nji javë në shkollë… Nji javë tjetër s’dola prej konvikti, nji javë eca si e çmendun rrugicave me biçikletë… Javën e katërt u ktheva te “goca e zamanit”. At njeri s’e pashë ma, as ai s’më ra kurrë mà n’sy! Ndoshta m’ka pa, po s’më ka folë kurrë.
Isha me fat. As emnin, as ftyrën s’ia kujtoja… Dashnia e vërtetë, s’ka as emën e as ftyrë! – e ngushlloja vedin!
“Hotel California” vazhdonte me gjimue, e pylli i mbasdites ma sillte ma t’ambël at muzikë që kishte mbetë e gjallë mbrenda meje, tue m’përvijue konturet e nji dashnie të trishtë, puthjet e së cilës ishin si relike t’varuna n’nji qiell prilli si ky.
Ndërkohë, kujtova shoqet e mia të kursit, vajza të ardhuna prej larg e thellë – që i jetuen ma shlirtë ato kohna. Do gjana tabu pak nga pak u banë rutinë, e kërkush s’dëshmoi interes për to!!! Veçse ajo e çmenduna… që shkonte maje biçiklete, tue fishkëllye “Hotel California”, si nji sfidë e luejtun vetes, e kishte ba qytetin m’u krenue me të; mëhallës ia kishte mposhtë çuçurisjet, e fisin ta shifte njashtu: si “gocë zamani”.
Do kohë mbas mbarimit të shkollës do të njoftun, s’di prej kah ia befën, e msynë derën babës… Ai i priti me at butësinë e tij prej shpendi e ma la n’dorë teme vendimin final për dashninë, fejesën edhe martesën. U fol gjatë e gjanë për nji çun t’mirë, që i “shkonte për filli fisit tonë…!”
Tjerat ishin inerci të jetës e përgjegjsi të saja ndër ne…
Nisi me u fresku e krahët e xhveshun e ndjenë të parët… U futa mbrendë tue e lanë jashtë aromën e barit të korrun, jehonën e një kange që jehonte ende mbrenda meje bashkë me kujtimët e nji kohe që e ndrydhëm e na ndrydhi!
Prill 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.