back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Arratisja drejt lirisë… – ngjarje e vërtetë nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Arratisja drejt lirisë…

ngjarje e vërtetë nga Agim Xh. Dëshnica

Ngjyrimet e vjeshtës shtriheshin në ultësira, ashtu si mjegullat e largëta zbardhnin përgjatë kreshtash e në maja malesh.
Ishin kohë të turbullta me lajme të frikshme. Veriu i Shqipërisë, i dëgjuar në Europë për bukurin e madhështinë e bjeshkëve, ngjante midis reve me një burg graniti, ku rapsodët u binin lahutave me këngë për Aga Ymerin e burgosur. Spaçi, Qafë Bari, Burreli, Bulqiza, Rubiku e kishin humbur historinë e hijeshinë e emrit.
Nëse rastisje të udhëtoje në ato vise me kamion, ulur pranë shoferit, të trazonte shqetësimi i fshehtë, kur ai të thoshte, pa e pyetur
-Kjo rruga nga e djatha të çon në minierën e Spaçit, ajo tjetra – në Qafë Bar. Minatorët janë të burgosur, njerëz me shkollë.
Ti e dëgjoje e s’kishe guxim t’i ktheje përgjigje.
Kamioni merrte majtas e djathtas. Honet e ngrysur rrotulloheshin e lëviznin si porta të gurta. Nuk dukej askush. Duhej të hyje në atë ferr të padukshëm, për të mësuar seç ndodhte atje.
 
***
Astrit Drini, i lindur në Tiranë, pasi mori diplomën për gjuhë-letërsi, u caktua mësues në një katund të thellë midis maleve të veriut. Shtëpia, shëtitjet në bulevard, biblioteka e ngrohtë, miqtë e shokët tashti ishin larg, matanë maleve, tutje reve. Megjithatë, në shkollë ai ndihej mirë me nxënësit e vet, teksa e dëgjonin me vëmendje. Shpesh takohej edhe me burrat e atij vendi baritor, ku qielli i pakët dukej si çati e kaltër. Dëgjonte dhe mbante shënime për gjithçka me vlerë, fjalë të rralla, vargje nga këngët epike, gojëdhana e gjë e gjëza. Në mbrëmje në dhomën e vogël ngjitur me shkollën, lexonte deri vonë detyrat e nxënësve, e përgatitej për të nesërmen. Shkruante edhe letra për nënën, sidomos, pasi i ati qe larguar nga jeta. Nuk harronte t’u shkruante edhe shokëve, ose krijonte ndonjë poezi apo tregim. Fshatarët, të lodhur në ato orë, flinin. Kaluan kështu disa vite. Një natë ai dëgjoi zhurmë motori, hapa, trokitje. U ngrit dhe pa nga dritarja operativin e zonës në krye të tre policëve të armatosur. Ua hapi derën ngadalë
Urdhëroni! – u tha. Por, oficeri ia priti qysh në prag
-Astrit Drini, në emër të popullit, je i arrestuar!
Me gazin e mbyllur të degës, ndërmjet policësh të heshtur, udhëtoi në drejtim të panjohur. Makina, pasi eci me tronditje për disa orë nëpër udhën e ashpër malore, vijoi qetë, mesa dukej, nëpër një rrugë të asfaltuar dhe frenoi diku. Astritin e nxorën të lidhur nga gazi, e pasi kaluan nëpër ca korridore të ndriçuar keq, e mbyllën në qeli. Ai e gdhiu natën herë fjetur e herë zgjuar. Vriste mendjen më kot. Çfarë të kishte ndodhur? Ç’paskësh bërë, vallë, që s’e dinte as vetë!? Përse e kishin përplasur aty si një vrasës!? Një natë tjetër e morën policë të tjerë dhe e çuan në zyrën e hetuesit. Ajo ishte me pajisje të zakonshme, telefon, letra e makinë shkrimi. Hetuesi me moshë mbi të tridhjetat, rrinte ulur e shënonte përgjigjet për emrin, mbiemrin etj. Papritur, Astritit iu duk sikur i hodhi në kokë ujë të ftohtë, kur i tha
-Kemi të dhëna se merresh me thashetheme kundër shtetit! Se u lexon nxënësve e djemve të fshatit poezi të dyshimta. Por, nga burime të besueshme dimë edhe se ke menduar të arratisesh!
Astritin e hutuar sikur e përshkoi diçka si rrufe
-Ato që më thatë nuk qëndrojnë! – ia ktheu – Unë jam mësues. Fshati më nderon. Njerëzit e mi presin që unë të kthehem në Tiranë, pas një largimi kaq të gjatë.
Por pyetjet, britmat, fyerjet e kanosjet filluan e vazhduan radhas. Më në fund, duhej të përballej edhe me shpifjet e dëshmitarëve.
Makina e shkrimit nxinte letra me sajime për zyrtarët më të lartë, gjykatësit e prokurorët. Pas torturave, që nuk zgjatën më pak se tetë muaj, i erdhi radha prokurorisë e gjykatës. Iu bë gjyq politik.
Astriti, bir i një patrioti të dëgjuar, u dënua me burg për agjitacion e propagandë, gjë që atij as që i kishte shkuar ndër mend kurrë ta bënte.
 
***
Mirdita me hijeshitë e saj, me emërvende shqip, me male, pyje e livadhe shkëlqente, por Spaçi i kallte dridhmën gjithkujt. Ishte burg, kamp, katakomb njerëzish të gjallë. Fani ditë e natë, rridhte e zhurmonte si Akeronti, lumi i ferrit. Sytë kërkonin në heshtje fajtorët pa faj. Atje, ku tërëçka qe e rrethuar nga gërxhe të ngrysur, kureshtja dhe hamendja kërkonin guvat e rrezikshme. Ai vend ishte një tokë e djegur, e ashpër, e gurtë. Brenda rrethimit me tela jetonin skllevërit e shekullit, bijtë e kombit shqiptar, për faje të çuditshme, me dënime të pabesueshme për nga egërsia. Njëri kishte folur pak si tepër, tjetri pati shkruar poezi të dyshimta! Disa kishin dëgjuar në radio lajme të huaja, apo u mësonin të tjerëve frëngjisht e italisht. Dikush i vetëm paskej menduar të kalonte kufirin, për të kërkuar një jetë më të mirë. Miniera e Spaçit mund të krahasohej me një mal shtresash të pasura piriti, me bakër e ajër mbytës. Të burgosurit hynin në galeritë e nëndheshme me vagona, si “Varka e Karontit”, që lundronte me shpirtra mëkatarësh, për në rrethet e ferrit. Ashtu si cerberët, policët në hyrje të tunelit kotrollonin me rreptësi të munduarit. I vetmi mik i të burgosurve ishte një qen me shpirt njeriu të mirë. Rrinte e luante me ta. Çdo mëngjes i përcillte deri te gryka e galerisë. Ulej atje dhe priste gjersa ktheheshin. Por, papritur një ditë u gjend i vrarë, i goditur me sende të forta.
Për ekzistencën e minierës-burg me emrin Spaç askush nuk fliste. Askush nuk dinte seç bëhej atje. Misteri, si re e zezë, mbulonte gjithçka me heshtjen e harrimin. Edhe në Fjalorin Enciklopedik, Miniera e Spaçit, mungonte. Përmendej shkarazi në zërin Spaç si fshat i vogël e me pak banorë.
Jashtë burgjeve njerëzit shkonin në punë dhe ktheheshin në shtëpi. Të rinjtë shëtisnin në bulevard. Disa hynin në kinema e teatër. Shumë vetë – në stadiume, me thirrje të fuqishme, shfrehnin dufin e mërzisë. Shkrimtarët e poetët merrnin çmime. Artistët këndonin e kërcenin në festivale. Shtypshkronjat ngrinin mure me libra lavdërimesh për regjimin. Për Spaçin-burg s’thuhej asnjë fjalë. Të vetmit që prishnin heshtjen, si përherë, në lartësitë e tokës mëmë ishin shoferët e maleve.
Në pushimet e shkurtëra Astriti shtrihej mbi mineral dhe e merrte gjumi menjëherë. Gjumë me ëndrra, me pamje që ndërroheshin shpejt. Nëna i sillte gotën me çaj të ngrohtë. Motrat lotonin për vëllanë e mirë. Ndonjëherë atij i bëhej sikur i ngjallej i ati, i afrohej e i jepte zemër: “Mbaju, bir!”
Shokët të trishtuar i zgjatnin paketën e cigareve.
 
***
Në kamp Astriti u miqësua me një njeri të mirë, Naim Perlatin, i diplomuar për ekonomi në Budapest. Në universitetin hungarez ai njihej si djalë i zoti e bujar, i cili në prag provimesh drejtonte rrethe studentësh. Me t’u kthyer, u emërua në fakultetin ekonomik. Shquhej si pedagog me aftësira të rralla. Leksionet e kontabilitetit e të financës i jepte lirshëm pa letër para. Lënda bëhej edhe më tërheqëse për studentët, kur shtronte probleme ekonomike me disa variante
Një ditë, pas një pune të lodhshme si këshilltar në Ministrinë e Financave, i paraqiti ministrit një dosje me studime për zbutjen e vështirësive ekonomike. Pas pesë ditësh, e njoftuan të paraqitej në zyrën e ministrit, në prani të sekretarit të partisë, zevendësministrave dhe drejtorëve. Atje e mori fjalën i pari sekretari i partisë:
-Propozimet e tua mbajnë erë revizionizëm, – i tha, – janë kundër vijës së partisë në ekonomi, pra armiqësore! – Ndër të tjera, ai e quajti “rebel hungarez.” Nuk e lanë të fliste. Shfajësimet ishin të kota. Tani duhej vetëm të dëgjonte mendimet e shefave. Në fund të javës e arrestuan brenda në zyrë. U dënua me 15 vjet burg
Astritit, emri i tij Naim, i kujtonte poetin e madh të Shqipërisë. Kishte një natyrë të dashur, me sytë e qeshur e të çiltër. Kultura e gjithanëshme ia ngrinte edhe më lart vlerat si njeri. Pëlqente letërsinë dhe artin. Përkthente lehtësisht vargje nga poetët hungarezë. Në kohën e pushimit ata të dy bisedonin me zë të ulët. Astriti e pyeste shpesh për Budën e Peshtin, Danubin e urat, për rrugën, ku shkrimtari i njohur Molnar krijoi romanin me famë “Djemtw e rrugës Pal”, për vajzat hungareze dhe violinistët virtuozë ciganë. E pyeste për kompozitorin Frans List, për poetët Vëresh Marti e Shandër Petëf, për shumë shkrimtarë të lirisë.
Kur ra fjala për Migjenin, Astriti tha:
-Si do të ndihej në këto kohë me poezitë e veta Migjeni, gjersa me to i pati rënë më qafë etërve katolikë?
-Sigurisht, si shpirt i ndjeshëm, do të dëshpërohej për fatin tyre.
Astriti, pas lodhjes dërrmuese, ulur pranë Naimit, shpesh pëshpëriste vargjet e njohura të Dantes: “Nessun magior dolor che ricordarci i tempi felici nella miseria.” Me këto fjalë të trishta të poetit fiorentin, qetësohej si nga një cigare me duhan të sertë. Njëherë i tregoi Naimit papritur:
-Natën kam nisur të zgjohem nga një ankth i ri. Mendimi i arratisjes nuk më ndahet.
Të dy rrinin ulur pranë pas punës, kur dilnin në diellin e pakët në atë fund tetori. Nga malet, siç tregonte era e ftohtë, po afrohej dimri.
Naimi e pa dhe buzëqeshi.
-Është e pamundur ajo që thua! Shiko rrethimin, rojet me mitrolozë!
-Mendoj të arratisem në punë e sipër, kur ngarkohen kamionët.
-Shumë nga ata që u orvatën të arratiseshin, u kapën, pa u larguar aq shumë. Ashtu ndodhi edhe me ata tre, që, duke gërmuar shtresat e mineralit, u gjendën padashur jashtë rrethimit. Po për nënën e motrat a ke menduar?
U dëgjua çanga për apelin. Biseda u ndërpre.
Gjatë vizitës mjekësore, mjeku i burgut shfaqi mendimin që Naimi dhe Astriti të punonin jashtë. Kaluan javë e muaj dhe ja, Astriti pa një kamion me targat e Tiranës. Shofer ishte Hamzai, një shok i rinisë, vëlla shkuar vëllait. Ndërsa shikonte nivelin e ngarkesës dhe u binte gomave me shkelm, ai tha:
-Nëna e motrat të puthin sytë! Shpresojnë të dalësh nga burgu para kohe!
Kur po hanin supën e zezë, ai i pëshpëriti Naimit:
-Nuk je më kot një profesor i madh. Kam vendosur të mos mendoj më për asgjë.
-Tani qetësohu! Merr e lexo libra e gazeta të kampit, siç bëj edhe unë!
Dhe ja, pas mundimesh, erdhi dita e lirimit nga burgu. Para se të largohej, u takua me shumë vetë. Me Naimin u përqafua me lot në sy.
-Mirë u pafshim! Nuk do të të harroj kurrë! Lirim të shpejtë!
Sapo doli, pa një kamion.
-Shofer! Të lutem, merrmë deri në Milot!
Tek Ura e Matit zbriti dhe shkoi në këmbë për në Mamuras, ku tani jetonin e punonin nëna e motrat. Tërë ditën të ngratat në arat e fermës me bel e shat! Në verë korrnin grurë, pastaj merreshin me mbledhjen e misrit e të perimeve. Kur po ktheheshin nga puna, u befasuan. E panë nga larg, tek priste jashtë. Të tria, të lumtura sa s’ka, nuk i mbanin dot lotët e gëzimit. Pas aq vuajtjesh, larg nga britmat e fyerjet, tani përqafonte njerëzit e tij të shtrenjtë. U kënaq nga bisedat plot gëzim e nga gjellët e shijëshme. Pothuaj i pati harruar. Pyeti për gjithçka. Folën edhe për punën.
Pas tri ditësh, ai u paraqit në seksionin e arsimit.
-Ju e dini, kam qenë mësues! – tha atje – Mund të jap mësim në ndonjë nga shkollat e këtushme.
-Është jashtë mundësive të mia! – ia ktheu shefi. – Të drejtat e tua si mësues duhet t’i kërkosh në Tiranë!
Dërgoi një letër në ministri. Pas një heshtje të gjatë, mbërriti përgjigja: “Çështjen tuaj e kemi në shqyrtim. Mund të gjejmë një vend pune në Martanesh.” Pra, arsimi për të kishte marrë fund. I humbi shpresat. Pa e zgjatur më tej, vendosi të punonte në argjinaturat e Thumanës. Tani pranë familjes, sado i internuar, ndihej i lirë e larg trishtimit. Mund të lexonte libra, madje edhe të shkruante. Papritur, nëna e lodhur u sëmur rëndë dhe nuk jetoi më. U dëshpëruan të gjithë dhe derdhën lot. Pas një viti, motrat, njëra pas tjetrës, u martuan me djem të internuar. Mbeti fill i vetëm. Papritur, nga një i liruar nga kampi i Spaçit, mori vesh se Naimi kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër. U hidhërua dhe qau si fëmijë.
 
***
Një ditë në zyrën e punës Astritit i thanë:
-Objektet mbaruan. Punëtorëve u kemi gjetur punë në vende të ndryshme. Ti do të shkosh në një nga minierat e kromit!
Në qetësinë e natës, sado përpiqej t’i largonte mendimet e trishtuara, ishte e kotë. Mendimi i arratisjes iu zgjua me ankth sërish. Shkoi përsëri në zyrën e punës dhe kërkoi:
-Më dërgoni në Bulqizë!
-Jo! Kemi porosi nga kryetari që të shkosh në minierën e Librazhdit!
Nuk kundërshtoi. Bëri gati plaçkat. Mori librat, letrat e fotografitë, që ishin mbajtur me aq kujdes nga e ëma, la qytezën dhe u nis drejt Librazhdit. Atje e caktuan të punonte për ngarkimin e kamionëve me materiale gjithfarësh. Dhe, veç kësaj, u njoftua se nuk mund të largohej pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme.
Kaloi një vit. Në klubin e minierës pa Hamzanë. Duke kaluar pranë tij, buzëqeshi dhe i tregoi:
-Tani punoj këtu!
-Eh! Ç’fat të mbrapshtë paske pasur! – psherëtiu miku i tij.
Kaluan dy muaj të lodhshëm, në vapë e pluhur. Vjeshta, me ngjyrat e zbehta, erdhi përsëri. Kamioni u duk prapë pranë Astritit. Ndërsa punonte, tha me zë të ulët:
-Hamza, nuk mundem më! Jam i lodhur, sa s’ka ku të vejë!
-Ke të drejtë!
-Shpesh vras mendjen për të ikur nga kjo jetë e rëndë. Rruga për shpëtim mbetet vetëm arratisja.
-E, ja, ike! Ç’drejtim do të marrësh? Është mjaft e vështirë. Duhet shoshitur hollë kjo gjë!
Pas një jave Hamzai i tha:
-Më kanë caktuar edhe mua me disa shoferë, për të hequr hedhurinat e minierës.
Ky është një rast i mirë për ikje!
-Tani – po! – iu përgjigj Hamzai.
-Nesër filloj! Do të përpiqem të bëj diçka.
Astriti sa nuk thirri nga gëzimi, teksa shtrëngonte spondet e karrocerisë ngarkuar me krom.
Në mbarim të pesë ditëve, dëgjoi Hamzanë, tek i thoshte me gjysmë zëri:
-Në rrugën e fundit, kur të bjerë muzgu, futu në vendin prapa meje, me perdet ulur! Rrugës bëj sikur po fle!
Kur kamioni u kthye, Astriti i dha Hamzait çantën me sendet e veta dhe e nisi punën shpëtimtare me gjallëri si asnjëherë. Hodhi poshtë karrocerisë sa me duar, sa me lopatë, dhera, gurë, dërrasa, teneqe, hekurishte të vjetra. Pluhuri mbytës mori përpjetë. Në ato çaste u fsheh në kabinë.
Skoda çeke, duke shfryrë, la pas një re të dendur, si re shtrëngate. Njerëzit bënë mënjanë, thirrën dhe e shanë shoferin, pastaj zunë hundët dhe mbyllën gojën. Pas peshores shoferi mori fletëdaljen e zakonshme: “Mbeturina, ton 10”. Rrugës, duke e ngarë skodën shpejt, vërente i shqetësuar në pasqyrë. Në drejtimin e kundërt u duk një gaz – BÇ. Mandej, njëri pas tjetrit kaluan me zhurmë tre kamionë pa ngarkesë. Shoferi i përshëndeti me fenerët e parë, duke kthyer pak kokën majtas. Po errej. Nën hijen e një mali me pisha, automjeti me motorin e ndezur u ndal.
-Dil! Fshihu! Pastaj ngjitu përpjetë! – i tha Hamzai.
Astriti mori çantën, kërceu jashtë dhe u zhduk sakaq.
Skoda bëri përpara dhe humbi pas kthesës malore. Astriti u bë njësh me shkurret në gjirin e pishave të larta e të dendura. Pas rreth njëzetë minutash, kaloi një skodë tjetër. Një shqarth i trembur rrëshqiti nëpër trungun e një druri dhe humbi nëpër degë. Një mëllenjë e vonuar, e trembur, fluturoi mbi kokën e tij. Të gjitha këto lëvizje e zhurma e bënin të tronditej. Priti sa u err dhe eci në vijë të drejtë, nëpër pyllin, që merrte përpjetë. I ndihmuar nga shkëlqimi i vagët yjor, eci sa i hanin këmbët, pa pushuar, pa ngrënë e pa pirë. Diku përplasi gjurin te një trung, më tej krahun. U shtri pak, t’i kalonte dhimbja. U ngrit dhe nxitoi. Kur shkrepi drita, u bë rrafsh me tokën, nën shkurret e përskuqura, poshtë bredhave, përzjerë me pisha. Në atë gjendje, përgjonte me kujdes, merrte frymë me gojën mbyllur nga një shami e lagur dhe flinte paksa. Ishte një gjumë komitësh. Më së fundi, kur pa se ndodhej mbi kreshtë, mori frymë i lehtësuar. Megjithëse shqetësimi nuk i ndahej, ashtu i fshehur e i shtrirë, vështronte në qiell. Ndihej i lirë. Qetësi e thellë! Asnjë gjurmë kafshësh apo njerëzish! Ftohtë si në janar, edhe dëbora nuk kishte nisur të binte. Hapi çantën, piu ujë dhe hëngri pak bukë me djathë të bardhë me ullinj. Nata ra sërish. Poshtë, aty-këtu, dritare shtëpish të shpërndara ndrinin si yje, por shpejt dritat ndër to u fikën. Tek-tuk ndonjë dritë shfaqej e shuhej ashtu siç këputeshin yjet në qiell.
 
***
Qenia në mal nuk ishte befasuse për të. I kujtohej koha e luftës, kur tok me familjen pati jetuar dy vjet në një fshat nën malet e Shpatit. Bashkohej me moshatarët, barinjtë e vegjël të dhive. I pëlqente të turrej pas dhisë së humbur në pyll me thirrjet “hajt, ca – ca!” Thellë në male, në shtëpinë e kryeplakut, i ati kishte strehuar një kapiten italian, që pati dezertuar nga lufta. Quhej Pepino Foresti. Sado e kërkuan milicët, nuk mundën ta kapnin. Me qylaf mbi kokë, me mustaqe varur mbi buzë, veshur me gunë e shallvare, ai nuk dallohej aspak nga fshatarët e atyre anëve. I pari i shtëpisë e thërriste Ferit. Hera-herës, Astriti i vogël gëzohej, kur babai, tok me burra të armatosur, kthehej në fshat pas shtegtimesh nëpër male.
Në mbarim të luftës familja u kthye në Tiranë. Babanë e vunë të shërbente nja dy vjet në ushtri, në një qendër furnizmi. Atje ai mori në punë edhe kapitenin italian me disa ushtarë, të cilët në vitin e fundit luftuan tok me shqiptarët. U gjeti edhe një dhomë, sa për të fjetur. Në ato vite, anijet e avionët e aleatëve vinin e merrnin robërit dhe i kthenin nëpër familjet e tyre.
Një ditë kapiten Foresti e takoi të atin e Astritit i qeshur.
-Nesër nisem me avion për në atdhe! – i tha.
-Gëzohem shumë! Urime dhe udhë të mbarë!
-Ju keni qenë për mua një engjëll shpëtimtar! Ju pres të vini ndonjëherë në Itali! – Ai nxori nga çanta e i dha fotografinë e vet, tek ishte shënuar edhe adresa e shtëpisë.
-Astriti pasi mbaroi filloren, vazhdoi më tej. Në shkollën e mesme u shqua në mësime. Mësusesit i vlerësonin mbi të gjitha hartimet. Atij i pëlqente të shkruante sidomos për natyrën e bukur shqiptare, sipas mbresave të fshatit në Shpat. Në pushimet e verës, mori pjesë në një marshim nxënësish, që zgjati një muaj, drejt jugut. I kujtohej ecja e lodhshme Tiranë – Berat. Pasi kaluan Qafën e Sinjës, në mbrëmje pushuan në kodrat e Ballshit. Për të mos u lagur nga vesa e mëngjesit, u shtrinë nën disa fiq degëgjerë. Ndërsa sodiste yjet lart, dëgjonte një altoparlant të largët. Gjatë udhëtimit në jug nga një mal në tjetrin, nxënësit flinin edhe në kasolle dhish. Nën zhurmërimë përrenjsh të panjohur, i merrte gjumi lehtë fare.
Vitin tjetër, pasi u shpërndanë dëftesat, maturantët i nisën me kamion për hapjen e një rruge në veri. Nga Miloti mbërritën në katundin e humbur Vablinë, mbi lumin Mat. Atje shihej tymi i oxhaqeve, por jo shtëpitë. As thirrje kaposhi s’ndihej, as blegërimë bagëtish. Nga puna e rëndë, ushqimi i keq e i pakët, fjetja për tokë mbi degë drurësh nën çadrat e grisura, faqe malit, shumica e nxënësve vullnetarë u dobësuan, disa u sëmurën e i çuan me kuaj në Ulzë. Të gjithë u bënë sterrë të zinj si afrikanë, megjithëse dielli në atë vend ndërmjet maleve shkëmborë dilte vetëm katër orë në ditë e pastaj humbte në hapësirë, ashtu si i vetmi avion Tiranë – Moskë. Në mbarim të punës, që niste në tre të mëngjesit e mbaronte në tre pas dite, Astriti me tre shokë, largoheshin nga çadrat. Gjenin vende me gëmusha dhe shtriheshin në bar deri sa ngrysej. Hapnin libra, si “Për bukën e gojës” të Gorkit, që nuk u lexua kurrë. Një ditë mbi kryet e tyre u shfaqën befas tri gra me furka, si tri shtojzovalle. Njëra prej tyre, ajo e mesit, pyeti:
A me Zogjin e Parë jeni, or djelm?
Djemtë u ngritën në këmbë dhe qeshën.
Astritit i kujtohej edhe shkolla e lartë, kur studentët merrnin pjesë në stërvitje e marshime të lodhshme ushtarake larg Tiranës. Ndërsa shkrepëtinte rrufeja, në shi e breshër, ata flinin nën kamionët ushtarakë, apo të mbuluar keq me fletë plastmasi. Në Kaptinë të Martaneshit, në një pllajë të rrethuar me pisha e ahe të lartë, ngritën çadrat. Edhe atje ai vërejti aq qartë yjet e qiellit mbi mal. Dukeshin sikur preknin majat e drurëve. Të nesërmen, si mbaroi stërvitja, u largua me dy shokë nga fushimi, për të parë vendin përqark. Dolën nga pylli dhe zbuluan një hapësirë të pafundme. Qafa, gryka e maja malesh, humbisnin larg në mjegullnajën joshëse. Buzë një udhe kuajsh panë një barakë, ngritur me trungje e dërrasa. Te një tabelë e vjetër, që varej shtrembër, lexuan: “Grumbullim shitblerje”. Hynë brenda. Një burrë i parruar e thatim mbështetur mbi banak, sa i pa tre ushtarët, drejtoi trupin.
-Mirë se keni ardhë, hej burra! – u tha.
-Mirë se të gjejmë e t’u ngjatë! – ia ktheu Astriti.
Të tre hodhën sytë rreth e rrotull, pastaj mbi shitësin.
-A ke biskota apo petulla…?
-Besa, kurgjo s’kam! – buzëqeshi shitësi. – Veç krypë për gjanë e gjallë! Ata të çitetit më kanë çitë prej liste.
Djemtë vështruan njëri-tjetrin e, pasi e nderuan si ushtarakë të vërtetë, dolën në heshtje.
Udhës hasën tre burra të dobët e të verdhë dyllë, me tre kuaj të ngarkuar me dru. Askush prej tyre nuk ua ktheu sytë. Tek largoheshin, u ngjanin hijeve. Vetëm natyra e bukur ishte treguar bujare me ta, me drurë, ujë e ajër të pastër.
 
***
Astritin, nga një anë jeta e mundimshme, nga ana tjetër burgu e kampi, e kishin mësuar me vështirësitë. Duke menduar, ai shqetësohej për gjithçka. Ç’bëhej në minierë? Me siguri, mungesa e tij kishte rënë sy. Do t’u qenë sulur automjeteve nëpër xhade, duke kërkuar letër-njoftimet e udhëtarëve. Ndoshta do të kishin pyetur edhe shokun e tij. Kur kujtoi motrat, pati një therje në zemër. Kaloi në mendje gjithë rrugën që kishte lënë prapa, qelinë, kanosjet e çirrjet, hetuesit, burgun dhe minierën e frikshme.
Herët në mëngjes, ajri qe i ftohtë, por i pastër e i qartë. Pasi largoi kujtimet, hapi hartën brenda shkurreve dhe u njoh me vendin ku do të kalonte, si dikur ushtar. Vendosi: “Duhet të dalë tek mali kundrejt me borë shekullore, aty – këtu mbuluar me shkurre. Kufiri kalon mbi të. Atje nuk ka postë kufitare, ndoshta as roje me qen kufiri. Por, mbase edhe mund të ketë, se do të jetë dhënë alarmi kudo. E, pra, duhet ta lë kalimin për natën vonë, kur asnjë frymë e gjallë nuk lëviz.”
Po e ndjente veten si luftëtar lirie. Për të arritur deri atje, duhej të ulej poshtë me kujdes nëpër terr, larg udhëve, shtëpive e staneve. Duheshin kapërcyer disa përrenj, që nuk ua dinte emrin. Priti errësirën dhe u nis. Yjet e ndihmuan të ecte më tej e të mos binte në ndonjë humnerë. Më në fund e kuptoi se kishte arritur në pllajë. Befas, shquajti një flakadan, që lëvizte drejt tij. Ra për tokë nën një shkurre. Ndaloi frymëmarrjen dhe shtrëngoi në dorë një kaçavidë të mprehtë. Kishte dëgjuar nga një i burgosur, banor i atyre anëve, se disa hapësira të shkreta të kufirit ruheshin nga fshatarë vendas të paguar. Flakadani, duke sajuar një hije të gjatë, iu afrua dhe qëndroi pothuaj mbi kokën e tij. Dukej sikur mendohej. Pastaj u largua shpejt e shpejt. Ai ndenji i shtrirë rreth një orë, hetoi me vesh, u zvarrit si në zbor, u ngrit pak dhe eci me kujdes nëpër tokën rrëshqitëse në drejtimin për ku qe nisur. Kur arriti buzë një tatëpjete, i ngjeshi mirë hapat mbi tokë.
 
***
Eci e eci pa ndaluar dhe në të zbardhur qe futur në një pyll të dendur, ndryshe nga toka e zhveshur që kishte lënë prapa. Eci sa u bë ditë me diell. Në disa trungje pa të gdhendur disa emra sllavë. E ndjeu se e kishte kaluar kufirin. Këngët e këndezëve e njoftuan se ndodhej pranë një fshati. Dëgjoi me vëmendje zëra, të folura shqip. Të binte në dorë njerëzish të mirë, ishte një fat i madh. Në një rrugë pa një fshatar me kazmë e lopatë, që mbushte gropat me zhavor. Në çast e hëngri dyshimi: “Po sikur ky të jetë mik me kufitarët shqiptarë?” Mori zemër e i tha:
-Tungjatjeta, or mik! Puna e mbarë!
Fshatari ndali punën dhe e vështroi djaloshin e lodhur. Mjekra e parruar, mënyra si fliste, tregonin se kishte bërë udhë të gjatë.
-Mbarë paç! Nga vjen kështu?
-Nga Shqipëria.
-Ke ikur?
-Po, besa! Siç më sheh! Kam disa ditë që udhëtoj. Jam i lodhur dhe i pangrënë.
-E shoh! Urdhëro në shtëpi!
Astriti u qetësua, kur kujtoi se në ato fshatra shumë vetë ishin pritur me bujari. Shqiptarët e Maqedonisë e dinin se ç’ndodhte në atdheun amë.
“Më duket shpëtova nga e keqja më e madhe!” – mendoi.
Pas postës, do të binte në duart e oficerëve maqedonas, apo serbë? Tashmë ishte në këtë botë një i huaj, i arratisur e i panjohur. Çdo gjë mund të ndodhte. Afër Strugës, në një zyrë e morën në pyetje pesë oficerë maqedonas, ndër ta një civil slloven. Gjuhën shqipe e njihnin të gjithë për bukuri. Pyetjet u bënë pa përkthyes. Megjithatë, çfarë t’u thoshte oficerëve kureshtarë një mësues, herë i harruar thellë në male, herë i burgosur e së fundi i internuar në minierë? Slloveni u befasua, kur mori vesh sesi ai shqiptar i ri me shkollë të lartë, pati vuajtur aq shumë për shkak të poezive romantike.
-Pas disa javësh, do të shkojmë bashkë në kampin e refugjatëve shqiptarë në rrethinat e Lubjanës! – i tha
Astritit iu desh të priste edhe një muaj afër Ohrit, pastaj udhëtoi drejt kampit. Atje, pas dy javësh, mbërriti përfaqësuesi i konsullatës italiane. Atij nëpunësi fisnik me pamje të qeshur, i tregoi të vetmet dokumente që kishte, letër-njoftimin dhe fotografinë e Forestit.
Ky këtu është një oficer italian i luftës. Ja, emri dhe adresa! – i tha.
Pasi ndenji dy muaj në kamp, një autobus blu erdhi dhe mori tridhjetë vetë, ndërmjet tyre edhe Astritin. Kur trari vija-vija i kufirit u ul pas shpine, do të thoshte se kishin kaluar në botën e lirë. Mori frymë i lehtësuar, pas aq tronditjesh shpirtërore e fizike, si të kishte dalë nga thellësia e ferrit.
 
***
Udhëtim i këndshëm përmes fshatrave dhe në rrugët e asfaltuara të Triestes. Autobusi frenoi para një hoteli të bardhë gjashtëkatësh me emrin Kontinental. Ndërsa po pinte kafen, vuri re kamerierin, që po shoqëronte drejt tij një vajzë të hijshme bionde, një djalë të gjatë me pak mustaqe dhe shoferin e tyre, një burrë të shëndoshë me kapele. Ata kishin pyetur për të. Me ta takuar, i treguan një zotni pak të hequr, të veshur thjesht, por pastër, ulur pranë dritares…
Shoferi mbylli me kujdes dyert e veturës “Ferrari”, ku kishin zënë vend tre vetë. Makina elegante u shkëput pa zhurmë nga vendi dhe u largua nga qendra e qytetit.
Astrit Drini u zgjua nga drita e mëngjesit në një vilë të rrethinave të Triestes. U la, u vesh mirë e bukur, doli në paradhomë, u ul në kolltuk dhe ra në mendime. Dje e kishte pritur plaku i shtëpisë Pepino Foresti. Në lirim ai pati dalë me gradën gjeneral, pasi kishte shërbyer në qeverinë e De Gasperit, si edhe në disa qeveri që erdhën më pas. Qenë përqafuar si miq të vjetër dhe kishin biseduar gjatë.
Ja, ç’vlerë ka fotografia e viteve të shkuar! – kishte thënë Foresti. -Kur ma treguan, thërrita nga habia dhe gëzimi. Më vjen keq, shumë keq, që nuk do ta takoj kurrë babanë tuaj, atë njeri të mirë, që më shpëtoi jetën. Me sa shoh, ju i ngjani nga sytë dhe balli.
Tani, ndërsa dera po hapej ngadalë, Astriti dëgjoi përshendetjen e njerëzishme, që veç nëpër filma e pati dëgjuar:
-Buongiorno, giovanoto! Avete dormito tranquilo?*
Djali u ngrit menjëherë në këmbë para plakut të thinjur.
-Buongiorno, generale! Sono felicissimo che ci trovo sano e salvo qui, nella vostra amichevole casa.**
-Gracie!
Ndërkohë shërbyesja u solli kafetë. Me filxhanin e bardhë në dorë Foresti vijoi:
-Sinjor Drini! Mendoj se ju këtë vit duhet të bëni një kurs në Milano, për zotërimin e italishtes. Vitin e ardhshëm do të studioni për letërsi në Rimini. Pasi të merrni diplomën, do të jepni gjuhën e letërsinë shqipe në shkollat tona. Të mirat e tjera vijnë më pas.
Astriti dëgjonte e falënderonte Zotin dhe njeriun e shtëpisë. Fjalët i ishin prerë. Ai, ndonëse kishte përballuar e duruar aq prapësi, tani para plakut të thinjur, por burrëror, dukej si fëmijë. Kishte lot ndër sy…
Gjatë studimeve nisi ta digjte malli për njerëzit e dashur në atdhe, për ata që vuanin e vriteshin nëpër kampe.
Pasi u diplomua, në ditë të veçanta u jepte studentëve arbëreshë e italianë, të lexonin në shqip poezinë e burgut:
O ti, o Orë e malit, pse rri këqyr më kot?
Rrudh ballin e menduar, e n’faqe të rrjedhin lot!
Po pse i prane këngët, moj shtojzovalle e bukur,
mes drurësh e hutuar, e heshtur e përhumbur?
 
O shqipe e lirë mbi kep, me sytë e turbulluar,
prej sqepit vrer të del nga ankth i përvëluar…
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.