back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Arratisja” e mbetun në “Tentativë”… Don Nikollë Mazrreku (1912-1996)

Gazeta

Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani
Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani

“Arratisja” e mbetun në “Tentativë”…

Don Nikollë Mazrreku (1912-1996)

nga Fritz Radovani

Në 45 vjetorin e “Revolucionit Kultural”…

Jam shumë i sigurt, se mbas pak vitesh ngjarjet që kemi jetue para 45 vjetësh në periudhen e “Revolucionit ideologjik dhe kultural” të vitit 1967, jo vetëm nuk ka me i besue njeri dhe as me i kujtue si ditët ma të zezat apo të mnershmet në jetën e atyne njerzëve që kanë pasë rrezikun me u përfshi në Gjenocidin e PPSh, kundër popullsisë katolike, por dhe kanë me u quejtë fantazi “artistike” e atyne që kanë shkrue ose tregojnë çka kanë kalue ata vetë… ndër ata vite aq të vështira të jetës së “lumtur” që solli Partia.
Mbas “prishjes” me sovjetikë, në vitin 1961-’62, Shqipnia komuniste nuk pranoi me ba ndryshimet që ua kërkoi kampi socialist, i quejtun nga Enver Hoxha “revizionist”, mbasi ata rrezikonin kolltukët e udhëheqësve të PPSh, e mund të sillnin edhe ndryshime, gja me të cilen nuk pajtoheshin çifligarët e shtetit shqiptar, që tashma Shqipnia ishte ba një çiflik i tyne… ku mbi 2 milion shqiptarë punonin vetëm me mbushë xhepat e tyne.
Fushata kundër Fesë dhe Klerit Katolik në veçanti arritën në kulmin e tyne në atë vit kur u shpall nga E. Hoxha “Fjalimi Programatik” i 6 Shkurtit 1967.
Byroja Politike e KQ të PPSh filloi zbatimin e projekteve disavjeçare të mbetuna në sirtarët e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, prandej edhe “Revolucionin” do ta drejtonte vetë udhëheqja e PPSh, pra çdo vendim do të buronte nga Byroja Politike dhe do të kontrollohej në bazë nga antarët e saj, bie fjala, në Shkoder erdhi vetë Ramiz Alia për këtë qellim.
Mbas “demaskimit” ndër mbledhje lagjesh dhe arrestimit të Don Mark Hasit, At Pjeter Mëshkallës, At Gegë Lumës e At Gjergj Vatës, me të cilët u veprue me bujë tue grumbullue plehun e gjithë Shkodrës ndër ata mbledhje, dhe tue zbulue haptas fëtyren e vet anadollake kunder Fesë Katolike, e cila “ishte bërë pengesë për ndërtimin socialist” në Shqipni, Byroja Politike si duket filloi me kuptue se Populli nuk asht i knaqun me këtë formë që po veprohej, kështu, jo ma me mbledhje e ceremoni në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, filloi me ba arrestime klerikësh ndër lagje, fshatra e kooperativa bujqësore…
Tue kalue krejt rasisht në Gjuhadol, me që filloi me rigue pak shi, u ndaluem me mikun tim Sandër Troshani nën ballkonin e shtëpisë së Dabërdakut, përballë Kishës së Motrave Stigmatine, që filloi të thirrej klubi “Rinia”, ku zhvilloheshin edhe gjyqet kunder Klerikëve Katolikë, që “vazhdonin veprimtarinë e tyre armiqësore kundër pushtetit”!..

Dom Nikoll Mazreku (1912-1996)
Dom Nikoll Mazreku (1912-1996)

Edhe pse shiu randohej, shiheshin disa “fytyra” të njohuna agjentash të Sigurimit të Shtetit në lëvizje andej nga klubi, ku nuk vonoi me ardhë edhe një kamjon i vogel me disa policë, që zbriten, e mbas tyne dhe dy Burra të pranguem, që i sollën aty për me u ba gjyqin. Ishin Don Nikollë Mazrreku dhe At Zef Pllumbi, të cilët i njifnim prej shumë vitesh… Edhe na provuem me u afrue aty. Nji polic na ftoi me hy, por me u ngjitë nalt ku ishte pa u prishë vendi i korit të kishës, mbasi poshtë ishin vendet e rezervueme per “të ftuarit”… qё iu shikeshin duert nga duertrokitjet e vazhdueshme…
U ngjitëm. Ishte hera e parë që hyja në sallen ku zhvillohej një gjyq politik. Për pak minuta unë nuk e kisha pa veten, por ma vonë më pat shpjegue Sandri, sesi më kishte vrejtë ndryshimin e ftyrës dhe njëfarë shqetsimi të pakuptueshem nga ana ime.
Filloi gjyqi i dy klerikëve “Armiq të Popullit”, që jo vetem kishin “propaganduar” kundër pushtetit popullor, “Revolucionit kultural” dhe ndalimit të Fesë nga “vetë” Populli Shqiptar, por edhe mbasi nuk kishin gjetë “vrimë ku të futnin kokën e tyre, kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi… të dy bashkë…”.
Ajo që më ka mbetë e pashlyeme në kujtesen time, asht gjakftohtësia e Atyne dy Burrave kur çoheshin me folë, tue mos iu ba përshtypje fare thanja dhe përsëritja disa herë nga prokurori Faik Minarolli dhe kryetari i gjyqit Nuri Resmja, se “neni me të cilin ju akuzoheni për tradhëti të naltë… përfshin edhe dënimin me vdekje.”

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Asnjeni as tjetri nuk ndryshonin as zanin, as ftyrën, kur çdo fjalë që thonin Ata të dy ishte pa asnji dyshim e peshueme dhe e mendueme mirë, po edhe e shfaqun me guxim e pa pikë frike nga vendimi që mund t’ju jepej, “me pushkatim!”. Nënza, mbasi s’kishim njeri pranë, u solla e i thashë Sandrit: “Më duket se kujtojnë se janë tue predikue!!”
Erdhi një moment që Don Nikollit, sa njeni sa tjetri, filluen me i pré fjalën… Ishte fjala per letrën që i ka shkrue Kordinjanos me pseudonimin Nik Barcolla, kur ai kishte fye Popullin Shqiptar, por nuk ishte mjaftue me kaq, por edhe kishte shkrue kundër nji figure tjetër, Bismarkut të Gjermanisë, kur i pat thanë nji delegacionit nga Shkodra: “Ju Katolikët Shqiptarë, sa rrini e vueni nën sunduesit otomanë, që keni mbi krye në Shqipni, pse nuk ktheheni edhe ju Muslimanë e me shpëtue nga persekutimi i tyne?”… Don Nikolli kishte ba nji studim të plotë, ku jo vetem tallej me idenë e Bismarkut, po në përputhje me idenë e tij, tashti Don Nikolli vinte pikpamjet e “Revolucionit Kultural”, që po na detyron “ose me u ba Musliman, mbasi me ta ju nuk po keni probleme, se nuk keni as arrestue dhe as demaskue asnji Hoxhë, por tue na dhunue kësisoji si po veproni me né Katolikët, na nuk kemi rrugë tjeter, vetëm me ikë dhe me ua lëshue Shqipninë ju!”
Prokurori mendoj se e zuni Don Nikollin “mat” dhe filloi me vrritë për “arratisjen”.
Don Nikolli me dashje “harron” rrezikun e jetës nga neni i arratisjes dhe fillon me i shpjegue se “çka quhet arratisje në Shqipni, dhe çka quhet tentativë në kodin penal?”
“Dy të rijtë shumë të lumtun, mbasi kanë realizue edhe qëllimin e dashnisë së tyne dhe janë fejue, kanë dalë një të dielë mbrame me ba xhiron e parë në Fushën e Çelës…
Të gjithë çka janë n’atë pjacë sjellin kokën me shikue çiftin e ri të lidhun bashkë krahperkrah, që u duket se gjithë bota asht e tyne. Harrojnë me përshndetë të njohunit, se rrinë tue shikue sytë e njenitjetrit, kah endè nuk i besojnë realizimit të andrrës së tyne…
Ndigjohet zhurma e nji aeroplani që po fluturon shumë nalt…
I fejuemi pyet vajzën: A do të pëlqente me pasë me hypë në aeroplan dhe me pa Shkodrën si duket tash natën nga nalt? – Ah sa e knaqun do t’ishe me ngja kjo gja! – Iu përgjegj vajza tue mbështetë kryet për krahun e djalit që nuk ngihej tue shikue…
Nji agjent i juej, i denoncon dy të rijtë në Sigurim për sa kam ndigjue.
Ju ata dy të rijtë qё “fantazojnё” i dënoni nga 25 vjet burg për tentativë arratisje…
A ky asht Kodi Penal me të cilin do të na dënoni edhe né…?!”
Don Nikollë Mazrreku, ka ba 37 vjet burg e interrnim…
U mbyll ajo seancë e nuk kam shkue kurrëma me hy ndër salla gjyqi…
Melbourne, 2012

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.