back to top
2.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Arqipeshkvi Pal Engjëlli (1417-1470) Humanist i shquar shqiptar dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut Dr. Mikel Prennushi

Gazeta

Pal Ejlli (Engjelli)
Pal Ejlli (Engjelli)

Arqipeshkvi Pal Engjëlli (1417-1470)

Humanist i shquar shqiptar

dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut

Dr. Mikel Prennushi

Në plejadën e humanistëve të shquar shqiptarë të shekujve XV, XVI, një vend të merituar ka Imzot Pal Andrea Engjëlli nga familja e njohur e Engjëllorëve, dukë të Drishtit, familje e njohur patriote që luajti një rol me rëndësi në mesjetën shqiptare e sidomos në periudhën e Skënderbeut. Kjo familje me titull fisnikërie kishte lidhje të ngushta me familjet kryesore princërore shqiptare të kohës.
Pal Engjëlli jetoi e veproi në epokën e Skënderbeu, si prelat fetar e si humanist i përmendur dhe diplomat i shtetit të përqëndruar arbëresh të kësaj kohe. Pothuajse bashkëmoshatar me Heroin Kombëtar, ai qe njëheri edhe mik i tij, siç pohon disa herë Marin Barleti në veprën e njohur “De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis” (Roma 1508-1510), qe këshilltar dhe diplomat i tij.
Pal Engjëlli lindi në 1417 dhe vdiq rreth viteve 1469-1470. Ai qe arqipeshkëv i Durrësit.
Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti jep këtë karakterizëm për Pal Engjëllin: “Ky kryepeshkop qe epirot, nga kryeqyteti i Drishtit, bir i Andrea Engjëllit për të cilin folëm më lart, burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të folur (në gojtari), me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë e zakone… burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit…” (M. Barleti “Historia e Skënderbeut” T, 1964, fq. 395, 430)
Imzot Pal Engjëlli është i njohur sepse prej tij kemi të shkruar në gjuhën shqipe “Formulën e Pagëzimit”, të parin dokument të gjuhës shqipe të shkruar. Është viti 1462. Duke u gjurmuar në bibliotekën Laurentiana të Firencës, dijetari rumun Nikolae Jorga, e gjeti këtë frazë në gjuhën shqipe dhe e botoi më 1915, në veprën e tij “Notes et extraites pour servir à l’histoire des croissades au XV siècle” (Bukuresht, 1915, f. 195).
Në udhëzimet e porositë që Pal Engjëlli, me cilësinë e kryepeshkopit të Durrësit, i jepte klerit të dioqezës së Lisit në Mat, ku shërbente peshkop Andrea, ndër 37 fletët në pergamenë që përmbante ky dokument në gjuhën latine (formati i fletëve 20 x 14 cm), dijetari rumun gjeti dhe dy radhë të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet latin: “Unte’ paghesont peremnit Atit et Birit et Spertit Senit”. Këto radhë janë shkruar në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi latin. Duke lexuar këtë raport të Pal Engjëllit mësojmë se ai si kryepeshkop kishte mbledhur gjithë klerin e dioqezës së Matit në kishën e Shën Trinisë, më 8 nëntor 1462, dhe se atje ndër udhëzime të tjera i jepte porosi klerit që prindërit në mungesë të priftërinjve mund t’i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë formulë duke u hedhur pakëz ujë mbi krye. Dihet se dioqezi i Matit varej nga Ipeshkvia e Durrësit dhe se në Mat janë mbajtur në atë kohë shumë kuvende kishtare. Formula e shkruar në shqip dhe e përdorur në ritet fetare të kohës tregon një shfaqje të gjallë të patrotizmit nga vetë Pal Engjëlli dha nga vartësit e tij. Jemi në kohën e luftrave fitimtare të Skënderbeut kur heroi ynë kombëtar quhej në dokumente “Dominus Albaniae” – Zot i Arbërit!
Në Bibliotekën Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke të kohës së Rilindjes Europiane.
Në vitet 60-të të shek. XV, Pal Engjëlli, si diplomat e këshilltar për punët e jashtme i Skënderbeut, qe aktivizuar shumë. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën katërditore që bëri në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461.
Dihet historikisht se Republika e Raguzës pati marrëdhënie të mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë kohës që Shqipëria kalonte provën e rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e pushtuesve osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzanë për Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon Marin Barleti, iu përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë, duke lavdëruar zhvillimin kësaj republike dalmate, shkencën humaniste dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër të tjera në fjalimin e tij ai tha: “…Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha artet e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe disiplinat e tjera… Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat që na keni bërë, kujtimi juaj, emri juaj dhe i qytetit tuaj do të jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri, do të jenë ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona”.
Vërtet se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijim i penës mjeshtërore të Marin Barletit, po dihet gjithashtu mirë fort se në farkëtimin e miqësisë mes Raguzës dhe shtetit të Arbërit, një rol me rëndësi ka luajtur Pal Engjëlli. Natyrisht të dy shtetet fqinje ishin të interesuara për një bashkëpunim në luftrat mbrojtëse kundër hordhive osmane. Dihet gjithashtu se Pal Engjëlli qe një humanist dhe konsiderata e tij për lëvizjen humaniste përparimtare të njerëzimit qe e madhe.
Imzot Pal Engjëlli, si diplomat, u përpoq të afrojë shtetet e interesuara në aleancën kundërosmane. Shqipërisë në atë kohë i interesonte të kishte marrëveshje e aleanca me Raguzën, Hungarinë, Venedikun dhe me vende të tjera. Në këtë drejtim përpjekjet nuk munguan, e sidomos nga ana e Pal Engjëllit. Autoritetin e tij fetar e shfrytëzoi plotësisht në dobi të atdheut. Kështu, si shoqërues i Skënderbeut në vizitën në Itali më 1461, ai u tregua i shkathët në marrëveshje me mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe në takime me princër të tjerë.
Gjithashtu edhe Traktati i Gaeta-s është vepër e Pal Engjëllit(1461). Shteti i përqëndruar i Arbërit nën udhëheqjen e Skënderbeut kishte nevojë për ndihma materiale e morale, kishte nevojë për aleatë në luftën e pabarabartë kundër pushtuesve osmanë që derdheshin çdo vit kundër kështjellave tona me sulmet e tyre të tërbuara.

Pal Engjelli nga dorshkrimet
Pal Engjelli nga dorshkrimet

Më 1464, Pal Engjëlli, si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut, kreu një mision diplomatik pranë kontit Sforza të Milanos. Në letërkredencialet e paraqitura shprehet qartë misioni i tij i rëndësishëm në kërkim të një aleance dhe të ndihmave materiale.
Skënderbeu, siç na e tregon dhe Fan Noli, kishte pasur letërkëmbim me kontin Sforza që në vitin 1461. Siç duket, misioni diplomatik i Pal Engjëllit pati sukses fillimisht, po më vonë nuk dihet përse ndihma materiale për Shqipërinë trime qe reduktuar.
Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në Milano, humanisti i shquar italian, Françesk Filelfo u drejtonte letra princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit, në të cilat shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e drejtë që bënin shqiptarët. Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se Pal Engjëlli e ka takuar edhe Françesk Filelfon, njëri me influencë dhe humanist i përmendur. Në letrat e tij Filelfo shkruan: “Skënderbeu është shpirtmadh dhe i stërvitur në mes të turqve që në moshë të re… Pas tij janë shumë kalorës dhe këmbësorë shqiptarë nga më trimat. Midis gjithë kombësive të tjera ndërmjet Danubit e Adriatikut dhe kufijve të Italisë, shqiptarët qenë të vetmit që u bënë ballë turqve me trimëri të madhe…” Dhe më poshtë: “Skënderi pra, do të ketë mundësi të japë një kontribut jo të vogël në çështjen tonë të përbashkët… Fuqive të tij do t’i vinë në ndihmë dhe fuqitë ushtarake të Kontit Sforza, të këtij princi trim e të përmendur…!”
Pal Engjëlli diti të mbrojë drejt çështjen shqiptare dhe të bëjë përkrahës edhe në principata të tjera të Italisë. Nuk duhet të na habisë fakti që një kryepeshkop luan kaq mirë rolin e një diplomati. Në Mesjetë, klerikë, shkencëtarë, shkrimtarë kryenin këto detyra duke përfituar nga prestigji që gëzonin, gojëtaria dhe mençuria.
Kështu, në Mesjetë edhe Dante e Bokaçio qenë ambasadorë, po ashtu si matematikani e stronomi shqiptar, Gjon Gazulli, presbiter, (prift i nderuar) qe për disa vite sherbeu si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut në Republikën e Raguzës, radhazi me vëllezërit e tij Pali dhe Andrea. Në dokumentet e kohës: “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) qe edhe profesor i Universitetit Al’Bo’ të Padovës.
Pal Engjëlli qe diplomat i Skënderbeut edhe në marrëdhëniet komplekse e të vështira me Republikën e Venedikut. Këtë e dëshmon edhe një marrëveshje e datës 13 shtator 1465, në të cilën Pal Engjëlli nënshkruan “në emër të madhnueshmit Skënderbe” si dhe konsultimet e shpeshta e të herëpashershme që bëri Skënderbeu me të lidhur me marrëdhëniet me Venedikun.
Duke punuar me ngulm, mençuri e atdhetarizëm për një politkë të jashtme sa më aktive në dobi të çështjes kombëtare, Pal Engjëlli nuk harron asnjë çast se burimi kryesor i forcës shqiptare qëndronte në bashkimin e popullit të të gjitha krahinave nën udhëheqjen e Skënderbeut, nën një komandë të vetme e të drejtë. Prandaj në fjalimet e tij para popullit ai mburri kurdoherë këtë figurë kryesore të qëndresës shqiptare.
Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë, sipas Marin Barletit, Pal Engjëlli më 1641, tha këto fjalë për kryetrimin e atdheut tonë: “Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur… Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita, se këtë fat e kanë pasur Arbërit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapidan i pathyeshëm…” Këto fjalë tregojnë konsideratën e lartë të Pal Engjëllit për Skënderbeun. Ata ngjallën besimin e krenarinë e popullit për këtë figurë politike e ushtarake, për këtë njeri me virtyte të larta, simbol i popullit të vet.
Me autoritetin e tij kishtar Pal Engjëlli u përpoq të realizojë dhe bashkimin e koherencën mes princërve shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Një vepër e mirë e tij është sidomos ajo që, me përpjekje e maturi, më 1459 pajtoi mes tyre princërit dukagjinë me Skënderbeun, duke shmangur një përçarje mes rradhëve të shqiptarëve apo një gjakderdhje të kotë.
Nuk ka dyshim se në politikën e jashtme të shtetit arbër, në shekullin XV, një rol të rëndësishëm ka luajtur Imzot Pal Engjëlli si një i ditur, i kulturuar dhe i besuar i Skënderbeut, si prelat kishtar që me autoritetin e prestigjin e tij ndikoi me atdhetarizëm në ngjarjet e kohës.

Formula Pagzimit - veper e Pal Engjellit
Formula Pagzimit – veper e Pal Engjellit

Ai është figura e diplomacisë shqiptare së kësaj periudhe që shënoi një epokë dhe diplomati i parë shqiptar që njohim deri tani.
Pal Engjëlli, si figurë historike, atdhetare e humaniste i atribuohet dhe një meritë tjetër. Mendohet se ai është autori i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e botuar në Venedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin Barletit. Për herë të parë dhe i vetmi që e shfrytëzoi këtë vepër është historiani italian G. Biemmi, i cili botoi më 1742 në Breshia (Brescia) “Istoria di Giorgio Scander’begh”. Ai pohon se historinë e Skënderbeut të vitit 1480 e gjeti në një bibliotekë dhe e shfrytëzoi gjërësisht për veprën e tij, ashtu si dhe vepra të tjera, si atë të Barletit dhe të shumë autorëve të huaj mbi Skënderbeun. Vetë Biemmi na e jep titullin e kësaj vepre, titull të cilin e gjeti në fund të librit, meqenëse fletët e para qenë të grisura: eksplicit “Historia Scanderbeghi, Edita Per Quonam Albanenses…” (Këtu merr fund Historia e Skënderbeut, botuar prej një shqiptari…) Meqenëse autori mbeti anonim, Biemmi e quajti “Antivarino” apo në gjuhën shqipe “Tivaresi”. Biemmi na thotë edhe se Tivaresi e shkroi historinë e Skënderbeut edhe mbi bazën e dëshmive të vëllait të tij, i cili shërbeu si oficer në gardën e Skëndebeut. Duke marrë parasysh këto të dhëna si dhe të tjera, historiani ynë i njohur Fan Noli, me të drejtë mendon se ky autor anonim nuk ka kush të jetë tjetër veçse Pal Engjëlli. Historiani gjerman Franz Babinger e ndonjë tjetër, pa u thelluar, e kanë menduar historinë e Skënderbeut të vitit 1480 një shpikje të Biemmit, po kjo kundërshtohet me të drejtë se kjo histori ka të dhëna e datime më tepër se ajo e Barletit dhe se më vonë këto të dhëna janë vërtetuar nga dokumentacioni, se kjo histori është një burim i pavarur, se ajo është më realiste e me një vështrim më kritik se veprat e tjera dhe së fundi, një gjë të tillë Biemmi nuk kishte arsye të bënte. Duke arsyetuar mbi këtë çështje, domethënë mbi autorësinë e veprës dhe mbi veprën, Fan Noli bie në konkluzion e arsyetuar se kjo vepër është shkruar nga Pal Engjëlli, sepse prej një njeriu të ditur si ky mund të pritej një vepër e tillë, se Engjëllorët vërtetë kanë qëndruar në Drisht, po në zotërimin e tyre ka qënë Tivari dhe se Pal Engjëlli, kryepeshkopi i Durrësit, kishte vërtetë një vëlla të tij, Pjetër Engjëllin, oficer të gardës së Skënderbeut dhe pikërisht ai duhet t’i ketë shërbyer me të dhëna të sakta për luftimet kundërosmane e ngjarje të tjera nga balli i përgatitjeve për luftë. Më në fund, duhet të themi se Pal Engjëlli, dhe i vëllai Pjetër Engjëlli, vdiqën në mërgim, në Itali dhe vepra ka mundësi të jetë shkruar në periudhën e mërgimit dhe të jetë botuar në Venedik, pikërisht aty ku bashkëvëllazëria shqiptare (Confraternità albanese) e asaj periudhe kishte krijuar një vatër të kulturës shqiptare. Të kujtojmë Barletin, Biçikemin, Karpaçin e viganë të tjerë të mendimit e të artit humanist shqiptar dhe të Rilindjes europiane. Dy studiues të huaj, të mirëinformuar, të kësaj periudhe e që kanë shkruar vepra me vlerë si, Johann Fallmerayer dhe Hof (Hoph), kanë pohuar se Lukari, analist i mirënjohur raguzan, në veprën e tij “Analet e Raguzës”, shprehet qartë se kryepeshkopi i Durrësit ka lënë një vepër të shkruar për Skënderbeun. Është fakt se Pal Engjëlli ka vdekur më 1469 dhe se vepra mbi historinë e Skënderbeut u shtyp më 1480, po kjo nuk përjashton mundësinë që dorëshkrimi i tij të jetë botuar si vepër postume (pas vdekjes).
Pikëpyetja kryesore mbetet te vepra e Tivarasit (apo Pal Engjëllit), që nuk është gjetur deri sot. Në kohën kur u botua kjo vepër shtypshkrimi në Venedik, po dhe në mbarë botën, ishte në hapat e para. Kjo nuk është e para vepër incunabula (kështu quhen veprat e botuara nga fillimi i shtypshkrimit e deri në 1500) që ka humbur. Sidoqoftë ne mbështetemi tek studimet e thelluara të Fan Nolit dhe shpresojmë të vërtetohet një ditë vepra dhe autori.
Të gjithë janë të mendimit se prej Imzot Pal Engjëllit pritej një vepër e tillë për Motin e Madh shqiptar dhe kryetrimin e arbërve, Skënderbeun, sepse ai qe një ndër bashkëpunëtorët e afërt të heroit, mik, shok e bashkëmoshatar me te. Ai më mirë se asnjë bashkëkohës i tij, me erudicionin, me atdhetarizmin, me idetë humaniste, mund të shkruante këtë vepër në kujtim të atyre ngjarjeve të mëdha që përjetoi Arbëria, një vepër për brezat që do vinin.
Autor i dokumentit të parë të shkuar në gjuhën shqipe, diplomat, atdhetar, humanist i njohur, Imzot Pal Engjëlli si bashkëpunëtor e bashkëluftëtar i Skënderbeut për çështjen shqiptare ka një vend të merituar në historinë religjoze e kulturore të atdheut.
Imzot Pal Engjëlli ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë së kohës së Skënderbeut me Papatin, dhe konkretisht me Papët, Nicola V (1447-1453) humanist i përmendur, Kalisti III (1453-1458), Pio II (1458-1464) dhe Paolo II (1464-1471), gjatë pontifikateve të tyre.
Enea Silvio Piccolimini, humanist i shquar që më vonë u bë Papë, e çmoi shumë humanistin Pal Engjëlli si prelat fetar dhe humanist.
Dihet historikisht se ky Papë (Pio II) qe nisur për Shqipëri për t’i ardhur në ndihmë Skënderbeut dhe kishte ndërmend të kurorëzonte Heroin Kombëtar mbret të Shqipërisë. Por dihet se Papa Pio II, gjatë rrugës për në Shqipëri, vdiq në Ankonë më 15 gusht 1464.

Dr. Mikel Prendushi
Dr. Mikel Prendushi

Bibliografia

1.M. Barleti – “Historia e Skënderbeut”, Tiranë, 1964 (përkth. prof. Stefan Prifti) fq. 395, 396, 397, 430, 467.
2.N. Jorga – “Notes et extraites per servir à l’histoire des croissades au XV siècle”, Bukuresht, 1915, fq. 195.
3.Fan S. Noli – “Historia e Skënderbeut”, Tiranë, 1967, fq. 245, 251, 270, 120, 159, 170; George Castrioti Scanderbeg (1405-1468) by Bishop Fan Stylian Noli Ph.D., International Universities Press, New York, 1947.
4.Giammaria Biemmi –“Istoria di Giorgio Castrioto – Scanderbegh, Brescia, Giam. Battista Bissimo, 1742 (Biblioteka e Muzeut Shkodër).
5.M. Barlezio – “De vita et Gestis Scanderbeghi Principes, Romae 1508-1510. (Biblioteka e Universitetit Shkodër).
(Shënim i autorit: Në librin tim “Kontribut shqiptar në Rilindjen Europiane” Tiranë 1980, mungojnë humanistët Imzot Pal Engjëlli dhe prifti nga Drishti Dhimiter Frangu, historian i Skenderbeut. Me botimet që po i bën “Phoenix” këtyre dy figurave, plotësohet edhe kuadri i kësaj trajtese).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.