back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Arrestimi në Melgushë… Zef Pllumi (Rrno vetëm për me tregue 2)

Gazeta

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

Arrestimi në Melgushë…

Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue (pjesë të zgjedhuna 2)

Në muzgun e datës 11 Dhetor 1946, mbrrijta në Melgushë.
Nuk ishem kenë kurr në shpi të axhës, por aty në shpijat e para të katundit pëveta. Robt e shtëpisë filluen me më pvetë: në cilën rrugë erdhe: këndej o andej? A të pá kush? Çka të tha, etj. Mbasi u err mirë erdhi axha. Kur më pá nuk u ligshtue hiç, por u mundue me më largue të keqt me buzqeshje edhe mue: Nuk ka gajle, – tha ai, – shka ka mendjen me ardhë mâ mirë të vijë herët se vonë; i rí je, shkollë ke: Zoti e ban mirë, ti kujt keq nuk i ke bâ. Mos u ban marak: gjithshka rregullohet vetëm mjekrra e qoses, ajo jo! Por mbas pak minutash ai filloi me më pvetë për gjithshka na kishte ndodhë gjatë atij mueji që Kuvendi ishte kenë izolue. Axha im i njifte të gjithë fretënt: ishte në nji datëlindje me Fishtën e dashamir i zgjedhun i tij. Ishte nji malsuer analfabet, por kishte nji përvojë të madhe, e cila e kishte miqsue si me njerzët e shkolluem e të dijtun, ashtu edhe me doket e kanunet e maleve, e me tregtarët e matrapazat e qyteteve.
-Po si, – tha, – Dul Bazhdari u paska pasë në dorë? Paa, çfarë horr horrit asht kenë, e tash asht bâ pashë me tupa?! Nuk kanë thanë kot dikur se kur bahet magjypi pashë, vret t’anë! E po tash ka ardhë koha e horrave: nuk pin ujë ma as i dijshmi e i mendshmi: as shkolla, as shpijat e mira: duket se don me i ardhë fundi dynjasë. Megjithkte si kam pasë ndie prej fretënve të vjeter – para se t’i vijë fundi botës ka me fitue gjithkund feja e Krishtit.
Ndërsa fliste axha, un rrijshem tue kqyrë unat e zjarmit në oxhak ku flakët e xixat e gjalla hidheshin, fluturojshin, uleshin, ndezeshin e shkimbeshin, luftojshin e kapërtheheshin gadi si mendimet e mia.
Mendja ime nuk rrahte te fundi i botës, por dikund mâ afër. Ndër ato flakët, xixa e tym un shifshem historinë e mbarë njerzimit që përfundon në hi. Duket se axha më vrejti se nuk e kishem mendjen te fjalët e tija e më pveti:
-Shka ke? Pse po e kqyr zjarmin ashtu? – Ti je trishtue! Hiqi mendimet! Jeta duhet marrë ashtu si vjen e jo ashtu si e dëshirojmë na! Vetëm Zoti e din se shka bahet!
N’atê kohë hini djali i madh i tij mbasi kishte rehatue delet në vathë e tha:
-Ka fillue nji cigrimë.
-Lene cigrimën – i tha i ati e hajde falu me djalin që na ka ardhë në shpi! – Mandej i tha: – Nesër në nade ke me ia lanë berret Tomës e ti del në pazar në Shkodër me i blé tesha djalit, se tash që e kanë mbyllë kuvendin e fretenve ky nuk mund dalin mâ me kët zhgun.
-Te kush me i blé teshat? – e pveti Ndou.
-Bleji ku të jenë mâ të mirat. Se mandej axha tash kërkon me i gjetë nji nuse të mirë. Si të fryjë era sielli shpinën.
Un nuk fola, por kur e ndjeva kët shprehje të popullit u tmerrova në shpirt: si mund jetojë njeriu pa nji ideal, por vetëm si të fryjë era? Prap këtu më duel era: era ajo që fryn, ajo, që vetëm ajo sikur asht jeta!
O Zot! Ajo e ambël dhe e butë bjen dashuninë e pranverës: ajo bjen edhe rrebeshet e stuhitë!
N’e nesret mbramje kushrini im pruni nji palë tesha të reja fring. Kishte blé edhe të tjera sende që duheshin. U vesha e u mbatha, megjithkëta më dukej vedja si i zhveshun, pa at zhgunin françeskan.
Axha më muer e më shoqnoi gjithkund rreth e rrotull shtëpisë; te ksollat e lopve, te vathnat e deleve, te tharku i thive, te pulat e bibat. Nji jetë krejtsisht primitive. Axha më dukej taman si nji prej patriarkve të Biblës, nuk po thom si Abrami, por së paku si Jakobi: taman si Jakobi me ato dishire e ndjenja, me atê dashuni për familjen, fëminë, pasuninë, bagëtinë e tokën e begatë me të gjitha frytet. Natyra të çon te Krijuesi, te Zoti i gjithpushtetshëm. Vetëm atij i kjoftë lavdi! Por që ta shijosh at jetë patriarkale duhet të jesh poet! Un n’ato çase ishem larg çdo poezie.

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

Me datë 13, në mbramje, erdhi tinëz në shpi kryetari i kshillit dhe tha:
-A keni ndonji njeri të mshefun? Sepse kanë ardhë ata të Sigurimit dhe thonë që këtu në Melgushë ka ardhë me u mshefë nji francez.
-Ç’asht mor ky francez? – pveti axha.
-As un nuk e dij, lum kumbara. Por u thashë: rrini sonte këtu te un se keni zjarm me u nxe, mbasi filloi nji cegëm e fortë, kemi edhe mish e lakna e nji pikë raki.
-Prandej në kjoftë se keni ndokënd të mshefun në shpi, lum kumara, jepi rrugë se nesër vij shpi për shpi tue kontrollue me ata të Sigurimit.
Mbasi duel ai, u kthye kushrini im e më thotë se të kërkojnë ty. Në kjoftë se e ndjen vedin ngushtë, hajde të dalim në mal.
-Çka janë kto fjalë? – tha axha.
-U pá puna se kët duen me e arrestue, atëherë sa me hî në burg mâ mirë dalim në mal e jetojmë të lirë. E dij që kanë me na e djegë shpinë, por të hjekim keq si të gjithë tjerët.
-Un, – thashë, – nuk i kam bâ kurrkuj keq deri sot. Prandej as nuk më shkon mendja me u bâ fajtuer tue dalë sonte në mal: ky do t’ishte faji mâ i madh me i dhanë shkas me u bâ ju ndonji dam.
-Jo, mos thuej ashtu, – tha axha – Na jemi tuejtë e ti i joni e duhet me dekë për njani tjetrin me bâ me e kërkue nevoja. Fol bir: Sot je i zoti i vedit e ban si të duesh: qe tek e ke djalin gadi: ban si ta marrin mendja.
-Mendja ma merr me ra e me fjetë, mandej nesër ditë e ré, nafakë e ré, e u baftë si ka thanë Zoti. Por u la amanet me m’i ruejtë këtë shkop edhe “Lahuten e Malsisë”: m’i rueni si dritën e synit.
Ramë me fjetë. Un ishem i lodhun e i trishtuem: më kapi gjumi shpejt. U zgjova pas dalë drita. Tue kthye prej tualetit të mëngjesit krisi dera e shtëpisë. U zgjuen tremshëm të gjithë. Hini kryetari i kshillit bashkë me tre ushtarakë. Ai i pari i tyne pveti:
-A gjindet këtu te Pashko Toma francezi Zef Pllumi?
-Jam un.
-Ti je? Kam nji skjarim deri në Postë të Bushatit: Do kthejmë persëri. Merri gjithshka të keshë.
Kur kaluem oborrin e shtëpisë ata nuk e lejuen mâ kushrinin që të më shoqnonte, as axhën. Ky u tha:
-A mund t’ia jap dorën e ta puthi djalin tim?
-Jo, – i tha kapteri, – do të kthejë përsri këtu.
Axha im, ashtu i gjatë siç ishte, ngriu qiri në kambë dhe kqyrte mue. Solla kryet: e pashë se atij burri 76 vjeçar, i shpëtuen lotët ndërsa duert i çoi nalt me iu lutë Zotit.
Pa kalue mirë katundin Melgushë, ishin dy mullarë sane. Aty u ndalen e i thanë kryetarit të këshillit:
-Deri këtu je ti: nuk të lejohet që të vijsh ma me ne.
Mandej m’u suellen mue:
-N’emër të popullit je i arrestuem! Duert lart!
Un çova duerët nalt. Atëherë njani më kontrolloi gjithë xhepat e të gjitha ç’ishin i bashkoi në nji, ndërsa nji tjetër nga mullarët nxuer nji tel hekuri dhe m’i lidhi duerët mbas shpine, jo sikur t’ishin duer njeriut apo kafshe së gjallë, por sikur t’ishin dy copa drunit.

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

Kryetari i kshillit, ai katundari që kishte ardhë në shtëpi të axhës nji natë para, kqyrte i shtang në kambë. E pashë se edhe atij i shkuen lotët për faqe. Çoi sytë nalt kah qiella.
Me duer të lidhuna mbas shpine me tel sane mbrrijtëm deri te Posta e Bushatit. Aty më shtinë në nji birucë, ndërsa ata të katërt hynë me u ngrofë te stufa për nja nji orë. Mbas nji ore më nxorrën prej biruce dhe më lexuen nji procesverbal në të cilin thohej se komandanti i postës së Bushatit kapter X, i shoqnuem prej filanit e filanit, kontrolluen në befasi shtëpinë e Pashko Tomës dhe gjetën të mshefun francezin Zef Pëllumbin, të cilin mbasi e arrestuen e i banë kontrollin e imët, nuk i gjetën kurrnji dokument tjetër përveç nji libri në gjuhën frëngjisht.
Ngarkohet filan rreshter që ta dorzojë në komandën e rrethit Shkodrës.
Kishin vû edhe emnat e tri rojeve tjera, që do t’na shoqnojshin deri në Komandë.
Sikur mos t’i kishem duert e lidhuna mbrapa aq fort me tel, që më shkaktonte dhimbje të mdha, un do të kishem qeshë të madhe për çka shkruhej në atê procesverbal. Fjalen françeskan e kuptojshin për francez; ndërsa librin e lutjeve në gjuhën latine për frangjisht. Ishte e kotë me i qortue mbasi nuk kuptojshin kurrgjâ.
U nisëm për Shkodër, 13 kilometra në kambë: printe nji roje, dy tjera anash e rreshteri mbrapa. Ishte 15 Dhetor 1946: nji ditë e cigrimtë me diell e veri e me të ftohtë. Pak gja para mesditet mbrrijtëm në komandë.
Atëherë ajo ishte në at shpinë që i kanë thanë “Hoteli i Mishiqit”, ku atëherë bahej pazari, pak gjâ përtej lulishtës “Luigj Gurakuqi” – sot aty afër gjindet Universiteti i Shkodrës. Më shtinë aty mbrendë: ndigjohej vetëm zhurmë kangësh partizane! Ishte nji korridor e nji shkallë nga ku uleshin e ngjiteshin ushtarakë pa mbarim. E dijshem që prej disa muejsh se atje poshtë në podrum kishte me qindra të burgosun. Nuk gjetën kurrnji oficer që të më merrte në dorzim, por mbas insistimit të rreshterit të Bushatit më muer kapteri i rojës, i cili më dërgoi aty afër derës ku ishin dy vetë prej Krajet: nji grue edhe nji djalë: të dy i kishin kapë aty në pazar o për hajní ose batakçillek. Gruen me qyp tëlynit e lëshuen mbas nja dy tri orësh: ndërsa at djalin që kishte dy qypa e mbajten gjithë natën: nuk e kishin lidhë. Mue më kishte kapë gazepi për me derdhë ujë, ishem në pikë të hallit, sepse duerët i kishem të lidhuna mbas shpine. I thashë atij djalit që të ma zgjidhte telin sa të bâjshem ujin dhe mandej të m’i lidhte duerët, por ai nuk ndigjoi. Un thirra Kapterin e rojës e i lypa me dalë në tualet e ai m’u përgjegj: “Bëje aty!” dhe mbylli derën. Thirra kot disa herë: nuk përgjegjej kurrkush.
Ai djali derdhi ujin në qoshe të dhomës. I bana lutje përsri. Ishem në hall të madh: nji torturë e padurueshme. Un gjithnji iu luta atij djalit që së paku të m’i zbërthete pullat e pantallonave përpara, por ai nuk ndigjoi në kurrfarë mënyre, por më tha si kapteri: “Bane aty!” Ishte kenë aq i pamshirshëm. Gjithë natën e kalova tue u dridhë e tue u hjedhë prej dhimbjeve të mëdha: uji në njanën anë e duerët e ajuna për gazep.
Pa dalë kund drita filluen tronditje, zhurmë dhe të thirruna: “Shpejt, shpejt!”: shungullonte gjithë shtëpia poshtë e nalt. Ishte orari i tualetit të burgosunve. Edhe un i krisa derës me shtjelma. Aq zhurma të mdha ishin në atê shpi, sa shtjelmat e mij nuk ndigjoheshin fare. Dikur u qetsue puna. Ushtarakët filluen t’i thirrshin shoqishojt. Përfitova e i rashë derës aq shumë sa ai kapteri i rojës erdh menjiherë:
-Kush i bjen? Edepsyz! Hapi derën e tha:
-Kush troket?
-Un, më qit në nevojë.
-Ja, që ka mbaruar orari: unë tani e dorëzoj, por thuaji atij tjetrit, dhe e mbylli derën me tërbim.
I ndigjova edhe dorzimet. Me atê djalin e qypave un nuk fola ma kurrgjâ, mbasi nuk e pat aq mirsí sa me m’i zbërthye pantallonat përpara. Por ai filloi me i ra derës mâ zí se un. Dikur erdh ai kapteri X tjetër:
-Kush i bjen kështu?
-Un, i tha ai: thuej oficer X.
-Aaa… ti je, që të kanë zënë me mjaltë të vjedhur? Të pruri rreshter Y?
-Rreshteri tha se e kam vjedhë, por ky asht mjalti im.
-Merri qypat, dhe hajde ta shofim punën.
Atëherë un i thashë:
-Zotni komandant, jam tash 28 orë pa dalë për ujë; jam tue plasë!
-Kush të ka arrestue?
-Posta e Bushatit.
-Ja, që un nuk kam asnji shënim nga Posta e Bushatit. Prit.
-Po un kërkoj me dalë në nevojë se mbarova.
-Thuaji nënoficerit të rojës.
Ai shkoi me gjith atê hajnín e qypave të mjaltit.
Njatje vonë, kah ora 10, ndigjova zanin e Dul Rrjodhit kah përshëndetej me kapterin e rojes. Un atëherë i krisa me shtjelma aq shumë derës sa ata bërtiten:
-Kush troket?
Un vazhdova me i ra derës me shtjelma. Erdh kapteri me gjith Dulin:
-Hëëë! Zef Pllumi këtu? Po kush të ka prû ty Zef këtu?
-Dul, mbarova: më nxirr në nevojë se jam tash 30 orë pa dalë.
-Tash, tash, mos u mërzit.
-Dul, të lutem m’i zgjidh duerët se nuk i kam ma të mijat: mbarova.
-Tash, tash, mos u mërzit o pllumb.
Ai u largue. Un mbeta gjithnji vetëm. E ndigjova se u ngjit shkallëve; e ndigjova edhe kur u ul e i tha kapterit të rojës: “ma bini atje”, mandej duel.
Mbas nja nji gjysë ore të gjatë që pritshem tanë ankth për me shkue në tualet, erdh nji reshter, hapi derën dhe me nji leter në dorë pveti: Ti je Zef Pllumi?
-Po.
-Para!
-Më tha oficer Duli që thuej nenoficerit me të dërgue për nevojë.
-Atje, kur t’arrijsh te Oficeri, ai e din.
-Zotni nënoficer, un jam tue plasë: kam 30 orë që nuk derdh ujë: të lutem!
-S’ka lutje këtu: Para!
Më shoqnojshin tre ushtarë dhe reshteri mbrapa: të gjithë me pushkë të ngrefuna. Ata më suellen nëpër rrugën kryesore të qytetit, që populli të më shifte se si ishin bâ duerët e mija të lidhuna mbas shpine me tel. Pashë shumë që më njifshin: disa sjellshin kryet në anën tjetër, ndërsa tjerë bâjshin se nuk shifshin. Vetëm nji e pashë se u tmerrue në fëtyrë dhe u ndal tue më kqyrë deri që kalova un.

Klerikë të arrestuem
Klerikë të arrestuem

Rrugës ishëm shumë, shumë keq. Sa mirë e paska njoftë axha i em Dul Rrjodhin: “nji horr horrit”: që në njanën anë më premton e n’anë tjetër jep tjerë urdhna.
Dikur mbrrijtëm te shpija e Pjetër Çurçisë ku ishte Sigurimi i Shtetit. Kur mbërrijshin njerz duerlidhun, roja i lente me hî menjiherë.
Në krye të shkallëve ishte Duli tue pritë.
-Ma bini në zyrë, – u tha. – Zgjidhjani duerët.
Ndërsa po më zgjidhshin duerët aty në korridor, Duli qeshte tue thanë:
-Taman pllum të paskan bâ! Ku e çove vedin more budallë!
Kur m’i zgjidhen duerët, të cilat ishin nxi e ajtë, filloi nji djegie e posaçme.
-Zef, – tha Duli, – do të nënshkruejmë nji procesverbal që e kam pregatitë për ty.
-Zotni Dul, jam tash tridhetë orë pa derdhë ujë: a jeni njerz apo jo! Un nuk nënshkruej kurrgjâ po nuk shkova përpara me derdhë ujë.
-Çonje në banjë, – i urdhnoi rreshterit.
Më ulën edhe nji herë shkallve poshtë aty ku ishte banja. Rreshteri rrinte mbas meje. Zgjata aq shumë sa rreshteri bërtiste: Mjaft, mjaft: shpejt se pret oficeri lart! Un mbështeta kryet për mur, sepse mezi u mbajshem në kambë dhe vazhdojshem tue pshurrë, sigurisht që kaluen 10 minuta. Ai rreshteri u kap mbas meje dhe kqyri:
-Po kur do mbarojsh ti? Ku dreqin e paske grumbullue kaqë shumë!
Vetëm kur kreva punë mora frymë lirisht dhe iu fala nderës Zotit. Ai rreshteri më kapi për krahi e më dërgoi nalt te zyra e Dulit.
-Hë, moj lule, shumë u vonove. A e bane shurrën?
-Ah, zotni Dul, ju nuk jeni njerz! E si i pengohen nji njeriut ose edhe nji shtazës nevojat fiziologjike për 30 orë?
-Zef, ky stan kët bulmet ka. Kjo asht lufta e klasave. Ke ndigjue për këtë: Ju jeni borgjezia dhe na proletariati. Deri tash na keni shtypë ju ne, dhe tash do t’ju shtypim na ju. Ndërsa thonte këto fjalë buzët e tija, anash gojës, shtremnojshin nji qeshje të idhtë. Ndërkaq Duli vazhdoi:
-Un kam pregatitë këtu nji procesverbal përmbi shka kemi folë bashkë para pak ditësh atje në Kuvend: të kujtohet?
-Po sikur e nënshkrova nji herë atje!
-Ashtu, ashtu asht: ke nënshkrue vetëm nji pjesë të fjalve që kemi folë, por na nuk luejmë rrenash me shoqishojin si keni luejtë ju, na jemi shokë partie dhe duhet të jem i sinqertë me shokët që më kërkojnë të vërtetën. Ai ma lexoi at procesverbalin e zgjanuem që kishte pregatitë dhe un i thashë:
-Po ve firmën e dytë, ajo e treta do të më çojë n’atê jetë.
-Jo, jo, – tha ai me buzqeshjen e idhtë, – kjo do të lirojë se ti je i rí.
Duli, me atê letër që nënshkrova në dorë hapi derën e nji dhome, ndërsa, mbas nja pesë minutash që prita, erdhi nji tjetër roje. Më lidhi me pranga ndër duer, të cilat i shtërngoi, më hodhi nji batanije mbi krye, më uli për shkallësh e më dërgoi në nji vend që nga të ftohtit kuptohej se ishte jashtë dhe aty më la tue më thanë:
-Rri këtu e mos lëviz! Po luejte prej këndej edhe nji gjurmë të shkon kryet. Aty, i mbuluem me atê leckë batanije, ndeja gjithë ditën e natën.
N’e nesre në mëngjes erdh roja e më shoqnoi deri te oficeri i hetuesisë N.K. nji djalë bukurosh. Ai nuk më pveti për kurrgjâ, por më tha se këtu duheshin rrëfye të gjitha mëkatet, prandej duhej që un të mendohesha mirë për gjithshka. Nuk pati shumë fjalë, por thirri atê rojen dhe i tha:
-Merre e dërgoje të mejtohet.

Kleri Katolik në Gjyqet pafund
Kleri Katolik në Gjyqet pafund

Roja më shoqnoi në atê oborrin e vogël ku ishem kenë ditën e natën para i mbuluem me batanije. Këso here më dërgoi te nji pjeshkë që ish në mes. Nga nji konop, i cili ishte i lidhun aty në nji degë t’asaj pjeshke, m’i kaloi dy fijet e tij për nën sjetulla dhe se si e tërhoq aq sa trupi im u pezullue në havá deri aty që prekshin tokën vetëm majet e dy gishtave të mdhaj të kambëve. Ai rreshteri mbasi e siguroi se litari ishte në rregull, u suell rretherrotull meje dhe më tha:
-Tashti je mirë.
Kqyra përreth dhe thashë me mend: kjo asht: Shtylla në oborr të Pilatit!
Dr. Paulin Pali, jurist. Ishte nji emën i ndigjuem për mirë. Në tê mbështeteshin shpresat e shumkuj prej atyne intelektualëve që thurshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.
Nën shkallë ishte ëC-ja alaturka; ngjitun hamamxhiku i vogel: të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shtrëngueme në zinxhirë kali me dry e të kapuna në murin mbrapa me nji hallkë, duerët të lidhuna para.
-Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndërsa po i avitesha ëC-së.
Ai e përsriti nën zâ emnin që i thashë.
-A të njof un ty…?
Vetëm kaq se pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardianit që bërtiti prej së largu: Paulin… Paulin, he derr as aty nuk rri urtë, – dhe e mbylli frazën me nji të shame të turpshme. Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atê pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmën e Dhetorit. Sytë i drejtoshem te ai burri në hamamxhikun e vogël: A ishte ky Paulini…?
Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhun kambësh, në nji pozicion që as nuk rrinte drejt në kambë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhun ashtu sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim.
Mâ vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Përbrí meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhun palmuç të mbluem me nga nji batanije leckë; ndërsa, përballë me fëtyrë të sjellun nga muri katër tjerë, në kambë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë.
Në atê heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojes që sillej aty me automatik ngrehë, dhe të gjamave, pshertimave e ulurimave t’atyne që vuejshin n’atê oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.
O Zot i madh, – thashë me vedi, – a thue ndoshta kam dekë e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjetër, pos vajë e kërcllim dhambësh”?
N’atê moment mund ishte ora nji mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjetër të mjerë. Kadalë e ulnin shkallëve; rojet kqyrën pjeshkën ku ishem i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti.
Atëherë të mjerin tjetër e lidhën afër WC-së, ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë natën gjimonte, ndërsa roja i avitej e kërcnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.
Në mëngjes herët filloi rradha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para ores 7 ra qetsí, mandej u ndrruen rojet. Kah ora 10 erdhën e më zgjidhen nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte mâ i zoti me lshue kurrfarë zani. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër katër dyer. Ndeja aty në kambë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun, Cin Lezha dhe nji tjetër që nuk e njofta. Brí murit ishte edhe nji raft i madh, i sjellun përsëmbrapshtit, në të cilin u mbështeta. Kapteri u largue, hyni dikund në nji dhomë.
Cini ndej gati dhe më pveti nën zâ:
-Kur të kanë arrestue?
Un i bana shêj me gishta të duerve të lidhuna. Ai më pveti:
-Ditë apo javë?
N’at çast nga rafti ku ishem mbështetë filloi nji ulurimë:
Ooh…! Më mbytni more! Mâ mirë më mbytni se me më lanë kështu…! Po ua fali gjakun, mjaft që të më mbytni sa mâ parë…
M’u duk si zâ i njoftun. Pveta Cinin:
-Zani i Guljelm Sumës?…
-Po, – m’u përgjegj, – ai asht.
-Po ku gjindet?
– Aty në raft ku je mbështetë ti.
-Këtu…?! po ky nuk e nxen, Guljemi asht i madh.
-Tash dy muej që kam ardhë aty e kam gjetë. Njeri asht mâ i fortë se guri!
Ndërkaq ai tjetri përbrí Cinit, ulun kambëkryq përkundej sa para mbrapa dhe lutej si nën zâ tue shqiptue papushim: Lai lahi il Allah!
-O Zot në dorën tande! – tha Cini. Por n’atë çast kapteri duel nga ajo dera ku kishte hî dhe filloi me i sha Zotin Cinit me fjalët mâ të ndytat, mandej m’u suell mue:
-Fole ti me këtë pizaveng? Pse nuk rri me fytyrë nga muri? Sillu! – dhe m’i dha dy të rame në fëtyrë. Ai zuni vend aty, dhe, mbas pak kohe, u hap ajo derë ku un hyna për hetuesí.

Demaskimet publike, arrestimet dhe vrasjet e klerit.
Demaskimet publike, arrestimet dhe vrasjet e klerit.

Ishte seanca e dytë e hetuesisë. Nesti Kopali, ai oficer bukurosh, me uniformen e kapitenit I, me ato çizme lustër siellej rreth meje tue më pvetë:
-Hë, je mejtuar…? Kalove një natë të bukur i varur. Fol…! Fol! Këtu kanë ardhur burra më të famshëm se ti dhe ua zgjidhëm brekët. Fol!
Vazhdoi nji heshtje ndërsa ai sillej rrotull nëpër dhomë.
-Nuk don të flasësh…?
-Po çka të flas?
-Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?
-Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.
-Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!
-Po çka të flas? Ti mëpvet çka don e un të përgjigjem.
-Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol…! Fol…!
-Nuk dij çka me folë.
-Nuk di ti ë?
Kapi shufrën e hekurit me të cilën shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u vërsul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjalë që thonte: Fol! Këtu qumshti i mëmës!
Un nuk kishem çka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dërmuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjetër, atê që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardiani sillej aty afër e nuk mund folej. Në murin e WC ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje: “Un Dom Vlash Muçaj, këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet…!”
U tmerrova.
A thua njeri arrin deri aty, mâ keq se kafsha? O Zot, mos na provo!
Me t’u largue gardiani, – roja tjetër ishte jashtë n’oborr, – fola me Paulinin. Ai:
-A të njof?
-Jo, nuk njifemi.
-Si fëtyrë e pame dikund. Kush je?
-Me At Gjon Shllakun: Fra Zef Pllumi.
-Në Kuvendin Françeskan?
-Lef Nosi, Anton Harapi, Maliq Bushati. Poshtë avoketnit Xoxa, Stringa, Xhaj!
-Po.
-Ç’bahet me Kuvendin?
-Na kanë shpërda krejtsisht.
-Të gjithë në burg?
-Shumica.
Atëherë ai fshani gjatë e gjatë. Ndjeu nji tronditje të thellë. Sikur e kapi nji krizë, filloi me uluritë. Gardiani u avit.
-Ëë derr i derrit! Ç’ke që ulërin?
Paulini vazhdonte të qante me britmë, ndërsa kapteri e shante me fjalët mâ të ndyta. Dikur gardiani u largue e mbetëm përsëri vetëm.
Më kqyrte me dy sy të cangulluem. Me duert e lidhuna në pranga krehte mjekrën e gjatë e të zezë dhe shkundte morrat.
-Jam plot morra, shif!
Me të vërtetë un nuk kishem pá kurrë aq shumë në jeten time, i nxirrte me grushta. U pregatita shpirtnisht edhe për nji vuejtje të tillë.
-Kur të kanë arrestue?
-Nji javë.
-Si janë punët? Anglezët çka thonë?
-Punët i kemi keq. Anglezve nuk u besohet, ata na i prunë “këta”, le të thonë çka të duen. Interesat e tyne janë shkaktarët e vuejtjeve tona.
Prokurori Misto Treska.
-E njef X?
-Jo.
Atëherë Paulini filloi me ulëritë përsri. M’u duk sikur duel jashtë binarve. Filloi të flasë fjalë pa kuptim: …autosugjestion… jo, nuk funksionon asnji metodë… autosugjestion…
Ndoshta kjo shkëputje kontaktit me Paulinin filloi të randojë mbi shpatullat e mia të varuna në parmakët e shkallve. Nji peshë përherë e mâ e randë që vinte tue më djegë ndër sjetulla si prush i ndezun.
Kambët nuk i ndjeshem ma se i kishem të miat, por si t’ishin drunit. Ulurimave të Paulinit erdhën e iu shtuen tjerat mâ të tmerrshme: ato të kapterit që çfrente me të shame gjithfaresh mandej kërcnohej:
-Pusho! Pusho se të lidha si Krishtin!…
M’u duk qesharake. Paulini, un, ai tjetri e tjetri, të gjithë ishim të lidhun si Krishti. Të gjithë të rrahun e të munduem si Ai. Po aty ku ishte Ai: në Pretorium. O Zot i madh! Mbas njizet shekujsh, njerzimi i njajtë se i njajtë: tue rrahë, tue mundue e tue mbytë të pafaj…! E ç’ndryshim kishim na ndër ato çaste prej Krishtit? Shtylla n’oborr të Pilatit, pjeshka në seksion të Sigurimit të Shtetit, ishin nji për nji. Ndoshta të njajtat fyemje e të njajtat shamje e ulurima. Por kjo ishte vetëm faqja e jashtme. Përmbreda shpirtit e zemrës sonë urrejtja sillte urrejtjen. “O Zot fali se… nuk din çka bâjnë!”, – thotë Krishti aty. E na i përgjegjshim: “Vërtet, nuk e dijshin ata atëherë, por këta sot e dijnë…” Këta me i falë… jo kurrë… Këta me i dashtë?… Jo kurrë”…! Kjo ishte ajo luftë e mbrendshme që randonte edhe mâ shumë në litarin ku ishem i varun.
O Zot më jep ndihmë!
Mbasdite, mbasi filloi me u errë, erdhën e më muerën përsëri. Po ajo zyrë e ngroftë, po ai oficer elegant, me çizme të lustrueme. Po ajo pritje e bukur.
-U mejtove? Sigurisht që je mejtuar. Je djalë me shkollë dhe inteligjent. Nuk do ta marrësh veten në qafë. Fol, ç’ke për të thënë?
Heshtje.
-Jo ti nuk don të flasësh, por të bëj un tani, të bëj atë që s’ta ka bërë kush, por më mirë fol! Fol!
-Po më pvet zotni major mbi çka të flas…
-Ëë.. .derr i derrit, nuk flet ti! Ja, qumshtin e mëmës hidhe këtu! Qumshtin e mëmës!… – dhe filloi me shputa kresë, mandej me grushta, më shtyni, më përplasi përtokë, m’u vërsul me shtjelma me ato çizme lustër. Shtjelma në brí, në kambë, në shpinë, në krye e në fëtyrë deri që më shpërthei gjaku. Kur pá gjakun u ndal. Shkoi te radioja e vuni te nji stacion: ndigjoheshin kangë Këshndellash. Ai iu avit dritares dhe kqyrte kush po kalonte. Hapi xhamat. Poshtë ndiehej nji zâ femne.
-Nuk mund të pres shumë, se asht ftohtë.
-Pa eja mbas nji ore se jam shumë i zënë dhe nuk mund ta lë punën.
Ashtu i shtrimë siç ishem i kapa mirë fjalët dhe u ngushllova se dikur edhe urrejtja do të kish mbarim. Kur mbylli dritaren hapi derën dhe thirri nji aspirant që ishte dikund andej.
-Mbushja mendjen këtij të flasë, mund merreni vesh si shkodranë që jini, dhe ai duel jashtë.

Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar
Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar

Ai aspiranti (D. L.) emnin ma dijte dhe më pveti çfarë shkolle kishem bâ. Kur un i thashë për filozofí etj., ai mu kthye:
-Ju doni të na shitni neve filozofí. Po na filozofinë e kemi bâ në mal. A e sheh un nuk dij me shkrue e me këndue, ama filozofinë e dij njiqind herë mâ mirë se ti me shkollë: un jam nji aspirant që ngrohem te soba e ti aty i lamë me gjak. Çou!
Un u çova, atëherë ai filloi me atê shufrën e hekurt të sobës tue më ra papushim e tue thanë: Filozofí ti… qelbanik! Fashist…! Fashist… fashist… deri që hyni përsri oficeri i lartë, i cili shkoi drejt e te radio, ndrroi stacionin dhe gjeti nji muzikë të fuqishme, kor ushtarak.
-Filloi të flasë apo jo?
-Jo, – u përgjegj aspiranti.
-Atëherë ndrrojmë filmin.
Dhe kur tha kështu muer nji aparat të vjetër telefonik. Dy telat mi lidhi ndër veshë mandej aspiranti filloi të sjellë manovelën. O Zot i madh! Korrent elektrik: nji korrent që të therte me mija, miljona, miljarda gjylpana në kokë e gjithkund në të tanë trupin. Dridhje çuditërisht të tmerrshme, ndërsa oficeri i naltë sillej si bishë nëpër dhomë. Fol!… fol!… Qumshtin e mëmës!… Fol… qumshtin e mëmës…! Nuk mund tham me siguri se sa zgjati ky operacion i tmerrshëm, ndoshta nji orë. Por në pastë kenë nji ore, atëherë mendoj se kje ora mâ e gjatë e gjithë jetës sime. Nuk mujshem me folë, por n’ato momente kje e para herë që iu luta Zotit, me ma të madhen përkushti: “O Zot, ma merr jetën, më shpëto!”
Mandej erdhën dy roje, m’i shtinë krahët e më zbritën n’oborrin e vogël e aty te pjeshka më varën. Nuk shifshem kurrgjâ përreth n’at terrinë. Ajri i hollë i cigrimtë i dhetorit sikur më bani mirë. Fillova të ndigjoj, fillova të shoh edhe në terr. Këqyra në hamamxhik. Paulini nuk ishte aty, ai burri po te truma bishtëshkurtë te dera. Tjerë njerëz n’oborr, të shtrimë palmuç e të mbuluem me lecka. Dikush në kambë pranë murit. Kishte pasë arsye ai oficer Nesti që i tha aspirantit:
“Dërgoje të pushojë e të mejtohet”.
Pushim i çuditshëm, i varun në nji pjeshkë! Por kishte keq e mâ keq.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.